-Presidenti Juncker dhe Delegacioni i BE-së do të takohen me Presidentin Hashim Thaçi, Kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli dhe Kryeministrin Ramush Haradinaj, bën të ditur njoftimi dërguar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë/
PRISHTINË, 27 Shkurt 2018-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, bashkë me Përfaqësuesen e Lartë, Federica Mogherini dhe Komisionerin Johannes Hahn, nesër, do të vizitojnë Kosovën.Presidenti Juncker dhe Delegacioni i BE-së do të takohen me Presidentin Hashim Thaçi, Kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli dhe Kryeministrin Ramush Haradinaj, bën të ditur njoftimi dërguar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.Juncker, Mogherini e Hahn do të mbajnë edhe një takim me qytetarë, përfaqësues të mediave, aktivistë të shoqërisë civile, ndërmarrës, studentë, profesorë, rininë e partive politike, artistë, sportistë kosovarë, bursistë të programeve të BE-së, dhe shefat e Misioneve të BE-së dhe bashkësisë ndërkombëtare.
KOSOVË-VESELI ME DELAWIE E APOSTOLOVA PËR VOTIMIN E DEMARKACIONIT
-Kryeparlamentari Veseli dhe Ambasadori Delawie u pajtuan se është momenti i fundit që Kosova ta ratifikojë këtë marrëveshje, për t’i zënë afatet e nevojshme për heqjen e vizave gjatë këtij viti.
PRISHTINË, 27 Shkurt 2018-Gazeta DIELLI/ Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim Ambasadorin e SHBA-së në Prishtinë, Greg Delawie, për të diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë për seancën e nesërme plenare ku pritet të ratifikohet Marrëveshja për Shënimin e Kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, e cila i hap rrugë liberalizimit të vizave.Kryeparlamentari Veseli e ka informuar Ambasadorin Amerikan për takimet dhe konsensusin e arritur mes subjekteve politike të pozitës dhe një pjesë të opozitës për ratifikimin e Marrëveshjes për Shënimin e Kufirit. Veseli u shpreh optimist se marrëveshja e cila do t’i hapë rrugë lëvizjes pa viza të qytetarëve të Kosovës në Zonën Shengen do të miratohet në seancën e së mërkurës.
Kryeparlamentari Veseli dhe Ambasadori Delawie u pajtuan se është momenti i fundit që Kosova ta ratifikojë këtë marrëveshje, për t’i zënë afatet e nevojshme për heqjen e vizave gjatë këtij viti.Ambasadori Amerikan e ka vlerësuar rolin e Kryeparlamentarit Veseli në gjetjen e konsensusit brenda spektrit politik, ndërsa ka rikonfirmuar mbështetjen e SHBA-së për Republikën e Kosovës në të gjitha fushat.
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim edhe Shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë- Përfaqësuesen e Posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova, të cilën diskutoi për zhvillimet politike në vend, axhendën evropiane të Kosovës dhe hapat që Kosova duhet të ndërmarrë në këtë proces, me theks të veçantë, çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, e cila do të jetë serish nesër për diskutim në Kuvend.
Kryeparlamentari Veseli tha se populli i Kosovës në histori ka humbur shumë raste dhe nuk do të lejojë të humb raste të reja. Ai tha se Kosova është e përkushtuar plotësisht në përcaktimin e saj euro-atlantik dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të.Veseli shtoi se Kosova do të vazhdojë angazhimet e saj për përmbushjen e të gjitha kritereve që i janë përcaktuar nga Bashkimi Evropian.“Liberalizimi duhet të ndodhë dhe ratifikimi i marrëveshjes do të votohet. Kosova dhe qytetarët e vet kanë nevojë për një lajm të mirë dhe ne do ta sjellim këtë lajm nesër. Ratifikimi jep sinjal të qartë për perspektivën drejt BE-së dhe presim nga BE-ja të na ndihmojnë në rrugëtimin tonë euro-integrues”, theksoi kryeparlamentari Veseli.
Ai shtoi se është bërë shumë për të arritur konsensusin dhe kërkoi nga i gjithë spektri politik që nesër të jetë bashkë, në forcimin e sovranitetit dhe ecjen e vendit përpara.“Nesër duhet të kemi një lajm të mirë. Besoj dhe në reflektimin e kolegëve që ende nuk e kanë marrë këtë vendim. Jemi para një dite që do t’i hapë perspektivë Kosovës”, tha kreu i Kuvendit, Kadri Veseli.Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, tha se në javët e fundit ka pasur hapa të rëndësishëm për Kosovën për kalimin e demarkacionit, të cilat, siç tha ajo, janë vlerësuar shumë.“Dua të them që jemi afër që ta zgjedhim këtë çështje, andaj besoj se ratifikimi i demarkacionit në Kuvend duhet të bëhet nesër, sepse do të jetë hap i rëndësishëm në rrugën e liberalizimit. Kosova duhet të vazhdojë ende luftën kundër korrupsionit. Duhen përpjekje, por ratifikimi na afron te liberalizimi i vizave”, theksoi Apostolova./b.j/