*Dekorata “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” për kongresmenin Eliot Engel. Presidenti Nishani me Këshillin Kombëtar Shqiptaro-Amerikan: ”Mirënjohja, virtyt i lashtë i shqiptarëve/
Në takimin e organizuar në Nju Jork nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, Presidenti Nishani dekoroi kongresmenin Eliot Engel me dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me motivacion “Në shprehje të mirënjohjes dhe nderimit të thellë për mbështetjen e vendosur për Shqipërinë, shqiptarët dhe veçanërisht për Pavarësinë e Kosovës”.
“Mirënjohja është një virtyt yni shumë i lashtë, trashëguar brez pas brezi. Kombi ynë dhe çdo shqiptar i është mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rolin vendimtar në pavarësinë e Shqipërisë dhe të Kosovës, për shembjen e komunizmit dhe zhvillimin e demokracisë, për anëtarësimin në NATO dhe promovimin e të drejtave të shqiptarëve në rajon. Kongresmeni Eliot Engel është një nga personalitetet, që ka ngritur zërin në mbrojtje të të drejtave legjitime të shqiptarëve dhe ka mbështetur aspiratat e tyre për liri dhe demokraci. Pavarësia e Kosovës ka edhe vulën e kontributit të tij”.
Në fjalën e mbajtur në këtë takim, Presidenti Nishani vlerësoi rolin e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan përgjatë 17 viteve në promovimin dhe rritjen e ndjeshmërisë ndaj të drejtave dhe interesave legjitime të shqiptarëve, për paqen, stabilitetin dhe demokracinë në Shqipëri dhe rajonin tonë.
Duke u shprehur se Republika e Shqipërisë ka shkelur në qindvjeçarin e dytë me objektiv strategjik parësor anëtarësimin në Bashkimin Evropian, Kreu i Shtetit theksoi se vendi ynë pret me të drejtë, bazuar në meritë, të marrë statusin e vendit kandidat në BE.
“Shqipëria ka përmbushur plotësisht dymbëdhjetë rekomandimet e Komisionit Evropian. Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të kësaj fillimvere ishin të standardeve evropiane. Parë në tërësi, procesi zgjedhor, sjellja e politikanëve, para, gjatë dhe pas zgjedhjeve, si edhe periudha kalimtare e qetë e pushtetit, dëshmojnë se klasa politike shqiptare ka arritur pjekurinë dhe përgjegjshmërinë e nevojshme të një vendi me demokraci funksionale”
Presidenti Nishani u ndal gjithashtu në fjalën e tij tek Kosova, shteti më i ri, por i provuar si faktor paqeje e stabiliteti në rajon.
“Besoj se Kosova ka bindur edhe më skeptikët se pavarësia e saj ishte alternativa e vetme. Njohjet e mëtejshme nga vende, që ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë, varen nga aftësia jonë informuese dhe interesat e secilit prej këtyre vendeve”.
Kreu i Shtetit shprehu bindjen se zbatimi i shpejtë dhe i plotë i Marrëveshjes së Ohrit është jetik për bashkëjetesën ndëretnike dhe stabilitetin e qëndrueshëm të Maqedonisë duke siguruar se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë integrimin euroatlantik të saj. Kreu i Shtetit tha gjithashtu se Shqipëria është në favor të zgjidhjes së problemeve ekonomike, kulturore, arsimore, etj., të cilat shqetësojnë shqiptarët në Luginën e Preshevës, në rrugë institucionale, me dialog, ndërmjet përfaqësuesve të tyre dhe qeverisë në Beograd.
“Ne jemi të përkushtuar në politikën e fqinjësisë së mirë dhe nxitjen e bashkëpunimit rajonal. Inkurajojmë shqiptarët, kudo në rajon, të mbështesin konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor dhe integrimin euroatlantik të vendeve ku jetojnë. Shqiptarët do të jenë bashkë në Bashkimin Evropian”-deklaroi Presidenti Nishani në takimin me Këshillin Kombëtar Shqiptaro-Amerikan.