Komiteti Hebraik Amerikan, një organizatë e njohur e çështjeve hebraike, priti mbëmë në Uashington Presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani dhe shfaqi filmin dokumentar “Shpëtim në Shqipëri”, i cili sjell dëshmi të hebrejve që u shpëtuan nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Presidenti Bujar Nishani erdhi në aktivitetin e Komitetit Hebraik Amerikan për të falenderuar disa personalitete hebraike që e kanë bërë të njohur Shqipërinë dhe rolin e shqiptarëve në shpëtimin e hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Organizatat hebraike në Shtetet e Bashkuara e përmendin shpesh këtë rol të veçantë të shqiptarëve dhe vazhdimisht theksojnë se ky është një fakt që ende nuk njihet sa duhet.
Jason Isaacson, është Drejtor i çështjeve qeveritare dhe ndërkombëtare pranë Komitetit Hebraik Amerikan.
“Mijëra hebrej janë sot gjallë, bota është një vend më i gjallë dhe më i bukur si rrjedhojë e guximit dhe solidaritetit të popullit shqiptar,” tha zoti Isaacson.
Presidenti Nishani shpregoi traditën shqiptare të mikpritjes dhe të besës që bëri të mundur shpëtimin e hebrejnjve në Shqipëri:
“Për ne, shqiptarët, miku është i zoti i shtëpisë. Çdo njeri në nevojë që troket në dyert shqiptare është i mirëpritur si mik, i jepet fjala e nderit dhe mbrohet nga besa. Fjala e dhënë mbahet me çdo kusht,” tha Presidenti i Shqipërisë.
Një film dokumentar me këtë temë që u shfaq për të pranishmit, e tregon historinë e shpëtimit në Shqipëri me gojën e vetë hebrejve të cilët mundën të mbeten gjallë si rrjedhojë e mbrojtjes dhe kujdesit që treguan shqiptarët për ta.
Johanna Newman është një prej atyre që mbetën gjallë dhe që bën gjithçka për të njohur botën me shpirtin bujar të shqiptarëve. Ajo tha se sot ka një familje të madhe, pikërisht në sajë të shqiptarëve.
“Po të mos ishte përkushtimi i popullit shqiptar unë nuk do të isha këtu sot, nuk do të isha nënë e katër fëmijëve të mrekullueshëm, nuk do të kisha 14 nipër e mbesa dhe 13 stërnpiër e stërmbesa”, tha zonja Newmann.
Doktoreshë Anna Cohen nga Nju Jorku, e cila u rrit në Vlorë në një familje hebraike, tregon një histori prekëse:
“Kur isha vajzë e vogël, shihja perëndimin e diellit dhe gjithmonë vizatoja një anije të vogël pa njerëz, me flamurin izraelit dhe atë shqiptar. Kurrë nuk e mendoja se një ditë, këta flamurë do të rrinin pranë njëri tjetrit. Sot që gjërat kanë ndryshuar, do të dëshiroja të shikoja anijen time të vogël pa njerëz dhe me dy flamurë, të mbushur plot me turistë hebrej, do të doja të shihja hebrejtë amerikanë të vizitonin Shqipërinë, të shihnin objektet e tyre të kultit dhe sidomos të restauronin sinagogën e Sarandës, një objekt i vërtetë tursitik,” tha zonja Cohen.
Në mes të duartokitjeve, Presidenti Nishani nderoi me medale zonjat Johanna Newmann dhe Anna Cohen.(Kortezi:ILIR IKONOMI-Zeri i Amerikes)