Ditëlindja e 100-të e shtetit shqiptar është ngjarja më e bukur për çdo bashkëkombës, kudo ku jeton, në Shqipëri dhe jashtë saj. Të gjithë, pikërisht sot, e festojmë mes nesh të bashkuar, të lirë, të fortë dhe me miq të shumtë. Kam nderin dhe privilegjin t’i ndaj me ju këto çaste me anë të këtij mesazhi. Çaste që ndoshta zgjasin vetëm pak minuta, por që janë ndër më të veçantët për mua, ashtu sikurse për çdonjërin prej të gjithë atyre që kanë lindur në këtë vend dhe në trevat shqiptare; për të gjithë bashkëkombësit kudo qofshin; për çdonjërin që krenohet me rrënjët e familjes shqiptare; për çdonjërin që shpalos me dinjitet dhe krenari shenjat më sublime të kombit tonë: flamurin. Prej luftërave të Kastriotëve kundër otomanëve, e deri më sot, simboli ynë, shenja jonë bashkuese, ky flamur të cilin sot në këtë 100-vjetor jemi mbledhur ta nderojmë, ka bërë rrugë të gjatë. Gjatë kësaj rruge të mundimshme, ia kemi arritur nga flamuri ynë të mos ndahemi, flamurit tonë t’i dalim zot. Na e kanë rrëmbyer flamurin dhe ua kemi marrë përsëri e na është bërë më i dashur. Kanë provuar të na e çjerrin, të na e grisin flamurin dhe s’i kemi lejuar. Janë përpjekur të na e zhdukin flamurin duke u munduar të na bindin ta harrojmë dhe ia kanë arritur ta zhdukin për ca kohë, por e kemi nxjerrë përsëri ne nga hiri i harresës. Kanë arritur të na e ndotin duke e ndryshuar dhe e kanë e ndryshuar për ca kohë, por përgjithmonë nuk kanë mundur ta ndotin e ta mposhtin, as ne e as flamurin tonë. Dhe ja ku e kemi sot atë krenar duke u valvitur. Historia e vendit tonë në faqet e saj të shkruara e të pashkruara dëshmon qartë dhe bindshëm për gjakun e derdhur, për sakrificat e pafundme dhe mundin për të mbërritur në ditën e lavdishme të mëvetësisë, kur ëndrrat do të fillonin të bëheshin realitet. Kur shpresat e shqiptarëve do të fitonin të drejtën e jetës. Dhe sot, më shumë se kurrë, ne po jetojmë ditën kur kujtojmë dhe nderojmë punën, vlerën, kontributin e burrave të 1912-ës. Me respekt, me mirënjohje të thellë, me kurajë për të pranuar çdo kontribut të çmuar, të çdo atdhetari e patrioti që bëri të mundur mbërritjen e ditës së madhe, shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, ne kujtojmë dhe nderojmë ata që na bënë shtet të lirë, që na falën dinjitetin kombëtar dhe krenarinë e të qenit shqiptar. Sot, njëqind vjet më vonë, më në fund, ne i njohim një për një të gjithë emrat e firmëtarëve të aktit të madh të Pavarësisë, pa turpin e fshehjes së qëllimtë të një pjese syresh. Janë dyzet patriotë, intelektualë, atdhetarë nga të gjitha trevat shqiptare që firmuan aktin e shpalljes së rrugëtimit në liri të Shqipërisë. Është nder dhe krenari për ne që sot të nderojmë secilin prej tyre dhe të gjithë shqiptarët e ndershëm që nuk u prapsën nga rreziqet, që i mposhtën dasitë fetare e krahinore, që besuan në ëndrrën e tyre të madhe e të guximshme dhe që me përkushtim, iu përgjigjën thirrjes të atij viti të madh. Sot, ne kemi me çfarë të krenohemi. Nuk është më një vend i boshatisur nga vlerat dhe kujtesa historike apo me fotografi dhe dokumente të fshehura dhe të falsifikuara. Ne nderojmë Ismail Qemal Bej Vlorën, burrin e madh të kombit shqiptar dhe fisnikët trima që u mblodhën kokë më kokë me të. Nderojmë çdo dëshmor që flijoi jetën e tij për Shqipërinë. Në këtë 100-vjetor të lavdishëm të zgjimit tonë dhe të flamurit tonë, përulemi thellë para tyre duke kujtuar me respekt të madh sakrificat sublime që prej shekujsh për këtë flamur shqiptarët kanë bërë. Përpjekjet e papërfytyrueshme të mijëra e mijëra martirëve tanë; lodhjet e tyre, syrgjynosjet e tyre, pasuritë që shkrinë, jetët që dhanë, për këtë flamur. Ka qenë rrugë e gjatë, e vështirë. Një vend i vogël si Shqipëria, pothuaj i papërfillshëm në hartat e fuqive të mëdha, pre e synimeve shoviniste të shteteve fqinje lakmitare, nuk u rrëzua, nuk u shua, u mbajt fort, u ngrit në këmbë, ushqeu me gjakun e vet ëndrrën për liri; shpresën e madhe për pavarësi. Sepse pati bij të mirë që asnjëherë nuk u ngritën kundër një vendi tjetër. Thjesht deshën dhe mbrojtën trojet e tyre. Sot, ne kemi ëndrra dhe shpresa të mëdha. Shqipëria e sotme dhe ajo e nesërmja janë vazhdë e ngritjes së flamurit në Vlorën e 1912. Si krijesa të zjarrta të lashtësisë, energjikë dhe shpërthyes, ne shqiptarët dhe flamuri ynë, nuk mund të ekzistojmë ndryshe veçse në simbiozë me simbolin tonë, me flamurin tonë. Si të tillë, ne dhe flamuri ynë jemi të pandarë dhe të pandashëm; si materia dhe mendimi, ideja dhe veprimi, toka dhe qielli, trupi dhe shpirti jemi një. Flamuri ynë është nga më të pastrit; në asnjë rast të historisë, flamuri ynë nuk i priu asnjë pushtimi, asnjë shkatërrimi. Flamuri ynë na është dashur ne dhe ne i jemi dashur flamurit tonë, si simbol mbijetese, si çimento bashkimi. Aspak për t’i rënë kujt në qafë. Vetëm për të ndihmuar njëri-tjetrin; flamuri ne, ne flamurin, edhe ne edhe flamuri, Shqipërinë dhe shqiptarinë. Të vazhdojmë ta mbajmë të pastër e të paprekur flamurin tonë, simbolin tonë të shenjtë udhëndriçues dhe bashkues. Ashtu si dielli ndrit dhe ngroh botën dhe mban gjallë jetën, ne na ndrit, na bashkon, shpirtrat na i ngroh, rrugën na e tregon, ky flamur. Me pamje frymëzuese, me ngjyra ekzaltuese. Nga më të vjetrit, më krenarët, më madhështorët, më të bukurit në botë, është flamuri ynë. Si President i një vendi të lirë dhe demokratik, më shumë se kurrë pranë familjes evropiane, ju uroj: Gëzuar festën, të gjithë shqiptarëve që në këto 100 vjet një pjesë të jetës së tyre e kaluan të privuar nga e drejta e parë themelore, nga liria! Gëzuar festën të gjithë shqiptarëve, në Kosovë, në Maqedoni e Malin e Zi; kudo ku janë në botë, që kanë shijuar ditën e madhe të lirisë kur u shemb muri i lartë i diktaturës! Gëzuar festën të gjithë djemve dhe vajzave njëzetvjeçarë që lindën në liri dhe sot jetojnë ëndrrën që nuk e jetuan dot të parët tanë! Gëzuar festën Vlorës heroike! Gëzuar festën të gjithë shqiptarëve në të gjitha trevat! Qoftë e bekuar kjo ditë për të gjithë shqiptarët kudo ku janë! Rroftë Vlora! Rroftë Shqipëria! Rroftë kombi shqiptar!