Kreu i Shtetit përshëndeti 70-vjetorin e Organizatës Kombëtare Shqiptaro-Amerikane (AANO): Diaspora shqiptare duhet të përfshihet e të jetë edhe më e pranishme në zhvillimin e Shqipërisë!/
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani përshëndeti veprimtarinë me rastin e 70-vjetorit të themelimit të Organizatës Kombëtare Shqiptaro-Amerikane (AANO) dhe mbajtjes së Kuvendit të saj të përvitshëm në Tiranë.
Kreu i Presidenti i Shtetit në fjalën e Tij përshëndetëse duke shprehur respektin personal dhe vlerësimin institucional theksoi se kjo Organizatë ka dhënë një kontribut të paçmuar për të nxitur bashkimin, bashkëpunimin, zhvillimin e përparimin e Komunitetit Shqiptar në Shtetet e Bashkuara si dhe për ruajtjen e identitetit dhe vlerave më të vyera shqiptare. “Kam besimin e patundur që ky kontribut do të vazhdojë edhe në të ardhmen me të njëjtën frymë dashamirësie dhe me të njëjtin vullnet e përkushtim që e ka karakterizuar që nga hedhja e themeleve të Organizatës suaj e deri në ditët e sotme.” – tha Presidenti Nishani, duke shtuar se ne jemi kombi i Skënderbeut, Nënë Terezës dhe mjaft figurave dhe personaliteteve të shquara botërore, për të cilët krenohemi me plot të drejtë.
Më tej Presidenti Nishani vuri në dukje se Diaspora shqiptare dhe të parët tuaj, ju si dhe brezat e rinj keni mbajtur dhe mbani gjallë ëndrrën e shqiptarëve për liri dhe përparim si dhe vlerat, traditën, gjuhën, kulturën duke i trashëguar dhe pasuruar ato brez pas brezi.
Duke iu drejtuar vëllazërisht të pranishmëve, Presidenti Nishani nënvizoi se secili prej shqiptarëve të Amerikës ka kontributet e veta në mbështetjen e palëkundur që Shtetet e Bashkuara na kanë dhënë që nga pavarësia e shtetit shqiptar, gjatë përpjekjeve tona për liri dhe demokraci nën diktaturë, në çlirimin dhe fitimin e pavarësisë së Kosovës, në konsolidimin e demokracisë, institucioneve të pavarura shqiptare, hapësirat e lirisë, bashkëpunimin dhe partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara.
“Mes shqiptarëve kudo ku jetojnë në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, Preshevë e Bujanovc, në vende të tjera evropiane, në Australi, etj. dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka ekzistuar dhe vazhdon të ekzistojë një lidhje e veçantë. Ne ndihemi krenarë që jemi aleatë besnikë të Shteteve të Bashkuara, duke dhënë kontributin tonë, sado modest në kuadër të koalicionit ndërkombëtar që lufton për të mbrojtur dhe siguruar vlerat e patjetërsueshme të lirisë, demokracisë dhe civilizimit.” – tha Presidenti.
Në përfundim të përshëndetjes së tij, Presidenti Nishani nënvizoi se: “tashmë diaspora shqiptare në Amerikë është e madhe në numër, dhe unë uroj, duke i inkurajuar njëkohësisht, që të kemi sa më shumë shqiptaro-amerikanë mes nesh, sidomos të rinj, të cilët kapacitetet e tyre të vyera intelektuale duhet t’i shpalosin në radhët e administratës publike apo edhe investitorë dhe sipërmarrës, që në Shqipëri mund të kontribuojnë edhe më tej për zhvillimin dhe përparimin e pandalshëm të vendit tonë. Le të shërbejë kontributi, puna dhe përpjekjet tuaja si një histori e madhe suksesi dhe frymëzimi për të gjithë përfaqësuesit dhe organizatat e diasporës shqiptare që kontribuojnë për mirëqenien, begatinë, zhvillimin e të gjithë shqiptarëve, ashtu siç kanë bërë deri më sot.”