Presidenti amerikan Barack Obama uroi sot presidentin shqiptar Bujar Nishani me rastin e 28 Nëntorit, ditës së Pavarësisë. Ju shpreh urimet më të mira për ju dhe popullin shqiptar, fillon mesazhi. “Ky shënon edhe një rast për të reflektuar mbi partneritetin e fortë dhe të qëndrueshëm që gëzojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shqipëria, ashtu siç u nënvizua edhe nga nënshkrimi në prill i Partneritetit Strategjik ShBA-Shqipëri. Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të përkushtuara për të ndihmuar Shqipërinë që të përparojë në rrugëtimin e saj drejt integrimin të plotë Euro-Atlantik”, lexohet më tej në urimin e Obamës. Presidenti amerikan shtoi se i është “mirënjohës kontributeve të Shqipërisë në drejtim të rritjes së paqes dhe qëndrueshmërisë në Ballkan si dhe anembanë botës”. “Ato përfshijnë edhe ndihmesën e vlefshme të Shqipërisë si pjesëtare e Koalicionit Ndërkombëtar që lufton ISIS-in dhe kundër ekstremizmit të dhunshëm në rajonin e Ballkanit. Unë pres që në këtë drejtim dhe në shumë fusha të tjera të rëndësishme, ta thellojmë bashkëpunimin tonë gjatë viteve në vazhdim”, thuhet në mesazhin e Obamës.