-Presidenti Thaçi mysafir nderi i Forumit Ekonomik Ndërkombëtar të kontinentit të Amerikës/
PRISHTINË, 18 Prill 2017-Gazeta DIELLI/ Me ftesë të Forumit Ekonomik Ndërkombëtar të kontinentit të Amerikës (IEFA), Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Presidenti Thaçi do të jetë mysafir nderi në edicionin e 7-të të Forumit Botëror Strategjik, i cili mbahet nën patronatin e IEFA-së në Majami.
Ai do të mbajë një fjalim me temën “Energjia, infrastruktura dhe zhvillimi i qëndrueshëm”, para një audience prej rreth 1200 pjesëmarrësve nga dhjetëra shtete të botës.
Në këtë forum, presidenti Thaçi do të zhvillojë takime edhe me përfaqësues të shteteve dhe kompanive të ndryshme botërore.
Pjesëmarrës në këtë forum janë personalitetet kryesore nga bota e biznesit, krerët e ndryshëm të shteteve, si dhe përfaqësuesit e shumtë të qeverive, organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile.
Forumi Botëror Strategjik (WSF) është themeluar nga Forumi Ekonomik Ndërkombëtar i kontinentit të Amerikës, një organizatë kjo jofitimprurëse që merret me promovimin e një dialogu të hapur për çështje ekonomike./b.j/