-Mirënjohje për Parlamentin Evropian për mbështetjen e tyre të vazhdueshme dhe për besimin e patundur në institucionet dhe qytetarët e Kosovës dhe në orientimin e tyre evropian/
PRISHTINË, 16 Maj 2016/Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim një delegacion të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore, të kryesuar nga eurodeputeti Tonino Picula, të cilët i falënderoi për vizitën e tyre, duke thënë se për Kosovën është hapur një kapitull i ri evropian.
“Ky është vit evropian, është një bazë e fuqishme për shtetin tonë, duke filluar nga miratimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, fillimi i zbatimit të saj, si meritë dhe punë e institucioneve të Kosovës, gjithnjë duke pasur parasysh obligimet e reja implementuese”, ka thënë presidenti Thaçi.
Thaçi shprehu mirënjohje për Parlamentin Evropian për mbështetjen e tyre të vazhdueshme dhe për besimin e patundur në institucionet dhe qytetarët e Kosovës dhe në orientimin e tyre evropian.
I pari i vendit theksoi se kulmi i këtij suksesi është arritur me përmbushjen e të gjithë kritereve për rekomandimin për liberalizimin e vizave, me ç’rast u zotua se edhe si President i Kosovës do të mbetet i përkushtuar për kryerjen e të gjitha obligimeve që të ndodhë liberalizimi sa më shpejt të jetë e mundur, duke përfshirë grupet e veçanta për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
“Këto ditë janë pozitive për Kosovën edhe për sa i përket anëtarësimit të shtetit tonë në UEFA dhe FIFA, prandaj po ndodhin hapa të rëndësishëm për të ardhmen evropiane dhe për integrimin e Kosovës në të gjitha institucionet ndërkombëtare”, ka thënë presidenti Thaçi.
Në këtë takim u diskutua edhe për pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur Kosovën, me ç’rast presidenti Thaçi tha se Kosova vazhdimisht po ofron argumente edhe më bindëse për Spanjën, Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Qipron që të kompletohet njohja evropiane e Republikës së Kosovës.
“Kosova ngulmon për zbatimin e të gjitha kritereve dhe reformave demokratike, qoftë në legjislacion, ekonomi apo në politikë, dhe se do të vazhdojë dialogun e brendshëm, sidomos tani pas rikthimit të normalitetit në funksionimin e institucioneve të vendit”, ka thënë presidenti Thaçi.
Ai ka thënë se Kosova do të vazhdojë dialogun me Serbinë, me theks të posaçëm në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani, si dhe do të intensifikojë luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe të gjitha fenomeneve të tjera negative.
Për ta bërë këtë, presidenti Thaçi ka thënë se ka iniciuar edhe ndryshimin e Kodit Penal, sepse janë vërejtur disa boshllëqe në sistemin prokurorial, gjyqësor apo të qendrave korrektuese dhe se vendi mbetet i përkushtuar për reformën elektorale./b.j/