Sokol Paja/
Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA i rezervoi një pritje spektakolare Kryeministrit të Republikës së Kosovës z.Albin Kurti. Përfaqësuesit më në zë e dinjitozë të komunitetit shqiptar në New York e shtetet përreth, vatranë, veprimtarë, media e të ftuar zhvilluan një takim mbresëlënës me Kryeministër Kurtin i cili u shpreh i mahnitur nga pritja madhështore në Vatër. Nën prezantimin e Dr. Pashko Camaj, kryetari i Vatrës Elmi Berisha në fjalën e mirëseardhjes theksoi dhe shpalosi rolin e Vatrës në histori dhe proceset ku Vatra ka pasur një ndihmesë përcaktuese në formimin, ruajtjen dhe forcimin e themeleve të shtetit shqiptar. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti shoqërohej në Vatër nga Ministri i Shëndetësisë Dr. Rifat Latifi, Zv.Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Liza Gashi, Ambasadori i Kosovës në Uashington Ilir Dugolli, Shefi i Kabinetit të Kryeministrit Luan Dalipi, Konsulli i Kosovës në New York Lulzim Krasniqi dhe ekipi i diplomatëve e stafit mbështetës. Në fjalën e tij para komunitetit shqiptar në Vatër, Kryeministri Albin Kurti ndër të tjera tha: ” Këtu është shtëpia ku u vu harta e rrugës që hapi rilindasi i madh, më i riu prej tyre Noli bashkë me Faik Konicën i ndihmuar nga patriot bashkë me të gjitha organizatat e shqiptarëve që veprojnë këtu. Tani e 110 vjet, Vatra juaj, Vatra jonë, e paraprirë nga Dielli e Kombi i dhanë shqiptarëve këtu e veçanërisht në trevat e tyre, vrullin dhe organizimin për liri deri në pavarësi. E njëjta, si rrallë ndonjë organizim tjetër, jehon ende nga arritjet madhështore që janë mbrritur nga ky organizim. Këtë e kemi edhe 113 vjetorin e Diellit, gazetës tonë më të parë, si në ditar e kemi të shkruar të gjithë historinë politike të para pavarësisë së 12_tës, organizimin deri tek arka e shtetit të ri. Veçanërisht në 10 deri 15 vitet e para të krijimit të shtetit shqiptarë, Vatra e shpëtoi, e ndërtoi dhe anëtarësoi shtetin e ri të kërcënuar ngado, mes kombeve si të barabarta, dhe ja siguroi mbështetjen më të lartë ndonjëherë deri në atë kohë, për të drejtën për vetëvendosje të kombit shqiptar. Vatra është në themel të deklarates monumentale të presidentit amerikan Woodrow Wilson, e miqësoi përjetësisht Shqiptarinë e Amerikën dhe e vendosi në nivelin më të lartë cilësinë e kësaj marrëdhënie falë dijes, patriotizmit ekselent, ndershmërisë dhe këmbënguljes së pathyeshme përballë drejtuesve politik e përfaqësueve diplomatikë. Sot Republika e Pavarur e Kosovës e ka pak a shumë moshën e Shqipërisë së asaj kohe. Në arkivin tuaj të vyer dallohet më së miri se çka do të thotë organizimi i këtij lloji dhe ndihma rrëzëllonjëse për ta forcuar Shqiperinë ndërkombtarisht. Sot në këtë vit jubilar të 110 vjetorit të Vatrës, kushdo prej nesh, kudo që ndodhet, ja uron ditën e themelimit dhe jetë të gjatë sa të jetë kombi, për hir të historisë, për hir të nëvojave të mëdha për organizim dhe bashkërendim, për hir të shqiptarëve dhe veçanërisht për hir të Kosovës aktualisht. Natyrshëm jo vetëm unë por kushdo që e njeh veprimtarinë, shpreson dhe beson në forcën, aftësinë e bujarinë tuaj vatranë të nderuar” tha ndër të tjera Kryeministri Kurti. Nën kujdesin e posaçëm të Kryetarit Elmi Berisha, Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA me rastin e 110 vjetorit të krijimit të saj nderoi me Mirënjohje Kryeministrin Albin Kurti me motivacion: “Për përfaqësimin dinjitoz shtetëror e kombëtar, për punën e shkëlqyer, kontributin e reformat e thella në shtetin e Kosovës, në ndërtimin e një imazhi të bukur e të fortë, forcimin e jetës pluraliste e Institucionale, Sigurisë Kombëtare dhe Promovimin e Integrimin e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare”. Kryeministri Kurti zhvilloi një bashkëbisedim intensiv dhe shumë interaktiv me komunitetin ku u vu theksi te zhvillimi ekonomik, shteti ligjor, zbatimi i ligjit dhe forcimi i miqësisë me Amerikën. Vatra i shpreh mirënjohjen e veçantë Kryeministrit Kurti për respektin e treguar dhe seriozitetin e një vizite ndër më të suksesshmet në dekadën e fundit në Federatën Panshqiptare të Amerikës VATRA.