Të nderuar udhëheqës e anëtarë të Vatrës,
I nderuar Kryetar i Vatrës z.Elmi Berisha, të nderuar anëtarë të Trupit Diplomatik nga Tirana e Prishtina, i nderuar Këshilltari Mark Gjonaj, të nderuar udhëheqës të komuniteteve fetare të Komunitetit Shqiptar në New York, përfaqësues të mediave, të nderuar të pranishëm, miq, motra e vëllezër.
Më lejoni që në emër të Kryeministrit të Republikës së Kosovës z.Albin Kurti të ju përcjell urimet më të përzemërta: Urime 28 Nëntori! Urime Dita e Flamurit! Këtë datë e kemi të përbashkët të gjithë shqiptarët! Është themel e thelb i identitetit tonë kombëtar shqiptar. Vetëdija jonë historike e ka këtë datë në qendër. Skënderbeu në Krujë në shekullin XV, Ismail Qemali në Vlorë dhe Adem Jashari në Prekaz në shekullin XX. Flamuri,pavarësia, çlirimi. Kryengritjet tona për liri janë frymëzuar nga kjo datë dhe kanë mbajtur lart flamurin e kuq me shkabën e zezë dykrenare në mes. Amaneti dhe ideali i dëshmorëve bëhet njësh me 28 Nëntor me dëshirat dhe ëndrrat e rinisë dhe fëmijëve.
Andaj 28 Nëntori është festë e shumëfishtë për kombin shqiptar. Është dita e Flamurit, është dita e Pavarësisë, është edhe ditëlindja e komandantit legjendar – kryekomandantit Adem Jashari, është edhe dita e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sot Shqipëria dhe Kosova, si dy shtete sovrane, zhvillojnë marrëdhënie shumë të mira me dobi të përbashkët për të gjithë qytetarët tanë. Kosova dhe Shqipëria janë shtëpitë që kombi shqiptar i ka ngritur vetes për sigurinë dhe mirëqenien e tij dhe është detyra jonë për të bërë të mundur që këto dy shtëpi të jenë të forta dhe mbështetje edhe për ata shqiptarë që janë jashtë tyre, kudo në Ballkan dhe diasporë. Kujtesa e aktit të 28 Nëntorit vazhdimisht dhe gjatë gjithë vitit na fton që të forcojmë lidhjet kombëtare, zhvillimore në ekonomi e kulturë e në të gjitha fushat, dhe, kam besimin se ne do të dimë t’i përgjigjemi siç duhet, kurdoherë.
Të nderuar miq,
Në historinë në të cilën ka lënë vulën e vet Vatra, dy emra mbeten të pashuar, dy dije enciklopedike e dy poliglotë, dy subjekte krijimtarë e dy punëtorë kombëtarë, dy natyra të ndryshme, njëri më shumë poet e tjetri më shumë prozator, njëri më shumë publik e tjetri më shumë intim, njëri tribun i shtruar e tjetri kritik sqimatar, të dy dashuronjës të artit dhe mbrojtës të kulturës, të kredhur në tërë bëmat tona politike dhe njohjen botërore të çështjeve shqiptare, të mirët më të lartë të kombit, të lodhur e të dëshpëruar rrallë, por me fuqinë që të nesërmen të rimerrnin sërish punën e Sizifit. Sepse, le ta themi hapur, Sizifi humb për vete, por përmes tij fiton njerëzimi. E me ta, kombi fitoi dimensione kulture, historia jonë u pasurua me dy viganë, jetët tona me dy shembuj vullneti, rinia jonë me dy shembuj dijeje bashkëkohore. Të dy e njihnin botën në më të mirën e tyre, ndaj dhe i ofronin kombit të tyre nejrëzimin më të përzgjedhur. Noli e Konica, na mbajnë ngrohtë përherë porsi Vatra.
Gëzuar Dita e Flamurit!
*Fjala e mbajtur në darkën e 109 vjetorit të Pavarësisë dhe festës së Flamurit Kombëtar.