
Arben Iliazi/
Për profesore Shefkije Islamaj kisha dëgjuar të flitej nga profesori im i stilistikës në fakultet, Xhevat Lloshi, qysh nga mesi i viteve ’80. Prof. Xhevati thoshte shpesh gjatë leksioneve: “Shefkije Islamaj ka një numër aq të pasur ndihmesash në fushën e stilistikës së shqipes; ajo është sot studiuesja më e shquar e kësaj disipline. Mjafton për këtë të shihen vetëm librat, artikujt dhe recensionet që ka botuar, të cilat qoftë nga numri, janë më shumë sesa të çdo autori tjetër.”
Ky vlerësim i profesorit tonë të shquar për një profesore tjetër të shquar të Kosovës, duhet të evokohet sot, në kontekstin e moskomunikimit të kënaqshëm kulturor, shkencor dhe albanologjik, të të dy pjesëve të të njëjtit komb, dhe kur intelektualofobia është në rendin e ditës. Profesorë të tillë, janë ndërgjegjia e shqiptarëve, alter egoja e popullit tonë, që dinë të konstruktojnë optimizmin etik dhe shkencor, të besojnë te fuqia e talenteve kombëtare. Dihet që intelektualët e mëdhenj nuk bëhen me dekrete dhe as me gradime oborri. Ata janë të tillë, sepse u bënë të tillë, ata janë të veçantë sepse u shquan, u vunë në reliev, me anë të një pune dhe një vullneti të pazakontë, me anë të talentit të tyre të jashtëzakonshëm. Ndaj duhet t’i nderojmë pa fund intelektualët dhe studiuesit tanë të mëdhenj. Një popull që nuk nderon intelektualët, ka vetëvrarë të ardhmen e vet.
Tash vonë jam njohur me biografinë e plotë studimore shkencore, hulumtuese dhe krijuese të Prof. Shefkije Islamajt, kryeredaktore e revistès shkencore tè Institutit Albanologjik “Gjurmime Albanologjike”, jo vetëm gjuhëtare e mirënjohur dhe studiuese në fushën e stilistikës, estetikès sè gjuhès dhe ligjèrimit, por edhe një studiuese par excellence e letërsisë, me dhjetra tituj studimorë në lëmë të gjuhës e stilit të shkrimtarëve, si:
1. Çështje të sinonimeve në gjuhën shqip. Monografi, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1985, 145 faqe.
2. Fjalor i fjalëve të huaja (bashkautore), Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1987, 667 faqe.
3. Gjuha dhe stili i Jakov Xoxës. Monografi, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2000, 420 faqe.
4. Kultura gjuhësore dhe përdorimi estetik i gjuhës. Përmbledhje studimesh e trajtesash, ”Toena”, Tiranë, 2002, 440 faqe.
5. Gjuha, ligjërimi dhe fjala. Përmbledhje studimesh e trajtesash, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2004, 300 faqe.
6. Gjuha dhe identiteti. Përmbledhje studimesh e trajtesash, ”Toena”, Tiranë, 2008, 333 faqe. Libri ka fituar më 2008 Çmimin ”Pjetër Bogdani” të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës si vepra më e mirë e vitit në të gjitha zhanret.
7. Gjergj Fishta, Gjuha dhe stili. Monografi, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2012, 528 faqe.
8. Gjuha – teksti dhe konteksti, Përmbledhje studimesh e trajtesash, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2015, 370 faqe.
9. Studimi për stilistikën e veprave të Rexhep Qosjes, me titull “Ligjërimi, gjuha dhe stili në krijimtainë letare moderne dhe postmoderne të Rexhep Qoses”.
Intelektualët nuk janë mbinjerëz, ata identifikohen pikërisht si njerëz të vërtetë , synojnë të arrijnë në brendësinë e njeriut dhe jo të dalin jashtë tij.
Në veprimtarinë e gjerë studimore të prof. Shefkijes ndërhyn papritur arti. Nè vitin 2004 profesore Islamaj ka botuar nje roman me titull “Mos më thuaj se më ke parë ëndërr”, (Shtepia Botuese Toena), por jam befasur, sinqerisht, kur kohët e fundit më ranë në dorë disa krijime poetike të saj, të botuara te “ExLibris” dhe organe tè tjera.
Thuhet që fjalët janë metafora të mendimeve, që gjuhët fonetike janë metafora të veçanta të shpirtit të popujve. Por prof. Shefkija, në këtë rast, mund të cilësohet metafora e gjallë e vetëvetes dhe e të tjerëve. E shpirtit të gjuhës dhe e poezisë.
Ajo vjen me vargje plot sinqeritet dhe spontanitet, si pranim i të thjeshtës dhe njerëzores, që shprehin qëndrime dhe gjendje ekzistenciale, me prirje të theksuar drejt meditimit dhe larg patetizmit.
“Sot më janë reshur kujtimet e s’më zë vendi vend/ pa kusht dorëzohem me zemër, me fjalë e kuvend”, thotë autorja në poezinë “Valë kujtimesh”.
Prof. Islamaj shfaq një frymë romantizmi dhe në disa poezi të kujton lirikën e Naimit:
“Drita e nurit tënd zgjon smirën e shtojzovalleve/
Zemra jote zbut rrëke lumi që derdhen maleve”.
(Rinës sime)
Poezi të tilla mund të quhen pa frikë edhe poezi të imazhit, sepse të përcjellin menjëherë në përfytyrim një pamje. Elementët e natyrës që përzgjidhen nga autorja jepen për t’iu përshtatur gjendjes shpirtërore të përshkuar nga ekzaltimi e admirimi. Kjo shkrirje veprimesh e elementësh krijon harmoninë e përgjithshme të pamjes, të cilën duket sikur lexuesi dhe poetja e kundrojnë duke qëndruar diku palëvizshëm:
“Sot kujtimet më shtegtuan te sofra e nanës në një të diel,
te djathi i njomë, qepa e re e qumështi i deles i sapomjel‘.
Në dhomën dritëpakë ndjeva erën e mokthit varur n’mur,
pashë edhe kullën e gjyshit, nga ai endur e gdhendur, me gur’.
Sot iu dorëzova dhembjes, mallit e kujtimeve plot jetë e mirësi,
dhe “fajin” ia lashë lotëve që m’rrodhën dhe ditës me re e shi.
Ktheva dhe kokën kah shpati majë fshati me shumë shpirtësi,
ku mes qetësisë e flladit pushojnë e dritësohen prindërit e mi”.
(Mall)
E veçanta e poezisë së Islamajt është se, edhe pse elementët natyrorë me të cilët mbushet janë konsumuar në përdorim të shumtë nga poetja, ato ruajnë vlerën e një përdorimi të natyrshëm.
Në disa poezi të tjera elemente natyrorë si retë, ngjyrat, lulet, etj. përdoren dendur në funksion të metaforës, ndonjëherë dhe të shpirtëzimit:
“Ballë meje, tej mbi pullazet harkore e të kuqe
retë ngjyrë koralesh luajnë me naze e huqe
E bardha dhe e hirta këmbehen lehtë e shpejt
ndërrojnë ngjyrë e përndahen sikur mbi det”.
(Duke pritur shiun)
Në shumë poezi të tjera autorja thuajse shkëputet prej elementeve natyrorë e kozmikë , prej natyrës së saj romantike, duke bërë një hap cilësor stilistik, duke transmetuar ndjesi që janë larg ngazëllimt dhe duke medituar përmes vargjeve, që autorja i quan “aforistikë ”.
“Vjen një kohë kur e kupton
Se heshtja e të vdekurit godet
Më fort se fjala e të gjallit kur flet”
(Vjen një kohë )
“Kanë thë në se
Fjala ka zjarrin e vet, ruaje mos fiket
Po u shua një herë vështirë rilind e ndizet.
Mbetet përherë veç fjala që nuk thuhet
Për t’treguar se është e jona e në ne ruhet”
(Fjala)
Gjith poezia e Shefkije Islamajt mund të lexohet si një energji pozitive, si një vetperceptim ekzistencial, që vjen prej dëshirës dhe përjetimeve personale, për të sjellë ngjyra të kthjellëta gë zimi dhe ndryshimi.
“Më thuaj
nanë, kur më solle në këtë jetë, a hoqe shumë,
a shtere kroje e puse pikë më pikë deri në fund?
A çave mure, a grithe tokë kur dola n’dritë unë,
apo shembe kodra, shkëmbinj e trande katund?”
(Çast malli)
Vargje e saj të rregullta dhe rimat, shpesh herë të puthura, por edhe strukturat polistrofike të poezisë dhe renditjet enumerative, duhen parë në funksion të kuptimit, dhe mendoj se janë përdorur për të rritur emocionalitetin. Në hijeshinë e natyrshme të një leksiku të zakonshëm, por të pasur dhe të zgjedhur me sqimë, poetja ka shfrytëzuar bukur mirë edhe mjetet e fonetikës poetike, për t’i dhënë emocion përfytyrimit, duke përcjellë te lexuesi mahnitjen për vlerën e të thjeshtave, paganizmin modern, njerëzit, pemët, lulet, yjet, qiellin, retë, me një prapavijë të mendimit filozofik.