Adil FETAHU
* Programi ishte i shkëlqyeshëm, por nuk po realizohej
* Fjalmi ishte brilant, por nuk i solli asnjë dobi Shqipërisë
Ka mendime të ndryshme për atë se si erdhi deri te ndërrimi i Qeverisë Zogu me Qeverinë Noli. Përmbysjen e Qeverisë Zogu disa e quajnë revolucion demokratik, dikush e quan kryengritje, të tjerë e quajnë rebelim i armatosur, avanturë politike, gushtshtet etj. Mund të pranohet cilado prej variantave të përmendura, përveç atij “revolucion demokratik”, sepse nuk mund të quhet demokraci dhuna, e aq më tepër dhuna e armatosur. Përmbysjes së Qeverisë Zogu i ka parapri një kaos i vërtetë i rebelimit të armatosur të opozitës me segmente të ushtrisë dhe xhandarmerisë, sikur ajo që ndodhi në e vitin e mbrapësht 1997, të cilën e kemi parë. Në kryeministrin Zogu u bë atentat (23 shkurt 1924). Për t’iu shmangur gjakderdhjes së mëtejme, kryeministri dha dorëheqje (më 25 shkurt), ndërsa detyrën e kryeministrit e mori Shefqet Vërlaci (30 mars). Më 20 prill, plagoset për vdekje Avni Rrustemi. Varrimi i tij në Vlorë u shndërrua në manifestim të hapur kundër Ahmet Zogut, mbi të cilin binte dyshimi për vrasjen e Avniut. Grupet e armatosura rrebele, nga Jugu në Veri kishin përkrahjen nga jashtë (nga Italia, Jugosllavia dhe Greqia). Qeveria e Vërlacit nuk mundi ta qetësojë situatën kaotike në vend. Udhëheqjen e qeverisë shqiptare e mori Iljaz Vrioni, prej 27 maj deri më 10 qershor 1924.
Si u zgjodh Noli kryeministër
Direktoriati Ushtarak që u formua në Vlorë nga përfaqësues të forcave të rebeluara të ushtrisë dhe të opozitës, mori rolin e Këshillit të Lartë Kombëtar dhe më 16 qershor ia besoi mandatin Fan Nolit, për të formuar qeverinë e re. Në librin e Roland Qafokut “Historia e 33 kryeministrave të Shqipërisë”, shkruan se zgjedhja e Nolit për kryeministër u bë me short. Ishin tre emra kandidatësh për atë post: Sulejman Delvina, Qazim Koculi dhe Fan Noli. Emrat e tyre ishin shkruar në tri copa letrash, shorti e kishte tërhequr letren me emrin e imzot Fan Noli. Kështu Noli u bë kryeministri i 13 me radhë i qeverisë së Shqipërisë. Më 17 qershor nisi mandatin qeveria me këtë përbërje:
Imzot Fan S. Noli, kryeministër
Kolonel Rexhep Shala, ministër i brendshëm
Sulejman Delvina, ministër i punëve të jashtme
Kolonel Kasem Qafzezi, ministër i luftës
Stavro Vinjau, ministër i drejtësisë dhe arsimit
Luigj Gurakuqi, ministër i financave
Qazim Koculi, ministër i punëve publike.
Më 19 qershor 1924, qeveria prezantoi program të admirueshëm, me motive të larta, për zbatimin e reformave thelbësore ekonomike, politike dhe ushtarake. Programi i Qeverisë Noli, edhe sot është për lakmi në shumë pika. Pikat e Programit parapriheshin me një manifest, në të cilin shkruante:
“Politika shkatërrimtare e qeverisë së fundit ka krijuar kaq dëshprim në vend, sa që rezultati më në fund qe kryengritja dhe vëllavrasja. Rezultatet e administrimit të ministrave të fundit janë buxheti i rrënuar me një deficit të madh, çorganizimi i shtetit në të gjitha institucionet e tij, pasiguria në të gjithë vendin, anarki në organet shtetëtore, krijimi i pushteteve personale jashtë dhe mbi pushtetin e shtetit, krahas vrasjes apo përpjekjeve për të vrarë shtetas apo të huaj. Këto fakte të pakundërshtueshme kanë dëmtuar themelin e vendit, na kanë diskredituar brenda dhe jashtë vendit dhe kanë hedhur dyshime në mendjen e shqiptarëve dhe të huajve për aftësinë e shetit tonë për të jetuar.
Për të kurorëzuar veprën e dobishme të kryengritjes dhe duke u mbështetur mbi besimin që na ka dhënë populli, ne pranuam barren e rëndë të drejtimit të punëve të shtetit, që na u besua nga Këshilli i Lartë i Regjencës, dhe kështu i premtojmë popullit tonë mëkëmbjen graduale nga gjendja kritike e krijuar nga puna shkatërruese e paraardhësve tanë, nëpërmjet zbatimit të programit të mëposhtëm:
1. Çarmatimi i përgjithshëm i popullsisë, pa përjashtim.
2. Vendosja e qetësisë, rendit dhe sovranitetit të ligjit.
3. Të ngremë autoritetin e shtetit mbi çdo pushtet personal dhe jashtëligjor.
4. Të çrrënjosim feudalizmin, të çlirojmë popullin dhe të vendosim përfundimisht demokracinë në Shqipëri.
5. Të bëjmë reforma radikale në të gjitha degët e administratës, civile dhe ushtarake.
6. Të thjeshtëzojmë organizimin e administratës dhe ta shurtojmë e ta pastrojmë atë: përveç aftësisë dhe moralit do të merret parasysh edhe atdhetaria e çdo nëpunësi.
7. Sigurimi I të drejtave të nëpunësve dhe përcaktimi i përgjegjësive të tyre do të vendosen me një ligj të veçantë.
8. Të organizojmë prefekturat, në mënyrë që të përmirësojmë kushtet e fshatrave dhe të fshatarëve, duke u dhënë këtyre të fundit kompetenca të gjëra në çështjet lokale.
9. Të baraspeshojmë buxhetin me kursime rrënjësore.
10. Të ndryshojmë sistemin e mbledhjes së taksave në mënyrë të favorshme për publikun.
11. Të përmirësojmë kushtet e bujqëve, në mënyrë që të sigurojmë pavarësinë e tyre ekonomike.
12. Të lehtësojmë futjen e kapitalit të huaj, të mbrojmë dhe të organizojmë pasurinë e vendit.
13. Të rrisim prestigjin e vendit jashtë.
14. T’i japim liri të plotë bashkiake çdo qyteti.
15. Të bëjmë reforma gjyqësore.
16. Të ndërtojmë rrugë dhe ura të reja dhe t’i kushtojmë kujdes të posaçëm mjeteve të komunikacionit në të gjithë vendin.
17. Të organizojmë kushtet sanitare të vendit, për të luftuar sëmundjet që po shkretojnë popullsinë.
18. Të organizojmë dikasterin e arsimit me orientime moderne dhe praktike, që shkollat të nxjerrin qytetarë të zotët, atdhetarë të mirë dhe punonjës të aftë.
19. Të mbajmë marrëdhënie miqësore me të gjitha shtetet dhe në veçanti me vendet fqinje.
Me kthimin e kushteve normale, ne do të thërresim vendin në zgjedhje të përgjithshme dhe me votim të fshehtë, të drejtpërdrejt dhe krejtësisht të lirë populli do të japë verdiktin e tij për punën tonë, verdikt të cilit ne jemi të gatshëm t’i nënshtrohemi.
Ne nuk i mohojmë vështirësitë që i bashkohen përmbushjes së premtimeve tona, as nuk themi që ky program do të zbatohet menjëherë në tërësinë e tij, por ne jemi të bindur që, me ndihmën e të Gjithfuqishmit dhe me mbështetjen e popullit, do të jemi në gjendje ta realizojmë këtë shkallë-shkallë”,- thuhet në fund të pikave programore të Qeverisë, ku jepet nënshkrimi: Fan Noli. (Teksti kurziv është marrë nga libri: Joseph Swire, “Shqipëria, ngritja e një mbretërie”, i përshtatur të folmës dhe drejtëshkrimit të tashëm).
Programi qeveritar u mirëprit, sepse shprehte interesat e shtresave të gjëra të popullsisë. Shumica e pikave të programit të Qeverisë Noli, kishin qenë edhe në programet e qeverive të mëparshme, por që nuk kishin mund të realizohen, për shkak të situatës jostabile politike e të sigurisë dhe për shkak të mungesës së financave.
Një gabim të nxitueshëm dhe të pafalshëm e bëri qeveria e re, kur formoi një gjykatë politike për të eliminuar kundërshtarët politik, e cila i dënoi me vdekje e me konfiskim të pronave, Ahmet Zogun, Shefqet Vërlacin, Iljaz Vrionin e të tjerë, poqese do t’i zënin. Ndiqeshin e persekutoheshin personat e regjimit të Zogut dhe pasanikët e njohur. Ishin future në një listë 196 veta për t’i gjzkuar. Gjendja në vend nuk u qetësua as pas formimit të Qeverisë Noli. Ajo qeveri nuk u njoh nga shtetet e tjera, me pretekst se konsiderohej jolegjitime, pasi nuk ishin organizuar zgjedhjet për Parlamentin, rrjedhimisht qeveria nuk kishte legjitimitetin e duhur, pasi nuk ishte e zgjedhur nga Parlamenti. Emërimi i ministrave të Kabinetit Noli ishte imponim nga Direktoriati Ushtarak, i cili kishte marrë kompetencat e Këshillit të Lartë Kombëtar, kështu që as shumica e ministrave nuk e përkrahnin Nolin, por vepronin krye në vete. Qeveria nuk kishte mjete financiare për të zbatuar reformat e përcaktuara në programin e saj. Noli kishte kërkuar nga Lidhja e Kombeve një hua prej 300 milionë franga ari, por kjo nuk iu dha. Në lidhje me atë hua të kërkuar, Noli në mbledhjen e Asamblesë të Lidhjes së Kombeve, në Gjenevë, më 10 shtator 1924, mbajti një fjalim që mahniti të pranishmit dhe mediat e botës, por që nuk i solli asnjë dobi Shqipërisë.
Kryesuesi i Asamblesë, zvicërani Guiseppe Motka, duke ia dhënë fjalën Nolit, tha se “folësi i fundit është imzot Fan Noli, i pari delegat i Shqipërisë. Kam nderin ta përshëndes si kryeministër dhe kryetar i qeverisë shqiptare. Shqipëria si dhe Zvicra, janë shtete të vogla, por përfitoj nga ky rast të shtoj se të gjitha shtetet anëtare të Lidhjes së Kombeve janë të barabarta para ligjit” (Shqipëria u pranua anëtare e Lidhjes së Kombeve më 17 dhjetor 1920, v.j.).
Për lexuesit e shumtë, të cilët nuk kanë pasur rastin të njihen me përmbajtjen e atij fjalmi të Nolit, marrë nga burime të ndryshme të internetit, po e botojmë këtu, si vijon:
“Kam frigë se edhe më i nxehti paqëdashës, po t’i hedh një sy punës së kryer nga Lidhja e Kombeve gjatë këtyre 5 vjetëve (Lidha e Kombeve u themelua më 10 janar 1920, v.j.), do t’i ngrejë duartë dejtë qiellit nga dëshprimi dhe do të bërtasë: Oh! Më mirë luftë sesa të gjitha këto llomotitje të mërzitshme për paqen! Ç’kemi bërë për paqen? Çfare po bëjmë tani në këtë çast në këtë Asamble? Ajo që është bërë këta 5 vjetë të shkuara, pushon qetë-qetë në paqen e përjetshme, e mbyllur fort, e varrosur në dosjet e vdekura të Sekretariatit, të ruajtura me kujdes prej atij fort të ndershmit e të shquarit xhentelmen, që është Seketari i Përgjithagën (Sekretar i Përgjithshëm ishte britaniku James Eric Drummond, sh.j.). Është e vërtetë se Lidhja e Kombeve ka bërë disa shërbime të vogla për paqen e përgithshme dhe në veçanti nuk lejoi copëtimin e Shqipërisë, duke siguruar kështu paqen dhe rendin në Ballkan.
Siç e dini, Shqipëria ishte një kaçkë e fortë për t’u thyer dhe më e rëndë për t’u ndarë, kështu që Lidhja e Kombeve me mençuri vendosi ta lerë Shqipërinë të qetë, të lirë, të lagur nga valët e Adriatikut. Por, ju lutem zoti Sekretar i Përgjithshëm, përse refuzoni t’i jepni Shqipërisë një hua që do t’i mundësonte të ecte vetë? Ne nuk na duhen më tepër se 300 milionë fr.ari. Apo më shumë? Atëherë po bëj gjestin elegant të zbres në shumën modeste 200 milionësh. Ju tundni kokën. E po jam gati të hyj në bisedime për një shumë më të vogël, për shembëll, për 100 milionë. Më falni, mos pretendoni se nuk më keni takuar kurrë dhe pra nuk jeni i predisponuar të më jepni asnjë dhjetëshe? Atëherë, merreni këtë kërkesën time dhe varroseni në dosjet e vdekura të Sekretariatit, kyçeni mirë dhe mbyteni fort përpara se ta futni në akropolin tuaj, sepse mund t’ju dalë nga varri.
Ndoshta, Sekretari i Përgjithshëm ka dashur të thotë se ai nuk dëshiron që të hyjë në bisedime për një hua me një qeveri kryengritëse, që nuk ka parlament, një qeveri si ajo që kryeson i përunjuri prift që po ju flet. Po a e dini ju se ç’është paramenti? Pa dyshim se e dini. Por do të keni një ide më të qartë kur t’ju them ç’mendoj unë për të. E pra, parlamenti është një sallë ku mblidhen politikanë të pa shpirtë, për të bërë prova operate në trupin e gjallë të racës së tyre, në sallë plot me gazra helmuese, gazra mbytëse, gazra që shkaktojnë lot dhe të qeshura, si dhe të gjitha gazrat e tjera që u përdorën gjatë luftës së fundit për t’u dhënë fund të gjitha luftërave për të vendosur paqen, atë paqe për të cilën po flasim.
Por, pasi ngulni këmbë, ne nuk refuzojmë të bëjmë zgjedhje të reja e të thërresim atë paqë, atë fatekqësi të madhe, atë bestytni të shëmtuar, që është parlamenti, pasi të kemi bërë dy ose tre vjet qeverimi atëror. A do të pranoni atëherë, zotri Sekretar i Përgjithshëm të më jepni pas tre vjetësh atë huanë prej 400 milionë fr.ari, për të cilën ramë dakort para disa minutash? Ju përgjigjeno prapë – jo. E dija.
Mirë pra, le të flasim për paqen. Më duket se nuk ka gjë tjetër më të keqe sesa të bëjmë këtë. Them “më duket”, sepse dua që ju të gjithë ta dini se unë kam banuar për shumë vjet në Amerikë, në Boston, një qytet që ndodhet diku në Irlandë dhe që është mbushur me ‘O Conors, O’conells dhe Fitzgeralds, të gjithë folës të mirë, folës fort të shquar, të cilët, bashkë me irlandezë të tjerë të ardhur nga qytete të tjera irlandeze, marrin përsipër barren e të folurit në fushatat elektorale amerikane. Do të doja që kolegët tanë të nderuar, përfaqësuesit e Republikës së Irlandës, të sjellin këtu disa nga këta oratorë të mbaruar për të na mbytur me fjalime për paqen. Nuk është aspak për t’u çuditur që amerikanët, gjermanët dhe rusët nuk kanë fort dëshirë të hyjnë në Lidhjen e Kombeve. Duket se nuk e çmojnë elokuencën tonë. Punojnë me mend. Për emrin e Perëndisë, zoti Kryetar, pse nuk u jepni fund këtyre llomotitjeve dhe nuk më jepni atë hua pej 500 milionë fr.ari, që më premtuat para se ta merrja fjalën?
Dhe tani që iu përgjigja pyetjës së parë, se ç’ka bërë Lidhja e Kombeve këto 5 vjetët e fundit, më lejoni të vij të pyetja e dytë dhe e fundit: Ç’të bëjmë, e ç’po bëjmë ne në këtë Asamble? Përgjigja është e lehtë. Do ta gjeni te Shekspiri: ”Fjalë, fjalë dhe vetëm fjalë”, dmth. erë dhe e asgjë më tepër. Është një përrallë e dhënë prej një idioticplot me bujë e tërbim, pa kurrëfar kuptimi. Po cili është përfundimi i gjithë këtyre bisedimeve të mençura e të thella mbi çarmatimin dhe traktatet e arbitrazhit? Këto çështje iu dhanë për shqyrtim një komisioni, që do t’ia kalojë një nënkomisioni, i cili do t’ia parashtrojë konkluzionet e tij një konference që do të mblidhet së shpejti dhe kjo konferencë do t’ia dërgojë përsëri këto çështje një komisioni, pastaj një nënkomisioni, i cili do t’ia referojë komisionit që do t’ia dërgojë një raport konferencës! Konferenca do të votojë njëzëri një rezolutë dhe kjo e fundit do t’i jepet për shqyrtim Këshillit të Lidhjes së Kombeve. Këshilli nga ana e tij, do t’ia kalojë atë rezolutë Asamblesë së ardhshme atje lart në qiell! Dhe kur kjo çështje ta ketë bërë këtë cikës poetik zvarritjesh e kundërzvarritjesh, raportesh e kundërraportesh, mendimesh e konsultimesh, atëherë do t’i dërgohen së fundit Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve, i cili do t’i mbyllë me kyç mirë e mirë dhe do t’i varrosë në dosjet e vdekura të Sekretariatit, ku do të mbahen brez pas brezi. Dhe natyrisht se kjo do të thotë, që e gjithë kjo histori ka mbaruar siç mbarojnë fluskat e sapunit. Por, ç’fjalime, ç’fjalime të bukura, të fryra e të stërfryra do t’i shoqërojnë këto rezoluta e këto dëshira! Sa fort i dua! I dua me atë erën e keqe të moçaleve të fëlliqura, si kërma të pambuluara që helmojnë ajrin kur merr frymë. Por ja, përse përse jua drejtova fjalën sot. Dhe me qenë se po flasim për fluska sapuni, a mund të bëj disa vërejtje lidhur me fluskën më kolosale që ka nxjerrë historia modern, dua të them për Planin Dawes. Por, a është vërtetë ky një fluskë? Jo, është një kombinacion fluskash, kombinacion hipokrit, i ndërlikuar, djallëzor, infernal. Nuk është një fluskë ordnere, është një supërfluskë. or është e kotë të trembeni. Do të mbarojë edhe kjo fatalisht si të gjitha fluskat e vogëla që ne lëshojmë këtu. Është tepër e ndërlikuar që të mund të ketë sukses; ajo mund t’i sigurojë ndonjë post nënpesidenti autorit të saj të shquar, por kam frikë se nuk do të dalin prej andej veçse shumë pak miliarda reparacionesh për Francën dhe Belgjikën. Këto të dyja vertetë do t’i marrin.
Nuk është qëlimi im që të ju mërzis, por ky është fati. Kjo supërfluskë e gjeneralit Dawes do t’i përcillet, në fund të fundit, Lidhjes së Kombeve.
I dashur Sekretar i Përgjithshëm, përgatitni , ju lutem, një kënd të thatë, një kënd shumë të thatë në varrin e dosjeve të vdekura, sepse ju e dini se zoti Daws është amerikan dhe se Amerika është një vend i thatë, megjithëse nga koha në kohë, me rrugë të nëndheshme, ajo njomet vetëm sa për t’u zbavitur, falë përppjekjeve të kontrabandistëve.
Duke folur për fluskat, përsëri më vjen në mend ajo huaja e bekuar prej 600 milionë fr.ari, të cilën i nderuar Kryetar i kësaj Asambleje, si dhe i dashuri Sekretar i Përgjithshëm, më premtuan për Shqipërinë disa minuta më parë. Kjo hua është një fluskë pasqeje, një fluskë paqe fort konsistente. Por jo, nuk është aspak një fluskë: ajo që doja të thosha është se kjo hua mund të përgatitë paqen në Ballkan, ajo mund të lehtësojë realizimin e konfederatës ballkanike, por ia vlen të flitet për te?
Sekretar i Përgjithshëm,merrni edhe atë dhe futeni në varrin e dosjeve tuaja të vdekura, futëni në nekropolin tuaj.
Pasi iu përgigja dy pyetjeve që shtrova, më mbetet tani të nxjerr konkluzionin, të cilin do ta diskutoj në trajtën e dy pyetjeve të tjera. Para së gjithash, në dritën e fakteve që u përmendën, a ia vlenë barra qeranë që të kemi një Lidhje të Kombeve? Së dyti, në ast se ia vlen, cila duhet të jetë metoda për t’ia arritur qëllimit, që është paqeja univerzale?
Pyetjes së pare do t’i përgjigjem në mënyrë pohuese. Edhe sikur Lidhja e Kombeve të jetë një ëndërr, një utopi që i bënë skeptikët të tallen e të shtrembërojnë buzët, ajo duhet të qëndrojë aty si një ideal që intepreton aspiratat më fisnike të njerëzimit. Ajo duhet të qëndrojë aty si një sfidë kundër lavdisë groteske militariste. Ajo duhet të qëndroë aty si një pohim solemn i vullnetit univerzal për paqen. Ajo duhet të qëndrojë aty derisa bukuria e saj, fisnikëria e saj, shpirti njerëzor i saj, nevoja e domosdoshe e qenies së saj, të kuptohen nga e gjithë bota. Sepse, fundi i fundit, me gjithë t ëmetat që ka sot, ajo meriton të pritet me këto fjalë: “O, mgjithatë qëndro, ti je kaq e bukur”!
Përse të jemi kaq pesimistë? Aspiratat për paqe i kemi kudo dhe për këtë s’ka asnjë dyshim. Përndryshe, ne nuk do të kishim as komedinë e fluskave e supërfluskave që po na mbulojnë. Dhe pikërisht, sepse popujt duan paqe, ndërsa burrat e shtetit, politikanët u sevirin atyre kohë pas kohe fluska arbitrazhi, fluska çarmatimi dhe superfluska reparacionesh.
Por, paqja nuk do të vijë prej traktateve. Këto janë të destinuara të hidhen shpejt a vonë në shportë. Paqja do të vijë nga edukimi shkollor. Duhet t’ua mësojmë fëmijëve tanë se vrasjet me shumicë janë po aq krime sa edhe vrasjet me pakicë. Duhet t’ua mësojmë se ka vetëm një Perëndi që duhet t’i shërbejnë, Perëndia e njerëzimit, i njëjtë për të gjitha tributeë. Duhet t’i mësojmë të bëhen anëtarë të ndershëm të supërshtetit që do të përmbledhë të gjitha tiebutë, të bëhen qytetarë fisnikë të federatës së përbotshme, që është në realizim e sipër dhe që do të realizohet me siguri.
Kur fëmijët tanë të kenë mësuar këto të vërteta të thjeshta, atëherë nuk do të kemi vetëm çarmatimin moral që do t’i parprijë çarmatimit material, por do të kemi gjithashtu bashkëpunimin e vëretë të të gjitha racave të botës për sigurimin e paqes, progresit dhe prosperitetit ndërkombëtar. Të gjitha të tjerat sillen rreth kësaj. Këtu qëndron thelbi i çështjes. Por përpara se të vijmë aty, duhet të pranojmë njëherë, se jemi të gjithë tribu të egra,derisa i bëjmë kurbane njerëzish Molohut të tribusë.
O, vritni, varrini, ndiqni në të katër anët e botës këto hyjni barbare e antropofage, që e kanë mbushur historinë e njerëzimit me kaq vuajtje e urrejtje, me kaq rrëfime, me kaq gjak, me kaq tmerr! Vështroni sytë e njerëzimit që vuan pas shkatërrimeve të luftës botërore. Nuk ka dhembje që të mos krahasohet me dhembjen e tij; asnjë sakrificë nuk do të ishte tepër e madhe për t’i shpëtuar fëmijët tanë nga luftëra të reja dhe lotë të tjerë.
Përpara o shokët e mi! Bota është gati për Ungjillin e ri. Flamuri i Lidhjes së Kombeve është më fisniku që është ngritur deri më sot. Ushtarët e saj janë më trimat që ka nxjerrë bota ndonjëherë. Qëllimi i saj është maja e përarimit të njerëzimit. Shpirti i Wilsonit, ati dhe profeti i saj, na udhëheqë. Vështirësitë janë tepër të mëdha, por shtrini kurajon tuaj deri në pikën e fundit dhe mundimet nuk do të ju vejnë kot”!
* * *
Noli ishte kryeministri më i arsimuar dhe më i kulturuar nga të gjithë kryeministrat qeverive shqiptare dhe të Ballkanit deri atëherë, por edhe deri më sot. Ishte edhe atdhetar i flaktë. Por ato cilësi nuk mjaftonin për të qenë edhe kryeministër i suksesshëm në Shqipërinë e trazuar, nga brenda e nga jashtë. Qeveria e tij nuk u njoh as nga fuqitë e mëdha, as nga shtetet fqinje. Ishte në izolim të plotë diplomatik. Kot u mundua Noli nëpër Europë të fitonjë njohjen e qeverisë së tij. Për gjashtë muaj qeverisje, 55 ditë qëndroi jashtë vendit, duke kërkuar njohjen, por nuk e mori dot, as nga Amerika në të cilën shpresonte. Marrëdhënie diplomatike qeveria Noli mundi të zhvillojë vetëm me Bashkimin Sovjetik, gjë që nga fuqitë europiane interpretohej si orientim i tij kah bolshevizmi sovjetik.
Fjalimi i Nolit në Asamblenë e Kombeve ishte brilant nga aspekti literar dhe retorik, por aspak i dobishëm nga aspekti politik dhe diplomatik ndërkombëtar. Sepse e vuri në shpoti punën pesëvjeçare të Lidhjes së Kombeve, duke thënë se për pesë vjetë ajo organizatë ndërkombëtare bëri vetëm fjalë. E shpotiti, deri në burleskë, Sekretarin e Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve, për atë hua që nuk po i jipej. Retorika e Nolit, këtij kryeministri të madh të një vendi të vogël, u prit me duartrokitje frenetike nga delegatët e Asamblesë, dhe u bë magnet për mediat botërore, që e lavdëruan deri në kupë të qiellit, por Qeverisë dhe Shqipërisë së tij nuk i solli asnjë dobi.
Për shkak të pamundësisë për të zbatuar reformat që kishte premtuar, enthusiazmi i shtresave popullore u shndërrua në zhgënjim ndaj qeverisë së Nolit. Atmosfera e paknaqësisë së brendshme dhe të jashtme ndaj qeverisë Noli, i shkonte në favor synimeve të Zogut për t’u kthyer e marrë përsëri qeverisjen e Shqipërisë, me dhunë sikur që ishte detyruar ta lejë atë. Dhe këtë e bëri më 24 dhjetor 1924, kur u kthye në Tiranë, dhe më 6 janar 1925 mori drejtimin e qeverisë. Noli, me rreth 350 personalitete tjera u arratis nga Shqipëria, për të mos u kthyer kurrë më në atdhe, të cilin e deshi aq shumë, por në të cilin jetoi vetëm 5 vjet, nga tërë mosha e tij 83-vjeçare. Edhe gjatë gjithë kohës së qëndrimit në megrim, Noli tërë dijen, përvojën dhe lidhjet miqësore me personalitete dhe institucione të rëndësishme të Amerikës, i vuri në shërbim të afirmimit dhe përparimit të Atdheut të vet – Shqipërisë. Vdiq më 13 mars 1965 dhe u vorros në Masaçusets, ShBA.
Adil FETAHU