Nga Arbi Fortuzi/-. Prokuroria ka dhene sot pretencën për 10 nga të pandehurit e vjedhjes së Bankës së Shqipërisë, duke kërkuar një dënim total prej 55 vjetësh burg, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Në seancën e zhvilluar sot, ku morën pjesë 10 prej të pandehurëve, të cilët kërkuan gjykim të shkurtuar, Prokuroria lexoi pretencën prej 23 faqesh, ku iu kërkua gjykatës të pranonte fajësinë e të pandehurve për “Shpërdorim detyre”, lidhur me vjedhjen e 713 milionë lekëve nga dega e Thesarit të Bankës së Shqipërsisë.
Sipas ligjit, prokuroria i kërkoi Gjykatës të dënoje me nga 6 vjet heqje lirie shtetasit, Dorian Çollakun, Bashkim Xhilagën, Myzejen Belbën, Lavdim Canin, Liljana Tushën dhe nga pesë vjet burg shtetasit, Bahri Allushin, Gentjan Jahjën, Fatbardha Gurthin, Mehdi Markun dhe Dhimitër Davidhin.
Trupi gjyqësor pasi dëgjoi pretencën bëri të ditur se vendimi do të jepet më 26 dhjetor.