Nga Anton Çefa
Qenia dhe qenësia e artit qëndron tek kutpimi dhe vlerësimi i vlerave estetike dhe fillimisht e kryesisht tek kuptimi dhe vlerësimi i së bukurës.
Janë dhënë shumë përkufizime për të bukurën, por edhe është mohuar mundësia për ta përkufizuar atë. Platoni, i pari filozof që trajtoi probleme të estetikës, si filozof moralist që ishte, e trajton artin si pjesë të etikës, dhe shkon deri atje sa të identifikojë të bukurën me të mirën dhe të vërtetën. Aristoteli: “E bukura është simetri, proporcion, harmonizim i pjesëve tek e tëra”. Për Kantin, “E bukur është ajo cilësi me anën e së cilës një objekt na kënaq, pa përfillur dobinë e tij, na josh në një soditje të pavullnetshme dhe na bën të përjetojmë një lumturi të painteres.” Fichte e konsideronte si virtyt moral. “E bukura, po aq sa e vërteta, është qëllim në vete.” Hegeli, pothuajse si Aristoteli, e shihte të bukurën si unitet të pjesëve, përparësi të formës ndaj përmbajtjes dhe si manifestim ndijimor i idealit metafizik. Për Benedetto Crocen, e bukura nuk është fakt fizik dhe nuk u përket gjërave, por aktivitetit të njeriut, energjisë së tij shpirtërore, ajo nuk ekziston në natyrë; natyra është e bukur vetëm për atë që e shikon me syrin e artistit, tek i cili e ka burimin e bukura. Ai e ka përkufizuar shkurt: “E bukura është shprehje”. Shkrimtari i shquar francez, Anatole France ka thënë: “Unë besoj se ne kurrë nuk do të dimë me saktësi pse një gjë është e bukur. Askush nuk ka qenë i aftë të ma tregojë me përpikëri një gjë të tillë . . . Sa për mua, unë ndjek ndjenjën time për të bukurën. A mund të gjej njeriu një udhërrëfyes më të mirë? . . . Nëse do të më duhet të zgjedh mes së bukurës dhe së vërtetës, unë nuk do të lëkundem, do të zgjedh të bukurën. Nuk është asgjë e vërtetë në këtë botë, veç së bukurës.”
Studimi i natyrës të së bukurës ka vazhduar prej shekujsh që nga antikiteti grek dhe vazhdon sot e kësaj dite; çdo filozof dhe estet që ka lavëruar në këtë fushë na ka dhënë një përkufizim të vetin. Megjithëse janë dhënë sa e sa përkufizime për të bukurën si dhe për kategoritë e tjera dhe për problemet më të ndryshme të estetikës, çështja e trajtimit të tyre mbetet dhe do të mbetet gjithnjë e hapur. Estetika si bijë e filozofisë i shtron problemet dhe jep zgjidhje që nuk janë kurrë përfundimtare. Është në natyrën e saj që filli i Arianës nuk mund të na nxjerrë nga labirinti. Kjo, ndoshta, e ka shtyrë historianin e shquar të filozofisë Wil Durant të thotë në veprën e tij “Kënaqësitë e filozofisë”: “Nuk është për t’u çuditur që librat më të pagdhendur në botë janë ato që janë shkruar për të bukurën”.
Rëndësore për estetikën është çështja: a ka karakter objektiv a subjektiv e bukura. Përderisa e përjetojmë nëpërmjet kënaqësisë që na jep dhe e krijojmë, ajo ekziston, – është cilësi objektive e sendeve dhe dukurive, arsyetojnë një palë. “E bukura është në syrin e shikuesit”, ka thënë Margaret Hungerford, duke mohuar objektivitetin e saj. Ideali i së bukurës ndryshon nga njeriu tek njeriu, nga një popull tek një tjetër, nga një racë tek tjetra, dhe në këtë prizëm qëndron subjektiviteti i saj. Gjithsesi, një gjykim estetik mund të merret si objektiv nëse një ideal i njëjtë bukurie përfshin një masë sa më universale të njerëzve.
* * *
Letërsia është arti i fjalës. Hyji e krijoi botën me fjalën e Tij. Ai tha dhe u bë. Për Hyjin, fjala është krijim. Krijim i çdo gjëje. Për njerëzimin, fjala është zbulim përmes emërtimit. Fjala, si emërtim i sendeve e dukurive, është veprimi i parë kreativ artistik i njeriut, nëpërmjet të të cilit u shpikën format verbale dhe u përsosën në kalim të kohëve. Dhjetëra-mija vjet më parë, të parët tanë, banorët e shpellave, në dramën e përditshme të gjuetisë, u mësuan të veshnin mendimet e tyre me fjalë. Duke perifrazuar në njëfarë mënyre Heidegger-in, mund të themi që për çdo dukuri njeriu krijon një fjalë të veçantë, e cila pastaj bëhet simbol i asaj dukurie. Croce, filozofi estet, e ka trajtuar artin thjesht si intuitë; por ai ka thënë gjithashtu se intuita dhe shprehja janë e njëta gjë, çka do të thotë se na nuk mund të njohim diçka pa e emërtuar atë. Dhe ky veprim është thjesht vepër arti.
Me krijimin e fjalës, në procesin e komunikimit lindi gjuha, një nga realizimet më të mëdha të njerëzimit. Pa aftësinë e të folurit, përdorimit të gjuhës, nuk mund të jetësohej qytetërimi njerëzor. Nëpërmjet gjuhës si sistem i hapur e krijues, jashtëzakonisht fleksibël, realizohet komunikimi i ideve dhe koncepteve abstrakte si dhe transmetimi i tyre nga një brezni në tjetrën. Fishta ka shkruar: “Fjala ka aq nji fuqi në vedvedi, sa mos me e ndalë as giatsija e kohës, as gjansija e hapësinës, e si mundet me e permbledhë të gjith kohën në nji ças e hapësinën në nji pikë, kshtu ajo deperton qiellen, i vjen rrotull e okolle rruzullimit, edhe na parashtron bukuri e madhni të reja, rysë e then kryeneqsit e rrashtave ma të forta të njerzvet.”
Nga fjala si kumt u kalua në fjalën si kuptim alternativ, të ndryshëm, dhe u krijua fjala poetike dhe, me anën e saj, teksti letrar që mishëron shumëkuptimësinë, çka është në natyrën e veprës letrare. Përpjekja për të njohur të bukurën dhe vlerat e tjera estetike të gjërave e dukurive dhe, në rastin tonë, tek letersia artistike, të çon drejt mjetit me të cilin shfaqet ajo, tek fjala poetike. Në veprën letrare, është fjala që end fillin e së bukurës në shtratin e tekstit gjuhësor, deri në sublimitetin e saj. “Fjala e harmonizuar mund të pasqyrojë format e shpirtit . . . ashtu edhe fytyrën e madhërishme të botës, e cila u jep jetë atyre”, ka shkruar De Rada në ‘Parime të estetikës”. A nuk është dukuria e së bukurës, “forma” më e lartë, më e fisme, më e kulluar e shpirtit të njeriut? Prandaj, letërsia artistike është në krye të arteve dhe në gjirin e saj, poezia që zë kryet e vendit.
Poeti, tregimtari, e shprehin atë, fjalën, që është gjithnjë një kumt që bart një vlerë estetike, duke na përcjellë një mesazh, d. m. th. një vlerë humane. Detyra e kritikës është pikërisht ta zbulojë atë, vlerën estetike, që përmban fjala e endur në një strukturë tekstore.
Për t’u pohuar është edhe pafuqishmëria e fjalës për të shprehur çdo “dridhje” të shpirtit a për të hedhur dritë edhe në skutat më të errëta të vetëdijes dhe sidomos të nënvetëdijes. Lasgushi, reformatori më i madh i gjuhës poetike shqipe dhe mjeshtër i mbaruar i saj, e ka ndjerë veten “të huaj”, të paaftë për të shprehur çdo gjë:
“O gjuhë-e shentëruar, o mall me shpirtin plot,
O vetëtim’ e qjellit që fërfëllon me flakë,
O djellë-i llaftaruar që ndrin si pikë lot . . .
Si pikë lot e ndritur po ndrij në reze t’uaj,
Po ndrij e papandehur po qaj pak e nga pakë,
Sepse prej botës s’uaj kam mbetur kaq i huaj . . .”
Në dy vargjet e fundit të kësaj poezie, Lasgushi e ka qartësuar më tej këtë situatë, duke iu drejtuar gjuhës me epitetin “o mos-e kuvenduar”. Në këto dy vargje, ai na ka dhënë atributin e gjuhës si kumt, si burim drite (dijeje, informacioni), dashuri-dhimbjen e tij për të dhe njëkohësisht pafuqishmërinë, paaftësinë e saj për të depërtuar në skajet më të hijesuara të shpirtit:
“Ti ndrin në thelb të jetës si dritë e përvëluar,
O gjuhë e zemrës sime, o mos-e-kuvenduar”.
Këtë “mos-kuvendim” e pati poetizuar më parë mësuesi dhe udhëheqësi i tij i parë shpirtëror e artistik, Naimi: “E ku shkruhen në kartë / fjalët e gjuhës së zjarrtë ? ”
Është detyrë e kritikës letrare t’i hapë “fjalës së palosur” “kindën e një pale”, pra, të zbërthejë shumëkuptimësinë e fjalës. Milivoj Solar ka thënë: “Çdo tekst shpjegohet në kuadrin e një konteksti”. Estetika ka parashtruar dhe argumentuar në vijimësi rrugë dhe metoda për të analizuar veprën artistike. Kështu kemi, ndër të tjera, interpretime formaliste, ekzistencialiste, marksiste, sociologjike, psikanalitike, strukturaliste, simboliste, semantike, etj. Nuk kemi kurrë një përfundim të saktësuar, por kemi udhë ecjeje përpara plot rrugëza e kthesa me zhvillime nga më të ndryshmet, në më të shumtën e rasteve kontradiktore.
* * *
Grupi i studiuesve amerikanë të “Kritikës së re”, në fillimin e viteve ’40 të shek. të kaluar, parashtroi dhe futi në zbatim të zbulimit të vlerave estetike të veprës letrare praktikën e “Close reading”, që këtu në një përkthim ad literam do të thotë “lexim i hollësishëm”, një metodë serioze studimi që konsiston në një shqyrtim sa më të hollësishëm që të jetë e mundur të rrafsheve më të ndryshme të veprës letrare, në kuptimin se si vepron një tekst artsistik, si i krijon kuptimësitë dhe efektet në nivelet më të imta të tij. Vetëm nëpërmjet një shqyrtimi të tillë të hollësishëm të shumëkuptimësisë së tekstit letrar, në të gjitha rrafshet e tij, mund të arrihet në zbulimin e realitetit artistik që krijon shkrimtari në veprën letrare. “Kritka e Re” u mbështet kryesisht tek mësimet teorike të Ivor Armstrong Richards, lidhur me vlerat e veçanta që i jepte ai analizës së tekstit letrar me pjesëmarrjen aktive të lexuesit. Ai botoi veprat: “Kuptimi i kuptimit” (së bashku me C. K. Oden, 1923) dhe “Parimet e kritikës letrare” (1924).
Në këtë vazhdë, studiuesit Rene Wellek dhe Austin Warens, në veprën “Një teori mbi letërsinë” (1942), polemizuan për vlerën e dy drejtimeve për t’ju afruar analizës së veprës letrare: rruga a mënyra ekstrinseke dhe intrinseke (terma latine të përdorura më parë nga Croce, por jo krejtësisht me kuptimin që i dhanë dy studiuesit e përmendur më lart). Drejtimi i parë, ekstrinsek (“nga jashtë”) niset nga çështje të tilla si biografia e autorit, mjedisi shoqëror, rrethanat e jashtme, premisa psikologjike, filozofike, etj.; ndërsa drejtimi i dytë, intersek (“nga brenda”), që Wellek e Warens e morën si të qenësishëm, thelbësor, niset nga ekzaminimi i përbërësve formal të veprës artistike, vlerave estetike të tekstit: gjuhës, stilit, imazheve, figuracionit, simbolikave, etj. Ata argumentuan me analizat e tyre epërsinë e studimit të drejtimit intrinsek ndaj atij ekstrinsek.
Lidhur me përvojën e lexuesit në interpretimin e veprës letrare, punoi edhe fenomenologu polak Roman Ingarden, i cili argumentoi që teksti letrar “konkretizohet” në aktin e të lexuarit. Këtë tezë e zhvilloi më tej Wolfang Iser nëpërmjet të “mbushjes së zbrazëtive” nga ana e lexuesit gjatë procesit të leximit. Simbas Iser-it, lexuesi duke lexuar tekstin, krijon supozime kuptimore, të cilat, me avancimin në lexim, i vlerëson si të drejta ose të gabuara. Kështu arrihet në analizën e drejtë të tekstit.
Nga fundi i viteve ’60 të shek. të kaluar, shërbime të mëdha teorike i bëri analizës së tekstit teoria e “estetikës receptive”. Sipas kësaj, vepra letrare, duke qenë një fenomen historik dhe jo dukuri transhedentale a “e pakohshme”, kërkon qëndrimin kritik vlerësues të lexuesit, pa të cilin ajo “nuk është e kompletuar”. Një metodë e tillë shqyrtimi i veprës letrare, erdh si aplikim i “përgjegjshmërisë së lexuesit”, teori e propozuar nga Hans Robert Jauss, i cili, në vitin 1967, solli në sofrën e teorive estetike idenë e “horizontit të pritjes”, sipas së cilës çdo lexues i qaset veprës letrare, e shqyrton, e kupton dhe e vlerëson atë në bazë të personalitetit të tij, formimit të tij psikologjik, botëkuptimor e teorik letrar dhe përvojës së tij jetësore, estetike e letrare, që formësohet nga marrëdhëniet e tij me letërsinë artistike dhe teoriko-letrare. Horizontet e pritjes ndryshojnë me kohën. Në periudha të ndryshme historike, horizonti i pritjes i lexuesit është i ndryshëm.
Në këtë rrjedhë diskutimi, analizën e veprës letrare në linjën e estetikës receptive e çoi deri në skajin më ekstrem Roland Barthes me esenë polemike “Vdekja e autorit” (1968), duke absolutizuar vlerën e tekstit dhe të receptimit të tij nga lexuesi, në dëm të autorit. “Është gjuha (teksti) që flet, jo autori”. Dhe tekstin e lexon, e kupton dhe e vlerëson vetëm lexuesi. “Njësia e tekstit qëndron jo në origjinën e tij, por në destinacionin e tij”. Dhe destinacioni është lexuesi. “Ky destinacion nuk mund të jetë më gjatë personal: lexuesi është pa histori, pa biografi, pa psikologji; ai është thjesht dikushi që mban bashkë në një fushë të vetme elementet prej të cilëve është formuar teksti”; dhe “Lindja e lexuesit do të ndodhë vetëm me vdekjen e autorit”. Në dukje paradoksale, në të vërtetë kemi të bëjmë me trajtime ekstreme të këtij problemi, siç ka ndodhur vazhdimisht me problemet estetike, për të cilat Sean Burke, në veprën “Autorësia prej Platonit tek të mëvonshmit – një lexues”, ka shkruar: “Çështjet kanë qenë ngritur në shumë gjuhë dhe fjalorë gjatë historisë së mendimit perëndimor, dhe çdo përpjekje për t’i vendosur ato në një mënyrë a në një tjetër, ka shërbyer vetëm në ripërtrirjen e debatit, duke e hedhur atë drejt një zgjidhjeje tjetër”.
Numri i madh i shkollave teoriko-letrare i krijon mundësi kritikës të bëjë analiza nga më të ndryshmet, të cilat nuk është e thënë që të çojnë gjithnjë në rrugë të drejtë, d. m. th. në përfundime objektive. Në historinë e kritikës sonë letrare, e kemi të qartë gabimin e Krist Malokit në vlerësimin e poezisë së Lasgushit: duke u mbështetur me fanatizëm në parimet e analizës psikanalitike dhe kulturo-historike, ai shkoi deri në mohimin kategorik të poezisë së poetit tonë të madh. Megjithëkëtë, duhet të kujtojmë edhe këtë: mbi bazën e shpjegimeve të Freud-it për nënvetëdijen është hedhur dritë rreth temave dhe teknikave të disa shkrimtarëve, duke përfshirë, ndërmjet modernistëve, James Jouce, Virgjinia Wolf, Marcel Proust. Gjithsesi, u duhet ruajtur zbatimeve kategorike të premisave teorike të shkollave të ndryshme letrare.
Për kritikën letrare, Mitrush Kuteli, një gur i rëndë i themeleve të saj në kulturën shqipe, ka shkruar: “Kritika letrare duhet të jetë analizë objektive e cilësive dhe e mungesave, e bosheve dhe e ploteve, e dritave dhe e hijeve të një vepre”. Kritika letrare e sotme shqipe, në përgjithësi, është e njëanshme; ajo u përket cilësive, ploteve dhe dritave. Edhe kështu – çka është dobësi e saj – ajo ka vlerat e veta, nëse vërtet është objektive dhe e argumentuar në cilësitë, plotet dhe dritat e veprave letrare.