Protesta dhe peticioni ”STOP Diskriminimit – Duam të arsimohemi si shqiptarë”, që u organizuar ditë më parë në Ulqin për realizimin e të drejtave të shqipëtarëve që jetojnë në Rozhajë, Plavë,Guci, Malësi e Tivar, pati jehonë edhe në pjesën veriore të Malit të Zi.
Shkruan: Ismet Azizi/
Në Rozhajë, të premten u mbajtën protesta e parë anti-qeveritare në të cilën morën pjesë qindra pjesëmarrës. Protesta u drejtua nga përfaqësues të punëtorëve nga Rozhaja, Bijelo Pola dhe Plevla ndërsa në tubim morën pjesë edhe ish punëtorët nga komunat tjera të veriut të Malit të Zi, gjegjësisht të Sanxhakut Jugor siç e quajnë sanxhaklinjtë.
Nga protesta në Rozhajë, banorët e pakënaqur të Sanxhakut Jugor kërkuan nga Presidenti i Parlamentit të Malit të Zi, Ranko Krivokapiç, që të thërrasë urgjentisht një seancë të Parlamentit, në të cilën pikë e vetme e rendit të ditës të jetë zgjidhja e situatës së rëndë ekonomike në këtë pjesë të Malit të Zi. Përveç kësaj protestuesit kërkuan dorëheqjen e Ministrit për Punë dhe Mirëqenies Sociale, Predrag Boskoviq, për shkak të heqjes së ndihmave sociale, kundërshtimit për pensionimin e punonjësve të kësaj treve dhe mospërmbushjen e premtimit ndaj punëtorëve invalidë të punës. Ata kërkuan edhe shkarkimin e shefit të delegacionit të BE-së në Mal të Zi, Mitja Drobniçit.
Banorët e pakënaqur të veriut të Malit të Zi kërkuan nga qeveria që të merë një vendim që pensioni minimal të mos jetë më i ulët se paga minimale. Protestuesit kërkuan nga Ministria e Financave të kthej pasurinë e ndërmarrjes “Gornji Ibar”, të marra në mënyrë të paligjshme nga aksionarët e vegjël dhe të punësuarve. Protestuesit kanë paralajmëruar vazhdimin e protestave të premten e ardhshme edhe në Rozhajë, Bielo Pole dhe Plevlë.
Protesta e banorëve të Rozhajës, e quajtur “Ta shpëtojmë Rozhajën”, u organizua nga organizata jo-qeveritare Aksionarët e Vegjël të “Gornjeg Ibra”.
“Nuk kemi më kohë të presin, veriu i Malit të Zi është i diskriminuar, i lënë pas dore dhe i shkatërruar, madje vazhdon të shkatërrohet. Qytetarët shpërngulen jashtë, atyre po iu merret edhe kafshata e fundit e bukës”, thuhet në deklaratën e lëshuar të Aksionarëve dhe punonjësve të “Gonjeg Ibra”.
“Ne do të vazhdojmë të protestojmë derisa kërkesat tona të plotësohen sepse nuk ka kthim. Nëse kërkesat nuk plotësohen menjëherë, atëherë protesta do të zgjerohet”, thuhet në deklaratë.
Më herët kjo OJQ ka thënë se në Rozhajë, mbi 6000 qytetarë jetojnë me ndihma sociale, nga të cilat ndihma nuk mundë të mbijetohet. Me mijëra banorë janë shpërngulur, të rinjtë për çdo ditë largohen, pensionistët mbijetojnë me nga 100 euro, ndërsa ish punëtorët me vetëm 70 euro, të cilat i marrin nga byroja e punës.
Aksionarët dhe punonjësit konsiderojnë se më në fund qytetarët e Rozhajës, punëtorët, pensionistët, studentët dhe të rrezikuarit social patjetër duhet tërhequr vërejtjen për gjendjen e vështirë në Rozhajë.
Banorët e Rozhajës janë tubuar në momentin e fundit që të tërheqin vërejtjen ndaj diskriminimit shumvjeçarë dhe shkatërrimit të Rozhajës, si dhe tërë veriut të Malit të Zi. Rozhaja gjithmonë ka disponuar me resurse ekonomike të cilat ka ditur ti shfrytëzojë gjithnjë deri sa pushteti nuk ka vendos dorën e vetë në këto pasuri duke e shitur atë me çmime shumë të vogla. Janë shuar fabrikat dhe ndërmarrjet Gornji Ibar, Dekor, Kristall , Bisernica dhe kjo gjë e ka rënduar jetën e banorëve jo malazez dhe jo serb që dominojnë në këtë pjesë të Malit të Zi.