
Nga Rafael Floqi/
Nëse ke vënë re se sigurimi i makinës tënde është rritur ndjeshëm në rinovimin e fundit, nuk je i vetëm. Në mbarë Shtetet e Bashkuara , dhe për pasojë, edhe në tregjet e lidhura me to , çmimet e sigurimeve të automjeteve janë rritur me ritme të paprecedent që prej vitit 2020. Pandemia, inflacioni, zinxhirët e furnizimit dhe ndryshimet klimatike janë shndërruar në një katërkëndësh presioni që godet drejtpërdrejt xhepin e konsumatorëve. Por ka shenja se tregu po fillon të qetësohet. Sipas një studimi të LexisNexis, rreth 40% e kompanive të mëdha të sigurimeve kanë dorëzuar kërkesa për ulje tarifash në muajt e fundit, një lajm inkurajues pas viteve të shtrenjtimit të vazhdueshëm. Megjithatë, edhe pse mesatarisht çmimet po stabilizohen, për shumë shoferë fatura e siguracionit është rritur, shpesh pa asnjë aksident apo shkelje të re. Arsyeja? Një përzierje faktorësh që variojnë nga inflacioni tek moti ekstrem, nga teknologjia e makinave moderne deri te rregulloret shtetërore.
Inflacioni – armiku i padukshëm i çdo kontrate sigurimi
Inflacioni është thembra e Akilit e gjithë ekonomisë, dhe sektori i sigurimeve nuk bën përjashtim. Kur kostoja e punës dhe e pjesëve të makinës rritet, çdo dëm që paguan kompania e sigurimit bëhet më i shtrenjtë. Kjo detyron kompanitë të kompensojnë humbjet përmes rritjes së primeve. Eksperti Bob Passmore nga Shoqata Amerikane e Sigurimeve thekson se “rritja e çmimeve në katër vitet e fundit është e lidhur drejtpërdrejt me nivelet më të larta të inflacionit në 40 vite.” Edhe pse në vitin 2025 pritet një ngadalësim i rritjes, presioni mbi çmimet mbetet real.
Riparimet e makinave – teknologjia sjell siguri, por jo kursim
Paradoksi më i madh i epokës moderne është ky: sa më inteligjente të bëhen makinat, aq më e shtrenjtë është t’i riparosh. Sensorë, kamera, kompjuterë dhe sisteme asistence , të gjitha rrisin ndjeshëm faturën e riparimeve. Sipas studimit të J.D. Power, nga viti 2022 deri më 2024 kostoja mesatare e riparimeve u rrit me 26%. Pra, edhe pse teknologjia duhet teorikisht të ulë aksidentet, në praktikë ajo ka sjellë fatura më të kripura , dhe për pasojë, siguracione më të shtrenjta.
Kriza e zinxhirit të furnizimit dhe tarifat e reja doganore
Pandemia nxori në pah sa e ndërlidhur është ekonomia globale. Mungesa e pjesëve, vonesat në transport dhe rritja e kostove të punës bënë që çdo riparim të zgjasë më shumë dhe të kushtojë më tepër. Edhe pse situata është përmirësuar disi, tarifat e reja tregtare mbi pjesët e këmbimit pritet të rrisin përsëri çmimet.
Sipas Passmore, “tarifat dhe mungesa e furnizimit detyrojnë siguruesit të përshtasin çmimet për të shmangur humbjet.”
Faktori lokal: moti ekstrem dhe rritja e rrezikut rajonal
Në shumë rajone amerikane, rritja e çmimeve lidhet edhe me rreziqet lokale. Stuhitë, përmbytjet, zjarret në pyje apo breshëri dëmtojnë mijëra automjete në të njëjtën kohë. Kur numri dhe kostoja e dëmeve rritet, kompanitë rishikojnë rrezikun për atë zonë dhe e reflektojnë në çmime. Edhe ndryshime të tjera, si rritja e vjedhjeve apo aksidenteve, ndikojnë menjëherë në prime.
Rregulloret shtetërore dhe kufiri i fitimit
Shumë pak e dinë se siguracionet janë ndër sektorët më të rregulluar në SHBA. Çdo kompani duhet të arsyetojë zyrtarisht çdo kërkesë për rritje çmimi përpara autoriteteve të shtetit ku operon. Regulatorët detyrohen me ligj të sigurojnë që rritjet të mos jenë “të tepruara apo diskriminuese”. Megjithatë, duke qenë se fitimi në këtë industri është më i ulët krahasuar me sektorë të tjerë, çdo valë dëmesh , si pas fatkeqësive natyrore , mjafton për të shkaktuar një valë rritjesh.
Profili personal dhe politikat individuale
Edhe faktorët personalë luajnë një rol vendimtar. Mosha e drejtuesit, historia e aksidenteve, shpejtësitë, kreditë, madje edhe gjendja civile ndikojnë në mënyrë të ndjeshme në çmimin përfundimtar. Një ndryshim në ZIP code, pra në zonën e banimit, mund të sjellë rritje të menjëhershme të kostos. Qytetet e mëdha me trafik të dendur janë më të shtrenjta se zonat rurale, për shkak të rrezikut më të madh për aksidente apo vjedhje.
Si të mbroheni nga rritja e çmimeve
Në një treg gjithnjë në lëvizje, konsumatori duhet të jetë aktiv, jo pasiv. Disa hapa praktikë mund të ndihmojnë:
Drejtoni me kujdes – çdo aksident apo gjobë ndikon direkt në primet.
Kërkoni zbritjet që ofron kompania juaj: për makina me sisteme sigurie, për studentë apo për pagesa automatike.
Krahasoni ofertat – ndryshimi i kompanisë mund të sjellë kursime të ndjeshme.
Rishikoni policën – ndoshta keni mbulime të panevojshme që mund t’i eliminoni.
Pay,per,mile insurance – nëse nuk udhëtoni shumë, siguracioni me pagesë për kilometër mund të jetë alternativë më ekonomike.
Në vend të përfundimit
Siguracioni i makinave është një pasqyrë e qartë e ekonomisë bashkëkohore: çdo problem global reflektohet menjëherë në nivel individual. Nga çmimet e pjesëve elektronike deri te moti ekstrem, gjithçka ndikon në një numër të vetëm në fund të faturës suaj. Megjithatë, ndërsa tregu duket se po hyn në një fazë stabilizimi gjatë vitit 2025, konsumatori duhet të mbetet vigjilent , sepse, si në çdo industri financiare, çmimi i paqes është vëmendja e përditshme.