Ka shumë arsye për të vizituar qytetin metropol të Gjenevës, simbolin e harmonisë dhe multikulturalizmit.
Gjeneva është qyteti i Kalvinit, ku e ka qendrën Kryqi i Kuq.
Gjeneva, metropol ndërkombëtar i diplomacisë, ku ndodhen Kombet e Bashkuara, ku zhvillojnë aktivitetin e tyre mbi 22 mijë diplomatë e përfaqësues të misioneve permanente dhe një numër i pafund NGO dhe organizatash e organizmash ndërkombëtare, midis tyre edhe APES,L’Association de la Presse Etrangère en Suisse et au Liechtenstein, Asosacioni i Shtypit të Huaj në Zvicër dhe Lihtenshtejn, ku jemi anëtarë aktivë prej më tepër se 15 vjetësh, njëra nga shoqatat më të vjetra ndërkombëtare të gazetarëve profesionistë, themeluar në 15 Korrik 1928, që këtë vit feston 90 vjetorin e krijimit.
Gjeneva me një popullsi 50 % zviceranë e 50 % me komunitete nga 177 nacionalitete prej gjithë botës, një meltingpot i vërtetë, ku midis tyre jeton edhe një komunitet i madh shqiptarësh, pjesa më e madhe e natyralizuar.
Gjeneva e Liqenit Léman, medaljonit të qytetit, të shkrira e bërë një me njëri-tjetrin.
Për Liqenin ka një poezi të Henri Durand që e quante “Léman, roi de nos lacs”, “Léman, Mbreti i liqejve tanë!”
Emri Léman i Liqenit është përdorur sidomos në kohën e Iluminizmit dhe Revolucionit francez nga Jean-Jacques Rousseau dhe Voltaire. Jean-Jacques Rousseau, autori i Kontratës Sociale, figura më e rëndësishme e iluminizmit, ka frymëzuar me idetë e tij Revolucionin Frëng dhe Kushtetutën e SHBA për shkëputjen nga Kurora britanike.
Liqeni Léman ka formën e një trofte dhe ndahet 60 % me 40 % midis Zvicrës dhe Francës. Aty buron Lumi i Ronës që derdhet pastaj në Mesdhe. Përveç Gjenevës, buzë ujrave të tij shtrihet edhe qyteti i Lozanës, Vevejit, Montrësë etj.
Emri i Gjenevës dhe Liqenit Léman është i lidhur edhe me Shoqërinë Lundruese të Gjenevës dhe Kupën e Artë Mirabo
Shoqëria Lundruese e Gjenevës dhe Kupa e Artë Mirabo – Bol d’Or Mirabeaud
Société Nautique de Genève (SNG) – Shoqata Lundruese e Gjenevës e themeluar në vitin 1872 është e angazhuar me zhvillimin e sporteve të ujit dhe mbështetjen aktive të sportit elitar.
Société Nautique de Genève është një institucion historik, me mbi 3000 anëtarë me mosha dhe prejardhje të ndryshme, që i bashkon pasioni për sportet e ujit.
Shoqëria Lundruese e Gjenevës qëndron aty buzë Liqenit Léman dhe, ndërsa brezat ndërrohen e koha rrjedh, SNG (akronimi Société Nautique de Genève ) identifikohet me plot dinjitet me historikun e emrit që mban.
Shoqata Lundruese e Gjenevës zhvillon aktivitete gjatë gjithë vitit, duke përfshirë mbështetjen e sportit elitar për përfaqësimin e ekipeve të saj në gara për trofe e tituj kombëtare e ndërkombëtarë. SNG mbështet gjithashtu sportistët e rinj elitë për të siguruar vazhdimësinë për një përfaqësim sa më të mirë të ngjyrave të klubit. Për këtë, SNG ka një fond të veçantë për të ndihmuar të rinjtë të cilëve u mungojnë burimet e nevojshme financiare. Atyre u krijohet mundësia të stërviten në gara me vela, kanotazh, skijim ujor etj.etj
Si staf të përhershëm SNG ka 14 punonjës, por si mbështetje ka gjithë metropolin, sipërmarrjen, mediat, vullnetarët, fansat.
Aktiviteti më sinjifikativ i vitit që organizon SNG, si qershia mbi tortë, është Bol d’Or Mirabeau, Kupa e Artë Mirabeaud, që këtë vit festoi 80 vjetorin!
Bol d’Or Mirabeaud – Kupa e Artë Mirabeaud
SNG e organizon Bol d’Or, këtë garë sportive të anijeve me vela në Liqenin Léman, prej vitit 1939.Bol d’Or Mirabeaud është kompeticioni më i madh në rang botëror në një hapësirë ujore të mbyllur sikur janë liqenet. Gara çdo qershor nis në Gjenevë nga Port Noir deri në Bouveret dhe kthim Bouveret – Port Noir Gjenevë. Zgjat 123 km ose 66.5 milje detare. Anijet me vela janë monoskafë ose lloje të ndryshëm katamaranësh.
Në Edicionin e parë organizuar 80 vjet më parë morën pjesë në garë vetëm 26 anije, në Edicionin e 80 të Bol d’Or që u zhvillua prej 8 deri 10 qershor, ku ishim të pranishëm edhe ne, garuan 559 anije që drejtoheshin nga 3000 lundërtarë zviceranë e të huaj nga 14 vende të botës.
Eventi si një festë e madhe nisi të premten, më 8 qershor me konfirmimet e pjesëmarrësve në garë pranë SNG. Po të premten, pas një dreke të organizuar nga Grupi financiar Mirabeaud, prej 12:00 deri në orën 18:30 ishte edhe dita e medias, e kontakteve të gazetarëve me pjestarët e ekipeve, intervistave etj.etj. Një grup gazetarësh do t’i shoqëronin garuesit edhe gjatë garës në liqen. Në mbrëmje u ofrua koktej nga mikpritësi dhe një koncert live në anijen Neptun që gjatë gjithë kohës shërbeu si skenë. Qendra e mediave ishte vendosur në një hapësirë të SNG rrethuar nga xhamllëku nga ku shikohet e gjithë skela dhe po ashtu liqeni ku të nesërmen do të zhvillohej gara.
Në SNG, prej 8 deri 10 qershor, adrenalina kishte arritur kuotat më të larta. Fansat kishin shansin të takoheshin me Skippersat e famshëm, ritakoheshin miq të vjetër, gazetarët ose ishin në kërkim të personazhit ose fiksoheshin nëpër laptopët e tyre. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të sipërmarrjeve që mbështetën eventin. Pihej birre e verë, shkëmbeheshin kartvizita, krijoheshin grumbuj tifozësh rreth skudrave të zemrës, shkrepeshin fotot dhe selfiet nga celularët.
Në mëngjezin e 9 qershorit të gjithë ishin aty. Në orën 6:30, garues, gazetarë, vullnetarë, fansa, admirues të pafund dhe fanatikë të zjarrtë të Bol d’Or e të emrave që identifikohen me këtë garë, e cila, tashmë e kthyer në legjendë, formon një trinitet me qytetin e Gjenevës dhe Liqenin Léman, pasi është regata më e rëndësishme në botë e hapsirave liqenore, ku është në garë shpirti luftarak i lundërtarëve, i skippers-ave, ku solidariteti i ekipeve në grup merr kuptim domethënës, si një sfidë sportive për t’u përballur jo vetëm me lundërtarët e tjerë, por për t’u përballur edhe me shiun, stuhinë, me trillet e liqenit të harbuar prej tërbimit apo me një liqen vaj e të palëvizshëm kur Perëndia Eol bashkë me erën kanë marrë arratinë kush e di se ku.
Gara do të fillonte në orën 10:00 me tre të shtëna topi. Ishte një skenë magjike, kur nëpër Liqen u shpërndanë anijet me vela, si tufa gjigande pulëbardhash, duke shfaqur një spektakël të jashtëzakonshëm. Liqeni dremiste, dielli shndriste, ishte një ditë brilante qershori, por era mungonte çka nuk e favorizonte aspak garën.
Skena e e anijeve me vela që krijonin asosacion me pulëbardhat ishin një mrekulli ku merr pjesë natyra dhe njeriu, të gërshetuara me dashuri dhe pasion, që lancon bukurinë e garës, shpirtin sportiv dhe emrin e Bol d’Or.
Bol d’Or nuk do të ekzistonte nëse dashuria dhe pasioni garues nuk do të mbështetej nga qyteti dhe sipërmarrja private. Buxheti i kësaj gare tre ditore që kushtoi mbi 1 milionë franga zvicerane u financua nga sponsori gjeneral, Banka Mirabeaud por edhe nga firma me emër si Hublot, Faigle, BMV, Peroni, Hoteli i famshëm Le Richemmond që mikpriste të ftuarit dhe gazetarët, firma e taksive BMV që lehtësonte lëvizjen e të ftuarve e kështu me rradhë.
Nuk do të lemë pa përmendur 150 vullnetarët që u vunë në shërbim të eventit, që dalloheshin nga tshirt-i nga ngjyra gri në të rimtë me logon e aktivitetit dhe nga dëshira për t’i kontribuar mbarëvajtjes të aktivitetit.
Në garë u përfshinë 559 anije, të llojeve të ndyshme, monoskafë dhe poliskafë, nga ku 301 anije e braktisën garën
Ky është viti i 80 i kësaj gare të bukur në Liqenin Léman që është kthyer në një festë. Kjo garë që nisi 80 vjet më parë, evuloi nga viti në vit, edhe sa i përsa i përket perfeksionimit teknologjik, ashtu edhe shpirtit garues, pjesëmarrjes, duke tërhequr vemendjen jo vetëm të Gjenevës, por edhe të botës, sepse kësaj gare i janë bashkangjitur lundërtarët më të famshëm nga e gjithë bota sikur Ellen MacArthur, Russell Coutts, Loïck Peyron. Ky i fundit në Edicionin e 80-të ishte edhe i ftuar i nderit. Por janë së pari vetë ekipet zvicerane të Bol d’Or që kanë bërë histori dhe janë kthyer në histori, duke fituar trofe jo vetëm në këtë garë, por edhe nëpër kompeticione me famë botërore sikur Alinghi, me pronar dhe drejtues multimilionerin Ernesto Bertarellin, që garon nën flamurin e SNG dhe ka fituar 2 herë trofeun e America’s Cup, në vitin 2003 dhe 2007.
Bertarelli me Alinghin dhe motra e tij Dona Bertarelli me katamaranin Ladycat, seicili me skuadrën e vet, që kanë fituar disa trofe të Bol d’Or, luftuan edhe këtë vit për të fituar trofeun e Edicionit të 80të, por këtë vit fitues doli Mobimo, i drejtuar nga Christian Wahl në kohën 14 orë 14 minuta e 2 sekonda. Në Edicionin Bol d’Or 2017, fitues ishte Alinghi në kohën 5 orë e 11 minuta, ndërsa Ladycat powered by S zuri vendin e dytë, duke arritur një minutë e 34 sekonda më vonë, në kohën 5 orë 12 minuta e 34 sekonda.
E vendosëm kohën e dy edicioneve të fundit për të parë efektin që luan era. Në Edicionin e 80të të Bol d’Or Mirabeaud, që njihet ndryshme me akronimin BOM, era ishte inekzistente, çka bëri që gara të zgjatej dhe fitorja e Mobimo u shënua në orën 00:13 të mesnatës të ditës të djelë. Skuadrat e Okalys dhe Ylliam luftuan deri në fund për vendin e parë, por Mobimo ia doli. Në këtë garë Alinghi zuri vendin e katërt.
Ndërsa pritetej zbarkimi i lundërtarëve në SNG, gjatë gjithë natës vazhdonte festa e shoqëruar edhe nga një koncerti live në skenën e anijes Neptun me artistë të sponsorizuar nga Festivali i Xhazit në Montrë. ( Jazz Festival Montreux) . Dhe kështu zgjati deri në agim ndërsa vazhdonin e ktheheshin garuesit e fundit.
Gara u ndoq live nga mijra e mijra fansa që morën pjesë direkt, ose përmes internetit, në youtube dhe rrjeteve sociale. Në SNG ishte po ashtu një ekran gjigand që përcillte live.
Aktiviteti shkoi mrekullisht, me një mbyllje nostalgjike të djelën në mbrëmje ku u shpërndanë trofetë.
Trofenë e Bol d’Or, kupës së Artë, e fitoi Mobimo, ndërsa organzatorët, të hënën më 11 qershor, nisën të merren me organizimin e Bol d’Or81!
Mbyllja
Në qytezën ku jetojmë në pjesën gjermane të Zvicrës kalojmë shpesh pranë një vile ku na priste me të lehura miqësore një qenush. U bëmë miq edhe me qenushin edhe me të zonjën. Qenushi quhej Alinghi, për nder të skuadrës Alinghi që kishte sjellë trofetë e fitimtarit në Kupës të Amerikës dy herë në Zvicër. Zonja, një fanse e regatave dhe e Alinghit, prandaj ia kishte vënë emrin qenit të saj, ndërsa ne patëm fatin që të merrnim pjesë live në kompeticionin më të bukur të Liqenit Léman ku garuan ekipet aq të njohura si Alinghi, Mobimo, Zen Too, Ylliam, Phaedo2, Safram, Ladycat etj etj. Tani jemi edhe fansa të tyre. Në shtëpinë tonë kemi dy mace me emrat Sushi dhe Nori. Nëse do të mikpresim një maçok të tretë, padyshim që do t’ia vemë emrin Alinghi ose Bom-Bom!
Por e sigurta është se ne do të kthehemi përsëri në SNG, si fansa për të ndjekur gara të tjera.
Ka edhe një arsye më shumë se përse ia vlen ta vizitosh Gjenevën!
Alinghi
Fotot janë të fotografit Loris von Siebenthal dhe janë marrë nga faqja zyrtare e SNG.
This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy
Privacy Overview
This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.