
Sot, në orët e hershme të mëngjesit në New York, pushoi së rrahuri zemra e një burri të madh të kombit.
Sot, Martinajt humbën birin e tyre të shtrenjtë.
Sot, Plava e Gucia – toka e historisë, krenarisë dhe lavdisë – ndien dhimbjen e thellë për ndarjen nga jeta të një prej kolosëve të atdhetarisë.
Sot, mbarë kombi shqiptar humbi një nga bijtë e vet më të çmuar, i cili të gjithë jetën ia kushtoi, pa kursim, kauzës së shenjtë kombëtare.
Çdo atdhetar është thellësisht i tronditur për largimin nga jeta të një frymëzuesi të madh, një legjende të gjallë dhe një enciklopedie të vërtetë, të njohur nga historia me emrin e ndritur të gdhendur në gurët e përjetësisë: Rexhep Gali Balidemaj.
E mbi të gjitha, familja e tij humbi njeriun më të dashur – që për ta ishte dhe do të mbetet një thesar krenarie dhe mburrjeje për jetën dhe veprën e tij.
Jeta e tij i ngjan një skenari të jashtëzakonshëm filmik – përplot krenari, sakrifica dhe përkushtim.
Që në moshë të re, u rreshtua në anën e nderit, në radhët e atyre që jetën e kishin sinonim të luftës për kauzën kombëtare dhe për atdheun.
Ishte luftëtar i lirisë, pilot i aviacionit luftarak , kundërshtar i rreptë i regjimit okupues Jugosllav dhe i çdo përpjekjeje për të përbuzur e poshtëruar kombin shqiptar.
Idealet e tij ishin të pandalshme dhe vazhduan të jenë frymëzim për brezat që vijnë.
Për këto ideale, Rexhepi pagoi çmimin më të shtrenjtë – duke u persekutuar mizorisht dhe duke vuajtur 16 vite të jetës në burgjet e regjimit serbosllav, përfshirë ferrin famkeq të Goli Otokut dhe kazamatet e tjera të diktaturës.
Pusho në paqe, në lavdinë që e meriton, patrioti i madh i kombit tonë, Rexhep Gali Balidemaj, idol e frymëzues i përkushtimit tim jetësor.
Veprat tua le të jenë fanar ndriçues për gjeneratat e ardhshme të shqiptarëve.
Lavdi përjetë!
Esad Gjonbalaj
Plava e Gucia Sot