Tregim nga Memisha Gjonzeneli/
Aparati dha sinjalin me ndezjen e dritës se kuqe. E sëmura kishte vështirësi në frymëmarrje. Menjëherë erdhi mjeku dhe kryeinfermierja.
-Të lutemi, largohu pak prej andej, -iu drejtuan Myzaferit.
Ai u ngrit si pa qejf dhe u largua disa hapa me tej, pa e hequr shikimin nga Sara. Ajo hapi sytë dhe me shqetësim pa nga Myzaferi, i cili i buzëqeshi lehtë dhe ia bëri me dorë që ta qetësonte. Sara mbylli prapë sytë dhe ra në kllapi. Doktori vështroi edhe një herë aparatet, tundi kokën i mërzitur dhe u largua pa folur asnjë fjalë. Nuk i hodhi sytë nga Myzaferi, por ai e kapi lehtë për krahu dhe e pyeti tërë shqetësim:
-Doktor, të lutem, si është Sara?
-Keq, me shumë se keq,-mori si përgjigje.
-Edhe sa mund të rri me të?
Doktori u mendua për disa çaste, qëndroi përballë tij dhe i tha:
-Ndofta njëzet e katër orë…jo më shumë.
-Vërtet thua, doktor?! –pyeti tërë dhembje.
Mori karrigen dhe e vuri pranë kokës së saj. Ajo sikur e ndjeu, hapi sytë me vështirësi dhe i buzëqeshi lehtë. Pas pak i mbylli sytë dhe ra në gjumë. Myzaferit i gjëmonin në vesh fjalët që i tha doktori: “Ndofta njëzetekatër ore…jo me shumë”.
-Po tani, si do të jetoj pa Sarën?-pyeti veten dhe u mbështet më mirë në karrige. Kishte tri net që nuk kishte fjetur dhe prapë nuk i vinte gjumë. I kapi dorën Sars dhe ia fërkoi ngadalë, nuk donte që ta zgjonte. Ashtu i mbështetur në karrige ra në kujtime. …..
Në Ambasadën Amerikane u paraqit disa orë para takimit. S’e mbante vendi sa të merrte vizën dhe të bashkohej me djalin në Feniks. Kishte dhjetë vjet që ishte ndarë prej tij dhe e gërryente malli për të, veçmas për nipin e vogël, sidomos kur kishte mbetur vetëm, pasi e shoqja ishte ndarë nga jeta para disa vitesh. Dhjetë ditë pasi siguroi vizën u nis për udhëtim. Ishte një udhëtim i gjate, i lodhshëm, s’ kishte udhëtuar kurrë me avion. Në mbrëmje vonë avioni mbërriti ne Feniks. Agroni kishte dalë për ta pritur në aeroport. Me vete kishte marrë edhe të birin, Gjonin. Sapo kaloi pikën e kontrollit, Myzaferi pa që drejt tij po vraponte i nipi, të cilin e drejtonte drejt tij Agroni. Në dorë mbante një tufë me lule. Sapo njohu gjyshin, u shkëput prej të atit dhe iu hodh në qafë. Agroni u vonua pak, qëllimisht për të kënaqur të birin. Më pas u hodh edhe ai në krahët e të atit duke e përqafuar me mall. Myzaferit iu kujtua e shoqja dhe mendoi: “Sa gjë e bukur do të ishte sikur të ishte edhe ajo me ne”, por nuk mundi të mendojë më gjatë, pasi ndjeu ta tërheqin pas krahu:
-Baba, hajde shkojmë në shtëpi, -dëgjoi fjalët e të birit dhe e mblodhi veten. Agroni futi valixhen në makinë, kurse Gjoni nuk ia lëshonte krahun. Në shtëpi i priste nusja e djalit, e cila kishte rregulluar shume bukur: tavolina ishte mbushur plot me ushqime, pije dhe fruta. Në mes të saj binte në sy një shishe e bukur shampanje.
-Je lodhur shumë sot, -i tha Agroni. -Qetësohu një herë dhe më pas mund të besh edhe nj dush që të mbledhësh kockat.
U ulen të katër rreth tavolinës. Agroni mori shishen e shampanjës dhe e hapi me zhurmë, mbushi së pari gotën e të atit e më pas me radhë të tjerat.
-Baba, merre ti gotën i pari dhe na uro. Sot e kemi shtëpinë plot, ka ardhur shtylla e saj.
Myzaferi mori gotën, u ngrit në këmbë, i puthi të tre me radhë dhe përmes lotësh që nuk i përmbajti dot, uroi:
-Gëzuar fëmijët e mijë të dashur e të shtrenjtë! Në radhë të parë falënderoj Zotin për këtë mirësi kaq të madhe që na bëri, po i lutem prapë që të na japë shëndet dhe lumturi. Gëzuar!… Prapë gëzuar!
…
…Një dorë që i ra papritur mbi supe e shkëputi nga kujtimet Myzaferin. Ishte kryeinfermierja.
-Të lutem, më fal, -i tha ajo, -më duhet të punoj pak.
-Jo, -ia ktheu ai, -ju duhet të më falni mua.
Sara hapi sytë kur Myzaferi i lëshoi dorën.
-Jam këtu, shpirt, nuk largohem.
Kryeinfermierja buzëqeshi, nxitoi që të përfundonte më shpejt punën dhe, pasi hodhi një vështrim keqardhjes në drejtim të Myzaferit, i cili po e shikonte në sy, u largua duke tundur kokën. Myzaferi u ul në karrige, kapi dorën e Sarës dhe filloi ta përkëdhel. Kaloi një farë kohe në heshtje dhe ra serish në kujtime.
…
…Gjatë viteve te burgut kishte mësuar të lexonte anglisht dhe italisht, kështu që Agroni tërhiqte nga libraria kryesisht libra në gjuhën angleze dhe Myzaferi gjente kënaqësinë duke lexuar. Në Shqipëri ishte diagnostikuar dhe kurohej si nga diabeti i sheqerit, ashtu dhe nga tensioni nervor, veç shpesh e shqetësonte edhe zemra. Dhembja e kokës ishte shoqëruese e përditshme. Të gjitha këto i vuri re nipi, Gjoni, kur ai shkonte çdo ditë për ta çuar apo marrë nga shkolla dhe i thotë të atit se gjyshi ishte i sëmurë. Një ditë Agroni i tha Myzaferit që të mos e shoqëronte Gjonin në shkollë, se do të shkonin tek doktori.
-Ah, mor bir, kemi vajtur plot herë dhe unë jam po prapë njësoj. Nuk ka shërim sëmundja ime.
Të nesërmen në mëngjes shkuan tek mjeku. Kur po e vizitonte erdhi edhe një mjek tjetër. E vizituan me shumë kujdes dhe në përfundim i dhanë një sasi të konsiderueshme ilaçesh. Në të ikur mjeku që e vizitoi i tha Agronit:
-Është mirë ta dërgosh babanë në nersin hom, atje ia bëjnë të gjitha shërbimet që i nevojiten. Ti nuk i shërben dot, prandaj është më mirë atje.
-Okej! -ia ktheu Agroni. -Do të mendohemi.
Gjatë rrugës së kthimit për në shtëpi at e bir po mendonin për nersin hom-et.
-Nesër do të më çosh të shoh si janë këto nersin hom-et, -theu heshtjen Myzaferi.
-Jo, baba, -ia ktheu Agroni, -më vjen rëndë nga bota.
Dhe sytë iu rimbushën me lot.
Të nesërmen shkuan në farmaci dhe morën ilaçet e rekomanduara. Rrugës vizituan edhe një nersin hom, që ndodhej pranë një pylli të virgjër. Përpara kishte një lulishte shumë të bukur të mbushur në çdo qoshe me lule. Përgjatë gjithë lulishtes ishin vendosur stola te punuar me shije artistike. Takuan një punonjëse e cila u shpjegoi çdo detaj të funksionimit të nersin home -es.
Myzaferi mbeti i kënaqur nga çfarë pa e dëgjoi, ndaj kur po ktheheshin në shtëpi, i tha të birit:
-Fillo që nesër të përgatisësh dokumentet.
-Baba, po me vjen turp nga bota.
Myzaferi qeshi:
-Jo, bir, bota nuk ka menduar asnjëherë për ne, ne pse të mendojmë se ç’ thotë ajo. Ndaj bëj kështu si them unë, shpirt i babit.
Agroni përgatiti dokumentet. Kur çdo gjë ishte gati, ai shkoi dhe i dorëzoi në zyrën përkatëse. Nëpunësja që punonte atje i tha:
-Pas një jave do të marrësh përgjigje.
Nuk vonoi dhe në krye te javës erdhi përgjigja. At e bir u paraqiten tek zyra. Përpara u doli një grua e veshur krejt me të bardha.
-Po u prisnim, mirëserdhët! -i përshëndeti dhe i shoqëroi në katin e dytë të godinës. Pasi ecën disa hapa në korridor, u gjendën para derës së hapur të dhomës që ishte përgatitur enkas për të. Ishte e rregulluar për bukuri. Në mes të saj ndodhej një vazo me lule të freskëta, shtrati i vendosur pranë murit, kurse televizori ishte vendosur në mur. Tek koka e shtratit ndodhej një komodine, mbi të cilën ishin vendosur telekomanda e televizorit dhe disa butona të tjerë, që shërbenin për të komunikuar me personelin për çdo nevojë që mund të kishe. Afër derës ndodhej frigoriferi. Nuk mungonte pothuaj asgjë.
-Tani çdo gjë është në rregull. Ti mund të ikësh në shtëpi, -iu drejtua Agronit.
-Na lejoni të shkojmë të dy në shtëpi, të marrim çfarë na duhet dhe të kthehemi. Për dy orë jemi këtu, -i kërkuan leje gruas me të bardha. Ajo nuk u ktheu përgjigje në moment, shkoi tek një zyrë aty afër, u vonua për disa çaste dhe, kur u kthye, u tha:
-Mirë, shkoni dhe ne po ju presim. Këtu jemi. Dhomën tani e dini.
Të dy dolën jashtë godinës. Agronit iu mbushen sytë me lot. Myzaferi e kapi për qafe dhe e puthi.
-Bir, -i tha, -jemi shumë afër njeri-tjetrit, kur të duam takohemi.
Por në vetvete mendoi: “Myzafer, kjo është rruga e fundit për ty. Kjo rruge s’ka kthim mbrapa”. Mbylli për pak kohë sytë si të donte të kyçte lotët që po tentonin të derdheshin jashtë. “Ç’ bën kështu, Myzo, -i tha vetes, -mbahu, mos u ligështo!”.
Shkuan në shtëpi. Myzaferi vendosi në valixhe gjithë çfarë i duhej, duke u kujdesur veçanërisht për librat. “Kjo qenka ndarja, -tha me vete. -qenka shumë e thjeshtë”. Puthi fort Gjonin e vogël, nxori nga xhepi e i dha njëqind dollarë. Qafoi edhe nusen e djalit dhe u ndanë. Po ktheheshin për tek “shtëpia” e re e Myzaferit. Ai po e shikonte rrugën me trishtim. Hodhi sytë nga pasqyra e makinës. I biri po e shikonte me vërejtje. E mblodhi veten dhe, si për ta qetësuar të birin, tha:
-Është vend i bukur, bir, do të jem mirë atje. Të faleminderit.
Në nersin hom po i prisnin. At e bir u qafuan për një kohë të gjatë dhe më pas u ndanë. Agroni u kthye serish nga i ati dhe i tha:
-Baba, të lutem, po u mërzite, më njofto, dhe do të vij të të marr menjëherë.
Myzaferi qeshi.
-Po, bir, -i tha, -patjetër.
Myzaferi shkoi ne dhome dhe rregulloi të gjitha plaçkat. Agroni u nis me kokën mbrapa. “Ah, babi-babi! Çfarë fati”!
…U ngrit herët në mëngjes, mori një libër dhe doli jashtë në lulishte. Ajri i freskët e shoqëroi deri tek stoli mes lulesh, ku u ul dhe filloi te lexonte. I përqendruar në lexim, nuk e vuri re kalimin e kohës.
-Oh, -tha, -qenka vonë, duhet të ngrihem se po kalon orari i ngrënies së mëngjesit.
Tek dera po e priste gruaja e veshur me te bardha.
-Mirëmëngjesi, zotëri, -i thotë ajo.
-Mirëmëngjesi, -ia ktheu Myzaferi.
-Mund të më shoqërosh, dua të të rrëfej disa gjera të domosdoshme, -dhe i kërkoi ta ndiqte pas për ne dhomën ku ndodhej Rregullorja e Shtëpisë. -Këtu ke informacion për çdo gjë. Tani shko në dhomë, rregullohu dhe eja të hash mëngjes, se me duket nuk ke ngrënë fare. Çdo ditë ushqimi do të ofrohet këtu sipas orarit. Tani më fal, je i lirë. Për çdo nevojë mund të flasësh me mua, unë do të jem tek zyra në fund të korridorit, mos kij turp, ne për këtë punë jemi, t’ju shërbejmë juve.
Të nesërmen u ngrit serish herët. Pasi bëri tualetin e mëngjesit, mori librin dhe shkoi përsëri tek stoli ku kishte qëndruar një ditë më parë. Kur vajti ora, hëngri mëngjesin dhe u kthye tek vendi i leximit, ku kishte gjetur qetësinë, ajrin dhe pastërtinë e dëshiruar. Ne lulishten e nersin hom kishte edhe ambiente ku mund te luaje, por atij i pëlqente të lexonte. Një dite dëgjoi cicërimën e një zogu të veçante dhe ngriti kokën lart. “Sa zë të bukur që paska”! -tha me vete. Teksa po mendonte për zogun, sytë i shkuan tek stoli qe ndodhej rreth dhjete metra me tej, ku një grua po lexonte. Ajo kishte ngritur kokën lart, ndoshta edhe atë e kishte tërhequr cicërima e zogut apo prania e tij në stolin tjetër, dhe sytë e tyre u takuan. Edhe Myzaferi e shikoi me ngulm, duke e detyruar që të ulte serish kokën disi e turpëruar dhe të vijonte leximin. Ditët kalonin. “Gruaja e stolit tjetër”, siç filloi ta quaje ai, gjendej vazhdimisht aty, duke lexuar. Kur moti ishte i mirë, Myzaferi dilte edhe pasditeve, “Gruaja e stolit tjetër” po ashtu.
Një mëngjes moti u ftoh. Teksa ishte duke lexuar, afër tij u ndje një kollë e thatë. Pas pak po e njëjta kolle, por këtë here me e zgjatur. U ngrit dhe shkoi drejt gruas qe po kollitej, hoqi nga trupi xhaketën dhe ia hodhi krahëve. Ajo u gjend e papërgatitur, por nuk e refuzoi ndihmën. Myzaferi e ngriti nga stoli, dhe, duke e kapur për dore, e shoqëroi për në dhomën e saj.
…..
…Kujtimet e kishin shkëputur nga Sara. Ajo kishte hapur sytë dhe buzëqeshte me dashuri. Myzaferi i vendosi dorën në ballë dhe i buzëqeshi edhe ai. Mori peshqirin, e lagu me pak ujë të ftohtë dhe ia vuri mbi ballin që i digjej. Sara u qetësua. I fshiu pak sytë dhe në fund qafën. Ajo vazhdonte të buzëqeshte gjithë dashuri, pa ia ndarë shikimin. Pas pak i mbylli sytë. Nuk po ngopej me ajër. Dëgjohej një gërhitje. Më pas e zuri gjumi. Myzaferi nuk lëvizte dot nga vendi, edhe dorën nuk ia lëshonte, kishte frikë se mos e zgjonte. U mbështet serish në karrige, ku iu rikthyen kujtimet.
… Sara hapi sytë. Myzaferi u afrua, mori peshqirin e lagur dhe i fërkoi me të ballin e skuqur nga temperatura e lartë. Ajo i mbylli prapë sytë. Myzaferi u përkul dhe e puthi lehtë në ballë, pastaj në faqe…në buzë. Sara mezi lëvizi buzët, si të donte t’ia kthente të puthurën. Hapi sytë dhe vështroi sërish Myzaferin. Po e shihte si nëpër mjegull. Shtrëngoi fare pak buzët, nga sytë i rrëshqitën dy pika loti. U stërmundua që t’i dhuronte një buzëqeshje, ndoshta të fundit. Më pas u drodh dhe nuk lëvizi më. “Sara, të lutem, mos ik”! -foli me dhembje. Ndoshta ajo kishte shume kohë që priste të ndodhte ajo puthje, që do të ishte puthja e fundit e dashurisë, njëherit puthja e lamtumirës.
Aparatet tregonin ndërprerjen e aktivitetit jetësor. Buzët kishin ngrirë ashtu, duke qeshur. Myzaferi u ngrit në këmbë, u zmbraps dy hapa pa i hequr sytë nga Sara. Në dhomë u futën mjeku dhe kryeinfermierja, te cilët konfirmuan vdekjen. Doktori ngriti kokën dhe pa nga Myzaferi.
-Ishe gjithë kohën këtu? -e pyeti.
-Po.
-Me fal që të pyeta, -tha doktori, -ajo duket. Dhe pa nga Sara.
-Të lutem, doktor, e lajmëruat vajzën? -pyeti Myzaferi.
-Po, -tha doktori, -vajza po vjen.
Pa mbaruar fjalën Myzaferi, Elena hyri ne dhome, u hodh mbi trupin e pajete të së ëmës dhe përmes të qarave me ngashërime, filloi t’i thoshte:
-Më fal, mama, të lutem, më fal!
Për një çast ngriti kokën lart dhe hodhi vështrimin drejt Myzaferit, që qëndronte kokëvarur. Sytë e mbushur me lot dëshmonin për dhembjen e madhe që kishte.
-Na la mami! -tha si të gjente ngushëllimin aq të nevojshëm në ato çaste.
-Jo, kurrë! Ajo është gjithmonë me ne! -ia ktheu Myzaferi, doli jashtë nga dhoma dhe u ul në stolin e parë që gjeti. Ishte hera e parë që humbiste kontrollin në jetë.
-Kaloni ne zyrë që të merrni sendet personale të mamasë, -i tha kryeinfermierja Elenës.
Ne zyre po e priste një grua, e cila, pasi e ngushëlloi për të ëmën, i dorëzoi një zarf të madh me ngjyrë të verdhë. Brenda zarfit të verdhë ndodhej një tjetër zarf i mbyllur, me ngjyrë të bardhë. Me zarfin në dorë u nis për tek dhoma e pritjes, ku nuk ndodhej njeri. E hapi me kujdes dhe brenda gjeti letrën ku ishte shkruar amaneti i fundit i Sarës:
…Bije e dashur. Kur të lexosh këtë letër, unë nuk do të jem më. Te lutem, unazën e lidhur me fjongo të kuqe që ndodhet brenda zarfit t’ia japësh Myzaferit. Atë unazë ma ka dhëne nëna ime së bashku me porosinë që t’ia jepja njeriut që do të më bënte të lumtur. Myzaferi më dha deri në fund gjithë lumturinë e kësaj bote…dhe ti e di mirë këtë…
…Ndërsa ajo vijonte të lexonte letrën e së ëmës, Myzaferi u ngrit nga stoli. Këmbët e çuan drejt e tek dhoma e Sarës. Nuk po e kuptonte se sa kohe kishte kaluar nga ndarja me të. Dhoma ishte e rregulluar, shtrati me Sarën nuk ndodheshin aty. Një infermiere po e vështronte me keqardhje. Dhoma dukej e heshtur, sikur nuk kishte ndodhur asgjë…dikush tjetër do të bëhej banor i saj dhe do të shtrihej në shtratin e Sarës. U bë dyllë i verdhë në fytyrë. Uli koke dhe doli nga dhoma. Elena vijonte t lexonte letrën e së ëmës:
…Bije e dashur, te lutem të mos qash as ti dhe as dikush tjetër, unë po iki e lumtur nga kjo botë. Dije, bije, se Zoti u tregua shumë bujar me mua. Ne hapat e fundit të jetës me fali gjënë më të bukur, atë që e ka emrin DASHURI! Që ditën që erdha këtu, mora librin dhe dola në park. U ula në stol dhe nisa të lexoja. Ngrita sytë për një çast dhe pashë se në stolin përballë je burrë, qe s’ishte i moshe sime, po lexonte ne biber të trashë. Nuk di si të them, por menjëherë konstatova se diçka më tërhoqi tek ai njeri. Vazhdova leximin, por nuk përqendrohesha dot, yste më çonin tek stoli përballë. Fillova ta shoh me shpesh: i veshur me sqime, folke të rrallë e të zbardhur dhe vetulla të zeza, krejt i rregullt. Me trup mesatar, ishte njeri fare i zakonshëm,veç mua mu duk i jashtëzakonshëm. U ngrit para meje dhe iu drejtua sallës së ngrënies. Më pëlqeu ta ndiqja pas. Burri ishte ulur i vetëm në tryezë, me sa duket i pëlqente vetmia… Kishin kaluar disa dite. Burrin e shihja vazhdimisht në të njëjtin vend, ku ai vinte ne po atë orë. Edhe vendi ku ai qëndronte po më dukej më i bukur. Diçka e pakuptueshme po ndodhte ne shpirtin tim.
…Në njërën prej këtyre ditëve ai mbylli librin dhe u drejtua për nga stoli ku qëndroja unë. Trupi mu mbush me mornica dhe fytyra më tradhtoi. “Ua, ç’ është kjo që po më ndodh tani në këtë moshë”? -pyeta veten. Ai më përshëndeti me një buzëqeshje që kurrë nuk e harrova.
-Dëshiron të njihemi? -pyeti me një ton lutës. Unë u ngrita si me sustë, i dhashë dorën dhe u prezantova:
-Sara.
-Myzafer, -ma ktheu ai.
Që nga ajo ditë ne nuk u ndamë më, kudo bashkë. E kuptonim njeri-tjetrin pa folur, vetëm me shikim. Ishte diçka shumë e bukur. Nuk e di sa kohe vazhduam, por as më duhet ta di. Tek Myzaferi gjeta personin që i kalonte edhe ëndrrat e mia, i jepnim njeri-tjetrit energji pa limit. Kjo energji na mbante gjithmonë të lumtur. Nuk besoj se ishte dashuri, ishte diçka më shumë…shumë më shumë se dashuri. Mund të ketë emër, por unë nuk e di, as me duhet ta di. Nuk gjeja fjalë si të falënderoja Zotin që në fund të jetës na dhuroi gjithë këtë lumturi. Ndodhte shpesh që njerëz të njohur zhdukeshin, nuk i shihnim më. Ishim të ndërgjegjshëm se çfarë ndodhte me ta, po kurrë nuk i zinim në gojë. Kryesorja për ne ishte që të ishim të lumtur dhe të ndaheshim të lumtur me këtë botë. Nuk i luteshim kurrë Zotit që të na i zgjaste apo të na i shkurtonte ditët e lumtura, ishim të bindur se Ai e dinte vete se ç’bënte, pasi ishte Ai që na e dhuroi këtë lumturi.
Edhe një porosi nga nena jote: ndihmoji Agronin dhe Gjonin e vogël. Unë të kam lenë plot pare, ti ke edhe vete, ndihmoji ata, ti tani je motra e madhe e Agronit, ai është djalë i mrekullueshëm, i ngjan shumë të atit. Kur ta njohësh edhe më mirë, do të më falënderosh.
Te puth, mamaja jote, Sara! Lamtumire, shpirt!
P.S.: Të kujtoj edhe një herë se asnjeri nuk duhet të qajë për mua, veçanërisht ti…
Elena doli nga dhoma e pritjes duke parë orën. Kishte kaluar afro tri orë aty. Filloi të ecte nëpër korridor. Pyeti për Myzaferin, të cilin e gjeti në dhomën e tij, ulur ne karrige, me vështrimin në dysheme. Elena hyri brenda. Myzaferi u ngrit menjëherë në këmbë dhe iu afrua si ta kishte bijën e vet. Ajo iu hodh në kraharor dhe e qafoi fort duke thëne: “Te faleminderit”!
-Të rroni vete! -e ngushëlloi Myzaferi duke u shkëputur prej krahëve të saj.
Për herë të parë Elena po e shikonte ndryshe, ndoshta vijonte të ishte nën efektin e letrës që sapo kishte lexuar. Por nuk ishte vetëm kjo, Myzaferi te impononte vërtet respekt. Nëna e saj nuk mund te gabonte. E mori Myzaferin për dore dhe dole së bashku në park. U drejtua për tek stoli ku shpesh i gjente bashkë, por Myzaferi e ndali. Nga thellësia e shpirtit i dolën fjalët: “Kurrë më atje”!
Së bashku u ulën në stolin më të afërt. Elena nxori unazën dhe ia drejtoi Myzaferit duke i thëne:
-Mamaja ka lëne porosi që këtë unazë të ta jap ty, le te mbetet ne familjen tuaj këtej e tutje si simbol i dashurisë suaj…Më ka lenë edhe këtë letër, të cilën unë dëshiroj ta lexosh edhe ti.
-Jo, bije, -ia ktheu duke buzëqeshur. -Të faleminderit, po ajo letër është vetëm për ty. Unë e kam këtu,… në zemër. Tani ik në shtëpi, ajo nuk ka me nevoje për ne. Kaq ishte. Te gjitha punët i bëjnë këta…
Elena u ngrit dhe përmes lotësh e qafoi fort me sy të përlotur.
-Jo, -e qortoi Myzaferi. -Te lutem, jo kështu. Mamaja do të mërzitej po të shihte. Ne po e mbyllim shumë të lumtur dhe kështu do të jemi deri në fund.
Elena fshiu lotët me turp.
-Po, -tha me një buzëqeshje të lehtë, -ma ka thëne mami, e ka përsëritur edhe në letër, lexoje. Lamtumire, Zotëria im! – Dhe i futi letrën ne xhepin e xhaketës.
U largua me hapa te shpejte se mos e tradhtonin serish sytë.
…Myzaferi u shtri ne shtrat, as dritën nuk e ndezi. Që kur u sëmur Sara, edhe ilaçet nuk i merrte rregullisht. Kishte dhembje koke dhe i merreshin mendtë. Edhe netëve flinte shume pak, ndaj e zuri gjumi sapo u shtri. U zgjua rreth mesnate: “Sara”! -thirri, po nuk mori përgjigje. Mbylli sytë fort dhe ra serish në gjumë. Ne mëngjes e zgjoi infermierja.
-Mirëmëngjesi, zotëri, -e përshëndeti. -Te lutem, hajde të hash mëngjes, ti duhet të qetësohesh, zotëri.
-Po, -iu përgjigj Myzaferi me një buzëqeshje të lehtë, -ju keni shume të drejtë, unë duhet të qetësohem. Shkoni përpara sa të lahem dhe erdha.
Shkoi në tualet, u la dhe u rrua me kujdes. Kur doli tek dera, takoi infermieren që ishte bërë merak nga vonesa e tij.
-U vonove shumë! -i tha ajo me një ton ku ndihej shqetësimi mos kishte ndodhur ndonjë gjë e keqe.
-E po pleq, ç’ mund të presësh nga ne, -ia ktheu si përherë me të qeshur.
-Do të vish në sallën e ngrënies apo të ta sjell ushqimin në dhomë? -pyeti infermierja.
-Më mirë ma sill në dhomë.
Beri një xhiro në korridor dhe u kthye në dhomë, e cila ishte pastruar komplet, ishin ndërruar edhe çarçafët, këllëfi i jastëkut, peshqirët. E ndjeu veten të këputur dhe u shtri në shtrat. Nuk priti t’i vinte mëngjesi, ra në gjumë te thellë. Kur hyri në dhomë dhe e pa të shtrirë, infermierja nuk e zgjoi, tundi kokën me keqardhje, vendosi ushqimin në frigorifer dhe doli pa u ndjerë.
Myzaferi u zgjua pasdreke. Ndihej fare i këputur. Pasi hëngri pak nga ushqimi qe gjeti në frigorifer, mori një letër, u ul në tavoline dhe nisi të shkruaj:
…I dashur biri im. Ka shumë kohë, aq shumë sa nuk e mbaj mend, që të kam shkruar. Por ja që erdhi dita të të shkruaj letrën e fundit. Më beso, bir, qe po e shkruaj duke mu dridhur dora, pasi është jo vetëm letra e lamtumirës, por edhe mundësia që më jepet të të kërkoj me shpirt të falur. Më fal, bir, të jam bërë barrë gjithë jetën…Më kujtohet si sot, kur më pe të lidhur me pranga në sallën e gjyqit. Ti ishe vetëm pesë vjeç, i ulur në prehrin e nenës. Nuk e kuptoje se ç’po ndodhte, ndaj buzëqeshje, por në të vërtetë ai nuk ishte dënimi im. Unë po të dënoja ty, po te lija pa baba për pesëmbëdhjete vjet rresht, me damkën si bir i “armikut te popullit”. Më kujtohet se si, kur u lirova nga burgu, me tregoje për peripecitë që kishe kaluar, peripeci që i përjetonin vetëm fëmijët e të ashtuquajturve “armiq te popullit”. Më tregove se si e kishe për zemër lëndën e letërsisë dhe shkoje në shkollë gjithmonë i përgatitur dhe kurrë s’e ngrije dorën për diçka qe nuk e dije. “Çohu ti Agron, na fol për Viktor Hygon”, -të kishte thëne mësuesi. Ti ishe përgjigjur shkëlqyeshëm edhe jashtë pyetjes. Profesori, qe deri atëherë nuk ta kishte dëgjuar zërin, të tha: “Bravo! Ku e ke mësuar kaq mirë?”. Ti nuk pate mundësi t’i përgjigjeshe, pasi njeri nga nxënësit tha:
-Atë e ka mësuar i ati që është ne burg si “armik i popullit”.
Ti, bir, ishe ulur në bangë kokulur.
…Biri im, unë punëtor isha edhe para se të hyja në burg, punëtor në burg, punëtor mbeta edhe pasi u lirova nga burgu, ndërsa ty të mërziten jetën. As unë nuk e dija se ç’ faj kisha bërë. Me quajtën fajtor pasi i thashë një bashkëqytetari se kisha tre muaj që nuk po merrja dot mish. Me quajtën fajtor se bashkëqytetari im më kishte thëne që donte të arratisej dhe unë nuk e denoncova tek Sigurimi i Shtetit. I mblodhën bashke këto dy “krime” dhe me dënuan pesëmbëdhjete vjet. Kur u lirova pas katërmbëdhjetë vjetësh, ty të gjeta ushtar. Edhe pse kalova një jetë shume të vështirë, kurrë nuk hoqa dorë nga këshillat për ty, si kur isha ne burg, edhe kur dola prej andej, u mundova të të qëndroja pranë. Tani jam shumë krenar për djalin tim. Shumë gjera nuk më lejuan t’i jetoja. Dashurinë, që është gjeja më e mrekullueshme e jetës, unë nuk pata fatin ta përjetoja në Shqipëri, prindërit me martuan me nenën tënde, të cilën unë nuk e njihja më parë…
Në hapat e fundit të jetës Zoti më dha mundësinë të provoja një dashuri të madhe. Këtu në nestri hom u njoha me Saren, gruan që ti e njohe se ta pata prezantuar. Ajo i dha kuptim tjetër jetës sime. Ne i dhamë njeri-tjetrit një lumturi të pakufishme, pa e kuptuar as vete se nga buronte gjithë ajo lumturi. Morëm prej njeri-tjetrit çdo gjë të bukur e të pastër. Nuk e di si është Parajsa, por kam dëgjuar e lexuar për të. Tani besoj se e kam njohur Parajsën: ishte jeta që kalova me Saren time të paharruar. Tani e ndjej se jeta pa Saren nuk ka kuptim, ndaj i lutem Zotit ta përjetësojë lumturinë , duke më çuar së shpejti tek Sara, ku të vazhdojmë jetën në Parajsën tonë të transferuar nga Toka në Qiell.
…Biri im, po te le porosite e fundit:
Së pari, në zarf po të le unazën që Sara e la si kujtim për familjen tone. Mbaje në gisht dhe trashëgoje tek Gjoni. Sa here ta shikosh të kujtosh dy njerëz të lumtur, babanë tënd dhe Saren, e të thuash: -Sa e bukur qenka dashuria!
Se dyti, Sara ka një vajzë të mrekullueshme, Elenen. Ajo është më e madhe se ti dhe nuk ka vëlla, ndaj të kërkoj që t’i bëhesh vëlla dhe ta konsiderosh si motër. Edhe Sara para se të ndërronte jetë i ka lëne të njëjtën porosi, të të konsiderojë vëllain e saj të vogël. Këtë porosi të ma plotësosh patjetër.
Lamtumirë, biri im. Dije se ju kam dashur shumë.
Të puth fort, babai yt, Myzaferi!
…..Me të mbaruar letrën, e vendosi në zarf se bashku me letrën e Sarës dhe e ndjeu veten më të lehtësuar, sikur të ishte çliruar nga një barrë e rëndë. U shtri ne shtrat dhe e zuri gjumi menjëherë. U zgjua pas katër orësh. Ndjeu dhembje koke e marrje mëndësh. U përpoq të ngrihej në këmbë, por nuk mundi. Po i rrotullohej gjithë dhoma. U ul serish ne shtrat, por përsëri sendet rrotulloheshin. Kështu vazhdoi deri në mëngjes. Myzaferi po e ndjente veten gjithnjë e me keq, por nuk donte të thërriste mjekun. Rreth drekës erdhi infermierja, që e gjeti me temperature të lartë e ballin të mbuluar me djersë. Thirri menjëherë doktorin, që mbërriti në çast.
-Sa kohe ka kështu ky? -pyeti doktori.
-Nuk e di, në mëngjes ishte mire, -iu përgjigj infermierja.
-Nuk ka mundësi. Ky duhet të ketë ditë i sëmurë, -tha doktori.
Pas rreth një ore Myzaferi filloi të flasë përçart. Erdhi dhe një mjek tjetër për konsulte. I ndërruan mjekimin. Afër mëngjesit u duk sikur u qetësua. I vendosen një aparat dhe serum. Myzaferi me buzëqeshje i thotë infermieres:
-Mund të më besh një nder?
-Me gjithë qejf, -i përgjigjet ajo.
-Ju lutem, njoftoni Elenën te vije të më takojë.
Infermierja doli nga dhoma dhe iu drejtua zyrës në fund të korridorit. Pas pak doli prej andej, iu afrua Myzaferit dhe i foli ngadalë:
-Elena është duke ardhur.
I kërkoi ta çlironte nga aparatet qe te mos e gjente Elena në atë gjendje. Infermierja i tha se për këtë duhej te bisedonte me eproret.
…Ne dhome hyri Elena. Myzaferi u gëzua që mbërriti në kohë, ai ishte ende në gjendje të komunikonte me të. Ajo kishte takuar në korridor doktorin, që i kishte thënë se Myzaferi nuk i kishte punët mirë. Iu hodh ne kraharor dhe e qafoi fort.
-Erdhi vajza ime e mirë dhe e bukur, -foli duke buzëqeshur me mundim. -E dashur Elene, dëshiroja qe te takoja për herë të fundit. Tek ti janë qëndisur tiparet më të bukura të nënës tende dhe mua me kishte marre malli për to. Të faleminderit që erdhe. Kaq desha, tani, te lutem, ik.
Bëri të gjitha përpjekjet që të ngrihej, por nuk mundi; e kapi për qafe, po nuk kishte fuqi ta shtrëngonte. Elena u ngrit me sy te përlotur. Ai i buzëqeshi. Ishte më shumë një ngërdheshje se sa buzëqeshje. Nuk kishte më fuqi, ato po e linin tërësisht. Mbylli sytë.
-Baba, të lutem, mos ik, -zëri i vajzës i erdhi nga një botë tjetër.
Mjekët shënuan në kartelë: Pacienti ndërroi jetë në orën 10, të datës 21 janar 2016. Diagnoza:..