*Sipas Ministrit të Punëve të Jashtme të Suedisë Carl Bildt, Putini nuk do të kënaqet vetëm me aneksimin e Krimes sepse lideri rus ka për synim gllabërimin e tërë Ukrainës/
Nga XHAVIT ÇITAKU/
Geteborg 22 mars- Në të shumtën e rasteve politika dhe diplomacia suedeze janë të matura në reagimet dhe vlerësimet rreth ngjarjeve të ndryshme që ndodhin në arenën ndërkombëtare, ndoshta për shkak të statusit neutral që ka ky shtet skandinav. Megjithatë, intervista e Ministrit të Punëve të Jashtme Carl Bildt dhënë CNN- it lidhur me ngjarjet dhe aktualitetin shqetësues në Ukrainë sikur e ka tejkaluar ekuilibrin e deritashëm reagues. Në të vërtetë, sipas mjeteve të këtushme të informimit, në një intervistë për CNN Blidt ka thënë se Putini nuk do të kënaqet vetëm me aneksimin e Krimes sepse lideri rus ka për synim gllabërimin e tërë Ukrainës. Krimea është vetëm një lojë e hapur. “ Putini, në rend të parë, nuk është i interesuar për Krimen, ai është i interesuar për tërë Ukrainën”, citohet të këtë thënë diplomati suedez në këtë intervistë.
Duke analizuar këtë intervistë, mediat e këtushme konstatojnë se siç duket në kohë, hapësirë dhe veprime konkrete në terren shefi i diplomacisë suedeze ka të drejtë në këtë konstatim të tij. Ky konstatim bazohet edhe në ngritjen e alarmit të ambasadorit ukrainas në Kombet e Bashkuara, Jurij Klimenko, i cili thotë se javën e fundit u shënuan sulme të shumta ruse kundër Ukrainës dhe se Rusia po mobilizon trupat e saj të shumta ushtarake në kufi me këtë shtet.
Carl Bildt mendon se Presidenti Putin është i gatshëm që të përdorë një varg mjetesh, ndër të tjera, ekonomike dhe ushtarake për të realizuar qëllimet- synimet e tij. “ Gjatë javëve të fundit ne kemi parë se ai është i gatshëm të përdorë mjetet ushtarake. Kjo është shumë shqetësuese” thekson Bildt.
Ndërkaq, Gudrun Persson, analist për çështje të sigurisë, mendon se Putini do të avancoj në drejtim të Ukrainës dhe paralajmëron se siç duket nuk ka ndonjë pengesë në rrugë që do ta ndalojë Rusinë ta bëtë këtë akt në kundërshtim me të gjitha normat ndërkombëtare.
Shikuar me një largpamësi mund të vërehet diçka që do të këtë probleme me eksportin e gasit rus. Kjo do t’i kushtoj shumë. Mirëpo. Putini e ka një liri të pakufizuar duke e thënë edhe atë se Kievi është qytet që “ nënë” e ka Rusinë, sikur të gjitha qytetet tjera ruse.