PRISHTINË, 9 Gusht 2023-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
Qeveria e Republikës së Kosovës sot ka ndarë 254,562.30 € për pajisje me tekste mësimore në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë që vijojnë mësimin në gjuhën shqipe në shkollat fillore, në komunat Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, për vitin shkollor 2023-2024.
“Edhe vitin e kaluar kemi ndarë mjete financiare në qëllim të pajisjes me tekste mësimore në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë të shkollave fillore në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Ndihma jonë për bashkëkombësit tanë është jo vetëm nevojë por edhe obligim i yni, që të mbrojmë të drejtat e tyre elementare”, thekson Qeveria e Kosovës në një komunikatë të dërguar.
Qeveria e Republikës së Kosovës, drejtuar nga Kryeministri Albin Kurti, sot ka zhvilluar mbledhjen e 154-të, ku ka plotësuar dhe ndryshuar Programin Legjislativ për vitin 2023. Axhendës së plotësuar të Qeverisë së Republikës së Kosovës i shtohen katër projektligje të reja, ndërksa afati i miratimit në qeveri shtyhet për 13 projektligje.
Mes tjerash, Qeveria ka miratuar edhe Rregulloren për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive. “Kjo rregullore ka për qëllim të përcaktojë numrin e anëtarëve të Qeverisë dhe të emëruarve të tyre, si dhe fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe të ministrive në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Përmes saj, fushëveprimit të Ministrisë së Drejtësisë i janë shtuar punët sociale, kurse Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Ekonomisë, duke u nisur nga rëndësia e punës së tyre karshi qytetarëve, i janë shtuar kompetencat”, thekson komunikata.
Në hapje të mbledhjes së Qeverisë, Kryeministri Kurti është shprehur: “Fillimisht le t’i urojmë së bashku mirëseardhje anëtarit tonë më të ri të kabinetit, kolegut tonë të ri, Ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Punë të mbarë. E falënderoj edhe njëherë përzemërsisht për kontributin, angazhimin dhe dedikimin e të pashoq, ish-ministrin Armend Mehajn, ndërkaq bashkëshortes së tij i dëshiroj shërim të plotë dhe të shpejtë”.