-Kryeministri në detyrë Kurti, shkarkon nga posti i zëvendëskryeministrit në detyrë, Avdullah Hotin/
– Mustafa: Si Kryetar i LDK-së, nuk do ti tërheq njëanshëm ministrat dhe zëvendësministrat e LDK-së nga detyrat e tyre në Qeverinë në dorëheqje/
PRISHTINË, 26 Mars 2020-Gazeta DIELLI/
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë vendim për lirimin nga posti i zëvendëskryeministrit të parë në detyrë, z. Avdullah Hoti.
Ky është lajmi i dërguar në mesnatë, menjëherë pasi Kuvendi i Kosovës votoi me 82 vota pro, 32 kundër e 1 abstenim mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës të kryeministrit Albin Kurti.
Avdullah Hoti është i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Sot në mëngjes ka reaguar kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa:“Në kohën kur po ballafaqohemi me Pandeminë e COVID-19, si Kryetar i LDK-së, nuk do ti tërheq njëanshëm ministrat dhe zëvendësministrat e LDK-së nga detyrat e tyre në Qeverinë në dorëheqje.
Pasi që koalicioni VV-LDK ka rënë mbrëmë me mocion votëbesimi me votat e mbi 2/3 e deputetëve, mbetet në vullnetin e Kryeministrit në detyrë, z.Kurti, se a do të vazhdoj të punoj me ta gjatë kësaj gjendjeje emergjente, derisa të zgjedhet qeveria tjetër, apo do të bëj veprime tjera, ashtu siç e liroi z. Avdullah Hoti nga pozita e zëvendëskryeministrit të parë mbrëmë para mesnate!”, ka shkruar kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Mustafa.