Dr. Paulin Marku/
Mbyllja e Akademisë së Studimeve Albanologjike është një dëshmi e qartë se rrenjët e komunizmit po rigjenerohen në Shqipëri. Në vend që studiuesit shkencorë të kenë mbeshtetje financiare, investime në fushën e kërkimit shkencor, projekte të sponsorizuara nga qeveria, infrastrukturë për të lehtësuar punën që të jenë sa më komod, etj. , sot arrihet në vendimin ekstrem të mbylljes së një institucioni elitar të Albanologjisë në Shqipëri.
Ndjej keqardhje të madhe kur kolegët e nderuar me shpenzimet personale udhëtojnë për të bërë kërkime, për të botuar në revista Ndërkombëtare, për të marrë pjesë në konferenca shkencore, workshop, e shumë shpenzime të tjera.
Pa llogaritur librat, udhëtime, shpenzime per ushqim dhe fjetje kur janë në aktivitete ndërkombëtare. Mbaj mend kur u morën zyrat me urdhër të Qeverisë Rama, për t’ia kaluar Ministrisë së Integrimit (e cila sot nuk ekziston si ministri) dhe studiuesit u nxorën nga zyrat me afat kohor disa orësh.
Askujt nuk i interesonte se ku do të punonin këta kërkues shkencorë që u nxorën nga godina pa iu gjetur një sistemim tjetër, mjaftonte të zbatohet urdhëri i qeverisë Rama.
Edhe ato pak zyra që ASA kishte, të cilat ishin të pamjaftueshme sepse punonjësit shkencore ishin tre, katër, apo edhe pesë veta në një zyrë, pa marrë në konsideratë se këto ambiente ishin pa sistem ngrohje e ftohje, të pamjaftueshme për të gjithë punonjësit shkencor duhet që në mënyrë urgjente të linin zyrat dhe të largoheshin brenda pak orësh.
Mbaj mend që kur vinte dimri ambientet ishin akull dhe nganjëherë duhej me patjetër që të ndiznin një ngrohëse për të thyer të ftohtin, dhe sapo ndiznim ngrohjen, binte automati i godinës. Nuk po flas për air të kondicionuar se është problem tjetër.
Dhe sot, sikur të mos mjaftonin të gjitha këto probleme që përmenda më lart, e shumë e shumë të tjera, kërkohet mbyllja e Akademisë së Studimeve Albanologjike. Te vjetrit dikur thonin ” o Zot mbaj dorën”. Ndërsa, unë sot do të shtoja “Zot mbaj dorën dhe mos t’ia japë mendja Kryeministrit Edi Rama të vetëshpallet Mbret i Shqipërisë”.
Në mbështetje të kolegëve të Akademisë së Studimeve Albanologjike,
Me keqardhje të madhe për situatën në vendin tim,
Dr. Paulin Marku
DEKLARATË PËR SHTYP
Senati i Akademisë së Studimeve Albanologjike
Tiranë, më 27.05.2023
Senati i Akademisë së Studimeve Albanologjike u mblodh sot me urgjencë për të diskutuar raportin përfundimtar të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit “Mbi kontrollin e pajtueshmërisë së veprimtarisë së Akademisë së Studimeve Albanologjike me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi” i datës 25.05.2023, i cili rekomandon mbylljen e veprimtarisë së këtij institucioni si institucion i arsimit të lartë të llojit “Akademi”. Veç kësaj, nga dita e djeshme ka qarkulluar në media një formë e Projektvendimit të Këshillit të Ministrave “Për Mbylljen e Veprimtarisë së Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe Riorganizmin e Njësive kryesore të saj”. Për sa më sipër, Senati i Akademisë së Studimeve Albanologjike, pas mbledhjes së sotme doli me një deklaratë për shtyp ku sqarohet se Projektvendimi për Mbylljen e Veprimtarisë së Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe Riorganizminn e Njësive kryesore të saj shkakton sa më poshtë:
1. Shkelet ligji për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Shqipëri, duke krijuar precedentin e rrezikshëm të mbylljes së pabazuar të një Institucioni Publik të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor dhe për më tepër sot, të së vetmes Akademi Albanologjike. Konkretisht ASA nuk është njoftuar për këtë Projektvendim, dhe së dyti, sipas Ligjit për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Shqipëri, është Senati i ASA-s, i vetmi institucion që duhet të shprehet për fatin juridik të ASA-s. Deklarojmë se Senati vijimisht si dhe sot, është shprehur dhe shprehet kundër mbylljes së ASA-s.
2. Mbyllja e ASA-s shkakton pushimin e mbi 45 marrëveshjeve ndërkombëtare, ku ky institucion është palë si IAL, dhe asnjë institucion tjetër nuk ka tagër t’i mbartë.
3. Shuhen Institutet duke i shndërruar ato në njësi kërkimore, që sipas nenit 19 të ligjit për Akademinë e Shkencave, janë ose njësi dyvjeçare ose afatgjata, pra me kohë të kufizuar.
4. Vendosjen nën kontroll të dijes akademike në lëmejt e albanologjisë, pasiqë struktura organizative e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH), është krejtësisht e centralizuar në duar të Kryesisë së Akademisë së Shkencave.
5. Ndërpret karrierën e afro 100 studiueve, pasiqë Ligji për Akademinë e Shkencave, nr. 53, 2019 nuk parashikon në asnjë klauzolë as procedurën e punësimit në Akademinë e Shkencave, e jo më vijimin e karrierës akademike.
6. Ndërpret studimet doktorale të studentëve pranë ASA-s.
7. Referimi te neni 19, është i pabazë kur bëhet me propozim nga MAS, pasi ky nen nuk parashikon të merret si referencë ligjore nga një institucion jashtë Akademisë së Shkencave.
Sa më sipër, konstatojmë se ky Projektvendim shkel rëndë Ligjin nr. 80, për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Shqipëri, si dhe vetë Ligjin për Akademinë e Shkencave, nr. 53, 2019. Shkel parimet e lirisë akademike, shkakton një akt të rëndë antikombëtar duke shuar Akademinë e Studimeve Albanologjike e bashkë me to dhe institutet pjesë përbërëse të saj.
Senati i Akademisë së Studimeve Albanologjike