
Artan Nati/
Në Shqipëri korrupsioni nuk është më një skandal. Është një marrëdhënie e qëndrueshme, pothuajse një martesë e lumtur mes pushtetit dhe parasë publike. Askush nuk përpiqet më ta fshehë këtë “romancë”, përkundrazi ajo shfaqet në publik me një lloj krenarie provinciale, si një çift që ecën dorë për dore në bulevard dhe pret që të gjithë t’i admirojnë.
Politika shqiptare ka zhvilluar një sensualitet të veçantë ndaj pushtetit. Ministritë trajtohen si dhoma private ku tenderat shkruhen me përkushtimin e një letre dashurie, ndërsa koncesionet nënshkruhen me një pasion të denjë për një dashuri platonike. Në këtë teatër të përhershëm, shteti nuk është më një institucion, është një trup modeleje që preket, përqafohet dhe shfrytëzohet.
Problemi i politikës shqiptare nuk është vetëm korrupsioni. Problemi është se korrupsioni është bërë forma më racionale e funksionimit të sistemit. Dhe kur një patologji bëhet racionalitet, atëherë satira nuk është më vetëm kritikë, ajo është përshkrim i realitetit.
Edi Rama do të portretizohej si udhëheqësi “i gjatë, arrogant dhe mendjemadh” që e trajton shumicën e tij parlamentare si një “harem personal”. Kryeministri, një njeri me ide të mëdha dhe pretendime estetike, e vështron Parlamentin jo si një dhomë demokracie deliberative, por si një sallë të gjerë private. Në këtë atmosferë të ndotur bashkëjetese politike, deputetët, të etur nga feromonet e privilegjit dhe djersa e ftohtë e zgjedhjeve të reja, braktisin çdo pretendim të rigorozitetit legjislativ. Ata angazhohen, në vend të kësaj, në një seri “orgjish të ndyra ligjore”, duke shtrembëruar vetë shtyllën kurrizore të ligjit për të kënaqur tekat e zotit të tyre.
Kur drejtësia afrohet për të parë nga afër këtë romancë, elita politike reagon me dramë. Papritur dëgjohen britma morale, deklarata solemne dhe konferenca shtypi që ngjajnë me monologë tragjikë. Këta njerëz që kanë jetuar për vite në një intimitet të plotë me privilegjin dhe tenderin publik, paraqiten tani si viktima të pafajshme. Është një spektakël që do të ishte komik, nëse nuk do të ishte aq i njohur.
Mbrojtja që Parlamenti i bëri Belinda Balluku duke bllokuar arrestimin e saj nuk është thjesht një episod procedural. Në një lexim satirik, kjo skenë politike mund të duket si një dramë e çuditshme publike ku rolet janë të shpërndara me një ironi të thellë.
Në këtë ‘teatër parlamentar shqiptar, nuk kemi të bëjmë thjesht me politikë, por me një “orgji” të mirëfilltë të imunitetit institucional. Është një organ kolektiv që nuk ushtron vetëm pushtet, por si ta themi më saktë: “masturbohet” me ligjin. Çdo votë nuk është një zgjedhje, por një perde mbrojtëse, një copë perçe e lirë që synon të fshehë perversitetin e aktoréve té “haremit parlametar”.
Dhe ja ku është komedia: ne mendojmë se diktatori Hoxha ishte mjeshtri i spektaklit, por krahasuar me këta udhëheqës modernë, diktatori ishte një puritan patetik. Ai kishte nevojë për një gulag dhe për vrasës ordiner, ndërsa këta përdorin ‘fijet e korrupsionit’ si një pajisje të sofistikuar skllavërie, duke e detyruar vetë realitetin t’i nënshtrohet vullnetit të tyre me hirin e pa mundimshëm të një dashnori sadist. Është një ritual solidariteti ku transparenca është tabuja përfundimtare. Ata nuk i thyejnë vetëm rregullat, por ata gjejnë një kënaqësi perverse duke i bërë rregullat të shikojnë ndërsa ata i shkelin ato. “Orgjia” e tenderave është Anatomia e shtetit që po shpërbëhet nëpërmjet Partneriteteve Publiko-Private (PPP) dhe koncesioneve që tani përbëjnë gati gjysmën e PBB-së së vendit.
Por duhet parë më nga afër teatri vërtet patologjik i opozitës. Ata nuk e sfidojnë këtë hegjemoni, ata luajnë rolin e bashkëshortit të tradhtuar në një psikodramë të pafundme dhe madhështore. Zemërimi i tyre nuk është një thirrje për armë, por një rënkim teatral nga vrima e çelësit.
Ata inskenojnë këto protesta të zjarrta dhe spektakolare, shfaqje piroteknike të tërbimit të pafuqishëm, që shërbejnë vetëm për të nxjerrë në pah dobësimin e tyre. Është britma e mjerë e një burri që e gjen të dashurën e tij në një përqafim ritmik të djersitur me rivalin e tij dhe në vend që të rimarrë nderin e tij ose të largohet, qëndron në fund të shtratit për të kërkuar një çështje rendi. Ai ulërin në boshllëk, duke pyetur me seriozitet grotesk nëse akti i tradhtisë po kryhet sipas procedurës së saktë parlamentare.
Është një marredhenie treshe groteske! Qeveria e kryen mbrojtjen e saj me një stil të paturpshëm dhe ekzibicionist, opozita ofron “rezistencën” e zhurmshme dhe të dëshpëruar që shërben vetëm për të rritur tensionin. Po publiku çfarë bën ? Publiku është vezhguesi pas vrimës së çelësit. Por është një soditje cinike, një lodhje raskapitese ku e shikon aktin jo sepse është i ngacmuar, por sepse nuk ka ku të shkojë tjetër. ‘Spektakli’ është e vetmja gjë që mbetet! Është si një “film pornografik”, ku aktorët janë të mërzitur, por regjisori , “Vellai i Madh” i Korrupsionit, i detyron ata të vazhdojnë të ankohen.
Klasa politike në Shqipëri ka kohë që ka shkëmbyer “virgjërinë” e saj me një “orgji” të pashtershme korrupsioni, duke e lënë prostitucionin e thjeshtë të duket si një virtyt puritan në krahasim me te. Ndërsa puna e interaktit trupor rrezikon vetëm moralin e një individi që kërkon bukën, apo kënaqësinë, ky lloj “prostitucioni politik” i përditshëm po zhvirgjëron moralin e gjithë kombit, duke bërë që kushdo të jetë i gatshëm për një “shpërblim”.
A është manipulimi i votës dhe tenderave një “orgazmë” e rreme? Absolutisht. Çdo premtim zgjedhor është një pëshpëritje e ëmbël erotike që fsheh një akt përdhunimi ndaj fondeve publike, ku politikanët kthehen në vëzhgues të mjerimit tonë. Kjo orgji kombëtare nuk ndalet, ajo kërkon gjithmonë e më shumë, duke na detyruar të gjithëve të marrim pjesë në këtë vallezim makaber të shpirtrave të shitur, ku shija e “orgazmës së pushtetit” është e vetmja gjë që i mban të gjallë. Përfituesit e kësaj “orgjie” nuk e njohin turpin, ata e shijojnë deri në palcë, ndërsa populli mbetet i mpirë, i detyruar të shikojë spektaklin e pështirë të një shteti që ka shitur trupin dhe shpirtin për para.
Ironia më e madhe është se të gjithë e njohin skenarin. Publiku e di se korrupsioni ekziston. Politika e di se publiku e di. Dhe kjo njohje e përbashkët krijon një tension të veçantë në sistem: një lloj “erotike politike” të ndëshkimit dhe pandëshkueshmërisë, ku çdo skandal prodhon zemërim momental, por sistemi vazhdon të funksionojë pothuajse i paprekur.
Në këtë kuptim, drama parlamentare nuk është vetëm një konflikt mes qeverisë dhe opozitës. Ajo është një ritual i përsëritur i politikës shqiptare: një spektakël ku moraliteti shpallet në podium, ndërsa solidariteti i pushtetit funksionon në prapaskenë.
Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron absurditeti më i madh: korrupsioni nuk është më një sekret që duhet zbuluar. Ai është bërë një spektakël publik, ku të gjithë e shohin, të gjithë e komentojnë, por shumë pak gjë ndryshon pas duartrokitjeve të fundit.
Ndoshta problemi nuk është më si ta denoncosh korrupsionin, por si ta përshkruash pa e zbutur. Kur ai bëhet zakon, gjuha neutrale dështon. Prandaj satira, edhe kur është e ashpër, trupore dhe provokuese, mbetet ndoshta e vetmja mënyrë për ta zhveshur realitetin nga iluzionet e tij. Sepse në momentin kur korrupsioni duket më i natyrshëm se vetë rregullat, ai nuk është më thjesht një problem politik. Ai është bërë mënyrë jetese. Dhe kur kjo ndodh, nuk kemi më nevojë për metafora të bukura, por për fjali që godasin.