Përktheu Rafael Floqi/
Maya Angelou ka pasur një karrierë të gjerë dhe të shquar si brenda dhe jashtë sferës letrare. Ajo është më i njohur për punën e saj si një poete, dhe aktiviste e të drejtave civile, duke punuar me Dr Martin Luther King Jr dhe Malcolm X.. Poezia e saj është frymëzuar dhe informuar nga jeta dhe puna e saj, dhe kjo lidhje personale shpesh bëhen poezitë e saj të thella dhe të fuqishme. Gjatë një karrierë që përfshin vitet 1960 deri në vdekjen e saj në vitin 2014, ajo tërhoqi, provokoi, frymëzoi, dhe në fund të fundit transformoi njerëzit dhe kulturën amerikane. Maya Angelou, e lindur 4 prill 1928 si Marguerite Johnson u rrit në në St Louis, Arkansas në një zonë rurale në kohën e dasive raciale. Ajo ishte një poete, historiane, shkrimtare, aktore, dramaturge, producente dhe regjisore. Ajo ishte profesoreshë në Qendrën e Studimeve Amerikane në Universitetin, Wake Forest në Karolinën e Veriut , qysh nga viti 1981. Ajo ligjëroi në të gjithë Shtetet e Bashkuara dhe jashtë vendit. Ajo botoi dhjetë nga librat më të mirë të shitur dhe artikuj të shumtë në revista, duke fituar çmimin Pulitzer dhe, duke u emëruar disa herë për Çmimin “National Book Award”. Me kërkesë të presidentit Klinton, ajo shkroi dhe i dërgoi atij një poemë për ditën e inaugurimit të tij si president në 1993.
Një udhëtim i rrënuar
S’ka as trokitje paralajmëruese në derë
As zhurmë të rënda këmbësh që pengohen në dysheme e hajatit
E sigurt si në burg të zi, e di
Se drita rrëshqet
Mbi punën e imtë bërë me gishta
Nga një grua
pa dhëmbë prej Pakistani.
Pikturat e lumtura në mur
Nga një kohë e padukshme ndriçohen.
Goja ime e dëshiruar
S’pranon ajrin e zakonshëm dhe
Mushkëritë ndalen. Pushtuesi merr
Drejtim dhe
Dihat përmes mureve të allçisë.
Ja është në dhomën time, duke hyrë
prej vrimës së çelësit, duke u shtyrë
përmes pragut të derës.
S’mund të bërtas. Një kockë
Frike më zë fytin.
Është mbi mua. Është
Një agim me Shpresë,
Është një kalorës arrogant .
Mendja ime, dikur e palëvizshme
Brenda kutisë së saj të rehatshme, është përndezur
Kur kundron fytyrat e tyre të ngazëllyera,
që hyjnë brenda meje.
Jam e detyruar forcërisht
Pa dëshirën time
T’i hipi dritës dhe kalëroj bashkë me Shpresën.
Përmes gjithë atyre orëve të shkëlqyera.
Jam e lidhur në pritje, deri sa
errësira vjen për të më kërkuar
si mallin e saj . Shpresa zbehet, dita shkon
në vendin e vet të pandreqshëm,
dhe unë rrëkëllehem sërish në këndin e njohur
tek brigjet e mos ngushëllimit .
Zymtësia zvarritet përreth
Duke u lëpirë ndjellësisht
rreth gishtave të mi, rreth ijëve,
Duke më thithur edhe rrënjët e flokëve
Të mia. Dhe ma fal dalldinë
marramendëse me Shpresën. Kridhem
prapë brenda në krahëve të tij
të babëzitur.
Do të ngrihem sërish
Ti kërkon t’ më ulësh në jetë të jetëve,
Me rrena të idhta, gjithë dredhi,
Ti në llucë mund t’ më zhytësh vërtet
Por unë nga pluhuri unë ngjitem përsëri.
Ah po, të digjka paturpësia ime ?
Pse je rrethuar me gjithë atë zymti ?
Pse eckam si të kem puse nafte
në dhomën e ndenjes në shtëpi.
Po ashtu si hënat dhe si diejt,
si baticat që vijnë me saktësi,
Si shpresat që lart vërshojnë,
Po unë do të ngrihem përsëri .
Mos doje të më shihje zemërthyer?
Me kokë ulur dhe sy mënjanë?
Me shpatullat mbledhur si pika loti.
E ligur si shpirti kur qan .
Ah të fyeka mospërfillja ime?
E qenke prekur në thellësi?
Pse unë qesh sikur kam zehe ari
Pas kopshtit tim në shtëpi.
Ti mund t’më vrasësh më fjalë,
Ti mund t’më vrasësh me idhni,
Ti mund t’më më therësh me sy,
Por unë, si ajri ngrihem përsëri.
A të qenit seksi të tërbuaka?
T’i qenke madje shumë i habitur,
Pse kërcej si t’ kem diamante,
Aty ku kofshët më rrinë ngjitur?
Ndaj,
Lart prej kasolleve të turpit të historisë
Unë ngrihem,
Lart nga e shkuara me rrënjë në dhimbje
Unë ngrihem,
Unë jam një oqean i zi , kërcënues. i paanë,
Që turfullon e fryhet mes tallazesh.
I lashë pas netët me terror dhe frikë,
Dhe u ngrita
Në një muzg mrekullisht të pastër
U ngrita
Duke marrë me vete hajmalitë e stërgjysheve të mi,
U ngrita
Unë,-ëndrra dhe shpresa e një skllaveje .
U ngrita,
U ngrita,
U ngrita.
Zogu i kafazit
Zogu i lirë i kërcen
Në shpinë e erës,
Dhe zhytet në mes shtjellash teposhtë
Aty gjer ku rryma nis e reshtet,
Dhe e ngjyen krahun
Në rrezet e një dielli portokalli,
Dhe guxon të thotë se qielli është i tij .
Por zogu i kafazit
Që çapitet në kuvlinë e tij të ngushtë
Herë-herë mezi sheh
Tej telash plot duf zemërimi
Se krahët e tij janë të qepur
Dhe këmbët i ka lidhur
Ndaj,
shqyen fytin e zë e këndon.
Zogu i kafazit nis e iu këndon
Me një trill gjithë llahtari
Atyre gjërave të panjohura
Qe me gjithë afsh i dëshiron
Dhe do që cicërima e tij të ndihet
Gjer atje në kodrën e largët
sesi ai zogu në kafaz
këndon për liri.
Zogu i lirë mendon për një tjetër stuhi
Dhe shkërben shtjellat mes pemëve rënkuese
Sheh krimbat e majmë që shtriqen në lëndinën e bardhë
Dhe i shpalos qiellit dëshirën pushtuese
Ndërsa zogu i kafazit buzë një varri ëndrrash
Hijes së tij i këlthet gjithë llahtari
Krahët qepur dhe këmbët lidhur
E çjerr rrylin e këndon përsëri.
Zogjtë e kafazit nisin e këndojnë
Me një trill gjithë llahtari
Atyre gjërave të panjohura
Që me gjithë afsh i dëshirojnë
Dhe duan që cicërima e tyre të ndihet
Gjer atje në kodrën e largët
sesi ata zogjtë e kafazit
këndojnë për liri.
Vetëm
Shtrirë , e përhumbur
Natën e kaluar,
Mendoja si t’i gjeja shpirtit tim një shtëpi,
Ku uji të mos ishte i etur,
Kur buka të mos ishte si gur,
Dhe arrita një përfundimin
Që s’besoj se e kam gabim
Se asnjeri,
Dhe them, po asnjeri,
S’ia del mbanë i vetëm këtu,
Ai.
Vetëm krejt i vetëm
Asnjeri, por po asnjeri,
S’ja del mbanë dot këtu ,
Ai.
Ka ca milionerë me shumë para
Sa s’mundet t’i përdorin dot
Gratë e tyre si orë zie vijnë vërdallë
Fëmijët e tyre bluz këndojnë,
Madje kanë edhe doktorë të shtrenjtë
Për të shëruar zemrat e tyre prej guri.
Por asnjeri
Jo, asnjeri
Nuk mundet t’ia dalë këtu i vetëm.
Vetëm krejt vetëm
Asnjeri, por pra asnjeri,
S’ia del dot mbanë këtu
Ai.
Tash eja më pranë e më dëgjo,
Të të rrëfej atë që e di,
Se retë e stuhisë po mblidhen
Dhe era do nisi të fryjë
Gjindja po vuan
Por s’mund t’ia dëgjoj dot ofshamën,
‘Sepse asnjeri,
dhe të them, po asnjeri
s’mund t’ia dalë i vetëm këtu
Ai.
Vetëm krejt vetëm
Asnjeri, por pra asnjeri,
S’ia del dot mbanë këtu
Ai.