Relikte shpirti/
Poezi nga Rafael Floqi/
Anija e kujtimeve/
Ky dokumentar,/
më solli ndër mend atë ditë,/
kur shokët e fëmijërisë u zhdukën brenda ditës./
Atë ditë kur Durrësi mundi të shihte për herë të parë/
portin,/
« Mollën e ndalueme » që mund ta lakmoje vetëm nga larg…/
Kur një anije e zezë me flamurin e largët, « Panama »
me një emër aq sarkastik, « Legend »
mori me vete të gjithë kujtimet e fëmijërisë sime.
Një anije qymyri,
e zezë si në ëndrra,
po i çonte njerëzit drejt dalldisë së lirisë,
kacavjerrë ne kuvertë si pas shpresash,
pas litarësh dhe cimash …
pas fantazisë që kishin ndjellë ekranet
dhe antenat e fshehura nën çati,
dhe ajo kutia e vogël magjike
me një emër metalik « kanoçe »,
po i merrte me vete të gjithë…
Tok me fëmijërinë time
të ushqyer prej gëzimit
lodrave dhe balonave
kodrave të Vilës…
Iku Anija “Tirana”|. Iku “Vlora”. Iku “Durrësi”, iku Fieri, Shkodra, Kavaja.
Të gjithë qytetet ikën,
si anijet me emrat e tyre,
ikën,
Si të gjithë djemtë e lagjes
edhe dashuritë e tyre të rrëfyera veç imagjinatës
lundruan
dhe ikën.
Pashë sot në film, pas 25 vjetësh,
fytyra te njohura të lagjes së fëmijërisë sime
që ishin ngulur diku në memorie
dhe mu zgjuan,
ato fytyra të brishta, me ato flokë të çoroditur.
të shokëve të rinisë…
Ku iku Çimi, Luli, Liri, Jani, e sa të tjerë
edhe Kujtimi ….?
Kujtimet enden si një biçikletë kineze udhëve të qytetit
kur unë kërkoja,
tim vëlla, maturant,
mes zallamahisë të portit
mes qymyrit, bitumit, kromit dhe vinçave,
të cilët po të kish mundësi do të ikin atë ditë,
duke ndjekur njerëzit
tok me pulëbardhat ….
Dhe sa litarë sa litarë pashë atë ditë
kur te gjithë iknin dhe unë kërkoja vëllain
që si Atlasi
ruante i vetëm derën e shkollës….
qe dezhur ?!.
Sa e kotë ajo fjalë
atë ditë.
sa makth pat qyteti
atë natë,
kur i shpuar nga krismat e plumbave,
porti që s’ kish më asnjë anije,
dukej si një govatë llamarine bosh
pa sirena anijesh…dhe pa ëndrra
ishte koha për të ikur ..
Dhe në atë mbrëmje
në apelin e vatrave të shtëpive memece
flinte sa frika dhe gëzimi.
Ata bijtë
ishin në udhë…
Uliksat e lirisë…
Sa makth pat dhe hëna atë natë
dhe shpirtrat e nënave
në pritje të lajmeve nga përtej detit.
Por nuk kish apel më te hidhur te nesërmen
në maturën e shkollës « Naim Frashëri »
tek jepja mësim letërsie
t’u shpjegoje atyre që mbetën
poezi për atdheun…
ku vetëm një e treta e klasës…
përgjigjej « këtu ».
kur shokët e bankës
si dashuritë efemere të gjimnazit
ishin larg diku …
Kur pas një “m”-je
në regjistër…
kishte një makth
aty…
Atje përtej magjisë RAI
zilisë dhe makthit
që sillnin kanoçet.
në fytyrat e tyre ecejaket dyshimi,
e atyre që mbetën, « Bëmë mirë apo keq ?! »
Tok me ta dhe ngushëllimi cinik
i dhimbjes dhe dyshimit,
kur shihnim vuajtjet e moshatarëve të tyre, rrethuar
stadiumeve të Barit…
që flinin mbuluar thjesht me cipën e vesës
dhe shpresës që i mbulonte
me një copë qese plastmase,
me bukë që hidheshin nga helikopteri
dhe shpirtra
që i dhimbeshin vetë Krishtit
sa do të hidhte diçka prej qiellit.
Sa më trondit kujtimi i anijeve sot.
më kujton një boshllëk
atë vakum
që kurrë s’ humb,
si kur të zë deti.
Dhe vonë pas vitesh
kur jam kthyer në lagjen e vjetër,
ku s’ më njihte kurrkush dhe nuk njihja kerrkënd
vetëm fantazmat e ditëve të fëmijërisë sime
të shkalafitura gërricnin gjunjët
në ferrat e kodrave,
e ngecnin
në rrodhet e kujtimeve
të përmbytura
si anijet e mbetura në breg
si një peng
që s’kishin ikur dhe ato atë ditë
tok me pulëbardhat
dhe patën mbetur si balona tabake,
të harruara
telave të telefonit
të memories…
Mars 2016
Makina e vjetër
Prehet në rrugicën e shtëpisë sime
makina e vjetër
me një shenjë te kuqe
si një leukoplast
“Për shitje”.
E veshur me të zeza si një plakë e moçme
që si bën derman makijazhi.
Sa milje dhe sa shqetësime
mbarti me vete?
Gomat mund t’i jenë shfryrë
po frenat ende punojnë
motori ndizet …
Makina e vjetër në pritje të një pronari të ri
nuk do të ndahet …
Ne pasqyrat e saj reflekset tona u plakën…
Kullon ndryshk makina e vjetër,
si pezëm kujtimesh.
Miljet e saj janë
pjesë e jetës që shkoi…
e kujdesit të një nëne
për vajzat që ktheheshin nga shkolla
Në ditët me borë
që s’kishte freksion t’i ndalte
dhe
kur i koloviste tymshëm
djepet e tyre.
Ndaj mban aromë mirësie
si një dado e vjetër,
e që tani se zgjedh kush më në Craiglist….
“Duhet dhuruar”, thonë,
Po s’mundem…
Mars 1916
Ish-at dhe tavolina e nderit
Poezi satirike
Ata gjallojnë mes nesh,
por vdesin për të qenë në tryezë të nderit.
si ata që në jetë kanë bërë diçka,
e më shumë ata që s’kanë bërë asgjë.
Ata që dinë me bashku dhe ata që dinë me përça,
ata që kërkojnë te jenë atje mbi të tjerët
shprehen se ata qenë të parët një herë,
dhe pse jo përherë?
Pasi ata janë dikush,
dhe vesh më vesh, shprehen lirisht:
“Dhe në qofsha Ish, ç’ punë prish…”
Kështu në çdo tubim,
nuk ka rëndësi sa është numri i miletit
nuk ka rëndësi, seç është mexhlisi
karrigia është caku
ku para burrit turret “pisi”.
Dhe mendon e thotë vetit
Se karrige do me thanë.” Jam kah rri…
Si dikur, dikush
Dhe pra, në qofsha Ish, ç’ punë prish”.
Rëndësi ka të zë at’ vend nderit,
me ftesa pa ftesa,
sa e ëmbël kjo tryeza!
E qederit apo e (me)nderit.
S’ka rëndësi puna, lufta, kontributi
E gjitha kjo si punë muti.
Dhe kështu ky trim,
me vargje i jep vetes, guxim,
“Jam i gjallë jam në jetë,
Jam në dritën e vërtetë,
Jam dikushi,
dhe në qofsha Ish, ç’punë prish”.
Kështu shtyjnë, turfullojnë dhe pështyjnë
ish- politikanë, ish-veteranë,
ish- ministra, ish- nëpunës,
ish- atashe, ish-diplomatë
madje ca “pushta” që ende s’kanë “cof”
ish- veprimtarë, ish sekretarë,
ca enveristë dhe ca titistë,
ish- spiunë dhe bashkëpunëtorë,
dhe thonë, Shtt… mos i thuaj kujt,
Jam dikushi,
Dhe në qofsha Ish, ç’punë prish.
Ca ish-cuba, tani njerëz zoti
ca grekofilë ca sllavofilë
ca grafomanë, ca laramanë
ca shkrimtarucë, ca për birucë
ca lobistë që lypin pare
ca biznesmenë që s’japin pare.
ca drejtues shoqatash veç me dy veta
ca mbledhës fondesh për hallet e veta,
dhe thotë me vete: “Në kët’ çervish
dhe në qofsha Ish, ç’punë prish.”
Dhe hidhen në sulm,
sa dallkaukë, aq dhe kopukë
sa dinshumë, aq dhe dinpakë
sa mendjemprehtë, aq dhe mendjethuktë
sa horra aq dhe maskarenj
në shkallë sipërore mendjemëdhenj.
në kët’ tubim në kët’ përvjetor
ngrenë zërin e pëllasin:
“Për Atdhe e për Shqipëri
për flamur, ne të vrasim,
jemi patriotë, nuk themi kot,
duam urdhra, dekorata,
Jemi dikushi,
S’ jemi kot Ish, e ç’punë prish”.
Të gjithë turren
kush e kush të japë mend
dhe ma i pari të mbajë kuvend
Dhe pse si dëgjojnë,
Dhe pse kush s’ia vë veshin
Për atdhe bërtasin,
për Shqipëri “zjarr” qesin
Edhe pse kanë 10 parti për një qind shtëpi.
Po s’ka rëndësi,
Mjafton të hanë dhe të pinë
Dhe kuq e zi të mbushin bullçinjtë…
Dhe çirren, zërin nuk e ulin,
“Ej ju, doni më për Behlulin”
dhe ai qe një Ish, po ç’punë prish.
Por thonë se ai pat lënë një fjalë,
një urtësi
“E shkuara të jep kënaqësi
kur veten s’e njeh ti”.
Prill 2016