
Poeti Ramiz Mujaj, anëtar i Këshillit të Federatës Pan Shqiptare të Amerikës VATRA, vatran për më shumë se tri dekada, është inxhinier riparus, mirëmbajtës, në një nga qendrat e mëdha të rihabilitimit në Bronks, NY- Kings Harbor Multicare Center. Për vetë natyrën e punës, Ramizi, është i ekspozuar ndaj rrezikut të infektimit nga Koronavirusi. Për të mësuar më shumë detaje nga beteja në frontin e luftës kundër Koronavirusit, Kryeredaktori i Diellit, zhvilloi bisedën e mëposhtme:
DIELLI: Përshëndetje i dashur Ramiz. Si jeni Ju dhe familja e madhe Mujaj, këndej dhe matanë oqeanit, në këtë kohë të vështirë të pandemisë së shkaktuar nga Koronavirusi?
Ramiz Mujaj: Deri tani jemi mirë, këndej dhe matanë Oqeanit.
- Dielli: Ju vetë jeni duke punuar në këtë kohë kur njujorkezët janë të mbyllur nëpër shtëpi?
Ramiz Mujaj: -Po, punoj çdo ditë. Punon edhe bashkshortja ime Fatmirja edhe djali Besarti.
Dielli: Ndjeheni të friksuar nga rreziku i marrjes së virusit në këto kushte?
Ramiz Mujaj: Natyrisht, nuk jemi në gjendje paniku, por tregohemi të kujdesshëm dhe mbrohemi duke respektuar rregullat dhe porositë.
Ndjehemi pak të shqetësuar për prindërit e mi, të cilët kanë ardhë më herët nga Kosova në New York. Prindërit janë të moshuar ; të dy kanë nga 85 vite, dhe ata po i ruajmë, si i thonë, si drita e syve nga frika se mos marrin infeksion. Megjithatë ndjehemi të qetë ne dhe ata, falë bashkëshortes tim Fatmirës, e cila ka studjuar mjekësi të përgjithshme dhe djalit tim Bestarit, i cili është shumë i informuar dhe përciell me shumë vëmendje ngjarjet dhe ndihmon me sa mundet. Ata e kanë kthyer shtëpinë në një farë mënyre në spital, ku nuk mungon asnjë nga mjetet mbrojtëse të rekomonaduara nga mjekësia dhe shteti.
Dielli: Sa të ekspozuar ndjeheni ndaj infeksionit?
Ramiz Mujaj: Patjetër jemi të ekspozuar sepse jemi në punë, si unë, për shkak të natyrës së punës, ashtu edhe Fatmirja, që punon në mjeksi, çdo ditë pa pushim, po ashtu edhe Bestari, i cili ndodh që ndonjë ditë punon edhe nga shtëpia .
Dielli: Si është gjendja në Kings Harbor Multicare Center?
- Ramiz Mujaj: Unë kam 14 vjet që punoj në këtë qendër në pozicionin e inxhinierit riparues, i të gjitha pajisjeve që janë në shërbim të pacientëve dhe ndërtesave. Është një qendër relativisht me kapacitet të madh, janë 1000 pacientë dhe po kaq punëtorë(1000). I gjithë stafi punon me përkushtim e rigorozitet për të mbrojtë pacientët dhe veten.
- Dielli: A është përgatitë personeli nga ana profesionale për ta përballuar këtë situatë dhe si janë vetëdijësuar pacientët e shumtë që ju keni?
Ramizi: Fillimisht është kulaifikuar personeli duke zhvilluar klasa mësimore për të marrë udhëzime e për të njohur nga afër masat mbrojtëse. Punë e veçantë është bërë edhe me pacientët për ti vetdijësuar duke u treguar konkretisht si të vetëmbrohen, si të ruajnë distancën dhe si të shmangin kontaktet, dhe kemi forcuar rregullat e pastërtisë.
Dielli: Keni raste të infektuarish?
Ramiz Mujaj: Po, fatkeqsisht kemi. Para 3 ditesh është konstatuar pacienti i parë me koronavirus. Pas tri ditësh numri u shtua, tash janë bërë 10 dhjetë pacientë të dyshuar.
- Dielli: Pacientët e prekur nga infeksioni dhe ata të dyshuar janë izoluar apo janë dërguar në qendrat e specializuara?
- Ramiz Mujaj: Edhe të prekurit edhe të dyshuarit po qëndrojnë në të njëjtin objekt ku kan qenë më parë vetëm se izolohen nga të tjerët duke u mbyllur dyert dhe u është vendosur një shenjë për t’i dalluar personeli që u shërben. Kur kryejnë shërbimin pejstarët e stafit të kryepunetorëve mjeksorë përgatisin mbrojtjen e tyre me maska dhe të gjitha paisjët para se të hyjë në dhomën e të prekurit.
- Dielli: Në këtë mjedis, ku tashmë dihet se ka të infektuar me virusin COVID-19, si ndjeheni?
- Ramiz Mujaj: Me datën 23 mars me urdhëruan të shkoja tek një pacient i prekur nga virusi. Për mua ishte rasti i parë dhe vërtetë e prita me hezitim, pse ta fsheh,edhe pak frikë.Nuk më duket se është lojë dhe nuk e kisha provuar një situatë të atillë. Ishte diku pak para mesnatës. Gati i gjithë stafi kryesor i punëtorëve kishte shkuar në shtëpi. Në dhomën e tij duhej ndrequr një paisje. Mu desh ta bëja të madhe dhe i telefonova kryepunëtorit. Ai më tha që të prisja pak sa ta provonte stafi mjeksor nëse mund ta ndreqte, por ata nuk mundën. Pastaj stafi i punëtorëve mjeksor me përgatitën izolimin nga kontaktet me pacientin dhe pajisjet, dhe unë hyra në dhomën e tij. I infektuari ishte një aziatiko-amerikan i infektuar.
Edhe pse isha i izoluar, e ndjeja një lloj shqetësimi brengosës brenda vetes. Madje ende ndjehem i tillë. Më shqetëson mendimi se mund të kem marrë diçka prej tij. Nuk ka trimëri, e gjithë bota është e trembur, pavarësisht thirrjeve për antipanik.
-Dielli: Duke qenë se ju keni përvojën e qendrës ku punoni: Çfarë mesazhi apo këshilla keni për t’u përcjellë bashkatdhetarët në përgjithësi dhe vatranëve në veçanti?
Ramiz Mujaj: Porosia ime për të gjithë bashkatdhetarët, lexuesit e gazetës Dielli, sidomos për vatranët, të cilët për mua janë si anëtarët e familjes time u sugjeroj :Ta respektojnë distancën mes njerëzve në çdo ambient, të mos neglizhojnë pastrimin e duarëve pas çdo rasti të prekjes të çfarëdo objekti dhe ta respektojnë vendosjen e maskës dhe të dorashkave për arësye se gjatë bisedave mund të ketë spërkatje apo prekje .Nëse u mungojnë dizinfektuesi ta përdorin sapunin dhe gjithësesi duhet ti pastrojnë duart për 20 sekonda. Uroj që të gjithë ta kalojmë këtë situatë krize emergjente me sukses dhe pa viktima.(intervistoi: Dalip Greca)