
Rafaela Prifti/
Inteligjenca Artificiale e kuptuar në formë të thjeshtësuar si aftësia e makinerive për të asimiluar shprehitë njerëzore në një gamë shumë të gjerë qe nga te mësuarit tek të menduarit logjik dhe analitik me shpejtësi te rrufeshme si edhe shume e shume aplikime të tjera teknologjike nuk ka dyshim se e ka kapërcyer tashmë sferën e imagjinatës shkencore dhe është në kohën e shpërthimit të saj të pandalshëm dhe të pafrenuar. Zërat kritikë të daljes nga kontrolli të Inteligjencës Artificiale i kanë ngritur shqetësimet për rreziqet me abuzime dhe ju kanë rënë zileve të alarmit në seanca të posaçme në Kongres dhe në shumë forume të tjera të industrisë në vitet e fundit. Libri Republika Teknologjike (The Technological Republic – Hard Power, Soft Belief and the Future of the West) konsiderohet të jetë kritika më e fortë ndaj industrisë e cila ka braktisur idealet e dikurshme dhe është zhveshur nga parimet morale.
Kritikët e Inteligjencës Artificiale kane një veçanti të cilën mund ta vëresh lehtë. Ata nuk janë individë “të jashtëm” por vetë krijuesit dhe bashkë-krijuesit e programeve kompjuterike që përfshihen në fushën e IA. Një prej tyre Alexander Karp, Shef Ekzekutiv i gjigandit Palantir Technologies dhe Nicholas Zamiska, një nga Drejtuesit kryesor të korporatës janë autorët e librit Republika Teknologjike – një pamflet kritikues ndaj Silicon Valley, epiqendra e kompanive kompjuterike dhe teknologjisë kibernetike, ku “sektori privat derdh kaq shumë gjeni krijuese në produkte konsumi për lehtësimin e jetës së atyre që kanë të ardhura me tepricë.”
Karp dhe Zamiska kërkojnë nga industria e programeve kompjuterike “të rindërtojë raportet me qeverinë dhe ta drejtojë vëmendjen dhe fuqinë tek ndërtimi i teknologjisë që do ndihmonte me sfidat imediate të shoqërisë.” Në realitet, kompania Palantir është e angazhuar nga administrata e Trumpit për të krijuar ‘super-database” ku do mblidhen të dhënat nga të gjitha agjencitë federale dhe ngritjen e një platforme për ICE për të ndjekur emigrantët, që kanë shkaktuar kundërshtime të forta në shumë sfera.
Palantir ka punuar për 14 vjet me administrata amerikane si republikane ashtu edhe demokratike. Gjatë këtyre viteve është kritikuar për survejime të sofistikuara dhe mospërfilljen e të drejtave të fshehtësisë private të nënshtetasve amerikanë.
Bashkë me Peter Thiel, donator i Presidentit Trump në fushatën e parë dhe JD Vance në fushatën për senat, Karp krijoi Palantir, duke pasur një lloj “orientimi kombëtar”. Pikëpamjet e filozofisë libertariane të Thiel për lirinë e individit dhe ndërhyrje minimale nga shteti janë antiteza e projekteve si Palantir, i përkushtuar për projekte të interesit kombëtar. Palantir-i ka fituar kontratat nga DOGE për “sigurinë kombëtare” dhe sipas gjasave po krijon një republik survejimi në emër të sundimit të ligjit dhe rendit civil.
Në super kompanitë e sotme teknologjike kombinohen tri elementë: krahu i qeverisë, forca ushtarake dhe fuqia e biznesit. Autorët e librit mendojnë se Silicon Valley se bashku me kompanitë e tjera “e kanë për detyrë të artikulojnë një platformë ku përcaktohet se çfarë është e shenjtë për ne? çfarë janë idealet tona?” Dhe kryesorja thonë ata, “elita e sotme nuk e ka të qartë nëse vërtet beson tek diçka”.
Në vështrimin e tyre historik, atrofia mendore e Amerikës filloi në vitet ‘60 me lëvizjet për të drejtat e grave dhe homoseksualëve. Më tej, në dhjetëvjeçarin tjetër shpërthimi ekonomik i hapi derën tregtisë së lirë, dorëlëshimeve në rregullatorë, emigrimeve në masë, që ndodhën paralelisht me dobësimin e strukturës së organizuar fetare. Sipas kritikëve, “zotërit e universit në Silicon Valley tolerojnë çdo gjë dhe nuk besojnë në asgjë por në përgjithësi i rrinë larg politikës. Prania e miliarderëve të kompanive të mëdha teknologjike në inagurimin e dytë të Trumpit nuk shihet si pjesë e rolit aktiv në politikë por më shumë si përshtatje me ndërrimin e pushteteve.” Autorët kërkojnë nga ‘prijësit me virtyte” të firmave të pyesin së pari veten se kush janë sot dhe cilët duan të jenë nesër duhet qenë së pari të prirur drejt asaj se çfarë i nevojitet shoqërisë dhe jo vetëm ndaj asaj që mund të realizohet sot në sajë të arritjeve shkencore. “Me drejtues të virtytshëm,” autorët paraqesin idenë e “nacionalizmit të përkufizuar brenda një kombi-shtet që ka vetëm një mision të përbashkët.” Republika teknologjike do jetë e ngritur mbi avancimet e shkencës, partneriteti i sektorit privat publik dhe një sens i përbashkët identiteti.
Libri është kritikues ndaj prioriteteve aktuale të Silicon Valley dhe me idealizëm beson se milionerët mund ta vetë-instalojnë busullën e virtyteve të moralit, prej nga do vendosin të veprojnë në emër të interesit të përbashkët. Dhe thirrja për prijës të virtytshëm është e kuptueshme në kohën e sotme. Por është gjithmonë më e lehtë të identifikosh një çështje apo dobësi dhe shumë më e vështirë të gjesh rrugëzgjidhjen. Propozimi se konkurrenca në garën e armëve nëpërmjet IA do ruaj avantazhin që ka arritur Perëndimi deri më sot është problematik sado i mbështetur të jetë nga partneriteti me qeverinë dhe “platforma kombëtare” ngaqë aty, veç të tjerave, ekzistojnë tundimet e abuzimeve dhe rreziqe të tjera të fuqisë komerciale jashtë çdo kontrolli.