Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/
Zgjedhjet e sivjetme parlamentare të Republikës së Kosovës bien përafërsisht një vit pas atyre që u mbajtën në Republikën e Shqipërisë. Thuajse e pamundur, pra, të mos e vëresh konotacionin midis këtyre dy datave – 23 qershorit 2013 dhe 8 qershorit 2014, midis këtyre dy zhvillimeve të rëndësishme shqiptare e më gjerë.
Një nga karakterizimet më të qëndrueshme ndaj zgjedhjeve parlamentare të vjetme, nisur – në radhë të parë – nga rezultati, ishte se ato ishin një revolucion me votë. Më metaforik ishte karakterizimi – sinonimik gjithsesi, ngaqë u shpreh me votë – se ai ishte një revolucion i heshtur.
Revolucioni i heshtur, revolucioni me votë ishte zhvillimi më i mirëpritshëm, më i duhur, më i përshtatshëm për realitetin në Republikën e Shqipërisë. Ishte, ndërkaq, zgjidhja më e mençur, më e saktë dhe më komode e gjetur nga uni kolektiv i zgjedhësit. Ishte edhe akti më i përgjegjshëm, më qytetar, më shembullor e njëherësh më detyrues ndaj të zgjedhurve që do të dilnin nga vota popullore, si ndaj atyre që do të vinin në pushtet, si ndaj atyre që do të linin pushtetin.
I pandërlikuar, i qashtër në vetvete, i tejpashëm në shpalosjen e tij, revolucioni me votë i 23 qershorit 2013 është kollaj – tejet kollaj – i interpretueshëm dhe vështirë – tejet vështirë – i ngatërrueshëm në interpretimin e mesazhit të tij, pra të porosisë së tij – njëkohësisht për qeverisjen e re dhe për opozitën e re.
Ky revolucion u mundësua vetëm e thjesht falë pjesëmarrjes masive të votuesit, çka ishte e papritura e madhe brenda së papriturës tjetër – asaj të fitores së thellë të koalicionit PS-LSI dhe humbjes së thellë të PD-së. Në një çast të parë, madje edhe në një kohë të pacaktuar më vonë, është i saktë interpretimi që humbja e PD-së ishte e merituar, ishte më se e merituar.
Nisemi prej këtu, tek pjesëmarrja sa më masive – që do të ishte përmasa e domosdoshme e zgjedhjeve të 8 qershorit 2014 në Republikën e Kosovës. E pikërisht këtu do vënë gjithnjë e më tepër theksi nga të gjithë faktorët e interesuar për një shndërrim të madh, për një transformim të madh në politikën e Prishtinës dhe në jetën e Kosovës pas kësaj date. Pjesëmarrja e lartë, mundësisht sa më e lartë, aktivizimi sot sa më i madh do t’i kursente elektoratit të Kosovës dhe të gjithë vendit energji kolosale të cilat nesër do të shpenzohen për një hop të ri të gjithanshëm dhe nuk do të shpenzohen kundër një vazhdimi të padrejtë të qeverisjes së deritashme.
Populli i Kosovës vetëdijshëm nuk pajtohet se nuk ka si të pajtohet me qeverisjen të cilën e ka pasur këto vite. Nuk pajtohet me një lidership i cili, nga pozita superiore, është i kompleksuar ndaj popullit të tij, nuk pajtohet me një lidership i cili, nga pozita inferiore, është i kompleksuar ndaj bashkësisë ndërkombëtare, nuk pajtohet me një lidership të kompleksuar, nga pozita inferiore, ndaj fqinjve, sidomos ndaj Serbisë. Kompleksi që e pengon lidershipin që po e qeveris Kosovën këto vite është lehtësisht i lexueshëm – ky lidership është i korruptuar në çdo qelizë, këtij lidershipi i lexohet korrupsioni, keqbërja, keqqeverisja në çdo sjellje, në çdo paraqitje, në çdo veprim.
Largimi i kësaj qeverisjeje nga pushteti në mënyrë vendimtare është plotësisht i mundshëm pikërisht nëpërmjet votës masive të elektoratit të Kosovës, nëpërmjet rizgjimit të asaj pjese të elektoratit që ka rënë në letargji këto vite. E përsëris, prandaj, faktorëve të interesuar për shndërrime të mëdha, për shndërrime rrënjësore në politikën dhe jetën e Kosovës, iu takon sot të bëjnë maksimalen e tyre për të nxitur, frymëzuar e trimëruar një pjesëmarrje sa më masive të Kosovës në zgjedhjet e 8 qershorit 2014.
Një argument i përdorur nga abstenuesit dhe i sponsorizuar tërthor nga pushtetarët e sotëm është se hedhja e votës në kuti është e kotë, pasi atë e vjedhin, e blejnë, e transformojnë ata që e kanë bërë këtë gjë përgjatë këtyre viteve. Këtë teori fataliste e përdorën, pas 23 qershorit në Tiranë, humbësit e këtyre zgjedhjeve. Pjesëmarrja e lartë, sa më e lartë të jetë – aq më shumë i tut, i step, i ndal në veprën e tyre hajnat e qeverisjes së deritashme, hajnat e deritashëm të votës.
Me slloganin “Pushtetarë hajna, larg duart nga kutitë e votimit”, me vendosmërinë për fitore sa më të thellë kundër qeveritarëve aktualë, Kosova, vetëm me një pjesëmarrje sa më bindëse do të sjellë një humbje bindëse për humbësit dhe një fitore bindëse për fituesit. Ashtu, vetëm ashtu Kosova do të jetë fituesja e vërtetë e zgjedhjeve të 8 qershorit 2014. Askush nuk do të guxonte ta cënonte vendimin e shprehur nga populli i Kosovës nëpërmjet votës së tij sa më masive.