


Prof. asoc.dr. Teki Kurti
Drejtor i Arkivit Qendror të Forcave të Armatosura
Pedagog i jashtëm Universiteti i Tiranës/
Në Luftën e Dytë Botërore, Forcat e Armatosura të Gjermanisë dhe të Italisë pushtuan 9 shtete europiane.
Hitleri do ta bëjë Gjermaninë zotëruesen e Europës. Por, pikërisht nga 8 gushti i viti 1940, deri më 3 nëntor 1940, “Shoqëria Angleze e kërcënuar në ekzistencës e vet, gjeti forca për të shprehur gjithçka të mirë që kishte akumuluar me përvojën e saj shekullore”.
Kështu, “Beteja e Londrës shënoi, padyshim, të parën qëndresë, si dhe të parën disfatë që ju shkaktua Hitlerit në çmendurinë e tij shkatërrimtare”.
Përballë Hitlerit u vu Winston Churchill, një njeri me energji të jashtëzakonshme e guxim imagjinativ.
Kështu, sipas idesë së Churchillit, në korrik të vitit 1940, anglezët ngritën “Drejtorinë e Operacioneve Speciale (Special Operation Executive), e cila kishte detyrë “për të ndezur zjarrin në Europë”.
Më 22 qershor 1941, Hitleri me 190 divizione dhe 6000 avionë, vërshoi në mënyrë të rrufeshme kundra kufijve të BS. Ai arriti kështu 25-30 km larg Moskës.
Churchill në kujtim të tij do të shkruaj se “Agresioni i tij i parë në Rusi është vetëm Preludi në përpjekje për të pushtuar ishujt britanik.
Ne, vazhdon Churchill “do të kacafytemi me të në tokë, do të ndeshim me të në det, do të luftojmë me të në ajër, deri sa me ndihmën e Zotit t’ja largojmë kësaj toke atë përbindësh dhe t’i çlirojmë popujt nga thundra e tij. Çdo njeri apo shtet që lufton kundër nazizmit do të ketë mbështetjen tonë. Çdo njeri apo shtet që vihet në krah të Hitlerit, do të jetë armiku ynë…”
Kjo, vazhdon Churchill, nuk është luftë klasore, por një luftë në të cilën është e përfshirë e gjithë popullsia e Perandorisë Britanike dhe Bashkësia e Kombeve, pa dallim race, besimi fetar, apo përkatësie partiake.
Me këtë frymë, Churchill nguli këmbë që SHBA-ja të deklaronte qartë zotimin e saj për të ndërhyrë patjetër në luftë. Kështu, nga takimi që u zhvillua në sekret të madh në mes të oqeanit, ndërmjet Churchill e Rusveltit, më 14 gusht 1941, doli deklarata e Kartës së Atlantikut.
Karta e Atlantikut e hartuar nga Presidenti Amerikan Franklin Rusvelt dhe Kryeministri Britanik Winston Churchil, “është një prej teksteve themelore të historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare të shekullit XX, po aq e rëndësishme sa edhe deklarata prej 14 pikave e Presidentit Amerikan W. Wilson, në 1918.
Karta pati jehonë edhe në vendet koloniale dhe i kontribuoi procesit të shkolonizmit.
Karta mbështetej në 8 parime kryesore demokratike në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Së pari, nënvizoj fakti se vendet e tyre nuk kërkonin rritje territoriale;
Së dyti, nuk do të dëshirojnë të bëhen ndryshime territoriale;
Se treti, respektohet e drejta e të gjithë popujve për të zgjedhur formën e qeverisjes;
Së katërti, lëndët e para duhet të jenë për të gjithë shtetet;
Së pesti, bashkëpunimi i kombeve në fushën ekonomike;
Së gjashti, pas shkatërrimit të tiranisë naziste, të vendoset paqja ku të gjitha kombet të jenë të sigurta brenda kufijve të tyre;
Së shtati, udhëtimi në dete e oqeane pa pengesa;
Së teti, të gjtha kombet duhet të heqin dorë nga përdorimi i forcës.
Kjo kartë “do të shërbente më pas si gur themeltar për krijimin e Kombeve të Bashkuara”.
Sulmi japonez në Perl Harbër më 7 dhjetor 1941, e bëri luftën të përbotshme.
SHBA-ja kishte hyrë në luftë. Ruzvelti pranoi propozimin e Churchill për zhvillimin e një konference në Washington, ku do të vihej guri i parë në themelet e krijimit të aleancës së madhe të Kombeve të Bashkuara Antifashiste.
Vendimi i parë që u mor në këtë konferencë ishte përgatitja e një deklarate që do tu bëhej me dije të gjitha kombeve në luftë kundër Boshtit Berlin-Romë-Tokio. Kjo “Deklaratë e Kombeve të Bashkuara”, u nënshkrua në 1 janar 1942, në Shtëpinë e Bardhë, nga 26 kombe”.
Kombet e Bashkuara vendosën që përpjekjet më të mëdha ti drejtonin mbi Gjermaninë.
Theksojmë, që në Shqipëri, në këtë periudhë nuk kishte një rezistencë të organizuar në shkallë kombëtare.
Po ashtu, nuk kishte asnjë udhëheqje unike politike.
Shqipëria ishte vendi i parë në Europë i pushtuar nga Italia fashiste, dhe është e vërtetë që mbreti nuk pranoi të ishte vasal i Italisë, por njëkohësisht as i vendosur për luftë, kjo bëri që ai kudo të ndeshej me legjimitetin dhe nuk e njohu as një qeveri, as si kryetar i një qeverie në mërgim, as si udhëheqës i popullit shqiptar.
Kjo zhveshi mbretin nga petkat e sovranit dhe dëmtoi interesat kombëtare shqiptare.
Natyrisht, ky mohim në vijimësi për mosnjohjen e mbretit të shqiptarëve lidhej me synimet greke e jugosllave për të ardhmet e Shqipërisë.
Kështu, qeveria britanike nuk ishte dakort për aderimin e Shqipërisë në Deklaratën e Kombeve të Bashkuara.
Qëndrimi britanik mbështetej formalisht “në deklaratën e qeverisë kolabracioniste shqiptare të qershorit e të dhjetorit 1941, mbi shpalljen e Luftës ndaj Britanisë, Francës dhe Shteteve të Bashkuara”.
Në projektet britanike kishte opsione për ndarjen e territoreve shqiptare në favor të fqinjëve.
“Aderimi i Shqipërisë në Deklaratën e Kombeve të Bashkuara mund të pengonte realizimin e këtij synimi”.
Në politikën britanike mbeti i pandryshuar mendimi për “korigjimin e kufijve të Shqipërisë”.
SHBA-ja dhe BS-ja nuk ndanin të njëjtin mendim me Britaninë për çështjen shqiptare, por SHBA-ja pranonte se Britania e Madhe ishte më shumë e lidhur drejtpërdrejti me të ardhmen e Shqipërisë se sa SHBA-ja.
Në Shqipëri gjatë periudhës së pushtimit 1939, deri në pranverë të vitit 1941, rezistenca ishte pasive, e paorganizuar dhe jepte sinjale vetëm në disa qytete kryesore të Shqipërisë.
Në një telegram të ambasadorit gjerman në Romë, dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, që daton më 27 nëntor 1940, por që i drejtohej Shtabit të Përgjithshëm të Forcave Tokësore, Degës së Atasheve, informohej mbi gjendjen në Shqipëri.
Në telegramin e mësipërm shkruhej, se “Nuk ekziston asnjë organizatë shqiptare, e cila do të mund të bëhet bartëse e luftës për liri”.
Drejtoria e Operacioneve në Londër njofton seksionin e saj në Beograd që drejtohej nga ish-instruktori i Xhandarnërisë zogiste Nënkolonel Oklei-Hill, se “Është vendosur të ndihmonte revolucionin në Shqipëri…”
Pas disa takimesh në Shqipëri, në prill të vitit 1941, “treshja: Gani Kryeziu, Abaz Kupi dhe Mustafa Gjinishi, të shoqëruar nga Oklei-Hill” dhe një numër emigrantësh që ishin në Beograd shkuan në Shqipërinë Veriore dhe ngritën flamurin e revoltës.
Përparimi i forcave naziste dhe shpartallimi i Jugosllavisë e Greqisë bëri që të dështonte edhe veprimtaria e revoltës shqiptare e organizuar nga britanikët.
Lëvizja Nacionalçlirimtare lindi dhe u zhvillua nëpërmjet demostratave të “rinisë”, mbi vrasjen e spiunëve në qytete, mbi përleshjet me armë midis milicisë fashiste dhe çetave nëpër rrugët e mëdha. Sipas dokumenteve britanike, në këtë kohë në vend ushtronin ndikim tre faktorë:
- Abaz Kupi, i cili ishte një ndër komandantët e xhandarmërisë shqiptare dhe më 7 prill 1939 kishte organizuar në Durrës një farë rezistence.
- Elementi i dytë, përbëhej nga një grup që kishin qënë në opozitë me mbretin Zog dhe përfaqësonin interesat e pronarëve të tokave në të gjithë Shqipërinë e Jugut.
Kur drejtimin e Shqipërisë e morën Italianët, “ata kishin rolin ç’ka ne mund ti quajmë opozitë konstitucionale, këto elemente nuk luftonin, por pranuan situatën e re, duke shkruar pamflete kundër saj, duke u takuar nëpër kafenë…”.
Në grupin britanikët vendosnin ata që më vonë do të jenë pjesë e Ballit Kombëtar.
Sipas britanikëve, elementi i tretë i rezistencës, përbëhej nga Partia Komuniste, që kryesisht përbëhej nga student, njerëz që kishin luftuar në Luftën e Spanjës, si dhe përkrahës të Peshkop Nolit, të cilët përfaqësonin një qendër të tretë të rezistencës së fuqishme.
Nga shqyrtimi i dokumenteve të institucioneve gjermane që ndodhen në Arkivin Qendror të Forcave të Armatosura, rezulton se në fillim të vitit 1942, qeveria kolaboracioniste shqiptare “tenton që me masa të rrepta ti shtyp rrymat anti-italiane pjesërisht të frymëzuara nga idetë komuniste të bandave shqiptare”.
Pas protestave e demostrimeve hapur kundra fashizmit, shqiptarët kishin rrëmbyer armët dhe kishin filluar luftën kundra okupatorit e bashkëpunëtorëve të tyre nga Gjirokastra e Vlora, deri në Martanesh, Dibër, Kukës e Shkodër.
Kështu, Abaz Kupi, Myslym Peza, Haxhi Lleshi, Baba Faja Martaneshi, Muharrem Bajraktari, Gjin Marku, Mestan Unjaniku, Gani Butka, Ismail Petrela, e sa e sa patriot të tjerë ishin ngritur me armë në dorë.
Theksojmë, që mungesa e partive politike tradicionale të cilat do të mund të gruponin energjitë e shqiptarëve kundra pushtuesve kishte qënë deri tani faktor pengues.
Momenti historik për të bashkuar energjitë dhe për të organizuar kryengritjen për çlirim kombëtar e mori përsipër rinia shqiptare e grupuar kryesisht në Partinë Komuniste që kishte një shtrirje mbarëkombëtare nga Shkodra në Vlorë, e më gjërë në trojet shqiptare të Kosovës.
Kështu, Partia Komuniste edhe në frymën e Kartës së Atlantikut, që ishte nënshkruar nga SHBA-ja, Britania dhe BS-ja, si edhe nga Deklarata e Kombeteve të Bashkuara që u mbajt në Washington, më 1 janar 1942, duke i parë si garanci të fitores mbi fashizmin, organizoi në Pezë më 16 shtator 1942, një konferencë me delegatë të ardhur nga të gjithë anët e Shqipërisë dhe përfaqësues të të gjithë tendencave të nacionalizmit shqiptar, ku përfshiheshin Partia Komuniste, Rinia Nacionaliste, Rinia Komuniste dhe Rinia Femërore, të cilët të udhëhequr nga “qëllimi i shenjtë për çlirimin e Shqipërisë nga thundra e Italisë Fashiste dhe nga tradhëtarët e shitur tek i huaji”.
Konferenca e Pezës, pikë së pari, nënvizon faktin se përball tiranisë fashiste qëndrojnë Kombet e Bashkuara, që udhëhiqen nga “Blloku Anglo-Sovjeto-Amerikan, që bashkë më popujt e robëruar që bëjnë luftën e drejtë për zhdukjen nga faqja e dheut të murtajës fashiste”.
Konferenca thekson faktin, se “Traktati i 27 shteteve, i nënshkruar në Washington, prej Amerikës, Anglisë, BS-së dhe qeverive të popujve të shtypur, Traktatet e Londrës dhe të Moskës dhe përpjekjet e veta të popujve të shtypur, na japin garanci për pavarsinë dhe lirinë tonë”.
Konferenca bën me dije se brenda pak javësh do të hapej fronti i dytë. Gjithashtu, nënvizon faktin se qeveria koloboracioniste e veshur me maskën e nacionalizmit përpiqet akoma të përçaj e të gënjej një pjesë të nacionalistëve për të ndalur hovin e luftës çlirimtare duke gënjyer popullin se Kosova e çlirua.
Rezoluta, thekson faktin, se “Kosova është e robëruar sikundër jemi dhe ne”. Kosova i nevojitet fashizmit për pasuritë e saj; Kosova sot është plaçkë tregu. Dje Mitrovica me disa qytete, gjoja e lirë nën mbrojtjen gjermane, sot i’u dha peshqesh Nadiçit që të shtyp me zell lëvizjen nacionalçlirimtare të popullit jugosllav. Pjesa tjetër e mjerë e Kosovës, vazhdon rezoluta bëhet viktimë e intrigave italo-bullgare. Kjo është liria që Italia fashiste dhe Mustafa Merlika i dha Kosovës.
Konferenca e Pezës hodhi bazat për organizimin e të gjithë shqiptarëve pa dallim feje, krahine, klase dhe rryme politike dhe për ta drejtuar këtë organizim zgjodhi Këshillin e Përgjithshëm Nacionalçlirimtar të Përkohshëm. Këshilli i Përgjithshëm do të punonte për organizimin e kryengritjes së përgjithshme, si etapa e fundit e luftës për liri.
Rezoluta nënvizonte faktin se nga Këshillat Nacionalçlirimtare do të dilte Qeveria.
Konferenca e Pezës hodhi bazat për bashkimin e popullit në Luftën kundra okupatorit.
Ajo, la hapur mundësinë për bashkim të të gjithë nacionalistëve që donin të luftonin për çlirimin e atdheut. Gjithashtu, u la detyrë që të formohej Shtabi-Madhor i drejtimit të formacioneve ushtarake.
Fill pas Konferencës së Pezës pushtuesit italianë filluan operacionet ndëshkuese mbi Pezë, Martanesh, Mallakastër e Skrapar.
Konsulli i Përgjithshëm gjerman në Tiranë, në informacionin që i dërgon Ministrisë së Punëve të Jashtme gjermane, të datës 24 dhjetor, të vitit 1942, thekson faktin se “Lëvizja banditeske në Shqipërinë e Jugut ka marr hov duke shkaktuar tek italianët shqetësime serioze”.
Në këtë frymë dhe hov që mori rezistenca kundër okupatorit pas Konferencës së Pezës, tre Fuqitë e Mëdha të Kombeve të Bashkuara, në dhjetor të vitit 1942, bën deklaratat e tyre mbi Shqipërinë.
Në deklaratat e të tre ministrave të jashtëm të SHBA-së, Britanisë dhe BRSS vlerësohet rezistenca shqiptare dhe shprehen pro pavarësisë së Shqipërisë, me një ndryshim me deklaratën e ministrit të jashtëm të Britanisë së Madhe, ku nënvizoheshin dy rezerva të rëndësishme:
- Rezerva e parë, lidhej me planet që po hartoheshin në kuadër të krijimit të konfederatës ose federatës ballkanike dhe pozita e Shqipërisë në raport me marrëveshjet.
- Rezerva e dytë, lidhej me pretendimet territoriale greke, këtu theksohej se “Qeveria e Madhërisë së Tij, e shikon çështjen e kufijve të shtetit shqiptar pas Luftës si një çështje që do të duhet të merret në shqyrtim në Konferencës e Paqes”.
Gjithsesi, “Ky hap i kordinuar i tre fuqive të mëdha të kualicionit antifashist kishte padyshim rëndësi për pozitën ndërkombëtare të Shqipërisë në rrethanat e Luftës së Dytë”.
Në këtë periudhë, një pjesë e nacionalistëve që kishin bërë opozitën konstitucionale në fillim ndaj Mbretit Zog dhe më vonë ndaj italianëve, kishin krijuar Organizatën e Ballit Kombëtar, ku u ngritën çeta, të cilat u ngjitën në male, kryesisht në Shqipërinë jugore.
Në rrethana të tilla, Qeveria Britanike për të mbështetur këtë rezistencë vendosi të dërgoi në Shqipëri misione ushtarake të ndërlidhjes. Kështu, në prill 1943, në Shqipëri u dërgua një mision britanik nga Greqia, që komandohej nga Koloneli Maklin (Maclean).
Gradualisht filluan të lidheshin dhe misione të tjera britanike që u vendosën pranë Shtabeve Politiko-Ushtarake, kryesisht pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe në Brigada e Divizione partizane, në Shtabin e Lëvizjes së Legalitetit, pranë nacionalistëve të veriut, si Muharrem Bajraktari dhe Gani Kryeziu, si dhe zhvilluan kontakte me udhëheqjen e Ballit Kombëtar elemente lokal të kësaj organizate.
Duke shqyrtuar dokumentet arkivore britanike që flasin mbi këtë periudhë, mund të themi se në rezistencën shqiptare bënin pjesë të gjithë elementët si të Frontit Nacionalçlirimtar, ashtu dhe të Ballit Kombëtar në jug apo të nacionalistëve të veriut me në krye Abaz Kupin, të cilët patën sukses.
Pas kapitullimit të Italisë dhe pushtimit të Shqipërisë nga gjermanët situata ndryshoi. Institucionet politike dhe ushtarake gjermane kishin planifikuar kushtet e pushtimit të saj. Për rrjedhojë, që në gushtin e vitit 1943, pak ditë përpara kapitullimit të aleatëve italian, në një telegram të shifruar sekret nga Roma, drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, midis të tjerave shpjegoheshin dhe bëheshin të njohura disa aspekte të politikës së brendshme në Shqipëri.
Së pari, ishte fakti se qeveria e atëhershme shqiptare, që kryesohej nga E. Libohova nuk mund të merrej parasysh, mbasi ajo është vendosur nga ana e italianëve.
Më tej, “Organizata për çlirimin nacional të Shqipërisë”, gjithashtu nuk merrej parasysh sepse “elementi komunist përjashtohej se mbante lidhje me aleatët anglo-sovjeto-amerikan”.
Ndërkohë, Fronti Nacioanal (Balli Kombëtar) kishte njoftuar se luftonte vetëm kundër italianëve, dhe jo kundër gjermanëve.
Sipas dokumenteve britanike, del se me inkurajim nga Ministria Britanike, përfaqësuesit e të dy grupeve të Frontit Nacionalçlirimtar dhe të Ballit Kombëtar, zhvilluan bisedime për formimin e një fronti të bashkuar, ku arriti dhe një marrëveshje në parim, që njihet si Mbledhja e Mukjes.
Misionet britanike u shtuan në mbështetje të qendrave të rezistencës.
Në këto kushte, gjermanët filluan ofensivën ndaj grupeve të rezistencës, ku u sulmuan dhe misionet ushtarake britanike.
Kështu, Gjenerali Dejvis u zu rob nga gjermanët, disa nga oficerët e tij u vranë, lëvizjet e rezistencës shqiptare u thyen përkohësisht.
Grupi i udhëheqjes së Frontit Nacionalçlirimtar u tërhoq për nga jugu, Abaz Kupi kaloi në thellësi të veriut, kurse ballistët “në më të shumtën e rasteve filluan të heqin dorë nga lufta”.
Nga moria e 50 mijë dokumenteve arkivore të Komandës Gjermane që ndodhen pranë Arkivit Qendror të Forcave të Armatosura, del qartë bashkëpunimi i formacioneve të armatosura, si dhe të udhëheqjes politike të Ballit Kombëtar me pushtuesit gjerman.
Çuditërisht, ende edhe sot ka debate nga politika dhe nga qarqet akademike, historike në Shqipëri, por jo vetëm.
Të tilla çështje kryesore janë bashkëpunimi i qeverive shqiptare të kohës me pushtuesit gjerman, bashkëpunimi dhe bashkëveprimit të nacionalistëve të Ballit Kombëtar në Luftën kundër Forcave të Lëvizjes NÇ Shqiptare, etj.
Bashkëpunimi i hapur dhe i fshehtë bazohet në dokumente, në fakte dhe shifra e emra, si dhe në analiza konkrete.
Kundërshtimi i fakteve të mbështetura në dokumente tingëllon e çuditshme dhe e pakuptimtë, por ky qëndrim paragjykues dhe shpesh nihilist, vijon edhe sot për studimet, botimet apo kumtimet.
Kështu, në telegramin “tepër urgjent”, të datës 09.11.1943, Konsulli i Përgjithshëm gjerman në Tiranë, e informonte Ministrinë e Punëve të Jashtme gjermane, se “numri i përgjithshëm i bandave komuniste vlerësohej midis 16-18 mijë vetë”.
Është vërtetuar, thuhej në informacion, se tek bandat komuniste qëndrojnë 8-10 oficerë anglez.
Informacioni bën me dije, se grupi nacional shkon deri në 8000 vetë, dhe se në përpjekjen gjermane është forcuar mjaft.
Njëkohësisht, bëhet me dije se në krahun e rezistencës janë edhe 5 mijë italianë.
Kështu, informacionet e njëpasnjëshme njoftojnë për aksionet gjermane kundra formacioneve partizane të Myslym Pezës, Baba Faja Martaneshit, Haxhi Lleshit, Mestan Ujaniku, Bedri Spahiut, Mehmet Shehut, Petrit Dumes, Teki Kolonecit, etj.
Informacionet në vijim flasin për organizimin e mbledhjeve të fiseve në Shqipërinë e veriut me bazë antikomuniste dhe pro gjermane.
Sipas dokumenteve arkivore del që pushtuesit gjerman për të shuar rezistencën e frontit Nacionalçlirimtar në luftë për çlirim, hedhin kundra tyre Këshillin e Regjencës, qeverinë kolaboracioniste, xhandarmërinë dhe trupat e policisë së Kosovës, si dhe ndjekin këmba këmbës misionet Britanike në Shqipëri.
Gjermanët furnizojnë me armë forcat antikomuniste nacionale me 10 mijë pushkë, ku 5 mijë pushkë i jepen Ballit kombëtar, që drejtohet nga Kadri Cakrani, ku në bashkëpunim me gjermanët sulmuan Forcat e Ushtrisë Nacionalçlirimtare.
I plotëfuqishmi i posaçëm për juglindjen, në telegramin, drejtuar nga Beogradi, më datë 13.02.01944, Ministrisë së Punëve të Jashtme gjermane, informon se:
- Në Qeverinë pro naziste u futën edhe përfaqësuesit e Ballit kombëtar.
- Pjesëmarrja e ballistëve në qeveri lidhet me bashkëpunimin e ngushtë të Wehrmacht-it me formacionet e Kadri Cakranit që komandon 8 mijë ballistë të armatosur nga gjermanët, të cilët luftojnë kundër formacioneve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare në Shqipërinë e Jugut.
Në telegramin e Konsullit të Përgjithshëm në Tiranë, të datës 12.05.1944, drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme, informon se për shpartallimin e bandave komuniste të Shqipërisë së Jugut duhen futur në luftë bandat nacionale, të cilat kanë dëshirë të luftojnë.
Gjithashtu, Konsulli njofton, se Këshilli i Regjencës ka mbledhur udhëheqësit e grupeve nacionale të Shqipërisë së Veriut dhe të Mesme, që ti bëj thirrje në Luftën e përbashkët kundër Shqipërisë së Jugut.
Kombet e Bashkuara qënë prezent në Shqipëri me misione ushtarake, të cilat vëzhgonin nga afër gjithë veprimtarinë e rezistencës shqiptare ndaj fuqive të Boshtit.
Ata hartuan një thirrje për shqiptarët. Thirrja, thekson, se fitoret në Afrikë, Siçili dhe Rusi lidhen me Kombete Bashkuara. Ne, vazhdon thirrja nuk ju liruam nga fashistët për t’ju lënë nën sundimin e nazistëve.
“Por së shpejti do të shkelmojmë edhe Hitlerin në greminë, ku shtrihet Missolini”.
Thirrja, evokon takimet dhe vendimet e liderëve botëror të Kombeve të Bashkuara Churchill, Ruzvelt e Stalin, të cilët në drejtim të 1 mijë 500 milionë njerëzve janë betuar që ta mbarojnë këtë punë.
Shqiptarëve që të mos gënjehen me deklaratat gjermane t’indipendencës së Shqipërisë-një shpallje e rreme nga njerëz të cilët kanë vrarë dhe prerë gra shqiptare dhe kanë bërë hi Përmetin, Leskovikun dhe shume qytete e katunde të tjera.
Thirrja, e bën me dije opinionin shqiptar se Ushtria e Kuqe e ka përzënë Ushtrinë Naziste, 1000 km më afër Berlinit, industria gjermane e luftës po kthehet në gërmadhë nga bombardimet e Forcave Ajrore të Anglisë.
Amerika kishte prodhuar për luftën 1800 vaporë dhe 100 mijë aeroplanë veç topave, mitralozave e tankeve. Kombet e Bashkuara u kujtojnë shqiptarëve që pavarësia nuk është ajo që kanë premtuar gjermanët, në shtator të vitit 1943, por ajo e vërteta që u bë prej ministrave të jashtëm të Britanisë, SHBA-së dhe BRSS, në dhjetorin e vitit 1942.
Kombet e Bashkuara u bëjnë thirrje shqiptarëve se “vetëm duke vazhduar rezistencën kundra nazistëve, armiqve të njerëzimit, në këtë mënyrë miqtë e saj në Britani dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të mbrojnë interesat e saj kur të vij paqja”.
Sipas dokumenteve gjermane e britanike, Fronti Nacional ose siç quhet Balli Kombëtar që me pushtimin e Shqipërisë nga nazistët nuk qëndroi në krahun e rezistencës, por kaloi në krahun e pushtuesve.
Edhe Legaliteti me Abaz Kupin pasi doli nga Fronti Nacionalçlirimtar e la rezistencën dhe ishte në bashkëpunim me Qeverinë Kuislinge, si dhe në pritje.
Qeveria Kuislinge dhe rryma të tjera të quajtura nacionaliste e xhandarmëria u bën njësh me qëllimet e pushtuesve kundër rezistencës antifashiste në Shqipëri.
Mbi këtë situatë të rëndë e të patolerueshme, Kombet e Bashkuara u drejtohen shqiptarëve me paralajmërimin, se: “Në qoftëse Shqipëria lejon veten e saj të gënjehet nga premtimet e rreme të gjermanëve dhe pushon luftimin kundra tiranisë tani që fitorja është në dukje, duke marrë anën e të mundurve, duhet t’ini të sigurtë që po vret veten si komb i tërë”.
Në këtë kontekst, Kombet e Bashkuara u bëjnë thirrje shqiptarëve që të bashkohen rreth organizatave të rezistencës së luftës për liri dhe drejtësi përbri aleatëve, të Anglisë, Amerikës dhe Rusisë deri në fitoren përfundimtare.
Mbi rezistencën në Shqipëri në periudhën e pushtimit gjerman, Arkivi Qendror i Forcave të Armatosura disponon qindra e mijëra dokumente gjermane, britanike, amerikane, etj.
Por, unë dua ti referohem të dhënave që dalin nga punimet e konferencës, me temë:
“Britania dhe rezistenca Europiane në vitet 1939-1945”, e organizuar nga Kolezhi i San-Antonit, në Oxford të Anglisë, më 10-16 dhjetor 1962.
Në këtë konferencë për rastin e Shqipërisë dhe të rezistencës antifashiste në Luftën e Dytë Botërore kanë mbajtur punimet e tyre shkencore personalitete të botës ushtarake e më vonë edhe politike me bindje konservatore, siç është XH. Emerit, që gjatë luftës ishte në Shqipëri pranë A. Kupit, e që pas lufte arriti të bëhej disa herë ministër në kabinetet konservatore.
Ai, nënvizon faktin, se me largimin e Ballit Kombëtar “Qëllimi ynë u bë inkurajimi i këtyre dy grupeve për t’i sulmuar forcat gjermane” dhe bëhet fjalë për formacionet partizane dhe grupin e Abaz Kupit.
Koloneli Kemp në faktin se britanikët ishin të angazhuar në përpjekjet e tyre për të stërvitur forcat partizane të drejtuar nga komunistët e Lëvizjes Nacionalçlirimtare.
Kurse, Koloneli Palmer, thekson se në vitin 1943-1944, gjermanët kaluan nëpër Shqipërinë e mesme. Ajo, veçon Koloneli “ishte një ofensivë e madhe por edhe partizanët kryen disa operacione mjaft të mëdha në shkallë batalionesh në kushte të vështira dhe me shumë privime”.
Duke shfrytëzuar këtë rast shpreh hapur admirimin për trimërinë dhe aftësinë për të kapërcyer çdo vështirësi dhe pengesë nga ana e partizanëve shqiptar.
Koloneli Palmer nënvizon faktin se partizani shqiptar ishte një person jashtëzakonisht i mirë dhe i sjellshëm.
Ai, gjithashtu, thekson faktin se puna e britanikëve kryesisht ishte e përqëndruar në armatosjen dhe stërvitjen e partizanëve, në furnizimet e ndryshme që realizoheshin me hedhjen e tyre me parashutë nga avionët e Forcave Ajrore Mbretërore (RAF), apo siç nënvizon Koloneli Palmer që në mbështetje të formacioneve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare në fillim të vitit 1944, u sigurua një plasdorm në breg te detit ku me anije desante (tanke-zbarkuese) hidhnin në breg një sasi me të vërtetë kolosale materialesh dhe furnizimesh.
Nga kjo mbështeje dhe nga rritja e numrit dhe aksioneve të partizanëve “gjermanët u detyruan të kthenin në Shqipëri një nga divizionet e tyre më të mira, Divizionin e I-rë Alpin, i cili ishte nisur për tu kthyer përsëri në Shqipëri”. Divizioni gjerman kaloi në Korçë dhe ndërmori një operacion shumë të shpejtë dhe të fuqishëm kundër partizanëve.
Koloneli Palmer duke folur mbi bashkëpunimin e britanikëve me formacionet e Ushtrisë Partizane kundra pushtuesve hitlerian nuk lë pa përmendur drejtuesit, me të cilët Ai kishte punuar gjatë luftës në Shqipëri.
Kështu, duke trajtuar personin e Enver Hoxhës e njerëzve që e rrethonin gjatë luftës nënvizon faktin se “Ata, që të gjithë ndodheshin atje sëbashku me të, në male”.
Ai në fjalën e tij kundërshton Kolonelin Kemp në një çështje që ka të bëjë me gjuhën, sepse sipas Kolonelit Palmer theksohet që vetë Enver Hoxha flet një frengjishte të përsosur, ashtu si dhe shumë nga shokët e tij.
Gjithashtu, Ai thekson se si rezultat i bashkëpunimit dhe ndihmës e mbështetjes britanike formacionet ushtarake britaniko-partizane në dy raste luftuan kundra pushtuesve nazistë, Ai vë në dukje operacionin në jug të vendit në rajonin e Sarandës, u zhvillua në bashkëpunim ndërmjet britanikëve e partizanëve.
Gjatë punimeve të konferencës shkencore një kont nga salla e punimeve këmbëngul që Koloneli Palmer të jepte detaje, seç njeri ishte komandanti i formacioneve të Ushtrisë Partizane dhe Koloneli, shkurt i përgjigjet: “Ai ishte njeri shumë inteligjent dhe në përgjithësi një njeri me të cilin është gjë e mirë të shoqërohesh. Mua më pëlqente të qëndroja me të. Ai ishte i gjatë, i bëshëm, një linguist shumë i mirë. Ai ishte i ashpër, i pamëshirshëm. Në konkluzionet e konferencës ish ushtaraku i Misionit Britanik në Shqipëri dhe politikani Xhulino Emeri, thekson se në praktikë ngjarjet në Shqipëri treguan se në fund ishte potenciali ushtarak i forcave partizane që tërhoqi pjesën më të madhe të ndihmave britanike dhe se ato ju dhanë forcave partizane pa marrë parasysh pasojat politike që mund të rridhnin, dhe që në të vërtetë rrodhën më vonë, nga ky veprim.
Si përfundim, mund të themi që:
- Antifashizmi ishte platforma më e madhe politike dhe ushtarake që bashkoi në një rrugë të gjitha kombet që luftuan kundra fuqive të Boshtit dhe aleatëve të tyre.
- Karta e Atlantikut e nënshkruar më 14 gusht të vitit 1941, nga SHBA-ja, Britania e Madhe dhe pas një muaji nga Bashkimi Sovjetik, u bë gur themeli për krijimin e Kombeve të Bashkuara.
- Deklarata e Washingtonit e nënshkruar nga 26 kombe, u bë baza e bashkimit të popujve e të kombeve në luftë kundër fashizmit.
- Klasa e vjetër politike me Mbretin Zog dhe lakmitë greko-jugosllave e la Shqipërinë jashtë Kombeve të Bashkuara.
- Kuvendi i Pezës, shtator 1942, u bë gur themeli i bashkimit të shqiptarëve në Frontin Antifashist Nacionalçlirimtar pa dallim feja, krahine e ideje, duke i hapur rrugën mundësisë për përfshirje të Shqipërisë në Kombet e Bashkuara.
- Si rezultat i këtij bashkimi antifashist udhëheqësit kryesor të Kombeve të Bashkuara SHBA, Britani e Madhe dhe BRSS në Dhjetorin e vitit 1942, shprehen për njohje të pavarësisë dhe të rezistencës së popullit shqiptar.
- Deri në fund të vitit 1943, në rezistencën antifashiste bënin pjesë tre forca politike. Partia Komuniste Shqiptare me një organizim politiko-ushtarak mbarë kombëtar. Organizata e Ballit Kombëtar me shtrirje kryesisht në jug të Shqipërisë dhe pas daljes nga Fronti Organizata e Legalitetit me shtrirje kryesisht në rajonin Krujë-Mat.
- Pas pushtimit gjerman 9 shtator, 1943, Balli Kombëtar e la rezistencës. Në shumicën e rasteve formacionet e saj ushtarake të paguara e të armatosura nga gjermanët bashkëpunuan me ta për likujdimin e rezistencës antifashiste që bënin partizanët në Shqipëri, si dhe bashkëpunuan politikisht, pasi nga udhëheqësit e tyre tre vetë u futën në qeverinë pro gjermane.
- Organizata e Legalitetit qëndroi e tërhequr, por bashkëpunoi hapur me qeverinë pro gjermane dhe njëri nga udhëheqësit e Legalitetit u bë kryeministër i gjemanëve në Shqipëri.
- Ushtria pushtuese gjermane arriti që me demagogji, para dhe armatim të vendosi përballë rezistencës antifashiste në Shqipëri në jug të formacioneve ushtarake të Ballit Kombëtar, e në veri ish drejtues të qeverive pro gjermane për krijimin e besëlidhjes të krahinave të Veriut gjëja antikomuniste dhe në bashkëpunim të hapur e të fshehtë për shkatërrimin e rezistencës Antifashiste Shqiptare, që sot nga studiues të ndryshëm na shitet si luftë civile.
- Kontributi, lufta dhe sakrificat e shqiptarëve që krijuan Frontin Nacionalçlirimtar në Pezë, që krijuan Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Partizane-Vullnetare Nacionalçlirimtare në Labinot, që në bashkëpunim me britanikët krijuan formacionet e mëdha të Ushtrisë Partizane e antifashiste i dhanë Shqipërisë vendin e nderit në rradhët e kombeve të Bashkuara.