
Prof. dr. Lush Culaj/
Dhuna serbe në Kosovë ishte intensifikuar që nga vjeshta e vitit 1944. Njësitë ushtarake maqedonase bënë krime sidomos në Karadakun e Shkupit, Kaçanik, Gjilan, Preshevë, Bujanoc etj. Gjilani me rrethinë ka përjetuar katastrofën më të madhe në fund të vitit 1944 dhe në fillim të vitit 1945. Në fakt shumica e shqiptarëve asnjëherë nuk e shikoi me admirim pushtetin e ri.
Për këtë flasin edhe dokumentet partiake të kohës, ku thuhet se shqiptarët kishin vullnet të vogël të anëtarësohe-shin në radhët e PKJ-së. Në mars të vitit 1945 në Kosovë kishte 1020 anëtarë të PKJ-së prej tyre vetëm 328 ishin shqiptarë ose 33% nga numri i përgjithshëm.
Pra, ishin gjithsej 328 anëtarë (jo të gjithë luftëtarë!) shqiptarë të PKJ-së në gjithë Kosovën, më 1945!
Të mobilizuarit e marsit, prillit, majit 1945, do të nisen nga Prizreni për në Dubrovnik nëpër Kukës, Shkodër, Tivar. Pritja e kolonës së dytë të rekrutëve në Tivar, më 1 prill, u shndërrua në masakër. Ajo u realizua në oborrin e Monopolit të Duhanit, në afërsi të detit, duke vrarë së paku 1690 veta. Këto janë të dhëna që i dinte Ymer Berisha, ndaj ia përcolli si informatë gjeneralit anglez, Hadgsonit, në Tiranë me 22 tetor 1945.
Konferenca e Këshillave Popullore të Rretheve të Kosovë-Metohisë i zhvilloi punimët nga 19-24 mars 1945 në sallën e Gjimnazit të Prishtinës ku merrnin pjesë Fadil Ho-xha, Ali Shukria, Dushan Mugosha, Rifat Berisha, etj. Në këtë Konferencë merrte pjesë edhe Halim Spahia si Kryetar i Këshillit të Rrethit të Prizrenit, njëherësh ishte edhe udhëheqës i LNDSH-së që vepronte në ilegalitet të plotë. Pas deklarimit të Xhavit Nimanit se ishin dakorduar Titoja me Enverin që për dy vite të lihët Kosova në Jugosllavinë e re, për shkak se në Shqipërinë e veriut dhe në Kosovë është i fuqishëm nacionalizmi shqiptaromadh ishte i fuqishëm reagimi i Halim Spahisë. Megjithatë në mesin e delegacionit që do të shkonte të takohej më Titon u propozua edhe Halim Spahia.
Ende pa ardhur informatat për Masakrën e Tivarit, nga Kosova në Beograd shkuan mbi 20 anëtarë të KNÇ të Kosovës. Vizita te Tito u zhvillua më 6 prill 1945 dhe, sipas dokumenteve, thuhej se temë kryesore ishte statusi i ardh-shëm i Kosovës dhe çështja agrare. Në delegacion merrnin pjesë: Mehmet Hoxha, Halim Spahia, Mehmet Krileva, Qamil Luzha, Demë Taraku, Ahmet Nishku, Hilmi Zariqi, Rifat Berisha, Ismajl Haxhi-Kaçaniku, Ahmet Efendi Mitrovica, Vesel Rexhepi etj.
Delegacionit i prinin formalisht Mehmet Hoxha e Xhavit Nimani, por realisht delegacionin e udhëhoqi Dushan Mugosha, udhëheqës i KK të PKJ-së pas vrasjes së Popo-viqit. Edhe studiuesi serb Radoshin Rajeviq theksonte se delegacionit i prinin Hoxha dhe Mugosha. Delegacioni kishte përgatitur me shkrim shtatë kër-kesa, të cilat ia dorëzuan Titos, ndër të cilat ishte edhe kërkesa për vetëvendosje, të cilën ai e refuzoi. Pyetje e përgjigje të drejtpërdrejta kishte bërë e dhënë Halim Spahia, i cili së shpejti do ta paguajë këtë me kokë.
Në kërkesat për vetëvendosje të Kosovës Titoja dek-larohet se ishin dakorduar me Enver Hoxhën që, për shkak të rrezikut që do t’iu kanosej fryteve të LNÇ-së nga reaksioni shqiptar në Kosovë dhe në Shqipërinë Veriore Kosova të mbetej përkohësisht në përbërje të Jugosllavisë të re. Kërkesa nuk u pranua edhe me arsyetimin se shqiptarët nuk ishin komb, dhe Halim Spahia apeloi që të ktheheshin urgjentisht në Kosovë sepse “nuk paska çka të diskutohet këtu”.
Sipas një raporti amerikan, të gjitha forcat nacionaliste kundër komunizmit u mblodhën në male nën udhëheqjen e Ymer Berishës, Mulla Idrizit, Luan Gashit etj. Të tjerë nga popullata tjetër e rajonit të pushtuar nga komunistët u rekrutuan në “Ushtrinë Nacionalçlirimtare”. Mobilizimit i shpëtuan vetëm një e pesta e njerëzve të aftë si dhe vullne-tarët nacionalistë të Kosovës që mbetën në male. Komu-nistët shqiptarë nuk iu përgjigjën pozitivisht thirrjeve që bënin forcat e LNDSH në krye me Ymer Berishën, Halim Spahinë etj., për krijimin e një fronti unik refuzues ndaj komunizmit të forcave shqiptare.
Mit’hat Frashëri, në shkrimin e tij të titulluar “Veriu dhe Jugu i Shqipërisë-Kosova dhe Shqipëria e Jugut”, pasi i bën një analizë situatës në Kosovë, ndër të tjera, thekson: “Komunistët shqiptarë thoshin se Titoja do t’i japë vetë Kosovën Shqipërisë. Por padroni i ri i Shqipërisë e shet kombin dhe nuk paguhet për të. Sot Jugosllavia kërkon më shumë tokë që u përket të tjerëve dhe nuk është në disponim për të dhënë asgjë. Është më shumë në interesin e të kuqve, për ta bashkuar Shqipërinë me Kosovën në Jugosllavi se sa Ko-sovën me Shqipërinë. Edhe kur çetat e Kosovës të udhë-hequra nga profesor Ymer Berisha me shokë kanë luftuar për liri, kjo është quajtur tradhti balliste.”
Kosova, e dërrmuar nga pushteti ushtarak, më 8-10 korrik 1945, do të arrijë në Konferencën e Dytë të Kë-shillit NÇ për Kosovë. Ajo u mbajt nën presion dhe nën kërcënimet e armëve. U bënë përpjekje që aneksimi i Kosovës nga Serbia të paraqitej si dëshirë dhe vullnet i po-pullit të Kosovës, pavarësisht se në “Kuvendin” e Prizrenit, nga 137 pjesëmarrës, vetëm 32 ishin shqiptarë. Në Kuvend kishte edhe përfaqësues nga Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia. Referati politik u mbajt nga Xhavit Nimani.
Në pyetjen e parashtruar në raport se përse masat e gjera popullore nga Kosova dëshirojnë të bashkohen me Serbinë referuesi përgjigjej: “Para së gjithash për arsye se populli serb, duke u ngritur i pari në luftë kundër okupatorit, njëko-hësisht ka luftuar edhe hegjemonistët serbomëdhenj”. Ndo-nëse këto fraza dilnin nga goja e Xhavit Nimanit, Fadil Hoxhës dhe përfaqësuesve tjerë shqiptarë, në realitet shprehnin qëndrimet e udhëheqjes të Partisë Komuniste të Jugosllavisë.
Realisht, nuk mund të thuhet që edhe për komunistët shqiptarë, fillimisht nuk ishte ideal çlirimi dhe bashkimi kombëtar. Ata thjesht u mashtruan dhe kur panë se çka u ndodhi shqiptarëve, nuk iu përmbajtën parimit të vetëmbrojtjes sikur nacionalistët: “Dy duar për një kokë” sa parimit: “Dorën që s’e thyen, puthe”.
Rrjedhimisht, u miratua me duartrokitje e pa votime, një rezolutë e përgatitur në Beograd. Sipas historianit Noel Malcolm, në këtë periudhë, në Kosovë kishte vetëm 2.250 anëtarë të Partisë Komuniste. Konferenca “korri-gjoi” vullnetin e shqiptarëve të shprehur në Konferencën e Bujanit. Ajo ishte vetëm formalisht vazhdimësi e Konferencës të parë të Bujanit, sepse ato vendime u hodhën poshtë. Delegatët zgjodhën rrugën e kapitullimit. Në Prizren ndodhi tradhtia kombëtare që nuk ishte më e vogël se ajo e Mukjes. U theksua se, duke shprehur këtë “vullnet” të Këshillit Krahinor “Nacionalçlirimtar”, shprehim “dëshirën e shqiptarëve” dhe serbëve e malazezve.
Një zgjidhje e tillë e çështjes “me dëshirë të popullsisë së Kosovës” jo vetëm që nuk mbyllte problemin e Kosovës dhe atë shqiptar, por e rihapte këtë çështje, në mënyrë vir-tuale, në kontekst të ri historik, në masë gjeopolitike në Evropën Juglindore. Pati delegatë që kundërshtuan aneksimin dhe që kërkuan që Kosova t’i bashkohej Shqipërisë, ashtu siç ishte vendosur në Bujan. Në mesin e tyre ishte Ramiz Cernica.
Ai u arrestua nga organet e OZN-ës dhe u dënua me 20 vjet burg. Pra, kundërshtarët e një akti të tillë u likui-duan ose u dënuan me burgim shumëvjeçar.
Studiuesja bullgare, Nina Smirnova, konstatonte se Vetëvendosja e premtuar, kishte qenë vetëm një karrem që e kishin gëlltitur disa të rinj naivë e disa të tjerë që kjo u erdhi për shtati. Pas Kuvendit të Prizrenit, me aprovimin e Rezolutës të Kuvendit Federativ, më 23 korrik 1945, Kosova edhe zyrtarisht do të aneksohej nga Serbia. Në fakt, juridikisht, çështja e Kosovës do të konsiderohej si çështje e mbyllur. Në bazë të këtij vendimi, Kryesia e “Kuvendit Popullor” të Serbisë, nxori ligjin më 3 shtator 1945, për formimin e “Rajonit Autonom të Kosovë-Metohisë”. Në shumë vise të Kosovës filluan prapë keqtrajtimet e shqiptarëve.