Rezallë, 9 tetor 2021
“Sot, 22 vite e gjysmë, pas ditës të kobshme, po kthehen për të pushuar përjetësisht në tokën e tyre: Shefqeti, Sadriu, Dibrani, Jonuzi, Hetemi, Neziri, Nazifi, Veseli e Behrami.Të pushkatuar me pothuajse të gjithë burrat dhe djemtë e rinj në Rezallë, më 5 prill të vitit 1999, nga forcat e sigurisë së Serbisë, u rrëmbyen e groposen, në varreza masive në Kizhevak e Rudnicë të Serbisë. Por e vërteta nuk mund të groposet e mbulohet në varreza masive”,tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në ceremoninë e rivarrimit për viktimat e masakrës së Rezallës.
“Kemi obligim që të bëjmë gjithë sa mundemi që t’i prejmë rrugën drejtësisë së munguar, për krimet çnjerëzore të kryera nga forcat policore serbe dhe ushtria jugosllave gjatë luftës në Kosovë”, tha më tej ai.
Në ceremoninë e rivarrimit të nëntë viktimave të masakrës së fshatit Rezallë, të zhvarrosura nga varreza masive në Kizhevak dhe Rudnicë të Serbisë, kryeministri Kurti mori pjesë krahas familjarëve të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës si dhe Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, z.Glauk Konjufca, Ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, z. Armend Mehaj, kryesuesin e Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, z. Andin Hoti, kryetarin e Komunës së Skenderajt, z. Bekim Jashari dhe udhëheqësin e Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, z.Kushtrim Gara.
Sot u rivarrosën Shefqet Zabeli, Sadri Zabeli, Dibran Rukolli, Jonuz Rukolli, Hetem Deliu, Nezir Deliu dhe Nazif Hoti, që ishin groposur në Kizhevak të Serbisë.Bashkë me ta, u rivarrosen një pjesë e eshtrave të mbetur të Vesel Deliut dhe Behram Rukollit, nga varreza masive në Kizhevak, pasi një pjesë e eshtrave të tyre u patën gjetur vite më parë në varrezën masive, në Rudnicë të Rashkës, në Serbi
Riatdhesimi i mbetjeve mortore të nëntë viktimave u realizua më 30 shtator 2021, nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, në bashkëpunim dhe me përkrahjen e familjeve të viktimave, Institutit të Mjekësisë Ligjore, Policisë së Kosovës – Sektorit për Krime Lufte, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.