Një zyrtar i lartë i Institutit Demokratik Kombëtar, thotë se shqetësimet kryesore të qytetarëve shqiptarë kanë të bëjnë me ekonominë dhe punësimin dhe se korrupsioni mbetet një problem madhor që pengon shanset e tyre. Drejtori për Evropën Qendrore dhe Lindore i kësaj organizate amerikane, Robert Benjamin, thotë se politikanët në Shqipëri duhet t’u përgjigjen interesave të qytetarëve dhe jo të merren vazhdimisht me luftën politike kundër kundërshtarëve dhe se ai shpreson që këta lloj politikanësh të zgjidhen në votimet lokale. Zoti Benjamin foli në një intervistë për Zërin e Amerikës për një studim-anketë të fundit të Institutit të tij, ku u pyetën qytetarët shqiptarë për çështjet që i shqetësojnë ata.
Zëri i Amerikës: Zoti Benjamin a mund të na thoni se cilat janë disa nga përfundimet kryesore të anketës suaj të fundit në Shqipëri?
Robert Benjamin: Përfundimet e anketës së këtij fundi, përputhen përgjithësisht me ato të viteve të kaluara, por me disa ndryshime. Përfundimi kryesor për këtë vit është se ekonomia dhe papunësia mbeten shqetësime të mëdha mes qytetarëve dhe i lidhur me këtë shqetësim është një pakënaqësi e vazhdueshme për korrupsionin.
Dhe nga intervistat për anketën shohim se njerëzit shohin një lidhje direkte mes nivelit të korrupsionit, atij të zhvillimit ekonomik dhe ndjesisë për mirëqenien e vet. Në të njëjtën kohë, në mendimet e qytetarëve reflektohet një lloj vlerësimi për përpjekjet e qeverisë për të vendosur rregull në disa nga drejtimet e ekonomisë dhe se në disa drejtime shpërndarja e shërbimeve po përmirësohet.
Zëri i Amerikës: Kur erdhi në fuqi qeveria e re pati një ndjesi optimizmi ose me saktë shprese për atë që do të bënte. Cili është vlerësimi juaj pas dy vjet më pas?
Robert Benjamin: Duke u nisur nga ato që po thonë qytetarët në intervista, ka ende një ndjesi të përgjithshme optimizmi nga disa këndvështrime. Njëri është se vendi doli nga zgjedhjet e vitit 2013, më i qëndrueshëm politikisht, sepse në Shqipëri kishte pasur një paqendrueshmëri të konsiderueshme politike para atyre zgjedhjeve. Së dyti Shqipëria mori statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian dhe mendoj se kjo u dha njerëzve një ndjesi të forte përparimi.
Gjithashtu njerëzit e vlerësojnë punën e qeverisë për zbatimin e sistemit rregullator. Por njëkohësisht ka një ndjesi të vazhdueshme shqetësimi dhe pakënaqësie për ekonominë dhe korrupsionin. Dhe përpjekjet e qeverisë për të marrë masa për ndërtimet e paligjshme dhe për të vendosur rregull në arsimin e lartë shihen si positive por njerëzit njëkohësisht kanë përshtypjen se zbatimi i këtyre rregullave nuk është njëlloj për të gjithë dhe kjo i shqetëson ata.
Zëri i Amerikës: Korrupsioni vazhdon të jetë një nga shqetësimet kryesore dhe ndjesia është se është i përhapur gjithandej: në administratën publike, në biznes në sistemin e drejtësisë. Pse sipas mendimit tuaj, kjo dukuri vazhdon të jetë kaq e përhapur?
Robert Benjamin: Njerëzit që folën në intervistat e anketës sonë, e rikonfirmuan që korrupsioni është një nga problemet kryesore. Ata e shohin, e përjetojnë në ekonomi, në tregun e punës, kur shohin se kush i merr vendet e punës, kur kërkojnë qasje në shërbimet qeveritare, qoftë për kujdesin shëndetësor, kur kërkojnë një rregullim të një çështje në sistemin e drejtësisë. Administrata publike u kritikua ashpër. Nga ana tjetër njerëzit vlerësojnë përpjekjet për të marrë masa ndaj ndërtimeve të paligjshme.
Por në përgjithësi njerëzit bëjnë një lidhje mes korrupsionit dhe zhvillimit ekonomik sepse shohin se korrupsioni pengon zhvillimin ekonomik, në kuptimin që rryshfetet që shkojnë në xhepat e dikujt, janë para që mund të përdoreshin për gjëra të tjera që mund të ndihmonin për ndërtimin e ekonomisë. Personi që nuk merr një punë megjithëse ai apo ajo mund të jetë më i kualifikuar po të nisesh nga një sistem meritokracie, do të thotë që ajo kompani, apo zyrë e administrates publike nuk do të funksionojë aq mire.
Zëri i Amerikës: Ju i keni ndjekur prej kohësh zhvillimet në Shqipëri. Pse sipas mendimit tuaj, shoqëria dhe klasa politike nuk kanë mundur ta luftojnë më fuqishëm korrupsionin?
Robert Benjamin: Për shumë vite, Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit u është dashur të rindertojnë shoqëritë, ekonomitë, politikën dhe sistemin qeverisës. Dhe ajo që kemi parë në 5-10 vitet e fundit, pas këtij rindërtimi, tani pyetja bëhet se si duhet të jetë ky sistem i suksesshëm. Kërkesat e publikut me kalimin e kohës rriten për përmirësimin e gjendjes dhe luftës kundër korrupsionit, ata duan qasje të barabartë tek mundësitë dhe shërbimet dhe i takon qeverisë që t’i plotësojë këto kërkesa. Por nga ana tjetër vetë njerëzit duhet të veprojnë.
Për shembull një koalicion organizatash me të cilët ne punojmë për vëzhgimin e zgjedhjeve, vitin e kaluar përdori metodologjinë e dërgimit të vëzhguesve në qendrat e votimit në sistemin e kujdesit shëndetësor. Ata ngritën një grup klinikash dhe në një ditë dërguan njerëz të shihnin se si funksiononin ato: a ishte i qartë sistemi i pagesës, a kishte personel të mjaftueshëm, a ishin higjienike e të tjera. Pastaj ngritën një model që ia prezantuar Ministrisë së Shendetësisë dhe ishte një shembull shumë i mirë sepse bazohej tek të dhënat konkrete positive apo negative dhe tek nevojat për përmirësim.
Zëri i Amerikës: A ekziston vullneti politik për t’i zgjidhur këto probleme, sidomos po të kesh parasysh se klima politike ka mbetur e ashpër dhe e politizuar?
Robert Benjamin: Mendoj se gjetjet e anketës ishin interesante. Ashtu siç ishin të shqetësuar për ekonominë dhe korrupsionin, qytetarët nuk janë të kënaqur me mënyrën si bëhet politikë në Shqipëri. Njerëzit e intervistuar, të gjithë bien dakord se sjellja e deputetëve është e papëlqyeshme, se deputetët shpenzojnë më shumë kohë duke sulmuar kundërshtarët politikë sesa për të zgjidhur çështjet që shqetësojnë njerëzit, çështjet për të cilat po flasim.
Në raportin që doli nga intervistat, del qartë një program të qartë për reformimin e politikave, tek të cilat duhet të përqendrohen të gjithë ata që janë në partitë politike dhe në sistemin politik. Njerëzit duan që udhëheqësit e zgjedhur të sillen me dinjitet, të përqendrohen tek çështjet që i shqetësojnë ata. Dhe politikanët vetë po reagojnë. Ka pasur disa fjalime në parlament, besoj nga të gjitha palët që thonë se ky raport ka rëndësi, dhe se ata duhet të sillen ndryshe.
Zëri i Amerikës: Por nuk duket se kjo po ndodh. Si e shihni ju këtë hendek mes asaj që do publiku dhe asaj që po ndodh në realitet?
Robert Benjamin: Po është e vërtetë që shpesh ekziston ky hendek. Ka njerëz që janë të zgjedhur në një post që po bëjnë atë që duhet, apo të paktën përpiqen. Ne kemi punuar me një grup grash të zgjedhura dhe ato kanë bërë mjaft jo vetëm për të zgjidhur problemet në interesin e publikut, por edhe për të ndryshuar tonin e politikës ndërsa punojnë përtej ndasive politike. Dhe këtë e dinë edhe njerëzit, sepse kërkimet e anketës tregojnë se qytetarët janë të interesuar të shohin më shumë gra në procesin politik.
Ne në Institutin Demokratik e mbështesim këtë dhe shpresojmë të shohim më shumë gra të zgjedhura, veçanërisht duke pasur parasysh se po vijnë zgjedhjet lokale. Pra mendoj se ka elementë në politikë dhe në parti që u kushtojnë vëmendje shqetësimeve të njerëzve. Të njëjtën gjë mund të themi për disa politikanë të rinj me të cilët po punon Instituti Demokratik.
Zëri i Amerikës: Por nuk janë këta elementë që marrin vendimet, apo jo?
Robert Benjamin: E vërtetë, sepse në fund të fundit vendimet i merr publiku, qytetarët me të cilët ne flasim sepse sa më shumë ata i shprehin ato që duan të realizohen nga forcat politike dhe sa më shumë marrin hapa për ato që duan, aq më shumë do të reagojnë politikanët. Kjo është formula e procesit demokratik. Përsa kohë njerëzit janë në gjendje të formulojnë kërkesat e tyre dhe marrin hapa për t’i plotësuar këto kërkesa, qoftë përmes votes, përmes ngritjes së zërit për çështje të ndryshme dhe mbikqyrjes së punës së qeverisë, politikanët do të përgjigjen sepse duan mbështetjen e votuesve.
Mendoj se zgjedhjet që po vijnë dhe fakti që do të ketë një numër të ri bashkish më të mëdha dhe më të pakta, do ta vërë theksin tek kjo sepse njerëzit që do të zgjidhen si kryebashkiakë – dhe përsëris që ne shpresojmë që të shohim gra mes tyre – do të kenë më shumë fonde dhe burime që t’u përgjigjen nevojave të njerëzve. Dhe ajo që ata duan të shohin është politika të reja për krijimin e vendeve të punës, zbatimin në mënyrë të drejtë të ligjit dhe duan shanse të barabarta për njerëzit për punësim, ekonomi dhe qasje në shërbimet qeveritare.
Zëri i Amerikës: Një problem tjetër në Shqipëri është kriminalizimi në politikë, që u shfaq dukshëm me rastet e fundit të implikimit apo dyshimeve për implikim të anëtarëve të parlamentit dhe familjarëve të tyre. Çfarë tregon kjo përsa i takon klasës politike?
Robert Benjamin: Sigurisht që nuk reflekton mirë përsa i takon klasës politike dhe kjo është më e pakta që mund të thuhet. Mendoj se ka rëndësi që publiku të ketë një ide të qartë se për çfarë po flasim, sepse është e rëndësishme që kur ndodhin gjëra të tilla, të hetohen që njerëzit të mos goditen pa të drejtë. Megjithatë është mjaft e qartë se në politikë ka shumë mundësi për korrupsion, përfshirë akte kriminale dhe kësaj duhet t’i jepet fund. Kjo duhet të fillojë me partitë politike sepse ato i zgjedhin njerëzit, dhe duhet të caktojnë jo vetëm njerëz që ndajnë idetë e partisë por edhe që përfaqësojnë interesat e qytetarëve.
U takon këtyre partive që të sigurohen vetë dhe të sigurojnë publikun që kandidatët të kenë kualifikimet e duhura dhe të jenë përfaqësuesit e udhëheqësve më të mire të mundshëm që ka Shqipëria. Gjithashtu duhet parë edheçfarë parashikon ligji qoftë ai zgjedhjeve, procesi i verifikimit të listës së kandidatëve dhe cilido qoftë ligji duhet të reflektojë interesat e publikut shqiptar. Dhe mendoj se këtë çështje kanë parasysh qytetarët kur flasin për nevojën e eliminimit të korrupsionit në procesin politik.