
Prend Ndoja, SHBA/
Në hapësirën politike mediat shpesh janë të mbushura me ankesa, kritika të ashpra dhe zhgënjime drejtuar udhëheqësve politikë në trojet shqiptare. Por, kësaj radhe, ndihem i gëzuar të shkruaj për meritat e presidentes së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, e cila ka fituar respektin me punën e përkushtimin e saj. Ajo po triumfon mbi sfidat dhe po shkëlqen në skenën politike dhe diplomatike të vendit. Pas vdekjen se presidentit historik, dr. Ibrahim Rugovës, akrepat e orës politike në vendin tonë e humbën ritmin për një kohë të gjatë. Me inkuadrimin e znj. Vjosa Osmani në skenën politike, akrepat e kësaj ore u akorduan dhe filluan sërish të lëvizin sipas akordeve të arkitektit e themeluesit të shtetit të Kosovës, presidentit historik, dr. Ibrahim Rugovës. Zonja Osmani në çdo hap synon rikthimin e energjisë së humbur politike, në një frymëmarrje të re që i përshtatet ritmit të kohës.
Zbërthimi nga një atmosferë që e rrethonte, nuk ishte i lehtë; nuk ishte e lehtë të ndërtonte një diplomaci të drejtë dhe parimore, në një mjedis ku rrjetet korruptuese kishin pllakosur vendin dhe pengonin depërtimin e çdo përpjekjeje të sinqertë për reforma dhe transparencë. Për t’i realizuar aspiratat e saj, ajo ishte e detyruar të largohej nga kështjella që po rrënohej nga brenda, nga një strukturë që asokohe nuk e mbante më dot peshën e parimeve thelbësore të saj. Gjatë udhës së progresit, ajo gjithmonë i kujton me nostalgji rrënjët dhe gurët e kështjellës që Rugova i kishte themeluar me durim, mençuri dhe vizion. Largimi nuk ishte arratisje, por një akt i domosdoshëm diplomatik, për të ndërtuar një strategji të re dhe të realizueshme, një strategji që, në veçanti, synonte ruajtjen e marrëdhënieve të qëndrueshme dhe të përhershme me SHBA-në dhe BE-në.
Presidentja Osmani, sot, vlerësohet nga shumë njerëz si figurë me peshë në arenën globale, një zë që rezonon me arsye përtej kufijve të Kosovës dhe që kontribuon në rivendosjen e dialogut dhe besimit me qartësi, vendosmëri dhe vizion. Falë angazhimit të saj në takimet e shumta me njerëzit e duhur, e sidomos kohëve të fundit, ajo arriti të projektojë një imazh të Kosovës që kërkon stabilitet, partneritet dhe respekt të ndërsjellë në arenën ndërkombëtare. Përmes angazhimit të saj diplomatik, Komisioni Europian më në fund ndryshoi mendimin, vendosi të nisë heqjen e masave shtrënguese ndaj Kosovës. Këto masa, të vendosura në korrik të vitit 2023, kishin kufizuar bashkëpunimin financiar dhe institucional me Kosovën, duke krijuar një barrë të rëndë politike dhe ekonomike. Ato masa u panë nga shumëkush si një formë paralajmërimi se politika kosovare nuk ishte më në udhën e duhur. Ato nuk përfaqësonin vetëm një ndëshkim ekonomik; ishin një sinjal i fortë se Kosova duhej të rishikonte strategjinë e saj diplomatike, të rikthente besimin, stabilitetin dhe bashkëpunimin e ndërsjellë me botën – veçanërisht me SHBA-në dhe BE-në.
Nga kjo rrjedhë diplomatike e znj. Presidente, filloi besimi dhe stabiliteti diplomatik për Kosovën. Kjo atmosferë e re u pasqyrua menjëherë në arenën ndërkombëtare, ku filluan të shfaqen njohje dhe mbështetje të reja për shtetësinë e Kosovës. Ky ndryshim shënon jo vetëm një hap para në politikën e jashtme, por edhe një dëshmi se, kur hapet dera e besimit, hapen edhe burimet ekonomike për Kosovën që ishin të ngrira për një kohë të gjatë. Ky besim, hap dritën e gjelbër për qindra milionë euro projekte zhvillimore që BE-ja ka nisur t’i lirojë e të cilat do të reflektojnë drejtpërdrejt jo vetëm në stabilitetin ekonomik të Kosovës, por edhe në fushën e integrimeve euro-atlantike.