
“Onufri”/
Në një nga fletoret e rinisë së hershme vazhdoj të ruaj sinopsin e një proze. Isha student i vitit të parë kur e kam shënuar, i pranuar nga kritika letrare si poet i ri me të ardhme, djalosh i pëlqyer nga vajzat dhe entuziast për jetën shoqërore që po filloja. Me një fjalë, krejt i lumtur për sa kohë në trurin tim nuk kishte përbiruar ende krimbi i dyshimit. Sa kisha filluar të ëndërroja për prozën, por pa joshje në kuptimin e vërtetë të fjalës. Nga leximi i biografive të disa romancierëve të mëdhenj klasikë e dija se shkrimi i prozës kërkonte një përkushtim tërësor, domethënë orë të tëra të kaluara çdo ditë në tryezën e punës, duke i mohuar pak a shumë argëtimet dhe kënaqësitë e jetës së një njëzetvjeçari. Për t’ia fshehur vetes arsyet thelbësore pse qasjen ndaj prozës e shihja si një ëndërr që i përkiste një të ardhmeje të papërcaktuar, thosha se nuk kam ende pjekurinë e nevojshme. Nuk e dija, në fakt, për çfarë pjekurie bëhej fjalë.
Për t’i dhënë kuptim pritjes së pjekurisë, zura të shënoja në një fletore të veçantë skelete historish që dëgjoja majtas e djathtas, tek të cilat shihja bërthama tregimesh apo romanesh. Më të shumtat prej tyre nuk më kanë vlejtur fare për shkrimet e mëvonshme në prozë, siç ndodh natyrshëm me përshtypjet mashtruese apo edhe me idetë e rreme të moshës rinore. Por është një subjekt i asaj periudhe, i cili më ka ndjekur nëpër vite, si një dhembje koke, pa m’u shqitur kurrë nga vëmendja, diçka e ngjashme me shtërzimin e një kafshe të mbarsur, e cila përpiqet gjithë kohën të pjellë dhe nuk arrin.
(Fragment nga romani)