
Mhill Velaj/
Romani “Livia” i Mark Pashkut është roman për dashurinë, i kundruar artistikisht nga një kënd krejt tjetër psikologjik. Intuita e autorit Pashku na zhyt në një diskurs e univers tjetër të lirisë e dashurisë, ku në epiqendër mbetet një femër, por edhe në unin e një burri peng, i cili çdo ditë është në kërkim të asaj dashurie pa adresë. Dhe siç thekson shkrimtari Vilson Culaj në analizën e tij “Romani në fjalë është një zbërthim eskatologjik i lidhur me shpirtin e lirinë njerëzore, por edhe diskurs i thellë filozofiko-letrar për dualizmin, kurthet e jetës në bashkëshortësi, karakteret njerëzore, orientimin seksual, indiferentizmin, karrierizmin, harresën kolektive dhe pasojat që sjell bota postmoderne’’.
Rrëfimi letrare zë fill në ambientet e qytetit mesjetar të Shasit, si një mjeshtri e autorit për t’i zhvendosur personazhet në kohë e hapësirë, ku ëndrra e kujtesa dhe një Platonizëm i zjarrtë zë vend në këtë rrëfim mbresëlënës, duke reflektuar për humbjet e mëdha të ndjenjave në kohë e hapësirë, në mënyrë që ta ridimensionojë dhe orientojë më pas rrëfimin të familja gjegjësisht te dy kryepersonazhet, Lekë Bardhi dhe Livia. Ata bartin në vete tërë barrën e rrëfimit dhe dramës në dashuri, dilemat dhe të papriturat, por edhe hijet e traditës, duke mos arrirë asnjëherë ta kapin orën e çastin e bekimeve në dashuri.
Autori Pashku me letërsinë e tij, krejtësisht unike, i ka dhënë vetës profilin e një romancieri të dalluar, ku rrëfimi postmodern e plotëson rrëfimin klasik, ndërsa temat me taban real marrin dimension universal.
Në romanin “Livia” gufon situata familjare, sa dramatike aq edhe groteske, ku si pasojë e një funksioni shtetëror, indoktrinimit dhe pasioneve të saj iluzioniste Livia investon verbërisht në disharmoninë e familjes. Ky cen jetësor kishte krijuar pasoja edhe për Luanin, birin e saj dhe të Lekë Bardhit, i cili vragën psikologjike e kishte bartur me vete. Punë e re, pasion i ri , e ëndërr e re e kishte pushtuar gruan e re prej se fuqia e pushtetit e parasë kishte filluar t’ia robëronte lirinë dhe përkushtimin familjar.
Është kulti i pengut në dashuri i përshkruar mjeshtërisht në këtë roman nga autori Mark Pashku, i cili, falë talentit te tij – planit të tij ideo artistik mbarështon dhe rrëfen letrarisht për vakumet e kujtesës në dashurinë e dy protagonisteve, e cila kërcënohet keq nga superegoja njerëzore dhe lakmitë verbuese. Është pra ky roman një lloj drame shpirtërore e dy të rinjve si një lloj pararoje ndaj hipokrizisë dhe kufizimeve njerëzore, zhytur në maskën e sistemit dhe ideologjisë së regjimit të dikurshëm.
Rrëfimi është i ngrohtë, nxitës, plot dilema e udhëkryqe që kërkon lexuesin për ta shqyrtuar dhe zbërthyer misterin e dramës romanore.
Në këtë strukturë të rrëfimit, shkak dhe pasojë e kësaj gjendjeje na del Livia ëndërrimtare. Protagonisti i këtij romani dikur kishte pikëtuar shumë vajza të bukura në atë ambient të zymtë shpirtëror, por ëndërr që ia vriste ëndrrën ishte Livia, jo si një vajzë që ushqente idealet në dashuri, por si një femër që kuptonte esencën e ikjeve të bardha në dashuri.
Ajo ushqehej me iluzionin e pasionin e saj ”unë dua të jem e lirë” dhe “jam rritur në karrierë”. Këtu zë vend theksi e mesazhi i këtij romani. Rrezikimi i familjes me mjete postmoderne siç janë materializmi, hedonizmi, poligamia, indiferentizmi etj. Këtu zë fill edhe drama shpirtërore e një burri fisnik, por pasionant i Lekë Bardhit, i cili merr mbi supe barrën e vuajtjes, kujtesës e dëshirës për ta mbajtur dashurinë gjallë.
Figura e Lekë Bardhit në këtë roman na del figura e një burrë të përgjegjshëm dhe ndërgjegjshëm, në aspektin familjar, por edhe melankolik, shpresëvrarë dhee i lodhur në brendinë e tij, përballë situatës dramatike në dashuri. Përdorimi i figuracionit të theksuar dhe të duhur, shpërfaq unin dhe universin origjinal letrar dhe të njohjes së autorit Mark Pashku.
Kjo strukturë komplekse narrative e ngre në nivel të lartë autorin prozën e Mark Pashkut, një karakteristikë e mendjeve të pjekura dhe intuitive letrare. Krijuesi Mark Pashku, edhe pse i ri në moshë ai i triumfalisht po hyn në radhën e shkrimtarëve më të shquar të letëesisë sonë më të re. “Livia” është romani trokitjeve të mëdha në ndërgjegjen e shumë brezave, me premisa të një romani psikologjik ku lexuesi dhe krijuesi përjetojnë të njëjtin akt shijimi e receptimi, por edhe të empatizmit në dashuri dhe dramat e mistershme që di t’i sjell ajo.
Këta përbërës letrar janë uji, dielli dhe mendimi; Optimizmi, fjala, shpresa, dashuria dhe kujtesa që dhemb. Autori është i aftë që të mbajë peshoren më delikate në sferën e kuptimit estetik, andaj vëmendja letrare ndaj tij është nderë për letërsinë shqiptare.
Romani “Livia” është një endëzim sa tokësor po aq qiellor e ideor, sepse ai nuk erdhi si krijesë nga dhimbja e emocionet spontane, por nga gjendja e kërkimit ideor dhe e shndërrimit të së pamundurës në të mundshme, nga e kaluara në të tanishmen dhe nga etja e zjarri për monolog në një kohë dialogu të pamundur, të cilin autori nuk mund ta ripërtërijë e rikthejë të kaluarën në shijim të së tanishmes.
Bota e tij e hapur, përvoja letrare dhe përvetësimi i shijeve artistike janë një dimension i hapur kulturor që i hap çdo lexuesi horizonte të reja udhëtimesh novatore, nëpërmjet metaforave, simboleve e sentencave të dendura, madje deri tek ato me mesazhe drithëruese. Mark Pashku nxjerr në pah aftësinë e tij për ta vënë lexuesin në rolin e protagonistit, duke e bërë atë të ndihet sa metaforik, po ashtu edhe real në materien e dukshme dhe të padukshme të universit emocional të përjetuar e të fisnikëruar, njëkohësisht.
Ai mediton për mollën e ndaluar dhe të kafshuar dhe realitetin virtual, kohën dhe plagët që sjell mendja e kujtesa. Rrënimtari është i farkëtuar e gravuar në sytë e dikujt, por edhe i lartësuar në dijet e tij. Krijuesi Mark Pashku – LucGjonaj është i rrethuar me detin e njohjeve e përjetimeve dhe Evës që tundon, por edhe me vetnjohjen e principet fisnike që nuk e zhysin në ujëra iluzionesh asnjëherë. Rrëfimet e tij letrare janë eklipse e harpë e Saulit, janë tinguj të ëmbël, por edhe horizonte të pamasa në sytë e veshët e lexuesve.
Brenda kësaj harmonie e valleje mistike që bart brenda vetes ky roman, lexuesi ndjen botën sentimentale në kontekste e dimensione të reja, ku fryma lirike vjen përmes tingujve shpirtërorë të violonçelit të të dashuruarve që ndjejnë bukurinë e jetës, në heshtje por duke e fisnikëruar jetën e dashurinë në të njëjtën kohë.
Shkrimtari Mark Pashku, duke qenë njohës i mirë i të shkruarit letërsi, ai di të “këndojë” kur ka elegji, di ta shijojë jetën, paqen, harmoninë dhe dashurisë. Mu në magjinë e kësaj përmase krijuese ai gjakon momentin e përjetuar e jo atë të nihilizmit dhe asaj që ndoshta nuk do të vij më kurrë.
Po e përmbylli këtë reflektim timin me thëne të Luis Brilante se “Estetika është e qartë, po aq e drejtpërdrejtë dhe e papërcaktuar, si dashuria, si shija e një fryti, si uji. Poezinë e ndiejmë njësoj siç e ndiejmë afërsinë e gruas apo aromën e maleve apo të thellësive të detit”. Kjo ndërlidhet edhe me metaforën letrare që bart e tërë proza e Mark Psshkut në romanin “Livia”.