Nga Përparim Hysi/
E mbaj mend mirë: në ditët me shi, në fshat, mblidheshim pas oxhakut dhe të mëdhenjtë tregonin ngjarje apo përralla. Disa prej këtyre rrëfenjave i kam përjetuar dhe, si të tilla, po i sjell për lexuesit. Unë besoj se kemi nevojë që dhe të qeshim ndopak.
Dervishi
Këtë rrëfenjë nuk e kam të përjetuar. Ma ka treguar babai që ishte bektashi dhe këtë dervishin bektashi e kish njohur, kur jetonim në Skrapar, se nga Skrapari ishin prindërit e mi.
Dervishi kish shkuar në një gosti dhe, tek pritej që të shtrohej darka, kish thënë para gostiarëve dhe të zotit të shtëpisë:- Dëgjo ti i zoti i shtëpisë, por ta dëgjojnë dhe të tjerët. Unë për darkë nuk dua bukë, por vetëm një pulë të pjekur!!! Or, baba dervish,- ia kish pritur një besimtar hokatar,- po qenke keq nga mideja zotrote?! Po unë, po të kem një pulë të pjekur përpara për darkë, më ngrëntë goja një mut, në kërkoj gjë tjetër… Të gjithë ranë përmbys nga të qeshurit dhe qysh prej asaj darke, dervishi e preu atë kërkesën si ekstra.
Dy Dervishët
Këta të dy kanë emrin Dervish. Nga besimi dhe këta qenë bektashi. Por ç’do rrëfej për ta, nuk ka të bëjë me besimin, por me kondicionin e tyre a më tepër huqin. Që të dy qenë nëpunës para nëntëdhjetës dhe qenë kushërinj. Pra, me raste bëheshin familjarisht me njëri-tjetrin. Prej natyre, qenë hokatarë të mëdhenj dhe, kur bëheshin bashkë, njëri hidh e tjetri prit, si në atë garën: më i shkathti, më i shpejti. Që të dy, i kam njohur nga afër dhe, ç’ka do sjellë për ju, e kam nga goja e tyre. Për të qenë më i drejtpërdrejtë me lexuesin, për t’i dalluar, njërin po e quaj Dervishi i madh ( në fakt, qe më i moshuar nga tjetri) dhe tjetrin, Dervishi i vogël. Të dy banonin në qytet, por në lagje paksa larg nga njëri-tjetri.
U sëmurë Dervishi i madh dhe Dervishi i vogël i thotë të shoqes:- Merr një trastë (asi kohe nuk kishte qeska në dyqane) se do shkojmë tek Dervishi se është i sëmurë, në shtëpi. E mori trastën e shoqja dhe, tek ecte krah të shoqit, kur u afruan tek pazari, i thotë:- Hë, do kthehemi që t’i blejmë ndonjë frut apo jo? Lëma mua këtë punë,- tha Dervishi i vogël. Vazhduan rrugën, hapën deriçkën e oborrit (Dervishi i madh kishte shtëpi përdhese) dhe, kur hynë në oborr, Dervishi i vogël hipi në portokallen e vetme që kish Dervishi i madh. E mbushi atë dingas dhe bashkë me të shoqen hynë tek i sëmuri. Ky qe vetëm në shtëpi (e shoqja nuk qe aty). Sa hynë brenda, Dervishi i vogël, tha:- Epo të shkuara! Mandej, i zgjati trastën me portokalle. I madhi, sado i sëmurë që qe, nga goja qe brisk. Ore, maskara,- i foli gjysëm me të qeshur dhe gjysëm me të ngjeshur,- po portokalle më bie ti mua, kur portokallen e kam në oborr.
Aha, mos u mërzit,- ia priti po me shpoti i vogëli,- se, kur të iki, i marr me vete unë.
Dhe kështu bëri vërtet. Kur u ngrit i sëmuri për të dalë në oborr, hodhi sytë mbi portokall dhe dha britmën:- Opo të di se ç’mall je, por të lumtë ty, kur nuk e mbajta trastën. Fjala mori dhenë dhe dy Dervishët jepnin e merrnin që t’i nxirnin “bojën” njëri-tjetrit.
Unë dhe babai
Prej natyre, babai im, ishte gazmor. Të skuqte duke të vrarë dhe me pambuk. Kurrë nuk e harroj kur më bëri për ujë të ftohtë vetëm me një fjalëgoje. Qeshë goxha, aty nga dyzet vjeçët. Babai kishte dalë në pension dhe mu para pallatit ku banonim, kishte marr sëpatën dhe po çante dru. Unë bëja sehir si të isha një snob anglez. Aty pari kalon një i moshuar sa babai dhe, pasi përshëndeti, shkëmbeu këtë bisedë me timatë.
– Hazis, çfarë po bën?
-Po çaj dru se është ftoht.
– Po Papi ?( kështu më thërresin të gjithë të njohurit)
Dhe imatë, flakë për flakë:- Pse kur do ma shohë hairin Papi apo kur të vdes?
Mua sikur më zuri pallati dhe, i turpëruar deri në majë të thonjëve, vrapova dhe hyra brenda.
* * *
Xha Myrtja
Xha Myrtja ka qenë një plak shumë i zgjuar dhe i kishte dukë fjala. Unë e kisha zakon që çdo mbasdite, pasi lija punën, e kaloja tek prindërit. Një pasdite, ballë për ballë me xha Myrten.
-Ku je nisur, të keqen xhixhaj tyja?
– Tek babai e nëna.
– Sikur nuk po të shoh gjikafshë në duar?!!!!
Unë i zënë gusht, i them:- Ore xha Myrte, pse të vegjël janë prindërit e mi? Dhe ai, flakë për flakë:- Digjo dhe ta kesh nasijet nga una. Pleqtë janë si fëmijtë. U vjen mirë që dhe një karamele po t’u shpiesh. Po ju, çunat, jini pak zullapër. Kurse cucat (çupat) t’i falë Zoti. I ke parë motrat e tua kur vijnë. Me duarët plot. Andaj thonë në Myzeqe, të keqen xha Myrtja tyja:- Kush ka pulën, i ha vezën. Kush ka gjelin, i ha gëlasat. Dhe, vërtet, që ma preu huqin.
Tiranë, 6 shkurt 2015
Luljeta says
Erjon Veliaj: Djali i Ahmadinexhadit
Erion Veliajt për dhunimin e privatësisë për interesa publike dhe investigimi për djalin ilegal të Ahmadinexhad në Shqipëri
Erion Veliaj, ditën e hënë në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, ku u debatua për çështjen “Pango” shprehu pikëpamjen se edhe pse përgjimi është dhunim i privatësisë nga ana ligjore, ai (Erioni), kur është fjala për interesa publike, e pranon këtë shkelje të ligjit, se siç tha Erioni, me një buzëqeshje ironike, një frazë të manualeve sorosiane të imazhit: “Po nuk shkele ligjin, nuk merr Çmimin Pulitzer”.
Edhe unë jam me pikëpamjen e politikanit të ri Veliaj dhe shpresoj që Erioni ta shikojë në këtë sens edhe një investigim të pritshëm për atë, se cili është fëmija ilegal që ka në Shqipëri Presidenti aktual iranian, Ahmadinejad. Në website të opozitës iraniane jashtë vendit, është dhënë lajmi se Presidenti Ahmadinejad, i cili e ka vizituar Shqipërinë në kohën e regjimit komunist, në vitin 1979, pas Revolucionit Islamik në Iran, ka në Shqipëri një fëmijë ilegal që është bërë një figurë e shquar politike në Shqipëri.
Sa e vërtetë është kjo gjë nuk dihet, por duhet investiguar. Të dhënat e websiteve të opozitës iraniane jashtë vendit, duhen marrë po aq të vërteta sa ç’ u morën të dhënat e disa websiteve të huaja në rastin e Damir Fazlliç, i cili mbi bazën e të dhënave me një prejardhje të tillë u shpall serbo-boshnjak dhe nipi i ish- shefit të shërbimit sekret të Serbisë, Stanisiç. Pra, precedenti ekziston dhe duhet ndjekur edhe në rastin e websiteve iraniane.
Të dhënat që jepen në websitet e opozitës iraniane nuk duken apriori të pabesueshme se dihet se regjimi komunist shqiptar kishte marrëdhënie të mira me regjimin islamik që erdhi në fuqi në Iran pas revolucionit të vitit 1979. Në këtë kuadër midis Shqipërisë dhe Iranit ka pasur shkëmbime të dendura delegacionesh të ndërsjella. Në këtë kuadër, edhe Presidenti i tashëm iranian, Ahmadinexhad ka vizituar Shqipërinë në vitin 1979, sipas atyre që thuhen në muajin mars. Ahmadinexhad ka qenë në qytete të ndryshme të Shqipërisë, në Tiranë, Durrës, Berat. Ai sipas të dhënave ka kryer në Shqipëri dhe stërvitje ushtarake, siç bënin shumë të huaj në Shqipëri në atë kohë. Gjëja e veçantë në rastin e Ahmadinexhad është se ai ka qenë stërvitur edhe nga një oficere shqiptare femër. Nuk mund të mos ndihet krenar njeriu gjithsesi, kur një femër shqiptare ka stërvitur një njeri si Ahmedinexhad, i cili pavarësisht nga të tjerat, nuk mund të mohohet se është një burrë trim. Kjo femër shqiptare të shëmbëllen me një amazonë, një Shqiponjë.
Sigurisht që ekzistenca e një fëmije të Presidentit iranian në Shqipëri, është një gjë që e justifikon një investigim, duke dhunuar dhe privatësinë e këtij iraniano-shqiptari enigmatik, aq më tepër që supozohet që ai të jetë dhe një figurë e njohur politike në Shqipëri. Në botë investigime të tilla janë të njohura dhe janë bërë deri edhe ndaj personaliteteve të tilla politike si Tony Blair, për të cilin u zbulua se nuk ishte i biri natyral i prindërve të tij, porse ata e kishin gjetur pasi qe braktisur nga prindërit e tij natyralë, një çift aktorësh shëtitës. Blair më pas e pranoi edhe vetë këtë gjë. Pse të mos e ndiqte shembullin e tij edhe politikani misterioz shqiptar, aq më tepër që tash Ahmadinexhad po jep shenja se kërkon të bashkëpunojë me Perëndimin dhe veçanërisht me SHBA.
Për të filluar investigimin, unë kam siguruar një libër për Ahmadinexhadin të botuar në Britaninë e Madhe, ku ka shumë fotografi të kohës së rinisë të Ahmedinaxhadit, kur ai qe 30 vjeç, aq sa ç’ është sot djali i tij i supozuar në Shqipëri. Në investigimin tim unë do të veproj si një dishepull i Erion Veliajt, duke dhunuar privatësinë për interesa publike. Metoda që kam zgjedhur është që të krahasoj fotografinë e politikanëve të rinj shqiptarë, të moshës 30 vjeç, me atë të Presidentit Ahmadinexhad. Më pas do t’ ia le publikut të gjykojë se kush është i biri i Ahmadinexhad. Ai politikan që do të rezultojë se i ngjan Ahmadinexhadit, ka të drejtën që të japë shpjegime para se të bëhen deduksione të mëtejshme, mbi bazën e fakteve që nuk është vendi të përmenden në këtë shkrim. Kjo metodë nuk është më pak e vlefshme sa edhe përgjimi i “Fiks fare”, madje është më serioze, se ngjashmëria fotografike mund të trukohet, ashtu si audioregjistrimet, derisa është fjala për krahasimin e fotografie që gjendet në një libër të botuar nga një shtëpi botuese shume serioze në Britaninë e Madhe ku Erion Veliaj pretendon se ka marrë një master (apo mos duhet të themi është bërë master) dhe fotografisë së një personi që është aktiv në politikën shqiptare sot.
E mira do të ishte që në këtë investigim të angazhohej dhe Erion Veliaj se ai, me lidhjet që ka jashtë vendit, ku prezantohet veç të tjerave edhe si gazetar, mund të fitojë Çmimin “Pulitzer”. Unë, me një altruizëm të sinqertë profesional, do t’ ia kaloja të gjitha të dhënat që kam, në mënyrë që ai ta vazhdonte investigimin. Se ku dihet, mund të ndodhë që djali ilegal i Ahmadinexhad të jetë në partinë e Berishës, dhe kjo do ta rritë shumë kreditin e Erion Veliajt tek e majta.
Por, përtej ironisë, tash që jemi me përshtypjet e emisioneve të Aida Shtinos dhe Rudina Magjistarit, ku ka pasur edhe disa raste ku janë takuar fëmijë me baballarët e tyre që nuk i njihnin, nuk është çudi që kulmi i këtyre emisioneve të jetë takimi i një politikani shqiptar me Presidentin iranian. Sigurisht që Presidenti iranian, i cili në atë kohë ishte një djalë i ri, nuk ka pse të ketë ndonjë embarracim për këtë aventurë rinore, se gjëra të tilla ndodhin në këtë moshë në çdo vend të botës. Kjo histori nuk e cënon dinjitetin e tij. Përndryshe kjo histori ndoshta cënon reputacionin e djalit të tij shqiptar, por supozohet që ai të jetë aq i emancipuar nga paragjykimet, sa të krijojë një standard të ri emancipimi në shoqërinë shqiptare.
kmyftaraj@yahoo.com