Nga Vjollca PASKU/
Udhëtoj duke rrëshqitur nëpër fletët e romanit “VAJZA E KYÇUR” të shkrimtarit Vullnet Mato. Retinat e syve të mi ndërrojnë ngjyrë sipas refleksit të ngjarjeve, me të gjitha nuancat e spektrit të dritave qiellore.Një adoleshent që rritet në varfëri të plotë për shkak të biografisë, ecën nëpër duhmat e stinëve, duke kërkuar pak dashuri në jetën e tij, pak njerëzi nga yjet e kuq përvëlues të sistemit monist. Një ëndërr e parë nga babai tij sikur fluturonte me kalë të bardhë hapësirave te Greqisë, u bë shkak i burgosjes së tij për vite me radhë. Kjo ëndërr e gjumit dogji të gjitha ëndrrat reale të familjes së tij që u dënua me mizerjen e varfërisë. Për të lehtësuar disi varfërinë, personazhi kryesor, Veno nga Saranda shkon në stabilimentin e sharrës në Hotolisht, ku punon si operator kinemaje dhe elektriçist njëkohësisht. Dy punë për një pagë të ftohtë. Diell ngjyrë vjollce ishte dhe për të gjithë të përndjekurit e tjerë politikë, zhytur në errësirën e vetmisë,përgjuar nga veshët spiunë. Pikërisht në kushte të tilla, një agim i papritur,grisi errësirën dhe zbardhi magjinë e orakullit të qiellit. Një kambanë me tonalitete dashurie, rrahu tinguj emocionesh. Një shtat i brishtë, me një fytyrë lakore të butë, me buzëqeshjen e zambakut të bardhë lindur nga dy sytë liqenorë,ndezën fenerët e kuq të ndjenjave. Karta e dashurisë, vijëzuar në të gjitha fletërudhosjet e trurit të saj, kishte vetëm një emër Klea. Autori e përshkruan atë: e mprehtë, ironike, e përmbajtur, e rreptë, tunduese, gjithë kripë, gjithë sheqer, gjithë uthull, gjithë mjaltë teksa nëpër retë e qiellit të saj,cicëronin harabelat gëzueshëm. Në ditët e bardha të këtyre ndjenjave rinore, së pari në stabilimentin e sharrës së Hotolishtit, e më pas në atë të Stravajt, ku transferohet, harqet e degëve të pyllit formonin zemrën dhe era e gjetheve luante ritualin e dashurisë. Një mbështetje e dorës së tij, mbi dorën e saj të butë, ishte njësoj si zënia e një fluture. Një puthje e rrëmbyer, ishte një kristal çasti, që ndriti në rrjedhën pasionante të ajrit. Autori shprehet: “Sa herë mendoja për të, më dukej sikur në kokë më tingëllonin zile të argjenda dhe më drithëronin tela të ëmbël kitarash. Kjo ndjenjë e fortë lulëzonte pranverë.”Këtë dritë pranvere, u munduan ta shuajnë prindërit e vajzës me dy duhmat më të acarta të dimrit. E para feja dhe e dyta, qenia e tij i deklasuar. Por a mund të thahet pranvera e lindur mes dy shpirtrave, vetëm nga dy duhma të acarta dimri. Ligji i pranverës është lulëzimi. Tashmë fati ishte i shkruar. Edhe për Klean, vetëm një emër mbante esencën e dëlirësisë së dashurisë,”Veno” E gjithë kjo dashuri kalon nëpër linjën e provës mes dy të dashuruarve. Egërsia dhe keqtrajtimi që i bëjnë prindërit Kleas, nuk ndryshuan destinacionin e dashurisësë saj. Dhe ja një fragment nga një dialog fantastik, ku autori shpalos ndjesitë e holla mes dy te rinjve: “Pas pak, nga ahu aty pranë, ku midis gjetheve dukeshin dy çerdhe zogjsh familjarë, ra një zog sqepverdhë me krahët gjysmëlakuriq. Ai cicërinte vajtueshëm dhe unë shkova e mora në dorë. Klea kureshtare erdhi në çast dhe u ul përballë meje, me gjunjët bashkuar fort pas njëri-tjetrit. U përkul mbi zogun aq pranë, sa ndjeva frymëmarrjen e saj të vakët. Dhe të bashkuar në keqardhjen e përbashkët u ndeshëm në mënyrë të pavetëdijshme sy më sy. – Çudi, babai yt nuk i ka sytë në ngjyrë kaq të bukur !- mora zemër nga afrimi i saj. – Pse, për këtë je bërë merak ti ? – tha duke u tërhequr pak më prapa, pa iu larguar vështrimit tim. – E kam vrarë mendjen shpesh, se më kujton detin… – I ka mamaja. – tha ajo dhe rregulloi fustanin te gjunjët. – Asaj nuk ia kam vënë re. – Si ka mundësi, ti vë re çdo njeri… -Vë re atë që më pëlqen shumë… – Kuptohesh nga sytë edhe pa folur. – Ah, sa do doja që në këtë botë të më kuptoje vetëm ti!… Ajo shtrëngoi buzët me një trazim të dukshëm. – Edhe sikur të ishte ndonjë tjetër, këto fjalë do thoje ti…- Nuk ia kam thënë asnjërës deri tani dhe nuk kam për t’ia thënë sa të jemgjallë… – Mirë, mirë. Mjaft tani ! – tha për të ndërprerë trashjen e bisedës,duke e shoqëruar edhe me një lëvizje koke, që nuk kuptohej ishte pohim a mohim.- Mjaft është për ty, se për mua ka mbetur mangët e tëra… – i thashë zë ulur teksa kërkoja me ngulm një pohim të qartë. Por e mbylla gojën. Komandat e saj ishin supreme. Pas pak zbatha këpucët. Mora zogun e vura në xhepin e këmishës dhe u ngjita në pemë. Pasi e vendosa në fole, më shkrepi të bëj një lojë majmunësh. Lëshova duart nga dega ku isha varur dhe u hodha një degë më poshtë,duke shkaktuar në pemë një lëkundje të fortë. Ajo ngriti sytë e tromaksur. -Mami, moj ! – klithi padashur dhe kafshoi dorën. Po kur më pa që qesha, i erdhi turp për atë dhembshuri që tregoi padashur. Unë zbrita shpejt. U zgjata më pranë saj dhe i thashë gati duke mërmëritur: – Kaq desha të di, që ty të vjen gjynah për mua. – Gjynah më vjen edhe për atë zogun që vure atje lart, – tha ultas. – Unë jam më keq se ai. Pa fole!… – i pëshpërita sërish.” ………Pas dështimit të rastit të parë të rrëmbimit të vajzës, 25 tetori shënoi datën e paharruar të bashkimit të dy shpirtrave për të nisur udhën e përjetësisë tokësore të dashurisë. Ndërmjet qiellit dhe tokës ka vetëm një zjarr.Frymëmarrja, ajri, çastet, dihasin…Petalet e zemrës luajnë muzikën më të ëmbël të ndjenjave njerëzore. Nga ngjizja e tyre, u formua një dritëz. Parajsa e krijuar dhuron një krijesë jete, Mondën e vogël. Të gjitha zemrat e tronditura,u përulen para saj, si përpara një hyjneshe engjëllore. Ndoshta, sepse një grimcë ajri e Krijuesit të madh, ka brenda forcën e një krijese të vogël, por tepër të fuqishme, që të gjithë armiqësinë e mëparshme ta kthej në dashuri familjare. Zëri i saj ishte si belbëzimi i gonxhes së trëndafiltë. Kjo mrekulli ishte pikërisht prekja e lumturisë. Ditët galoponin nëpër erëra te ftohta diktature dhe here pas here, frika ndaj gjitarëve të kuq kthehej në makth.Ndryshku i amortizuar i luftës së klasave godet, dhe pret fatet e jetës njerëzore. Zonja Polikseni, apo mama Pola, si e thërrisnin ishte një intelektuale, që kishte mbaruar shkollën e lartë në Itali me rezultate të larta për mjekësi. Por në vend që të ishte një pedagoge e shkëlqyer, tani pastronte fjetoret e sharrëtarëve. Bashkëshorti i saj ishte arratisur në Itali. Ajo u internua fillimisht në Savër të Lushnjës bashkë me djalin e vetëm Bertin. Një tentative e bashkëshortit për t’i rimarrë fshehtas në bregdetin e Divjakës, i çon ata në Stravaj, ku ruheshin nga milingona sigurimsash. Bertin e saj të mrekullueshëm, i cili priste të shkollohej, e vranë pabesisht në repartin ushtarak me pretekstin “se donte të arratisej” kur kishte dalë nga gardhi i rrëzuar për të shkuar në kinema fshehurazi me dy shokë ushtarë.Vajtimi i mama Polës është vajtimi i Ajkunës së regjimit komunist. Dhimbja ngre stuhi lotësh dhe shtrëngata rënkimesh,dallgëzojnë ajrin. Zemra e kryqëzuar pikon helmin e qiellit të kontaminuar nga sëmundja e murtajës së kuqe. Zemërimi shkumëzon vajin dhe nata përpëliste krifën e erës.Britmat binin të copëzuara në tokë, ku ravijëzoheshin plagët e shpirtit. Ajo i drejtohet Venos, i cili kishte shkuar fshehurazi mbi varr me një kurorë të madhe, për ta ngritur mama Polën që dergjej përmbys. “Nuk kam ku shkoj… Si t’a lë djalin vetëm…Si ta lë Bertin të ma nxjerrin ujqërit nga varri…E ka gjoksin copë e çikë nga plumbat…Gjoksin që mezi ja bëra burrë. Ah, si s’vdiqa unë e para… Gjynahu ka vdekur, i pushkatuar si Berti im. Jemi një brez për të ardhur keq. Si mund të vrasë ushtari shokun e vet?… Këtë s’e bëjnë as kafshët.” Kjo copë Shqipëri e kuqe e shtyn nënën fatkeqe me zell të madh të ushtrojë vetëvrasjen e saj. Dhimbja për të fshikulloi terrin, gjethet, pemët…asnjë organizëm nuk gjente prehje. Britmën vullkanike të çangave të dhimbjes e përpiu toka. Ajo fluturoi pa aguar në përjetësi për të fertilizuar vuajtjen në paqe. Kjo ngjarje tragjike shtoi urrejtjen jo vetëm te individëve që ishin të prekur në biografi, por edhe të njerëzve të thjeshtë që kuptonin padrejtësinë e luftës së klasave. Jeta vazhdon me transferimin e Venos në Librazhd, e më pas ushtar. Por edhe në atë repart pune, e ndjekin vuajtjet e panumërueshme e të stërmundimshme të punës së rëndë në turnet e natës së kanalit, vetëm për të damkosurit në biografi. Klea pret fëmijën e dytë, jeta vazhdon me lumturinë dhe shqetësimet e vazhdueshme nga squfuri në zbehje i rendit në fuqi, deri kur diktatura mori fund me përmbysjen e statujës së udhëheqësit. Një vend të rëndësishëm në këtë vepër, zë përshkrimi mjeshtëror i peizazhit të natyrës, e cila pikturohet me puhizën e gjelbërt të flladit pyjor. Petku i saj është i çelur dhe plotë dritë për dashurinë, i errët dhe i zymtë me pëlhurë vajtimi për kobin.Shifra e deshifrimit të saj konsiston, në varësi të gjendjeve shpirtërore të personazheve të krijuar me ekspresivitet. Gjuha e komunikimit është një instrument muzikor i dashurisë, si violina e zogjve të mëngjesit që luajnë në partiturën e kohës dhe të hapësirës, mrekullinë e dashurisë. Dialogu i dashurisë eshtë i ndërtuar me drithërimat e emocioneve që përcjell drejt përdrejt transparenca e kopshtit të dashurisë. Romani ecën në dy linja,atë dashurisë, dhe të përndjekjes së rëndë klasore, e cila shoqërohet me varfërinë e sistemit. Autori është jo vetëm një kronist i gjeneratës që përjetoi sistemin më të rëndë të kohës, por edhe transmetues i mesazhit social.“Kurrë mos u përsërittë ajo kohë!” Libri “Vajza e Kyçur” është një joshje historike, që i fton lexuesit në një romancë ëndrre, ekuivalente me botën evuajtjeve. Një pol i fuqishëm magnetik, i cili me emocionet që krijon, e përpin lexuesin deri faqen e fundit. Origjinaliteti i artit të papërsëritshëm në këtëvepër, mban vetëm një vulë, atë të mjeshtërisë Mato.