Nga Mevlud Zenelhasani/Student, Fakulteti i Farmacisë/Universiteti i Mjeksisë, Tiranë /
Është premtuar shumë në prag zgjedhjesh dhe është harruar me numërimin e votës së fundit. Dibranët kanë besuar verbërisht dhe pse në këmbim vuajnë ende largësinë me Shqipërinë. Janë kaq pranë. Janë një gjymtyrë a shqisë e pamjekuar e Shqipërisë.
Por së fundi, rikthimi i “legjendës – Rruga e Arbërit”, duket se po ndiqet nga fati i mirë. Ishte dr. Gëzim Alpion, me origjinë nga Dibra, që do të merrte një nismë të re për të ngritur zërin e dibranëve. Në një nga website-t më të rëndësishme për një shoqëri të denjë, ai hartoi peticionin online për ndërtimin sa më të shpejtë dhe standarde të rrugës së Arbërit.
Rruga e Arbërit, e dëshiruar prej vitesh nga dibranët, është e vetmja mundësi për të shkurtuar distancën kilometrike deri në 70km. Mungesa e kësaj rruge bën që qytetarët dibranë të shpenzojnë 5 orë për të arritur në kryeqytet. Kjo e fundit e përkthyer në një nivel të ulët ekonomik, social e kulturor. Dibra përfaqëson rajonin më të varfër në Shqipëri. Edhe pse dy vitet e fundit vihet re një investim modest nga qytetarët dibranë, të dhënat e përgjithshme rrëzojnë gjithçka.
Kthimi i emigrantëve si pasojë e krizës ekonomike ka bërë që numri i të papunëve të rritet përtej skajeve. Vetëm një pjesë e vogel e tyre investoi në pemëtore, vreshtari dhe prodhime të tjera bujqësore. Por edhe kjo nuk rezultoi e suksesshme. Ata mbollën, korrën dhe nuk shitën. Distanca e largët dhe mungesa e infrastrukturës bëjnë që prodhimet të mos i rezistojnë udhëtimit të tyre për të mbërritur në kryeqytet.
Nuk duhet harruar që përveç kësaj plogështie ekonomike ekziston dhe një jetë e varfër social-kulturore. Mungojnë aktivitetet artistike, përfshirja në audicionet për zbulimin e talenteve të reja dhe mundësia për të promovuar shpirtin artistik dibran.
Por Rruga e Arbërit nuk është vetëm për dibranët. Është një arterje kryesore që do të lidh të gjithë truallin shqiptar ,e zemrën e tij: Dibren. Ajo afron jo vetëm qytetin e Peshkopisë, Bulqizës dhe Klosit por sjell më pranë Maqedoninë. Është një mundësi e mirë për të ruajtur lidhjet me shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë dhe jo vetëm.
Si pasojë përfitimet e kësaj rruge nuk janë vetëm rajonale dhe në rang kombëtar po edhe në atë ndëkombëtar. Kjo shfaqet dhe në dëshirën e madhe të shqiptarëve për të përkrahur peticionin online. Zërit të dibranëve i janë bashkuar qytetarë të diasporës. Në këtë peticion mungon ndarja gegë e toskë. Është e mrekullueshme të dëgjosh nga një tiranase me rrënjë këto fjalë : “Më pëlqen shumë bulevardi i blirëve të Peshkopisë!”. Duket sikur të gjithë janë bërë NJË për t’i thënë PO Rrugës së Arbërit. Dhe këtë e dëshmon firma e 4 mijtë.
Ju lutemi nënshkruani peticionin duke shkruar Emrin, Mbiemrin, Adresën e Emailit, Qytetin tuaj dhe pastaj klikoni ‘Sign’: