Ledio Xhoxhi
Studiues shkencor
Muzeu Historik Kombëtar, Tiranë/
Ismail Qemali është personalitet me rëndësi të madhe në historinë e popullit shqiptar. Me emrin e tij është i lidhur një fund dhe një fillim në këtë histori: fundi i pushtimit shumëshekullor osman dhe fillimi i lirisë dhe i pavarësisë shqiptare. Si themelues i Shqipërisë, ai hyn në radhën e atyre personaliteteve që e kanë ndryshuar historinë politike të popullit shqiptar dhe të Ballkanit në përgjithësi.
Ismail Qemali është njëri nga politikanët me prejardhje shqiptare më të suksesshëm në Perandorinë Osmane, dhe kur thuhet kështu, mendohet në karrierën e tij të gjatë politike e shtetare dhe në ndikimin e tij të madh. Ai i kishte tri parakushte për sukses politik e shtetëror: e para, kishte prejardhje fisnike, e cila shihej shumë në atë kohë; e dyta, ishte aq i pashëm mes burrave të tjerë, gjë që nuk ishte e parëndësishme në atë kohë; e treta, ishte mendjelartë dhe shquhej mes të tjerëve, gjë që çmohet gjithmonë.
Cilësitë e tij gjatë jetës krijonin baraspeshë në personalitetin e tij. Ai ishte modest, i vendosur dhe zemërgjerë, i guximshëm dhe i matur, gojëtar e largpamës. Gjykimi i tij i qartë, sjellja e tij e avashtë dhe e sigurt e bënin magjepsës personalitetin e tij.
Në sajë të cilësive të tij, Ismail Qemali arriti të bëhej prijës i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, themelues i shtetit shqiptar dhe kryeministër i Shqipërisë. Gjatë, gati gjysmëshekulli të veprimtarisë politike e shtetare në Perandorinë Osmane, ai arriti të jetë sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ministër i Jashtëm, ministër i Punëve të Brendshme, pjesëmarrës në misione të ndryshme politike e diplomatike të Perandorisë në vende të Evropës, Kryetar i Komisionit Evropian të Danubit etj. Njohja e gjendjes politike e shoqërore dhe përvoja e madhe shtetare e bëri të përzgjedhurin e sulltanit për reforma shtetërore. Cilësitë e tij e bënë njëkohësisht, edhe të dyshimtin apo të dënuarin e sulltanit, shkaku i smirës nga politikanë e diplomatë dhe i përndjekjeve që e pasuan.
Të dhënat që dihen për jetën dhe veprimtarinë politike e shtetare të Ismail Qemalit, kujtimet e tij dhe kujtimet e të tjerëve për të e tregojnë njeri me formim të gjithanshëm dhe me kulturë të gjerë. Në mendjen e tij kishte vend për të gjitha kulturat, kurse në zemrën e tij vend për të gjitha racat, të gjitha kombësitë dhe të gjitha besimet.
Megjithëse atdhetar i përkushtuar dhe krijues i shtetit shqiptar, ai kurrë nuk i keqpërdori ndjenjat kombëtare për qëllime politike. Megjithëse mysliman për nga besimi, ai kaloi jetën e tij të lumtur me gruan e besimit të krishterë dhe të kombësisë tjetër. Megjithëse politikan e diplomat në një Perandori në të cilën sundonte despotizmi oriental, me bindje e me sjellje ai ishte demokrat liberal. Marrëveshja ishte mjeti i tij politik; toleranca ishte mënyra e sjelljes së tij; humanizmi ishte etika e tij.
Liberalizmi i Ismail Qemalit ka më shumë se një burim. Burimi i parë është shkollimi i tij. Në gjimnazin e njohur Zosimea të Janinës ai mësohet “të jetojë – si thotë vetë – në frymën e lirive të botës së vjetër greke” dhe përvetësoi ide liberale të Volterit, Rusos e Lokut. Burimi i dytë janë njohuritë që kishte për Evropën Perëndimore. Ai qëndron shpesh në Angli, në Francë e në Itali, ku njeh organizimin shtetëror, sistemin ekonomik, filozofinë politike dhe qytetërimin e tyre. Burimi i tretë i liberalizmit të Ismail Qemalit është kultura e tij politike dhe historike. Ai e di se vetëm shtetet demokratike janë shtete historikisht të qëndrueshme. Ai thekson se “çdo perandori që është krijuar me shpatë në të njëjtën kohë ka mbjellë edhe farën e shkatërrimit të vet”. Për këtë arsye, për rregullimin shtetëror ai e çmon “forcën morale më të fuqishme se forcën e armatosur” por, natyrisht, forcën morale të mbështetur në ligje demokratike.
Me bindje të tilla, liberale, Ismail Qemali hyn në Lëvizjen Kombëtare për krijimin e shtetit shqiptar. Bindjet që kishte dhe cilësitë me të cilat shquhej e bënë shpejt prijësin e kësaj Lëvizjeje. Ashtu si ideologët e Rilindjes Kombëtare përpara tij, edhe ai mendoi për zgjidhjen e çështjes kombëtare përmes autonomisë në gjirin e Perandorisë Osmane. Mendoi në këtë mënyrë sepse e dinte se disa nga fuqitë e mëdha, sidomos Britania e Madhe, ishin të interesuara që kjo perandori të mbahej si një nga faktorët për mbajtjen e baraspeshës së tyre. Evropa, ndërkaq, po i afrohej luftës botërore. Kur u bind se Perandoria Osmane po përmbysej dhe se me përmbysjen e saj mund të përmbysej edhe shpresa e shqiptarëve për krijimin e shtetit të vet, ndërkohë fqinjët ballkanikë mund të copëtonin tokat shqiptare, u bind se çasti historik kishte ardhur. Ismail Qemali zëvendësoi idenë e autonomisë me idenë e pavarësisë së Shqipërisë. Njëkohësisht ai ndryshoi edhe idenë për mjetet që do të duhej të përdoreshin për aaritjen e pavarësisë: në vend të luftës politike – si i vetmi mjet, ai kërkoi luftë të armatosur – si mjet kryesor. Rrjedhimisht, veprimtaria e tij përqendrohet: e para, në bashkimin e të gjitha forcave mendore, morale e vepruese kombëtare për atë luftë dhe, e dyta, në sigurimin e mirëkuptimit të Fuqive të Mëdha për kërkesën shqiptare. Më 28 nëntor 1912 ai mbledh në Vlorë Kuvendin Kombëtar, i cili shpall pavarësinë e Shqipërisë, zgjedh Qeverinë e Përkohshme, qeveri që e zgjedh atë si kryeministër të saj.
Ky ishte shtet ende pa kufij, pa forca të rendit, pa ushtri, pa administratë kombëtare, pa ekonomi, pa financa – shtet pa kushte shteti. Por, ky shtet i porsalindur kishte dinjitetin politik, juridik dhe moral të shtetit. Institucionet e tij shtetformuese si Kuvendi dhe Qeveria, ishin sovrane në një pjesë, sado e vogël atëherë, të Shqipërisë së ardhshme. Qeveria e Përkohshme, me në krye Ismail Qemalin, bënë çmos që Shqipëria të shtrihej deri atje deri ku ishin kufijtë e saj etnikë dhe që të jetë, vërtet, e pavarur dhe e qëndrueshme.
Luftërat Ballkanike, Konferenca e Ambasadorëve në Londër, dhe më pas Lufta I Botërore, solli dëshpërim të popullit shqiptar dhe Ismail Qemalit. Jashtë kufijve të Shqipërisë mbetën më shumë se gjysma e trojeve shqiptare dhe më shumë se gjysma e popullit shqiptar. Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë j’u dhanë fushat pjellore, burime të lumenjve, qytete të zhvilluara shqiptare. Serbia i vazhdoi përpjekjet për të dalë në det përmes Shqipërisë. Mali i Zi bën çmos të rikthejë Shkodrën si pjesë të saj. Greqia nuk heq dorë prej synimeve për tu shtrirë në pjesën jugore të Shqipërisë. Italia bën politikën e pushtimit të Vlorës e të Sazanit dhe të vënies së Shqipërisë nën protektoratin e saj. Rusia e Franca, madje edhe Britania e Madhe, shteti shpresë i Ismail Qemalit, shohin si ta bëjnë Serbinë sa më të madhe, kurse Franca nuk ngurron ta shpërblejë Greqinë me qytete shqiptare, si, fjala vjen, me Korçën. Esat Pashë Toptani krijon kundërqeverinë në Durrës dhe zhvillon fushatë të hapur kundër Ismail Qemalit. Anarkia e brendshme, varfëria, analfabetizmi i shtrirë dhe zia e bukës bëhen gjithashtu rrezik për Shqipërinë dhe për qeverisjen e saj.
Fati i Shqipërisë dhe i babait të saj ishin bërë njësh. I gjetur nën trysninë e Fuqive të Mëdha për arsye se donte të ishte subjekt e jo objekt i historisë, i braktisur nga bashkëpunëtorët, i pa kuptuar nga një pjesë e madhe e bashkëkombësve, i lodhur nga mosha, i pushtuar nga një mosbesim për mundësinë e ndryshimit të shpejtë të gjendjes, Ismail Qemali më në fund lë Shqipërinë dhe rishtazi merr rrugën e mërgimit. Pesha mbi krahët e tij kishte qenë shumë e rëndë dhe ai nuk kishte mundur ta çonte më tutje. Si njeri që nuk dorëzohej lehtë, ai vazhdoi luftën për Shqipërinë atje ku e kishte filluar: në qendrat politike evropiane. Kjo luftë nuk zgjati shumë, drama e jetës së tij përfundon më 26 janar 1919.
Emri i Ismail Qemalit në historinë e popullit shqiptar mbetet përgjithmonë i shënuar si shtetari, që themeloi Shqipërinë. Ismail Qemal Vlora është shembulli i njeriut, i politikanit dhe i shtetarit në historinë e popullit shqiptar.