Nga Akri Çipa/Mesjava që shkoi premtonte të shënonte ndoshta zhvillimin më të rëndësishëm të viteve të fundit për sa i përket ecurisë së rajonit të Ballkanit drejt Bashkimit Europian. Samiti i BE-së me vendet e Ballkanit perëndimor kishte pritshmëri të mëdha dhe shpresë se mund të gjeneronte një frymë dhe energji të re në lidhje me integrimin. Për fat të keq, rezultati ishte një pesimizëm i shtuar për banorët e rajonit dhe një një event i cili rezultoi të ishte një ushtrim skolastik dhe asgjë më shumë.
Bullgaria, e cila teksa ka presidencën e Këshillit të Bashkimit Europian e organizoi këtë samit për t’i dhënë një impuls pozitiv rrugëtimit të vendeve të gadishullit, meriton të përshëndetet për përpjekjen e sinqertë. Samiti i Sofjes erdhi pesëmbëdhjetë vite pas samitit të fundit zyrtar ndërmjet BE-së dhe vendeve në fjalë (atëherë u mbajt në Selanik dhe përfshinte edhe Kroacinë si vend që akoma nuk ishte bashkuar me bllokun). Megjithatë, përtej dëshirës së mirë të Bullgarisë, hezitimi proverbial i Bashkimit Europian dhe paaftësia e lidershipit aktual për të ravijëzuar një vizion dhe strategji afatgjatë jo vetëm për rajonin, por për vetë të ardhmen e projektit europian, shuajtën çdo lloj entuziazmi.
Presidenti francez Emmanuel Macron ka meritën e përdorimit të metaforës më kreative të samitit. Ai u shpreh “në favor të ankorimit të Ballkanit në Europë dhe lëvizjes drejt Europës”. Për shkak se burokratët e Brukselit kanë tendencën të flasin për “perspektivën europiane” dhe jo për “perspektivën e BE-së”, është e pashmangshme lindja e figuracioneve të tilla butaforike si stilema e presidentit Macron. Teksa flitet për “perspektivën europiane” krijohet një imazh i gabuar me përkatësinë identitare të rajonit. Gjithsesi, ndërkohë që mëkati i këtij imazhi prek disa gjenerata liderësh të BE-së, metafora e presidentit Macron mbart në vetvete një nënkuptim edhe më negativ. Nëpërmjet “ankorimit”, presidenti francez nënkuptoi qënësinë e vendeve të rajonit si një shtojcë periferike për bllokun europian. Frenimi i shpresave qoftë edhe të përmbajtura për zgjerimin e unionit dhe integrimit të vendeve aspiruese ishte rrjedhimi logjik i diskursit të tij.
Për t’u theksuar janë edhe fjalët e kancelares Merkel, e cila u shpreh se viti 2025, të cilin Komisioni Europian e ka paraqitur si një datë të mundshme integrimi për Malin e Zi, Serbinë ose dhe vendet e tjera nëse përshpejtojnë reformat, është një “datë jo realiste”. Nga samiti në Sofje pritej të paktën të vazhdonte të ushqente shpresën e integrimit në një periudhë afatmesme – deri më sot refreni i cili, pavarësisht se gradualisht, ka sjellë zhvillime pozitive në ndërmarrjen e reformave të nevojshme në vendet e Ballkanit, sikurse dhe ka ndikuar në përmirësimin e marrëdhënieve të vendeve të rajonit me njëri-tjetrin. Lidershipi i Europës së bashkuar i dha fund kësaj politike duke u treguar kategorik përsa i përket zgjerimit. Në këtë mënyrë, e vulosi samitin e Sofjes si mbytësen e impulsëve të integrimit, përkundër pritshmërisë dhe objektivit të eventit.
Nuk duhet pritur që Bashkimi Europian të ofrojë integrim të menjëhershëm dhe pa kushte për gjashtë vendet e Ballkanit. Që vendet e rajonit kanë ende probleme me mungesën e transparencës, korrupsionin e thellë dhe strukturat e brishta të shtetit të së drejtës, kjo është e pamohueshme. Pritet ama që Bashkimi Europian të ravijëzojë një rrugë integrimi. Vetëm mbajtja ndezur e shpresës së integrimit dhe vizioni politik i BE-së për të treguar rrugën e konsolidimit të demokracisë dhe të rritjes së llogaridhënies së elitave politike mund të përshpejtojë rrugën e reformave të domosdoshme në vendet e Ballkanit perëndimor. Duke u shprehur skeptikë për procesin e integrimit, liderët e BE-së luajnë rolin e elitave të korruptuara të Ballkanit. Fjalë si ato të presidentit Macron dhe të kancelares Merkel vetëm u japin justifikime të lira politikëbërësve ballkanas. Duke iu referuar qëndrimeve të BE-së në Sofje, ata tashmë kanë legjitimitetin e pretendimit se vonesa frustruese e bashkimit të këtyre vendeve me unionin është rrjedhim i drejpërdrejtë i strategjisë (ose mungesës së saj) së vendeve anëtare për të mbyllur çdo portë zgjerimi në periudhën afatmesme. Në këtë mënyrë, BE-ja u jep politikanëve ballkanas mundësinë të shkarkojnë përgjegjësinë dhe të argumentojnë se reformat e ngadalta (ose të munguara), korrupsioni i pakontrolluar dhe mungesa e llogaridhënies janë të papërfillshme në procesin e integrimit, pasi rezultati është vendosur nga vendet anëtare të BE-së pavarësisht nga zhvillimet e vendeve të rajonit në vetvete.
Ballkani mbetet një rajon strategjikisht i rëndësishëm për të gjithë kontinentin. Çështja është që nëse Bashkimi Europian do lërë një boshllëk në gadishull, ai boshllëk do të mbushet shpejt nga aktorë që nuk ndajnë të njëjtat vlera me unionin dhe që do të sjellin rrjedhimisht edhe degjenerimin e demokracisë së brishtë të rajonit. Nuk është e vështirë të përfytyrosh një Turqi ose një Rusi që zgjerojnë rrezet e tyre të veprimit. Për të mos përmendur pastaj Kinën ose vendet e Gjirit Persik që kanë hedhur spiranca ekonomike në disa vende të rajonit. Padyshim që gjurma ekonomike e BE-së është shumë herë më e lartë se të gjithë këtyre vendeve. Por, investimi ekonomik nuk është gjithçka. Nëse, sikurse samiti i Sofjes dëshmoi, vendet e BE-së do tregojnë dritëshkurtësi strategjike ndaj rajonit duke i mbyllur portën, rreziku është që modele dhe influenca malinje të zënë rrënjë dhe të ndryshojnë busullën e vendeve ballkanike. Dhe pushtetarët e papërgjegjshëm do vazhdojnë të mbretërojnë në kurriz të popullsive respektive. Metaforat e Sofjes mund të tingëllojnë bukur në deklarata skolastike dhe në tituj mediatikë, por janë pa brendi dhe, më keq akoma, regresive për rajonin.
Ndoshta e vetmja gjë pozitive që u arrit në takimin në Sofje është premtimi për një samit tjetër të Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor. Në deklaratën e përbashkët u përfshi propozimi i Kroacisë për të zhvilluar samitin e rradhës në gjysmën e parë të vitit 2020, në periudhën kur Kroacia do të ketë presidencën e Këshillit të Bashkimit Europian. Krejt ndryshe nga vendet e shkëputura të Europës qëndrore dhe veriore, Kroacia dhe Bullgaria e kuptojnë rëndësinë e integrimit të të gjithë rajonit në projektin e përbashkët europian. Në mos gjë tjetër, të paktën takimi në Sofje na siguroi që deri në samitin e rradhës nuk do kalojnë pesëmbëdhjetë vite të tjera harrese. Por, është ë domosdoshme që natyra dhe mesazhi i samitit të ardhshëm të jenë krejt të ndryshme nga spektakli pa substancë që u pa në Sofje.