• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Samiti i metaforave të bukura dhe vizionit të munguar

May 20, 2018 by dgreca

1 akri Cipa

 Nga Akri Çipa/1 Samiti i SofjesMesjava që shkoi premtonte të shënonte ndoshta zhvillimin më të rëndësishëm të viteve të fundit për sa i përket ecurisë së rajonit të Ballkanit drejt Bashkimit Europian. Samiti i BE-së me vendet e Ballkanit perëndimor kishte pritshmëri të mëdha dhe shpresë se mund të gjeneronte një frymë dhe energji të re në lidhje me integrimin. Për fat të keq, rezultati ishte një pesimizëm i shtuar për banorët e rajonit dhe një një event i cili rezultoi të ishte një ushtrim skolastik dhe asgjë më shumë.

Bullgaria, e cila teksa ka presidencën e Këshillit të Bashkimit Europian e organizoi këtë samit për t’i dhënë një impuls pozitiv rrugëtimit të vendeve të gadishullit, meriton të përshëndetet për përpjekjen e sinqertë. Samiti i Sofjes erdhi pesëmbëdhjetë vite pas samitit të fundit zyrtar ndërmjet BE-së dhe vendeve në fjalë (atëherë u mbajt në Selanik dhe përfshinte edhe Kroacinë si vend që akoma nuk ishte bashkuar me bllokun). Megjithatë, përtej dëshirës së mirë të Bullgarisë, hezitimi proverbial i Bashkimit Europian dhe paaftësia e lidershipit aktual për të ravijëzuar një vizion dhe strategji afatgjatë jo vetëm për rajonin, por për vetë të ardhmen e projektit europian, shuajtën çdo lloj entuziazmi.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka meritën e përdorimit të metaforës më kreative të samitit. Ai u shpreh “në favor të ankorimit të Ballkanit në Europë dhe lëvizjes drejt Europës”. Për shkak se burokratët e Brukselit kanë tendencën të flasin për “perspektivën europiane” dhe jo për “perspektivën e BE-së”, është e pashmangshme lindja e figuracioneve të tilla butaforike si stilema e presidentit Macron. Teksa flitet për “perspektivën europiane” krijohet një imazh i gabuar me përkatësinë identitare të rajonit. Gjithsesi, ndërkohë që mëkati i këtij imazhi prek disa gjenerata liderësh të BE-së, metafora e presidentit Macron mbart në vetvete një nënkuptim edhe më negativ. Nëpërmjet “ankorimit”, presidenti francez nënkuptoi qënësinë e vendeve të rajonit si një shtojcë periferike për bllokun europian. Frenimi i shpresave qoftë edhe të përmbajtura për zgjerimin e unionit dhe integrimit të vendeve aspiruese ishte rrjedhimi logjik i diskursit të tij.

Për t’u theksuar janë edhe fjalët e kancelares Merkel, e cila u shpreh se viti 2025, të cilin Komisioni Europian e ka paraqitur si një datë të mundshme integrimi për Malin e Zi, Serbinë ose dhe vendet e tjera nëse përshpejtojnë reformat, është një “datë jo realiste”. Nga samiti në Sofje pritej të paktën të vazhdonte të ushqente shpresën e integrimit në një periudhë afatmesme – deri më sot refreni i cili, pavarësisht se gradualisht, ka sjellë zhvillime pozitive në ndërmarrjen e reformave të nevojshme në vendet e Ballkanit, sikurse dhe ka ndikuar në përmirësimin e marrëdhënieve të vendeve të rajonit me njëri-tjetrin. Lidershipi i Europës së bashkuar i dha fund kësaj politike duke u treguar kategorik përsa i përket zgjerimit. Në këtë mënyrë, e vulosi samitin e Sofjes si mbytësen e impulsëve të integrimit, përkundër pritshmërisë dhe objektivit të eventit.

Nuk duhet pritur që Bashkimi Europian të ofrojë integrim të menjëhershëm dhe pa kushte për gjashtë vendet e Ballkanit. Që vendet e rajonit kanë ende probleme me mungesën e transparencës, korrupsionin e thellë dhe strukturat e brishta të shtetit të së drejtës, kjo është e pamohueshme. Pritet ama që Bashkimi Europian të ravijëzojë një rrugë integrimi. Vetëm mbajtja ndezur e shpresës së integrimit dhe vizioni politik i BE-së për të treguar rrugën e konsolidimit të demokracisë dhe të rritjes së llogaridhënies së elitave politike mund të përshpejtojë rrugën e reformave të domosdoshme në vendet e Ballkanit perëndimor. Duke u shprehur skeptikë për procesin e integrimit, liderët e BE-së luajnë rolin e elitave të korruptuara të Ballkanit. Fjalë si ato të presidentit Macron dhe të kancelares Merkel vetëm u japin justifikime të lira politikëbërësve ballkanas. Duke iu referuar qëndrimeve të BE-së në Sofje, ata tashmë kanë legjitimitetin e pretendimit se vonesa frustruese e bashkimit të këtyre vendeve me unionin është rrjedhim i drejpërdrejtë i strategjisë (ose mungesës së saj) së vendeve anëtare për të mbyllur çdo portë zgjerimi në periudhën afatmesme. Në këtë mënyrë, BE-ja u jep politikanëve ballkanas mundësinë të shkarkojnë përgjegjësinë dhe të argumentojnë se reformat e ngadalta (ose të munguara), korrupsioni i pakontrolluar dhe mungesa e llogaridhënies janë të papërfillshme në procesin e integrimit, pasi rezultati është vendosur nga vendet anëtare të BE-së pavarësisht nga zhvillimet e vendeve të rajonit në vetvete.

Ballkani mbetet një rajon strategjikisht i rëndësishëm për të gjithë kontinentin. Çështja është që nëse Bashkimi Europian do lërë një boshllëk në gadishull, ai boshllëk do të mbushet shpejt nga aktorë që nuk ndajnë të njëjtat vlera me unionin dhe që do të sjellin rrjedhimisht edhe degjenerimin e demokracisë së brishtë të rajonit. Nuk është e vështirë të përfytyrosh një Turqi ose një Rusi që zgjerojnë rrezet e tyre të veprimit. Për të mos përmendur pastaj Kinën ose vendet e Gjirit Persik që kanë hedhur spiranca ekonomike në disa vende të rajonit. Padyshim që gjurma ekonomike e BE-së është shumë herë më e lartë se të gjithë këtyre vendeve. Por, investimi ekonomik nuk është gjithçka. Nëse, sikurse samiti i Sofjes dëshmoi, vendet e BE-së do tregojnë dritëshkurtësi strategjike ndaj rajonit duke i mbyllur portën, rreziku është që modele dhe influenca malinje të zënë rrënjë dhe të ndryshojnë busullën e vendeve ballkanike. Dhe pushtetarët e papërgjegjshëm do vazhdojnë të mbretërojnë në kurriz të popullsive respektive. Metaforat e Sofjes mund të tingëllojnë bukur në deklarata skolastike dhe në tituj mediatikë, por janë pa brendi dhe, më keq akoma, regresive për rajonin.

Ndoshta e vetmja gjë pozitive që u arrit në takimin në Sofje është premtimi për një samit tjetër të Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor. Në deklaratën e përbashkët u përfshi propozimi i Kroacisë për të zhvilluar samitin e rradhës në gjysmën e parë të vitit 2020, në periudhën kur Kroacia do të ketë presidencën e Këshillit të Bashkimit Europian. Krejt ndryshe nga vendet e shkëputura të Europës qëndrore dhe veriore, Kroacia dhe Bullgaria e kuptojnë rëndësinë e integrimit të të gjithë rajonit në projektin e përbashkët europian. Në mos gjë tjetër, të paktën takimi në Sofje na siguroi që deri në samitin e rradhës nuk do kalojnë pesëmbëdhjetë vite të tjera harrese. Por, është ë domosdoshme që natyra dhe mesazhi i samitit të ardhshëm të jenë krejt të ndryshme nga spektakli pa substancë që u pa në Sofje.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Akri Çipa, METAFORA, Samiti i Sofjes, vizioni

Artikujt e fundit

  • “UNË JAM ANEMONE” NJË LIBËR NË KËRKIM TË DREJTËSISË DHE DËNIMIT TË KRIMEVE SERBE NË KOSOVË
  • DRITAN ABAZOVIQ, DRITE NE ERRESIREN POLITIKE TE BALLKANIT
  • Përvoja 15 vjeçare e Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit New York
  • Lunxhëria visi me heshtje dhe kambana me gjuhë
  • Piktorja gjen optimizmin e jetës përmes ngjyrave, stili abstrakt shkon përtej mendimit
  • Po Dibres, Jo “SKAVICES”!
  • Si i grabiste regjimi komunist emigrantët
  • Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Dr. Rifat Latifi priti sot në takim shefen e Zyrës së Greqisë
  • “Arbëreshët midis realitetit dhe mitit: vështrim i shkurtër historiko-kulturor”
  • JOSHJA E PYLLIT TË KUQ
  • Nertila Sinameta mes Shqipërisë, Italisë dhe Kinës
  • SHENJTORËT SI PROMOVUES TË FQINJESISË SË MIRË
  • PRESIDENTI JOHN F. KENNEDY, BERLIN, 26 Qershor1963: “ICH BIN EIN BERLINER”, “Unë jam qytetar i Berlinit”
  • 7 KORRIK 2022, KUR “PRANVERA E PROTESTAVE” VJEN NË VERË
  • BISEDA E PRESIDENTIT BILL CLINTON ME HASHIM THAÇIN RUAJTUR NË BIBLIOTEKËN PRESIDENCIALE “WILLIAM JEFFERSON CLINTON”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT