Nga Ramiz LUSHAJ/
1.Ç’ka më bane brè, o Mehmet Berisha, me “Lotët e Diellit”?! Po ku e gjete kit’ kryetitull për librin tand? Eu, si kështu?! Edhe Dielli i Gjithësisë, simboli ynë i lashtë ilir. po kajke mbi ditët tona “vargonj…nga toka tek retë” (f. 19) sa herë kena “dimër”, kur na sheh nji kësisoj “breza të djegur” mbi një truall ndoshta pa të dytë nga pasunitë e bukuritë natyrore. E, ma andej, tek poezia “Ringjallje” (f. 40), artnon vargjet se në udhën “Ku më shtegton jeta”, “Në pafuqitë ë zbehta”, “… i lodhur / Në gjirin e shpresës”, “Në krahët e heshtjes”, kur fare pranë të vijnë “Stërpikat e vdekjes” ky, Dielli me yjet, po u shtrika “mbi qerpik” si “Krahët e pulëbardhave”…
Diku tjetër po thue se Dashuria “Diellin e ban me rè” (f. 63). Apo tek ajo poezia “Në takim” (f.73) spektron, hapësinon, prognozon: “Ritmi i hapave / Re lëshonte / Dhe pse dita / Ish me diell / Në atë afrim / Trilli përgjonte / Shteg i buzës / U bë prill”. Galaktika poetike tek poezia “Burokratit të fejuar” (f.74) që e fut dashurinë në dosje diellon me figurat “Qeshin hëna”, “Yjet në dehje”, etj.
A thue Dielli ia ka ngjye edhe me lotët e vet penën poetit Mehmet Berisha me na e shkrue një libër poetik kaq të bukur?! Plot dashuri. Krejt ndjenjë. Me dritë. Gjithë bukuri. Lotët e Diellit janë rreze, shi, vetëtima, rrufe…janë mitologji, realitet, poetikë. I duhen Tokës, edhe Njeriut. Sepse poeti tek një nga poezitë e tij, ajo “Vallë për ku? (f. 109) dijenon se të gjithë njerëzit nxitojnë, të gëzuar a të hutuar, nxitojnë për diku, në “kërkim drite”, me “ëndrra në shtigje”, për të mos “lanë penge”, për të mos mbetë “honeve në harresë”. Poeti i ka vargjet sinkron, vizion, dëshirë…”Përse kështu / Të gjithë nxitojmë / Mos jeta na erdhi / E shkurtër, e rrëmbyer /Apo nga ajo / Kur shpirtin ta largojmë / Të mos thëmi: / Na mbeti edhe kjo pa e kryer”/. Ai, si shpirt poetik, i ngre edhe një pikëpyetje kohës: Të gjithë nxitojmë / Vallë për ku? / Të gjithë nxitojmë /Pse të hutuar / Është jeta kjo / Që na hedh diku / Apo është e nesërmja / Që na ngre me duar?”/.
2.
“Njerëzore”, një titull poezie që thom se më përket edhe mue teksa e (për)malli dhe e pegasi veten në rrjedhën e saj. Poeti ujëvarit: Ecën në jetë / E kur pushon / Thua: Dje /”(f. 37). Bash nji kështu. Mbi katërdhjetë vite ma herët po më duken sikur Dje. Asokohe poeti Mehmet Berisha ishte gjimnazist i “Asim Vokshit” në qytetin e bukur alpin të Bajram Currit. E kishim “shef” të shumfishtë: I bibliotekës së shkollës, ku merrnin libra shpesh. I rrethit letrar të shkollës, ku isha i antarësuar qyshse në klasën e gjashtë të tetëvjeçares. I Gazetës së Murit “Bisqet e Gjelbra”. Aty i kam publikue vjershat e mia të para. Ende pa i çue në media të Tiranës. Ai ka qënë redaktori im i parë, botuesi im i parë. Asokohe, poeti ynë, M. Berisha, qytetar bregdrinas, nga Berisha e Brigjeve (Tropojë), na bante neve, letrarëve të rinj, të ndjeheshim “Thua: Jam Zot!”(f. 37).
Shkolla tetëvjeçare dhe e mesme “Asim Vokshi” ishte nga ato shkolla të rralla në Shqipëri që të çertifikonte kollos për në Universitet. Mjaftonte të përmendje emrin e shkollës apo të disa mësuesve e pedagogët nuk të dvetnin ma tepër. Dukej se ishin thanë të gjitha. Në historikun e saj kanë dhanë mësim gjithato personalitete të njohura: “Mësuesit e Popullit” Elez Gashi, Hasan Neza, Fahri Doçi, Mustafa Sh. Botusha. “Mësuesit e Merituar” si Ramë Mella, Elez Qerimi. Beqir Bala, Ibrahim Zhana, Mehmet Hyka, Rivë Qerimi. Veçohen edhe drejtues e mësues si Idriz Logu, Rrustem Qokaj, Rrustem Preçi, etj., etj. Ka pasë apo ende ka mesues edhe poetë, shkrimtarë, artistë të njohur si Ndoc (Anton) Papleka, Skënder Buçpapaj, Hamit Aliaj, Fatime Sokoli– Mjeshtre e Madhe e Punës”e “Mësuese e Merituar”, Feride Papleka, Haki Zllami, Bashkim Gjyriqi, Abdulla Gjongecaj, etj.
Nga dyert e kësaj shkolle me diell gjithata nxanës kanë dalë personalitete në udhën e kombit: Heroi i Demokracisë, Azem Hajdari, Lider i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit ’90, kreu shkëlqyeshëm kit’ shkollë pa u shkëput nga puna e bile tue luejt edhe rol (v. 1981) në skenën e pallatit të kulturës “Dardania” të rrethit, tek drama “Familja e Peshkatarit”. Ai mbeti simbol kombëtar me jetën, veprën e vdekjen e tij. Shkrimtari, poeti e publicisti Besnik Mustafaj, i përkthyer në disa vende të botës, ish ambasador në Francë e UNESKO, u zgjodh edhe ministër i Jashtëm i Shqipërisë në kohë ngjarjesh të mëdha historike. Biznesmeni i “Ginessit Shqiptar”, Konsull Nderi i Përgjithshëm i Japonisë në Shqipëri, “Qytetar Nderi” i Durrësit, Avni Ponari, kryente disa orë rrugë për ta ndjek kit’ shkollë me nota meritore, me talent për të shkruar e i dhanun pas sporteve, i cili i ngriti vendlindjes së vet ekipin e basketbollit “Valbona” tue e çue fituese të disa kampionateve kombëtare, kupave të Republikës, etj. Poeti, analisti, shkrimtari, gjuhëtari, ambasadori Mehmet Elezi ka kap majat e udhës së vet, veçmas me veprën akademike “Fjalor i Gjuhës Shqipe” (2006) me 41 mijë fjalë. Aktori i talentuar, prof. dr. Petrit Malaj, është rektor i Universitetit të Arteve në Tiranë. Gazetari e regjizori i ekranit televiziv Ilir Buçpapaj në RTPSH ka vend nderi në memorien kombëtare me dokumentarët e tij të shumtë e cilësorë për historinë kombëtare, kulturën panshqiptare, marrëdhaniet shqiptaro-amerikane, etj. Po e shoh se me i përmend të gjithë me kontributetet e atributet e tyre më duhen shumë faqe. Janë mbi 100 personalitete kombëtare, rajonale e lokale. Ndaj po i përmendi me emna ata që mund të më vargavijnë në mendje kësi çasti shkrimor: veprimtari, artisti, publicisti, ish deputeti Azgan Haklaj – aktualisht president i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar; poeti, shkrimtari, gazetari Arbër Ahmetaj në Zvicër, sëbashku me të vllain poet e shkrimtar, dr. Bislim Ahmetaj në Tiranë; publisti, përkthyesi e juristi Agim Nezaj – kryeredaktor i gazetas “Koha Jonë” në Tiranë; publicisti e politologu Afrim Krasniqi, ish deputet, pedagog në Tiranë e Durrës; prof. dr. Adil Neziraj, shoku im i klasës, tani ing., drejtues shkencor në Tiranë; prof. dr. Aleksandër Biberaj, ing., ish deputet, pedagog në Tiranë; prof. dr. Bashkim Lushaj, ing. “i gështenjave”në Tropojë, masivit ma të madh të tyre në Ballkan, e sot ing. i mjedisit në Tiranë; inxhinierët shkenctarë Çaush Elezi e Tahir Elezi, njëri në Tiranë e tjetri në Kinë; skulptori Isa Baliaj, poetin e njohur për fëmijë, Shkëlzen Zalli; romancieren Brunilda Zllami, poetin Lulzim Logu, prof. dr. Nezir Nokshiqin, Alfons Zeneli –drejtor i Radio Tirana; poetet Veneta Çallpani e Almona Bajrami, poetin e dramaturgun Azem Baliaj, kompozitorin Martin Progni, etj.
Një prej tyre është edhe poeti Mehmet Berisha, që pas librit me lirika “Puthja e djegur” (Tiranë, 2000), vjen me të dytin, me poezi, “Lotët e diellit” (Tiranë, 2013, 127 faqe), i financuem nga bajemiri Adil Kaloshi i Bytyçit, nënkryetar i AFCES në Austri. Mehmet Berisha ka në dorëshkrim në zyrën e tij të noterit, gati për botim, edhe 12 vëllime poetike. Titujt e tyre kanë domethanien e vet për autorin e tematikën e librave të tij: “Mos më harroni” (2004), “Prilli i ngarkuar” (2006), “2+M” (2007), “Mozaiku i dashurisë” (2007), “Ashkla zemre” (2008), “Ndaj po dal…” (2008), “Bunari i ri” (2009), “10 yjet” (2010), “Shpirti që nuk vdes” (2011), “Harresa të kujtuara” (2012), “100 copat e zemrës” (2013), “Haberet e merimangës” (2013).
Miku im, Mehmet Berisha është djaloshi i dy librave drejt nesh e i 12 të tjerëve në zyrën e tij të noterit në Tiranë, baba i tre fëmijëve: Violës, Euronit e Kushtrimit. Ai ka nderin të ketë bashkëshorten e tij nga dera e atdhetarit, pleqnarit e besimtarit Azem Hoxha (Dollapi), Hatixhen, çikën e Ali Hoxhë Dollapit, motrën e Demë Dollapit, veprimtar sakrifikues i kohës së sotme demokratike. Mehmet Berisha mbi 60 vjeçar, është i dyti ndër katër djemtë e Sylë e Rukë Berishës, vjen pas mësues Hazirit, që ka ndrrue jetë, dhe pas tij genevijnë ing. Agimi e shoferi elitar, Petriti, që i kushtohet ekonomisë familiare. Me thanë të drejtën, Mehmetit ia mora lejën me e ba publik një “sekret”: në fëmijërinë e tij është aksidentue në njanën kambë e tashti është invalid i pathyeshëm. ecën me paterica si ma i miri e ma i forti djalë, kreu Universitetin e Tiranës për Drejtësi, ka punue gjyqtar e kryetar gjykate në vendlindjen e tij e timen, në Tropojën e mrekullive natyrore e njerëzore. Tani, prej vitesh, avokat, e sëvonit, noter në Laprakë të Tiranës. Poeti Mehmet Berisha është autor i disa tekteve të kangëve të kënduara nga Sonila Malaj qyshse në klasën e parë në qytetin e Alpeve, nga Fatime Sokoli, Fatmira Breçani, etj. Ai ka shkruar edhe parodi e skeçe, disa sish me regji të Sali Doçit, Azem Baliajt, Hysni Prengëzit, etj. ka qënë sufler në disa drama në skenën e pallatit të kulturës “Dardania” të Tropojës, ka gjithato botime në mediat shqiptare ndër dekada. Si poet, është vlerësuar me çmime.
“Lotët e diellit” i poetit Mehmet Berisha me plot 85 poezi ndahet në disa cikle: Loja e dritëhijeve, Hëna e ditëve të ikura, Ik prej ëndrrës sime, Kantatë e harruar, më lini të jem ai që isha, Unë e njoh valën e lumit, Po vjen fshehtaz muzgu, Valbonën e kam me vete çdo çast, Garderoba e maskave, që në tanësinë e tyne e bajnë librin një ansambël poetik.
3.
Poeti Mehmet Berisha teksa ujëvar në rrjedhën e vet poetike “Lotët e diellit” nuk e lenë pa fol edhe për Globin (f. 117), i cili rrotullohet “Rreth boshtit të tij / Asnjëherë s’ngatërrohet / Se nuk është njeri…”/. E po të ishte i tillë? E thotë ashiqare poeti në tana ato vargje të kësaj poezie: “Do tundte Parlamentin / Për të shpikur ligje /Do digjte testamentin / Për të pushtuar brigje…”/. A thue jena të tillë?! Po, edhe ndodh. Tek “gjanat e vogla” jena mësue ngushtësisht me “ta ba të madhen”, aqsa për një vijë ujë e vret të vetin dhe për një vijë kufini shqiptar me fqinjët sllavë e helenë jo rrallë herë “mbetemi të vegjël”. Ne, Shqiptarët etnik e biblik, nuk mund ta rrotullojmë Globin se nuk i kemi fuqitë natyrore e fizike, po mundet t’i kemi në duart tona fatet tona kombëtare, udhët tona jetësore nga antikiteti ilir deri tek interneti, bota e sotme globale. Tashti jena shpërnda nëpër Glob si elektronet rreth bërthamës, e lumnisht, tue e pasë ma së forti për orbitë Shqipërinë Etnike.
Si shqiptar, rrit’ në kohën e djeshme të prirur drejt internacionalizmit proletar e në kit’ të sotmen të kapun prej kozmopolitizmit modern, boll i kena randue vetes, tokës e breznive tue u keq/edukatë: nuk jena shovinist, irridentist… Kësisoj i kena trus’ njerëzit, i kena rrudhë tokat tona etnike. Me ‘i fjalë tue u (m)burrë: kurrniherë nuk kena bā luftna pushtuesve ndaj të tjerëve… Jena kanë mbrojtës(!). Edhe në futboll mbrojtja ma e mirë është sulmi. Nejse. Shqipëria jonë, sipas kësaj mendësie jo të mirë, shkoi tue i hup tokat e veta. Nga mbi një milion km2 në antikitetin pellazgo-ilir uzgapën e çapën deri në mbi njëqind mijë km2 para tre shekujsh. Dhe, mbetëm në 28.000 km2 para njëqind vjetësh. Sot, në shek. XXI, gjithë fqinjtë na kanë marrë nga tokat tona etnike: Mali i Zi, Serbia, Maqedonia, Greqia, të cilat kur vjen puna me hy në Europën e Bashkuar (BE) i futin njana pas tjetrës e, ne, Shqipërinë e Kosovën, mbrojtëse të Europës e të Vetëvetes, na lanë pas derës (!). Ta shohim kësaj here. Këtij qershori a do jenë pjekë qershitë?!
Çka me iu thanë breznive: as si bio-histori nuk i kena ngā vetëvetes. A keni kqyr si ban njeriu i çdo vendi e kohe? Sapo lind, në ma të parën sekondë të jetës, i haparav duart, kërkon me e pushtue legenin e ujtë e me dalë prej tij. Lyp të pushtojë territore përrreth vetes. Tue kajt me të madhe i piskat kohës së lindjes: “Bota është e Imja”! Në vitet e rritjes ec kambadorë e ca-ca po nuk i del e mjaftë as oda e as shtëpia. Kur rritet me dalë me kambët e veta në oborr, me ngajt me shoqninë e vet, me ndjek arsimimet në kopsht a shkolla, lyp gjithqysh me u turravrap fushës e malit, me e djerg diellin tek kambët e veta, me i rrok malet me sy e dorën e tij. Përtej moralit, jashtë politikës, larg mëkateve: kërkon sa ma shumë territore. Prapë i thotës botës: “je e Imja”! E don për vete, për të tijët.
E jena rrit me dëshirën e madhe për me shkue nga Malësia e Gjakovës përtej Qafës së Morinës për në Gjakovë po atëherit kur ishim të rinj na thoshin se “na e ka marr Serbia…!”. As me e kapërcye Qafën e Previsë për me ra nga Çeremi i Tropojës së sotme për në Vuthaj të Plavë-Gucisë nuk mujshe kurrqysh, se thoshin: “Mali i Zi na i ka marrë Tokat Tona…”!.
Koha e komunizmit shqiptar të epokës së gurit, e pati nëpër ta ndonjë të mirë, po ndër të këqijat e tij të mëdha është fakti euro-lindor, sllavo-kuminist: Gjithçka shtetëzim deri në teprim. Toka sado që të ishte e madhe kthehej në arëz të vogël, bagëti sado që të kishe të mbeteshin vetëm një tufëz… Kur hyni Demokracia dolëm nga Malësia e Gjakovës e ramë në Tiranë, në metropolin shqiptar. Gati pa kurrgja. Pothuaj gjithçka nga e para. Plot sakrifica të ngulimit e integrimit në metropolin shqiptar. Kësisoj, sipas këndvështrimit tim shpjegimor, tue hulmue poemthin “Se vjen një ditë” (f.6) po mrizoja kumtime të tilla. “Asgjë s’është e jotja / Asgjë s’është e imja /Dhe pse mbi këtë dhè /Bashkë jemi rritë / Ishim të rinj / Tani me thinja / Se vjen një ditë…”/. E, asokohe, kur ishim të rinj thoshim kolektivisht “Asgjë s’është e jotja”(!) e tashti që jemi me thinja, ndonëse të rritur mbi kit’ dhè shqiptar, e përkthej poezinë sikur asgjë s’është “e imja”, në kuptimin se diçka na lanë trashëgim breznitë paraardhëse e tepër pak po iu lamë të tjerëve pas nesh. Se, pavarësisht sa gram ishim e çfarë gradash kishim, shiheshim disi si Numërorë të Kohës…Aspak si Pasanik të Pronës. Se kurrkush nuk na e la “hisen e komunizmit”, sipas pleqnisë të Pal Kokrrit të Neçajve, që ta ndërtonim vet, pavarësisht se dekretonim se po e ndërtojmë Atë me Forcat Tona. Ne e kishim shpirtin për mirë, vullnetin e pa sosun, sakrifica të pa fund për me e ba jetën tonë edhe ma të mirë, për me e ba “Shqipërinë të Madhe, Natyrale, Etnike”, po nuk na lanë të Tjerët, si dje në Komunizëm, edhe sot në Demokraci. Disi ka ndikue vakti se jena kanë vlla pa vlla e mbetem tue i thanë gjithkujt “vlla” në përkohësi. Po veç na ka bullnis e hujnis, na ka tjerr e bjerr, edhe fakti tjetër, edhe “një të keqe të vogël” mes nesh e kena shkye, shlye e shpague barbarisht me një të keqe ma të madhe, etj. Poeti Mehmet Berisha kumton për mirë, prej zemrës së plasur, prej zemrës së mirë: “Planetet, hapësirat / Pse janë me mijë / Si lodra fëmijësh / Ai i ka zbrit /T’ia trashëgoj / Brezit pas tij / Se vjen një ditë…”/(f. 8). Ai don me i zbrit në tokën e jetën shqiptare edhe diellin, edhe yjet e Galaktikës sonë. Gjithçka. Poeti Mehmet Berisha, miku im i prejkoshëm, tek i apelon kohës, më ngjan realisht se më drejtohet si poet misionar edhe mue krejt mirësisht: “Ti dhe unë / Që erdhëm në k’të botë / T’ua heqim shpirtërave / Padrejtësitë / Jetën të duket /Se pimë me gotë / Se vjen një ditë…”/. Dhe po vjen o Mehmet Berisha, kjo ditë e madhe, panshqiptare, euro-atlantike, sëbashku me librat e tu të mirë që na sjellin e përcjellin Diell e Tokë, Shkëlzen e Valbonë, dashuritë e kohës sonë, qëndrime ndaj padrejtësive ndaj nesh, amanetet e breznive shqiptare drejt të nesërmes.