• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Search Results for: themistokli germenji

ROLI I SALI BUTKËS NË SHPALLJEN E REPUBLIKËS SHQIPTARE TË KORÇËS

December 9, 2025 by s p

Instituti “Lumo Skendo”/

Shpallja e Vetëqeverimit Shqiptar të qarkut të Korçës më 10 dhjetor 1916 është një ngjarje madhore në historinë e Shqipërisë. Përgjatë Luftës së Parë Botërore, Shqipëria u kthye në shesh lufte të fuqive europiane ndërluftuese dhe ato ballkanike, për interesat e tyre. Nga kjo situatë përfitoi qeveria greke për të depërtuar ushtrinë e saj në Shqipëri dhe në fund të vitit 1914 Korça dhe Gjirokastra ishin të pushtuara prej saj. Ushtritë serbe arritën deri në Durrës. Ndërkohë, Shqipëria Veriore dhe Qëndrore ishin pushtuar nga Austriakët, që pasi kishin thyer serbët, kishin përparuar deri në afërsi të Korçës. Italianët kishin zënë vend në qarkun e Gjirokstrës dhe në një pjesë të Kolonjës, si edhe në ishullin e Sazanit e në Vlorë. Në tetor 1916 ustria franceze pushtoi qarkun e Korçës. Mbi ekzistencën e Shqipërisë rëndonte edhe Traktati i fshehtë i Londrës për coptimin e Shqipërisë.

Kur ushtria franceze u shtri në këtë krahinë, u ndodh përballë një lëvizje të gjerë të armatosur shqiptare, që luftonte për dëbimin nga krahina e pushtuesve grekë, sepse e konsideronte pushtimin grek si më të rrëzikshëm, jo vetëm se e kishin provuar gjatë viteve 1912-1914,për shovinizmin dhe me masakrat e pashembullta ndaj popullsisë, por edhe se Korça e Gjirokastra ishin përcaktuar në Traktatin e fshehtë të Londrës si teritore qe do t’i jepeshin Greqisë.

Forcat patriotike të qarkut të Korçës reaguan dhe e rrethuan qytetin e Korçës: çetat e Sali Butkës, që bashkëpunonin me austriakët, u shtrinë prej Kamenicë gjer në teqenë e Melçanit dhe fuqitë e Themistokli Gërmenjit, me mbështetjen bullgaro-maqedonase, nga Podgoria deri në Melçan. Të dy komandantët bënë marrëveshje për ta shtrënguar ushtarakisht Korçën dhe për ta mbajtur nën kontroll. Teqeja e Melçanit do të ishte qendër tyre e përbashkët. Komandanti Sali Butka i dërgoi autoritetit ushtarak në Korçë, kolonelit Burnazel këto kërkesa:

1)Të ngrihet flamuri shqiptar në Korçë. 2) Të çelen shkollat kombiare shqip në Korçë dhe të mbyllen shkollat greke. 3) Ushtria franceze të dalë nga qyteti i Korçës dhe të qëndrojë në Debojë, te kazermat.

( Petro Harizi, “Histori kronologjike e Qarkut të Korçës”)

Në këto rrethana të pafavorshme strategjike e ushtarake për francezët, gjeneral Sarrej dërgoi në Korçë kolonelin Deskoins me dy batalione këmbësorie dhe skuadrone kalorësie dhe një bateri artilerie, me udhëzime të qarta: “Gjenerali nuk do në Korçë as grekë të asnjë lloji, as italianë, as esatistë “

Më 23 nëntor 1916, koloneli largoi nga Korça qeveritarin grek Argjiropolos me gjithë shpurën e tij dhe shpërndau bandat e së andartëve. Dekuan e çmoi ndjenjën kombëtare shqiptare në Korçë, që sipas tij “okupacioni grek ka mundur të mos e lërë të marrë frymë, por nuk ka mundur ta mbysë”.

Më 24 nëntor, Themistokliu u paraqit tek autoritetet franceze dhe u takua me kolonelin Deskoins. Janë të famshme falët e Themistokliut: “Unë jam një patriot shqiptar. Nuk kam asnjë shkak armiqësie kundër francezëve. Nuk kam qenë kurrë kundër jush, por me ata që më dukej se garantonin lirinë e atdheut tim. Unë grekët i shikoj si armiqtë tanë më të mëdhenj. Kam marrë armët për t’i luftuar. Tash që autoritetet franceze larguan nga Korça përfaqësuesin e qeverisë greke, nuk kam më asnjë arsye për të qëndruar në mal. Vinj pra tek ju si një njeri plotësisht lojal, Kimëni në dispozicion. Nuk kërkoj gjë tjetër veçse t’ju ndihmonj e të vë në shërbimin tuaj influencën time mbi popullsitë”

Edhe nga këto fjalë atdhetare të Themistokliut, del qartë se rreziku kryesor për qarkun e Korçës ishte ai grek.

Koloneli francez Deskoins i vlerësonte kështu forcat patriotike shqiptare: “Në perëndim të Korçës, bandat austro-shqiptare të Sali Butkës. Tërësia e bandave të Sali Butkës kishte forcën e disa batalioneve franceze. Në veri të Korçës, bandat bullgaro-shqiptare të Themistokliut kishte forcën numerike të një batalioni francez. I rrethuar nga forcat luftarake shqiptare, koloneli francez bëri përçapje për të kontaktuar me Sali Butkën. Ai dërgoi tek Sali Butka një delegacion ushtarak me në krye major Masjet, bashkë me një dërgatë të qytetarisë së Korçës. Bisedimet qenë të suksesshme.

Kërkesat e Sali Butkës, datë 3 dhjetor 1916:

1. Vetëqeverimi i kazasë së Korçës do të përmbledhë provizorisht Bilishtin, Kolonjën, Oparin dhe Gorën, gjersa të çlirohen krahinat e tjera.

2. Flamuri zyrtar do të jetë flamuri i Skënderbeut me shqiponjën dykrenare.

3. Gjuha zyrtare do të jetë shqipja.

4. Do të formohet një komision prej pesë patriotësh i zgjedhur nga luftëtarë të lëvizjes kombëtare. Komisioni do të përmbushë detyrat e një qeverie me të drejtë të bëjë ligje, të emërojë e të pushojë nëpunës, të ndryshojë e të rregulojë çdo gjë që sheh të dobishme e të arsyeshme.

5. Administrata do të përbëhet nga elementë patriotë të sprovuar.

6. Gjykatoret do të veprojnë në gjuhën shqipe dhe me personel të aftë për plotësimin e detyrës.

7. Arsimi do të jetë krejt shqiptar, me baza të shëndosha kombëtare.

8. Të mbyllen gjithë shkollat propagandistike greke

9. Postat dhe telegrafat do të varen nga administrate shqiptare

10. Të formohet një polici për të mbajtur qetësinë e qytetit.

11. Të formohet një gjindarmëri shqiptare me komandantë shqiptarë për të mbrojtur vendin.

12. Komanda franceze detyrohet të mbrojë vetëqeverimin e kazasë së Korçës nga çdo kërcënim

13. Qeveria franceze merr detyrimin moral të përkrahë të drejtat e Shqipërisë dhe veçanërisht të Kazasë së Korçës në konferencën që do të mblidhet, kur të mbarojë lufta. ( P.Katro: Kush është Sali Butka, Tiranë 2020)

Themistokliu, Tefik Panariti dhe Llazo Progri, u paraqitnë në zyrën e Kolonelit Descoins dhe i dorëzuan zarfin e Sali Butkës me kërkesat e palës shqiptare. “Dje pasdreke në orën 3.30 Themistokliu dhe unë vajtëm një vizitë te Koloneli Discoins, ku gjetëm dhe Major Massiet, të cilët na pritën me një familjaritet dhe kordialitet të jashtëzakonshmë. Koloneli, duke i dhënë dorën Themistokliut, ia shtrëngon dhe i thotë: “Jam me të vërtetë i lënduar nga pritja madhështore dhe nderimet, që iu bënë Majorit Massiet dhe komisionit që dërgova te Sali Butka. Majori më bëri një përshkrim të gjallë dhe të hollësishmë të takimit të djeshmë me përshtypje të një ndjenje dashurie dhe admirimi, si për Sali Butkën ashtu dhe për sekretarin e tij me kulturë franceze dhe pour les vaillants combattants de l’Albanie. Veçanërisht më ka bërë përshtypje përmbajtja e letrës së Sali Butkës me konditat e tij të inspiruara nga një ndjenjë e lartë atdhedashurie dhe të cilat n’ esencë nuk ndyshojnë nga ato që kemi biseduar bashkë. Dua t’ju çfaq gëzimin tim për këtë gjë dhe të na konsideroni paskëtaj, që të dyve, si miqtë tuaj më të sinqertë. Konditat e Sali Butkës (të cilat ua tregoi) po i studioj me vërrejtje dhe do t’ia përcjell kryetarit tim, me një raport të gjatë shumë të favorshmë, se forcojnë dhe konsolidojnë dhe veprën tuaj”.

Koloneli Deskoins i pranon në librin e tij “Gjashtë muaj histori të Shqipërisë” propozimet e Sali Butkës dhe kthesën që bënë propozimet e tij për shpalljen e Vetëqeverimit shqiptar të Korçës.

“Ky evolucion do të kishte mundur të bëhej shkallë-shkallë, sikur një përçapje personale e Sali Butkës, i cili nga teqeja e Melçanit vëzhgonte dhe ndiente edhe vetë aspiratat e bashkatdhetarëve të vet, të mos kishte ardhur e shkaktuar rrëkëllyerjen e përshpejtuar të ngjarjeve. Në mbrëmjen e 3 dhjetorit, mora nga ai një letër, në të cilën ai më shpallte se ishte krejt i disponuar të linte armët, në qoftë se komanda proklamonte pavarësinë e Kazasë së Korçës, nën mbrojtjen ushtarake të Francës. Kuptohet vetiu se unë nuk isha kompetent për të marrë vendimin, që dëshironte Sali Butka, por ishte detyra ime të studioja në mënyrë sa më të plotë çështjen e t’i jepja Gjeneralit Kryekomandues të gjithë elementet e vendimit që do të mirrte në këtë mes”- Kolonel Desoins.

Koloneli Deskoins i shqyrtoi kërkesat e Sali Butkës nga pikëpamja ushtarake , dmth shqyrtoi pasojat që pranimi ose refuzimi i propozimeve të Sali Butkës do të kishte mbi operacionet e ushtrive aleate në Lindje. Ai ia drejtoi çështjen, bashkë me arsyetimin e tij, kryekomandantit Sarrej në Selanik dhe mori prej tij përgjigje pozitive, që miratonte pikëpamjet e Deskoins-it dhe kërkesat e Sali Butkës. Menjëherë thirri Themistoklinë dhe i kumtoi dy telegramet nga Selaniku. Koloneli jep një vlerësim të lartë dhe prekës për Themoistokliun: ”Kënaqësia e tij qe nga më të thellat. Edhe me të vërtetë , ai shihte të realizuar ëndrrën e tij, pavarësinë e vendit të tij, e ai do të ishte farkëtari kryesor i kësaj ngjarjeje historike”

Komandanti ushtarak Dekuan i ktheu përgjigje pozitive, Sali Butkës:

“Zotit Sali Butka

Komandant i Luftëtarëve Vullnetarë Shqiptarë, Melçan

Sipas instruksioneve të marra nga Kryekomandanti i Ushtrive Aleate të Lindjes, Gjenerali Sarrej, kam nderin të vë në dijeninë tuaj se komanda aleate e sheh me sy të mirë dhe e çmon lëvizjen tuaj patriotike për të drejtat e popullit shqiptar për liri dhe indipendencë. Gjithashtu, mori parasysh dëshirat e shfaqura në letrën tuaj të datës 3 të këtij, të cilat i gjeti të arsyeshme dhe jam i autorizuar t’ju komunikoj pëlqimin dhe aprovimin e tij. Pranoni, zoti Komandant shprehjet e konsideratës sime më të shquar.

Kolonel Dekuan

Komandant i Qarkut të Korçës” .

Sali Butka u gëzua nga plotësimi i konditave të propozuara:

“Zoti major,- i shkruan majorit Masjet,- jam shumë i kënaqur nga përgjigja e zotit gjeneral dhe ju lutem t’i shkruani për mirënjohjen time të thellë, bashkë me urimet e mia për fitoren e fuqive aleate. Gjithashtu, ju lutem t’i bëni nderime zotit kolonel dhe ta siguroni mbi besnikërinë time. Qysh sot jam shpirtërisht i bashkuar me ju dhe pres rastin e volitshëm të vihem plotësisht në radhët tuaja”-Sali Butka

Kronikani Petraq Katro, ne librin “”Kush ishte Sali Butka”, Tiranë, dhjetor 2020, shkruan:

“Ditën e shtunë në mëngjes, vjen Sabri Panariti i dërguar nga Themistokliu dhe na lajmëroj në mënyrë konfidenciale se konditat tona u pranuan dhe se do të na i bënte njoftimin zyrtarisht. Sabriu na tha gjithashtu se të nesërmen më 10 dhjetor do të nënëshkruhet një protokoll për vetëqeverimin e Kazasë së Korçës, do të ngrihet flamuri kombëtar dhe do të zgjidhet një këshillë qeveritare.

Koloneli Deskoins së bashku me shtatmadhorinë e tij dhe Themistoliun punuan gjithë natën dhe hartuan dokumentin e shpalljes të vetëqëverimit të kazasë së Korçës, që, sipas Deskoins, do të përbënte në një farë mënyre “Statusin themeltar të Shtetit autonom të Korçës”(Deskoins “Gjashtë muaj histori të Shqipërisë, Paris”

Në Protokollin e datës 10 dhjetor 1916, sanksionohet: “Sipas dëshirës së popullit shqiptar, të cilën e rrëfeu me anë të përfaqësonjësve të tij, Kazaja e Korçës, bashkë më qarqet e Bilishtit, Oparit dhe Gorës, formojnë krahinën vetëqeveritare të Korçës për t’u qeverisur prej qeveritarëve shqiptarë, nënë mbrojtjen e komandës së ushtrisë Franceze”. (protokolli i 10 dhjetorit 1916)

Kazanë do ta qeveriste një komision prej 14 shqiptarësh, 7 të krishterë dhe 7 myslimanë, gjuha zyrtare do të ishte gjuha shqipe, flamuri shqiptar i Skënderbeut, me një kordhele tringjyrësh të Francës. Themistokli Gërmenji u emërua shef i Policisë, ndërsa Petro Harizi u zgjodh sekretar i Përgjithshëm i Këshillit qeveritar.

Dekuani e përshkruan kështu momentin kur u shpall publikisht Protokolli:

“Themistokliu doli në ballkon, iu drejtua popullit me një fjalim dhe, në mes brohoritjesh, shpalosi flamurin e Skënderbeut, kravatuar me ngjyrat franceze, në vendin ku ditë më parë valonte flamuri grek”.

Ky ishte një akt historik tejet i rëndësishëm në historinë e Korçës dhe të Shqipërisë, sepse afirmonte karakterin etnik shqiptar të krahinës së Korçës dhe administrimin e saj nga shqiptarët, ishte një marrëveshje me përmbajtje politike dhe ushtarake e arritur mbi baza pariteti dhe interesi të ndërsjelltë, por me vlera kombëtare për ne, jo vetëm për në atë moment, por edhe më vonë gjatë përballjeve në Konferencën e Paqes, që Korça t’i mbetej përfundimisht Shqipërisë. Edhe vetë francezët ishin të interesuar për një marrëveshje të tillë. “Për të shpëtuar nga rreziku i komprometimit të gjendjes sonë në Korçë, ne duhet të bënim diçka, që popullsia shqiptare të lidhej me ne në mënyrë të pakundërshtueshme dhe përfundimtare”- shkruante Deskoins.

Po ashtu edhe gjeneral Sarrej i telegrafonte Ministrisë së punëve të Jashtme të Francës në mars 1917: ”Korça deshi të ishte e pavarur dhe e tillë u bë. Qysh atëherë në këtë krahinë mbretëron qetësia” (Historia e popullit shqiptar, 2007)

Në këtë arritje historike ndihmuan edhe patriotët e shquar te Korçës e të Kolonjës si Petro Harizi, Petraq Katro, Thoma Katundi, Dr.Mborja, Tefik Panariti, Nilollaq Zoi, Baba Zylfo, Qazim Panariti, Hajdar Kolonja, Hysen Nikolica etj.

Shpallja e Vetqeverimit Shqiptar te kazasë së Korçës e shpëtoi qarkun e Korçës nga okupimi grek, e bashkoi atë me Shqipërinë dhe ndikoi mëpasnë vendimmarrjen e Fuqive të Mëdhanë Konferencën e Paqes, që Korça t’i mbetej Shqipërisë.

Uran Butka

Filed Under: Kronike

Një udhëtim përmes kujtesës dhe vetëdijes kombëtare

October 29, 2025 by s p

Shënime mbi triologjinë “Pikëtakime historike, kulturore dhe identitare” nga Dorian Koçi.

Libri me tre vëllime “Pikëtakime historike, kulturore dhe identitare” i Dr. Dorian Koçit përbën një ndër kontributet më të rëndësishme në historiografinë dhe mendimin kulturor bashkëkohor shqiptar. Ai nuk është thjesht një përmbledhje studimesh, por një udhëtim reflektues që ndërthur historinë me kujtesën, kulturën me identitetin dhe shkencën me përsiatjen filozofike mbi qenien shqiptare në rrjedhën e qytetërimit europian. Dr. Dorian Koçi është historian, studiues dhe autor i disa veprave kushtuar historisë, kulturës dhe identitetit kombëtar shqiptar. Ai ka shërbyer si drejtor i Muzeut Historik Kombëtar(2017-2023) dhe është i njohur për kontributet e tij në fushën e muzeologjisë, kujtesës historike dhe studimeve kulturore.

Me një qasje ndërdisiplinare që bashkon historinë, letërsinë dhe antropologjinë kulturore, Dr. Koçi ka botuar një sërë studimesh që synojnë të ndriçojnë rrugëtimin e shqiptarëve në kontekstin e qytetërimit europian dhe të afirmojnë rolin e tyre në historinë e rajonit. Kjo vepër e gjerë, e ndarë në tre vëllime dhe që autori synon për ta zgjeruar me të tjera vëllime, synon të ndriçojë mënyrat përmes të cilave shqiptarët kanë ndërtuar vetëdijen e tyre historike dhe kombëtare në shekuj, duke e lidhur këtë proces me zhvillimet e mendimit europian, ndikimet kulturore ndërkufitare dhe përvojat e bashkëjetesës fetare. Nëpërmjet një metodologjie ndërdisiplinare që bashkon analizën historike, interpretimin letrar dhe përqasjen muzeologjike, autori krijon një tablo të gjerë të përpjekjeve të kombit shqiptar për të afirmuar identitetin e vet në skenën europiane.

Vëllimi I: Mesjeta arbëre dhe fillesat e vetëdijes kombëtare

Vëllimi i parë i “Piketakimeve” hapet me një analizë të thelluar mbi Mesjetën arbëre si periudhë themeluese të identitetit politik dhe kulturor shqiptar. Në kapitullin e parë, “Mesjeta Arbëre dhe impakti i saj në idenë kombëtare”, Dr. Koçi shqyrton faktorët që e bënë këtë periudhë burim frymëzimi për mendimin kombëtar të mëvonshëm — nga Statuti i Drishtit si shembull i hershëm i vetëqeverisjes qytetare, deri te koalicioni i Skënderbeut me Papën Kalisti III dhe aleatët europianë në përpjekjen për mbrojtjen e krishterimit.

Një pjesë e veçantë i kushtohet ndikimit të shkollës austriake të mendimit mbi albanologjinë, përmes figurës së Milan Šuflay-t, si dhe mënyrës se si kërkimet e tij ndihmuan në ndërtimin e një paradigme të re të identitetit historik shqiptar.

Kreu vijues, “Imazh dhe identitet”, përqendrohet në mënyrën si udhëtarët e huaj — Byroni, Leake, Lear e Durham — e perceptuan Shqipërinë dhe shqiptarët, duke formësuar në mënyrë të tërthortë edhe vetëdijen që shqiptarët krijuan për veten në raport me botën perëndimore. Në kapitujt pasues, autori ndalet në fillesat e nacionalizmit shqiptar, në përpjekjet e Rilindësve për ta shkrirë përkatësinë fetare në vetëdije kombëtare, si dhe në rolin që luajtën figurat si Naim Frashëri, Jeronim De Rada, Andon Zako Çajupi apo përkthimet e hershme të Child Harold-it në formësimin e një humanizmi kombëtar me prirje europiane.

Vëllimi mbyllet me një analizë të hollësishme mbi shqiptarët në periudhën e Luftës së Parë Botërore, ku përmes dokumenteve arkivore dhe objekteve muzeale, zbulohet ndikimi i Austro-Hungarisë dhe Italisë në formësimin e shtetit të ri shqiptar.

Vëllimi II: Nga mugëtirat e Mesjetës te shtetformimi modern

Vëllimi i dytë zhvendos fokusin drejt një periudhe kalimtare, ku kujtesa mesjetare ndërthuret me përpjekjet për modernitet. Në kreun e parë, “Nëpër mugujt e Mesjetës Arbëre”, Dr. Koçi ndriçon trashëgiminë artistike dhe fetare përmes monumenteve si kisha romaniko-gotike të Shqipërisë së Epërme apo Kisha e Shën Athanasit të Muzakajve në Kostur. Këto analiza plotësohen me një qasje kulturore ndërkombëtare që përfshin marrëdhëniet arbërore-hungareze gjatë “Motit të Madh” dhe praninë e figurës së Skënderbeut në botën gjermanike, duke nxjerrë në pah përmasën europiane të çështjes arbëre që në shekullin XV.

Në kreun “Art dhe etnos shqiptar”, autori sjell në vëmendje vlera të jashtëzakonshme të trashëgimisë materiale dhe shpirtërore shqiptare — nga ikonat e Onufër Qipriotit dhe argjendaritë e Lunxhërisë deri te poetët orientalë si Sulejman Naibi — duke dëshmuar ndërthurjen harmonike të Lindjes dhe Perëndimit në kulturën shqiptare. Kapitujt pasues rrokim periudhën e Pavarësisë dhe konsolidimit shtetëror, përmes figurave si Naum Veqilharxhi e Ismail Qemali, apo përmes episodeve më pak të njohura, si roli i ushtarakëve holandezë në krijimin e xhandarmërisë shqiptare.

Një vend i rëndësishëm zë trajtimi i çështjes së multikulturalizmit dhe imazhit të gruas shqiptare në kulturën europiane të shekullit XIX, një fushë ku autori ndërthur historinë e mendimit me ikonografinë dhe artin vizual. Vëllimi mbyllet me “Nokturnet historiko-letrare”, reflektime të hollë që lidhin universin e letërsisë me historinë kombëtare — nga simbolet e universalizmit europian te ndikimet e Child Harold-it në krijimtarinë e Kadaresë, duke dëshmuar vazhdimësinë e mendimit humanist shqiptar.

Vëllimi III: Nga Rilindja Europiane te bashkëkohësia shqiptare

Vëllimi i tretë i “Pikëtakimeve” është më sintetizues dhe njëherësh më reflektues, pasi bashkon figurat, idetë dhe motivet e tre epokave historike në një mozaik të vetëdijes europiane shqiptare. Në kapitullin e parë, “Nga Mesjeta në Rilindjen Europiane”, trajtohen tema që lidhin humanizmin shqiptar me atë europian: figura e Leonardo da Vinçit dhe lidhjet me familjen Arianiti, humanisti arvanitas Mikel Maruli, apo përqasja ndërmjet Pjetër Budit dhe Manoli Blessit luftëtarit dhe poetit arvanitas, bashkëkohës të Budit. Një analizë e veçantë i kushtohet historianit gjerman J. F. Fallmerayer dhe debatit mbi origjinën e shqiptarëve, temë që autori e shqyrton me qasje kritike e të balancuar.

Në kapitujt “Art dhe etnos shqiptar” dhe “Nga pavarësia drejt shtetformimit”, Dr. Koçi na udhëheq drejt trashëgimisë muzeale shqiptare — nga thesaret e Voskopojës, rasti i Elena Gjikës, te figurat patriotike si Selam Musa Salaria, Veli Hashorva apo martirin e Luftës së Parë Botërore. Themistokli Gërmenjin. Përmes dokumenteve dhe objekteve muzeore, krijohet një rrëfim i gjallë i patriotizmit dhe i përpjekjeve për modernizim politik e kulturor.

Në kapitullin “Multikulturalizëm dhe kulturë në etnosin shqiptar”, autori vendos në dialog artin dhe historinë, duke interpretuar piktura, gravura e objekte muzeale si dëshmi të shtresëzimeve identitare të shqiptarëve në hapësirën mesdhetare e ballkanike.

Në përmbyllje, “Nokturnet historiko-letrare” risjellin reflektime mbi raportin midis historisë dhe letërsisë, përmes një leximi krahasues të Kadaresë dhe Kazanzaqisit, reflektimit të poezisë të Frederik Rreshpjes dhe prozës të Sulejman Krasniqit — si dëshmi e vazhdimësisë së mendimit letrar si formë e rezistencës kulturore.

Një trilogji e vetëdijes kombëtare dhe europiane

Në tërësi, “Pikëtakime historike, kulturore dhe identitare” përbën një trilogji të vetëdijes kombëtare shqiptare. Dr. Dorian Koçi, përmes një gjuhe të matur, por të pasur në përftesa konceptuale, e vendos historinë shqiptare në rrjedhat e qytetërimit europian pa kompleks inferioriteti dhe pa mitizim. Ai rikthen në qendër figurat, objektet dhe ngjarjet që përbëjnë rrënjën e identitetit tonë dhe i interpreton ato në dritën e mendimit bashkëkohor.

Ky botim, më shumë se një vepër studimore, është një ftesë për reflektim mbi mënyrën se si e njohim dhe e përjetojmë historinë. Ai ndërton ura midis brezave, midis Lindjes dhe Perëndimit, midis kujtesës dhe modernitetit — duke e bërë “Piketakimet” një pikë reference për të gjithë ata që kërkojnë të kuptojnë më thellë rrugëtimin e kombit shqiptar drejt vetëdijes europiane.

( Gazeta Dielli )

Filed Under: LETERSI

Henry Charles Woods – Gazetari dhe diplomati britanik, zëdhënës i flaktë i çështjes shqiptare

October 28, 2025 by s p


Henry Charles Woods – Gazetari dhe diplomati britanik, zëdhënës i flaktë i çështjes shqiptare


Nga NDREK GJINI 

MA, University of Galway, Ireland



Fillimet dhe formimi akademik

Henry Charles Woods lindi më 18 maj 1881 në Danehill, një fshat piktoresk në Sussex, Angli, afër qytetit të Mançesterit. Që në fëmijëri, ai tregoi një interes të jashtëzakonshëm për gjuhët, historinë dhe gjeografinë, duke u dalluar për aftësitë intelektuale dhe kureshtinë e tij. Arsimimin fillor dhe të mesëm e ndoqi në institucione prestigjioze lokale, ku u dallua si nxënës i shkëlqyer. Më pas, u regjistrua në Universitetin e Mançesterit, një nga qendrat kryesore akademike të kohës, ku studioi filozofi dhe arte. Në vitin 1903, ai përfundoi studimet universitare me rezultate të larta, duke marrë dy tituj doktorature: një në filozofi dhe një tjetër në arte.

Në fillim të viteve 1900, Woods u anëtarësua në Shoqërinë Mbretërore Gjeografike (Royal Geographical Society – R.G.S.), një institucion elitar që do të luante një rol të rëndësishëm në formimin e tij si eksplorator dhe studiues. Anëtarësimi i tij në R.G.S. i dha mundësinë të krijonte një rrjet të gjerë kontaktesh dhe të merrte pjesë në diskutime mbi çështje gjeopolitike dhe kulturore të kohës. Kjo bazë e gjerë njohurish dhe lidhjet me figura të rëndësishme akademike e diplomatike i hapën rrugën për një karrierë të larmishme, që përfshinte gazetarinë, diplomacinë dhe studimet akademike.

Nga gazetaria drejt Ballkanit

Karriera profesionale e Woods-it filloi në vitin 1905, kur ai u angazhua si korrespondent special për disa gazeta britanike. Në moshën 24-vjeçare, ai udhëtoi për herë të parë në Perandorinë Osmane, duke raportuar për Foreign Office-in britanik dhe R.G.S.-në mbi zhvillimet politike dhe sociale në Turqi. Në 1906, ai vizitoi përsëri Turqinë dhe Bullgarinë, duke zgjeruar njohuritë e tij për rajonin e Ballkanit. Nga viti 1908 deri në 1924, Woods u bë një figurë qendrore në redaksinë e Manchester Guardian (sot The Guardian), një nga gazetat më prestigjioze të Britanisë së Madhe. Gjatë kësaj periudhe, ai punoi gjithashtu për botime të tjera të njohura si Evening News, The Graphic, Daily Express, Weekly Dispatch dhe The Times, duke u afirmuar si një gazetar i specializuar në politikën ndërkombëtare, me fokus Evropën Lindore dhe Ballkanin.

Si korrespondent, Woods publikoi qindra artikuj dhe analiza, të cilat shquheshin për objektivitetin, thellësinë dhe ndjeshmërinë ndaj çështjeve komplekse gjeopolitike. Në 1911, Foreign Office e dërgoi në territoret shqiptare të Perandorisë Osmane për të hetuar situatën pas shtypjes brutale të kryengritjeve shqiptare kundër xhonturqve. Udhëtimi i tij përfshiu qytete dhe krahina si Manastiri, Korça, Gjirokastra dhe Kosova, ku ai u trondit nga mizoritë e ushtrisë osmane ndaj popullsisë civile. Ai dokumentoi me hollësi dhunën, vuajtjet dhe rezistencën e shqiptarëve, duke u bërë një dëshmitar okular i rëndësishëm i këtyre ngjarjeve.

Gjatë këtij udhëtimi, Woods njohu figura të shquara të lëvizjes kombëtare shqiptare, përfshirë Themistokli Gërmenjin, Mihal Gramenon, Hasan Bitinckën, Stavre Karolin dhe Teufik Panaritin. Me ndikimin e tij diplomatik dhe bashkëpunimin me filantropin amerikan Charles R. Crane, ai ndihmoi në lirimin e këtyre patriotëve nga burgjet osmane, duke fituar respektin dhe mirënjohjen e komunitetit shqiptar.

The Danger Zone of Europe

Përshtypjet dhe vëzhgimet nga udhëtimet e tij në Ballkan u përmblodhën në librin The Danger Zone of Europe (1911), një vepër që analizonte tensionet politike dhe shoqërore të rajonit. Në kapitujt kushtuar Shqipërisë, Woods përshkroi me detaje dhunën e ushtrisë osmane dhe përpjekjet e shqiptarëve për vetëvendosje. Ai paralajmëroi se pa një zgjidhje të drejtë për çështjen shqiptare, Ballkani do të mbetej një burim i përhershëm konfliktesh. Libri u prit mirë nga qarqet akademike dhe diplomatike për qartësinë dhe objektivitetin e tij, duke e vendosur Woods-in si një ekspert të njohur të rajonit.

Miqësia me Ismail Qemalin dhe refuzimi diplomatik

Në korrik 1913, pas Konferencës së Ambasadorëve në Londër, e cila krijoi Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit dhe anashkaloi Qeverinë e Përkohshme të Vlorës, Ismail Qemali, kryeministri i Shqipërisë, i dërgoi një telegram Woods-it, duke i kërkuar të përfaqësonte interesat shqiptare në Londër. Woods e pranoi ofertën me nder dhe entuziazëm, duke e konsideruar një mundësi për të ndihmuar popullin shqiptar. Megjithatë, për shkak të mungesës së miratimit nga qeveria britanike, ai u detyrua të refuzonte. Në letrën e tij të datës 9 gusht 1913, drejtuar Ismail Qemalit, Woods shprehu keqardhjen e tij të thellë dhe e përshkroi popullin shqiptar si “viktimë të padrejtësive të fuqive që vlerësojnë interesat e tyre materiale mbi lirinë e kombeve të shtypura”. Ky qëndrim e bëri atë një figurë të dashur për patriotët shqiptarë dhe forcoi lidhjet e tij me personalitete si Ismail Qemali, Mehmed Konica, Nuredin Bey Vlora dhe Fotion Turtulli.

Udhëtimet në Shqipëri dhe raportimet për Evropën

Në fund të 1913-s dhe fillim të 1914-s, Woods u kthye në Shqipëri si gazetar dhe mik i afërt i qeverisë shqiptare. Ai vizitoi Beogradin, Cetinjen, Durrësin, Korçën, Beratin dhe Vlorën, shpesh në shoqërinë e Ismail Qemalit. Gjatë këtyre udhëtimeve, ai dokumentoi mizoritë greke në krahinat jugore si Korça, Kolonja dhe Gjirokastra, si dhe vuajtjet e refugjatëve shqiptarë të zhvendosur nga konfliktet. Raportet e tij, të publikuara në gazeta prestigjioze londineze dhe të dërguara në Foreign Office, shquheshin për ndershmërinë dhe humanizmin e tyre, duke ndikuar në formimin e opinionit publik britanik.

Në nëntor 1914, si i dërguar special i The Times, Woods qëndroi një javë në Shqipëri dhe botoi artikuj të fuqishëm që denonconin pushtimet e huaja dhe shkeljet ndaj sovranitetit shqiptar. Këto shkrime tronditën qarqet diplomatike në Londër dhe nxitën debate mbi politikën e Fuqive të Mëdha në Ballkan. Ai u largua nga Vlora më 14 nëntor 1914 me anije, duke lënë pas një trashëgimi të raportimeve të vlefshme.

Botimet mbi çështjen shqiptare

Gjatë Luftës së Parë Botërore, Woods shërbeu si korrespondent luftë dhe diplomat për gazeta si Weekly Dispatch dhe Evening News. Në këtë periudhë, ai botoi disa vepra të rëndësishme që e bënë atë një figurë të njohur në qarqet akademike dhe diplomatike. Ndër to përfshihen: War and Diplomacy in the Balkans (1915), një analizë e politikës dhe konflikteve në rajon; Communications in the Balkans (1917), një përmbledhje raportesh dhe shënimesh historike; Albania and the Albanians (1918), ku e paraqet Shqipërinë si një faktor kyç për stabilitetin ballkanik; dhe The Cradle of the War (1918), që shqyrton shkaqet e konfliktit global dhe rolin e Ballkanit.

Në 1917, Woods u ftua nga Federata Pan-Shqiptare “Vatra” dhe gazeta Dielli në Shtetet e Bashkuara. Në mitingun e 29 dhjetorit në Lawrence Hall, Boston, ai u nderua si “miku më i madh i shqiptarëve në Londër”. Po atë vit, ai organizoi një darkë madhështore në Londër për delegatin shqiptar Mehmed Konica, të zbukuruar me flamuj shqiptarë të sjellë nga etnografia e njohur Edith Durham. Në këtë darkë morën pjesë mbi 40 personalitete të shquara britanike dhe shqiptare.

Rikthimi në Shqipëri dhe vitet e fundit

Pas 13 vitesh, Woods u kthye në Shqipëri më 21 prill 1927, duke mbërritur në Korçë nga Selaniku dhe Sofja. Gjatë qëndrimit të tij tre-ditor, ai vizitoi Tiranën dhe Shkodrën për të vlerësuar situatën politike dhe kërcënimin jugosllav ndaj kufijve veriorë. Në Tiranë, intervistoi kolonelin britanik W.F. Stirling dhe takoi figura si presidenti Ahmet Zogu, diplomatët Mehdi dhe Mit’hat Frashëri, si dhe zonjën Carnarvon, një mbështetëse e çështjes shqiptare. Ky udhëtim i fundit e frymëzoi të shkruante një libër të ri, botuar në tetor 1928, pak para shpalljes së Mbretërisë Shqiptare, ku përshkroi përparimet e Shqipërisë republikane dhe sfidat e saj.

Woods vazhdoi të shkruante dhe të mbante ligjërata në institucione britanike, përfshirë R.G.S.-në, deri në vitet e fundit të jetës. Ai ndërroi jetë në Londër më 1939, në moshën 58-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë. Arkivat e tij, përfshirë shënimet e udhëtimeve nga 1905 deri më 1925 dhe më tej, ruhen në arkivat e R.G.S.-së dhe mbeten një burim i çmuar për studiuesit.

Trashëgimia intelektuale dhe humanitare

Henry Charles Woods mbetet një nga figurat më të nderuara të publicistikës dhe diplomacisë britanike për Ballkanin. Me artikujt, librat dhe ndërhyrjet e tij diplomatike, ai ndihmoi në ndërgjegjësimin e opinionit perëndimor për padrejtësitë ndaj popullit shqiptar dhe potencialin e Shqipërisë për stabilitet rajonal. Si një zë i rrallë i ndërgjegjes evropiane, ai pa te shqiptarët një simbol të rezistencës për liri dhe dinjitet në një kohë të trazuar të shekullit XX. Miqësia e tij me patriotët shqiptarë dhe angazhimi i tij i palëkundur për çështjen e tyre e bëjnë atë një figurë të paharrueshme në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-britanike.

Filed Under: Histori

Pandeli Cale – Dritë e pashuar e kombit shqiptar

October 23, 2025 by s p

Gjon F. Ivezaj /

Në mozaikun e ndritur të historisë sonë kombëtare, ndër figurat që ndriçojnë më fuqishëm me dritën e atdhedashurisë dhe të përkushtimit ndaj çështjes shqiptare qëndron Pandeli Cale, një ndër firmëtarët e Aktit të Pavarësisë dhe themeluesit e shtetit shqiptar. Ai përfaqëson brezin e burrave të Rilindjes që nuk kursyen asgjë për lirinë, dinjitetin dhe përparimin e Shqipërisë.

Pandeli Cale lindi më 28 mars 1879 në Korçë, një qytet që në fund të shekullit XIX ishte bërë qendra shpirtërore dhe kulturore e kombit. Familja e tij, e njohur për ndershmëri e kulturë qytetare, e rriti në frymën e punës, të dijes dhe të dashurisë për vendin. Babai i tij ishte njeri i përkushtuar ndaj arsimit dhe i respektuar në rrethin shoqëror të Korçës, ndërsa nëna e tij, grua e urtë e besimtare, i mbolli në shpirt djalit dashurinë për gjuhën shqipe, besën dhe virtytin e shqiptarit. Ai u rrit në një mjedis ku fjala “Shqipëri” kishte kuptimin më të thellë të përkushtimit ndaj kombit.

Arsimin fillor dhe të mesëm e mori në Korçë, në një kohë kur mësimi në gjuhën shqipe ishte i ndaluar nga pushteti osman. Megjithatë, ai u përfshi herët në rrethet patriotike që punonin fshehtas për përhapjen e arsimit kombëtar. Në moshë të re u dallua për zgjuarsi dhe për pasion të veçantë ndaj historisë e filozofisë. Me ndihmën e familjes dhe të shoqërive atdhetare, Pandeli Cale u nis për studime në Liceun Klasik Francez të Aleksandrisë, në Egjipt, një institucion prestigjioz ku ai përvetësoi dije të gjera në fushat e gjuhës, historisë dhe të filozofisë. Përveç shqipes, ai zotëroi frëngjishten, greqishten dhe turqishten, duke u formuar si një intelektual me horizont të gjerë europian. Gjatë qëndrimit të tij jashtë vendit, ai u lidh me kolonitë shqiptare që vepronin në Aleksandri, Kajro dhe Bukuresht, ku filloi kontaktet e para me veprimtarët e diasporës si Jani Vreto, Pandeli Sotiri e Thimi Mitko, të cilët po punonin për të njëjtin ideal kombëtar.

Pas përfundimit të studimeve, rreth vitit 1904, Pandeli Cale u kthye në Shqipëri i frymëzuar nga idetë e lirisë dhe i vendosur për t’u vënë në shërbim të atdheut. Në Korçë u bashkua me veprimtarë të tjerë të shquar si Themistokli Gërmenji, Mid’hat Frashëri, Kristo Luarasi, Petro Nini Luarasi, duke kontribuar në organizimin e jetës kulturore dhe kombëtare të qytetit. Ai mori pjesë në krijimin e shoqërive patriotike si “Banda e Lirisë” dhe “Lidhja Orthodhokse”, që kishin për qëllim forcimin e arsimit në gjuhën shqipe dhe përhapjen e ndjenjës kombëtare ndër shqiptarët. Ishte ndër ata që ndihmuan në botimin e librave dhe abetareve shqipe, duke besuar se “liria e kombit fillon nga drita e dijes”.

Në fillim të shekullit XX, Pandeli Cale u përfshi gjithashtu në lëvizjet kombëtare të armatosura për çlirimin e vendit. Ai mori pjesë në përgatitjen e Kryengritjeve të Jugut (1910–1912) dhe bashkërendoi veprimet me çetat patriotike të asaj kohe. Me përpjekje të vazhdueshme ai punoi për bashkimin e shqiptarëve përtej ndarjeve krahinore e fetare, duke thënë shpesh: “Shqipëria s’mund të ngrihet mbi ndarje, por mbi gjakun e përbashkët të bijve të saj.”

Në prag të shpalljes së pavarësisë, figura e tij u njoh në gjithë jugun e vendit si një patriot i vendosur dhe i ditur. Në nëntor 1912, ai u zgjodh delegat i Korçës në Kuvendin e Vlorës, ku më 28 nëntor nënshkroi Aktin e Pavarësisë së Shqipërisë, duke hyrë përjetësisht në historinë kombëtare. Firmëtar i dokumentit themeltar të shtetit shqiptar, Pandeli Cale ishte ndër ata që nuk e panë pavarësinë si qëllim të fundit, por si fillimin e ndërtimit të një shoqërie të drejtë e të qytetëruar.

Pas shpalljes së pavarësisë, ai u emërua Ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës, ku dha kontribut të jashtëzakonshëm në organizimin e administratës së re shtetërore dhe në vendosjen e rendit në vend. Në një periudhë të trazuar e plot rreziqe, Pandeli Cale u tregua njeri me vizion, vendosmëri dhe ndershmëri. Ai punoi për krijimin e strukturave të para të policisë, për sigurimin e kufijve dhe për mbrojtjen e pavarësisë së brishtë të shtetit shqiptar nga presionet e jashtme.

Edhe pas shpërbërjes së Qeverisë së Vlorës dhe gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore, ai nuk u tërhoq nga ideali i tij. Mori pjesë në veprimtari diplomatike për njohjen e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe në përpjekjet për pranimin e saj në Lidhjen e Kombeve. Me kulturën dhe qëndrimin e tij të urtë e fisnik, ai fitoi respektin e bashkëkohësve brenda dhe jashtë vendit.

Përveç kontributit politik, Pandeli Cale mbeti i përkushtuar ndaj arsimit dhe kulturës shqiptare. Ai e konsideronte arsimin si themelin e një kombi të fortë dhe besonte se pa shkollë nuk kishte as liri, as përparim. Ndaj ai punoi për hapjen e shkollave shqipe, për organizimin e mësuesve dhe për botimin e librave që do të ushqenin ndërgjegjen kombëtare. Ai ishte një ndër zërat që kërkoi barazinë mes shqiptarëve pa dallim feje apo krahine, duke u bërë shembull i bashkimit kombëtar.

Jeta e tij, megjithëse e shkurtër, qe një model përkushtimi dhe ndershmërie. Pandeli Cale u nda nga jeta më 5 gusht 1923, në moshë të re, por vepra e tij mbeti e pavdekshme. Kombi shqiptar humbi një nga bijtë e tij më të ndritur, por fitoi një emër që do të jetojë përjetë në historinë kombëtare. Ai nuk kërkoi kurrë pushtet apo lavdi, por punoi në heshtje për idealet e larta të lirisë dhe të përparimit.

Sot, emri i Pandeli Calet përmendet me respekt e nderim në çdo faqe historie. Ai përfaqëson modelin e intelektualit që e pa kombin mbi vetveten, të atdhetarit që punoi me ndershmëri e përulësi, të burrit që jetoi për të tjerët dhe që la pas një trashëgimi të ndritur morale e kombëtare. Vepra e tij mbetet frymëzim për brezat që duan ta shohin Shqipërinë të bashkuar, të ndriçuar dhe të denjë në mesin e kombeve të qytetëruara.

Pandeli Cale është dhe do të mbetet një dritë e pashuar në historinë shqiptare – një simbol i dijes, i ndershmërisë dhe i dashurisë së pafundme për atdheun.

Filed Under: Histori

MUSTAFA MERLIKA – KRUJA, HISTORI E DOKUMENTUAR E NJË JETE NË SHËRBIM TË KOMBIT SHQIPTAR

September 18, 2025 by s p

Nga Eugjen Merlika/

Pjesa II

I shpërngulur në Elbasan jeta e Mustafait pati ndryshimet e saj profesionale e vetiake. U martua dhe u zhyt në punën e re, siç e ve ne dukje edhe biografi i tij. Ndërkaq nga shokët e tij në Durrës e në Krujë merr vesh se në Tiranë është formuar një grup intelektualësh të shquar që organizojnë manifestime kundërshtish kundrejt qeverisë së Vlorës. Madje edhe ndonjë ministër i kësaj Qeverie e braktis këtë për t’ i u bashkuar Faik Konicës, Fazil pashë Toptanit, Dervish Himës, Basri beg Dibrës, Mendu Zavalanit, Mehdi Frashërit, Mithat Frashërit etj. 

Pa plotësuar ende vitin e parë të qeverimit “Ati i kombit” u detyrua të përplaset me këtë bllok të brëndshëm, të organizuar nga Esat Pasha, që nuk u mjaftua vetëm me postin e rëndësishëm të ministrit të punëve të brëndëshme. Kërkesës së dorëheqjes së rolit të kryeministrit nga “opozita” shqiptare i u shtua edhe ajo, më e rëndësishme e KNK, që e detyroi padrejtësisht “Plakun e Vlorës”, pa asnjë mëkat, të braktiste veprën më të lavdishme të jetës së tij, e të shpërngulej nga vëndlindja për të jetuar në Perugia të Italisë.

Ato ngjarje patën ndikimin e tyre edhe tek sekretari  i këshillit të ministrave të zgjedhur prej tij, që në një vizitë tek Esat Pasha, pyetjes së këtij të fundit se si i dukej dokumenti i hartuar prej Faik Konicës e i ofruar prej tij për t’a lexuar, i u përgjigj me gjakftohtësi e vendosmëri: “Një akt tradhëtije, Pashë”     

Muajt e fundit të vitit 1913 dhe viti 1914 nuk e kanë ulur aspak vrullin e punës së Mustafa Krujës. E dëshmojnë këtë bisedat telefonike e letrat e shkëmbyera  me mjaft personalitete të jetës politike, administrative e kulturore si Avdi Toptani, Myfid Libohova, Hamid Toptani, Mahmut Beshiri, Xhemal Belegu, Lef Nosi, Iljaz vrioni, Burhan Kumbaro, Thanas Floqi, Aleksandër Xhuvani, Aqif Pashë Biçaku, Mithat Frashëri, Shefqet Dajiu etj.

Vitin 1914 shkrimtari i ynë i njohur Ismail Kadare e ka përkufizuar “Viti i mbrapshtë”. Besoj se ka plotësisht të drejtë se për Shqipërinë pati dy pamje, krejt të ndryshme e të kundërta me njëra tjetrën. Largimi i Ismail Qemalit, ashtu sikurse më parë dorëheqja e  Dom Nikollë Kaçorrit nga Qeveria duket se solli një farë ere paqtimi në jetën politike. Myfid be Libohova kishte miqësi të vjetër me Esat Pashë Toptanin, i cili, me zotërimin e Ministrisë së Punëve të Brëndëshme dhe pa Kryeministrin, u duk se plotësoi deri diku kërkesat e tij e mbështetësve të “Pretorisë së Durrësit”. Si pasojë e kësaj atmosfere të re e rrethanave të jashtëme e të brëndëshme, në pjesën më të madhe të botës politike shqiptare u arrit një mirëkuptim kundrejt një princi evropian, që duhej kërkuar nga Evropa. Ky mori shëmbullimin e gjermanit Princ Wiedi, të cilit Shqipëria i dërgoi një delegacion përfaqësues të politikës së saj për t’i kërkuar miratimin e vendimin për të marrë fronin e Shqipërisë.

Ky vendim i Evropës u përshëndet si një nismë tejet pohenike dhe e favorshme edhe për t’ardhmen e Shqipërisë, si një Vend që do t’a shihte rrugën e saj të përkrahur nga kontinenti i vjetër. Sa do t’ishte e vërtetë një hamëndje e këtillë nuk u arrit të kuptohet e të sendërtohet, sepse vetë shqiptarët, ose pjesa më reaksionare e tyre, në gjithë historinë shqiptare u ngrit, u organizua, rrëmbeu armët e bëri të dështojë çdo ëndërr e idealistëve të “dheut të Arbërit”, duke detyruar mbretin e adoptuar të Shqipërisë t’a braktisë pa kthim këtë të fundit.    

Gjithë trishtimin e zinë kombëtare të shqiptarizmës dhe idealeve të saj e kishte shprehur vetë Mustafa Kruja në një letër që i drejtonte Ahmet beg Zogollit më 16 qershor 1914, nga Kruja e pushtuar:

““Shumë shênje janë për me na bâmë të besojmë se kjo kryengritje âsht vepra e Esad Pashës s’onë. Për qêndër ka Shijakun. Qarku i saj sod për sod kufizohet në prefekturën e Durrsit. Në fillim âsht shfaqun si nji lëvizje kundra mbledhjes dhe dërgimit  të vullnetarve në Korçë kundra andartve epirotë!. Mbrapa na duelën do kërkesa të çudiçme. Mâ në fund reakcion kundra pavarsís kombtare, lakuriq e me të tânë kuptimin e fjalës, i pështetun në fanatizmin fetar. Sod kryengritësit s’janë mâ tjetër për kurrkênd veçse nji turmë rebelash reakcjonarë qi luftojnë me bajrakun e Turqís për kthimin e sundimit të ksaj mbi vêndin t’onë. Of! Ahmet Beg. Qe! Mu përpara meje, përpara dy sŷve të mij atje mbi taben e fortesës së Krús, depozitares së kujtimevet t’ona kombtare mâ të shênjta, mâ të mallëngjyshme e mâ të krenueshme, atje në këtë ças âsht tue value bajraku i kuq me hân’ e yll të bardhë, shêmbëlltyra e robnís së katërqind e sa vjetve!….”

Me gjithë përpjekjet e shumanshme të qeverieë së Turhan Pashës, që kërkoi pa dobi edhe ndihmën e Evropës, e luftërat e vullnetarëve të qyteteve të ndryshme, po ashtu sikurse edhe të fuqive të Mirditës, të komanduar nga Preng Bib Doda e të Matit të drejtuar nga Ahmet beg Zogolli, nuk u bë e mundur shtypja e asaj kryengritjeje e qëndrimi i princ Wiedit në Vëndin tonë.  Shqiptarizma humbi betejën e saj të madhe, vetëm dy vite mbas fitores historike të 28 nëndorit, e, për ironi të fatit, u desh të mbështetej pa vullnet tek armiqtë më të egër të saj, ushtritë sërbe, që thyen bashibozukët e Haxhi Qamilit e të Musa Qazimit, e rivendosën përsëri në pushtet mikun e tyre, Esat Pashë Toptanin. Por “Viti i mbrapshtë 1914”, me të gjithë të këqijat e tij, u rikthye në kujtesën historike të shqiptarëve, i ringjallur, i lavdëruar, i ngritur në qiell nga fituesit e luftës së dytë botërore në truallin e Arbërit e zëdhënësit kulturorë të tyre deri në ditët tona. Kjo, ndoshta, ishte “fitorja më e shkëlqyer”, sepse, zyrtarisht u bë pjesë e “lavdisë” së popullit të Gjergj Kastriotit, si “pararendëse e revolucionit komunist shqiptar” të shekullit të XIX.  

1. Lidhja “Për Atdheun e Për Thronin” u themelua në Durrës me 28 të Qershorit 1914 me qëlllim që t’i shërbejë  e t’i ndihmojë me këshilla e mjete të tjera M. T. Mbretit e Qeverís në përpjekjet e tyne për shpëtimin e Atdheut nga trazimet e rrezikshme në të cilat ndodhet sod.

2. Lidhja do të qeveriset  prej nji këshilli 22 vetësh. Themelues të Lidhjes janë ZZ. Imzot Kaçorri, Dr. Temo, Abdyl Ypi, Mustafa Kruja, Dr. Fahri Gjilani, Luigj Gurakuqi, Refik Toptani, Eshref Frashëri, Izet Zavalani, L. Logori, G. Jatro, Themistokli Gërmënji, Idhomeno Kosturi, Sejfi Vllamasi, Ahmet Dakli, Shefqet Dajiu, Kost Paftali, Nuri Vila, G. Cilka, Kasneci, Syrja Pojani, Hasan Frashëri.

3. Kryetar i Këshillit u zgjodh Z. Refik Toptani, nënkryetar Kasneci e shkronjës Z. L. Gurakuqi.

4. Këshilli ka zgjedhur një Komisië prej 5 vetash që do të jetë organ i tij për të mbaruar qëllimet e vêndimet e dhânuna. Si pjestarë të Komisiës u zgjodhën ZZ. Eshref Frashëri, L. Gurakuqi, Mustafa Kruja, Abdyl Ypi, Idhomeno Kosturi. Këta do të jenë edhe përgjegjës përpara Qeverisë. 

N’ato ditë të stuhishme për fatet e Shqipërisë atdhetarët e kombit themeluan një organ të ri kushtetues me një qëllim të caktuar për të ndihmuar qeverinë dhe oborrin mbretëror në detyrën e tyre, pothuajse të pamundur, nga rebelimi i Shqipërisë së mesme. Një veçanti e Lidhjes ishte fakti që në themelimin e saj morën pjesë shumica dërmuese e politikës shqiptare, gjë që krijonte premisat për një bashkëpunim të ri e plot dëshirë për të ecur përpara. Por ngjarjet shpejt përcaktuan fundin e paparashikuar të mbretërisë së re e shpresave  të shqiptarëve në 3 shtator 1914 me largimin e Princ Wiedit.

Vitet 1915 – 1918, për një sërë rrethanash e ndodhish të jetës vetiake, shënojnë një periudhë “pushimi” të veprimtarisë aktive në jetën politike të kombit. Shkurtimisht do të përshkruhen me pak fjalë  të pabotuara, por të sjellura nga një “rrëfim” i vetë atij para familjes, në një natë dimri të vitit 1943, kur i dorëhequr prej gati një viti nga përgjegjësia njëvjeçare e qeverisë dhe nga ajo, pothuajse tridhjetëvjeçare e politikës, ndoshta ndiente nevojën të shpaloste para familjes çastet më të vështira të jetës së tij. Ai “rrëfim” u shkruajt në një fletore të thjeshtë nga babai im, si trashëgim historik që i linte nipit të tij, Besandrit. E kam sjellë në këtë libër ashtu siç e kam gjetur. Ndoshta mund të ketë ndonjë mospërputhje mes kujtesës së babait tim dhe jetëshkrimit të studjuesit Kurti, por që nuk cënon thelbin e së vërtetës, por mund të jetë çështje hollësirash jo shumë të rëndësishme.   

“Më kishin veshun këmishën e bardhë, me të cilën vareshin të dënuemit me vdekje. Të nesërmen herët erdhi roja me më marrë. Kisha duert të lidhun përpara. Kur dola jashtë gjeta dy xhandarë me pushkë në krah. Për habinë time, në vênd qi me më drejtue në vêndin e ekzekutimit xhandarët u kthyen ke ish pallati i Princ Wiedit ku qëndronte Esat Pasha. Mbasi hypa disa shkallë më ndalën përpara nji dere të madhe qi e njofta menjiherë. Ishte dera e dhomës ku punonte Princ Wiedi, në të cilën kisha hŷmë nja dy herë, i pritun nga Princi. Tashti aty punonte Esat Pasha.

Para asaj dere qëndrojshin dy xhandarë të tjerë. Mbasi xhandarët folën pak fjalë ndërmjet tyne, dera u hap dhe u gjinda në dhomën e madhe. Para meje, në kâmbë, qindronte Esat Pasha! Ishte veshun me uniformën e gjeneralit turk dhe gjoksi i tij ishte mbushun me dekorata. Mbi kokë mbante tonuzin e kuq turk. Me duer mbrapa më shikoi drejt në sy. Para shikimit të tij shumë kush u dridhte, por un nuk u ligshtova. Edhe un e shikova drejt në sy. Nuk ishte hera e parë qi gjindesha pranë tij, dhe isha mësue me ndejtun pranë atij burri autoritar e politikan dinak, i njohun në gjithë Evropën.

Mbasi pa se un nuk i ula sytë përpara tij, ai vuni pak buzën në gaz.

-E dij se je edhe trim, më tha, por jo deri kaq.

Un nuk i u përgjigja.

-Të dhashë vêndin e nënprefektit, kur mbarove shkollën dhe shkallë shkallë të mbërrîjshe në vêndin e valiut, por ti zgjodhe vêndin e mësuesit të matematikës. Megjithatê nuk ndejte urtë. Fillove të luejsh bishtin sa andej këndej. Mâ vonë të thirra me të dhânë vênde me rândsí n’administratën teme, por nuk pranove. A nuk âsht kështu? Por pse mor qen – vazhdoi  me inat, ndërsa fytyra e tij u vrâjt – pse mbërrîne deri këtu. Un të kam rritun e të kam dhânë shkollë. Kam dashtë të bâhesh njeri me pozitë, të bâhesh i madh. 

-Kështu âsht – i  u përgjigja.

-Po atëherë pse u vûne kundër meje – shfryu Esat Pasha, siç e kishte zakon kur inatosej.

U mêndova pak, mandej i thashë:

-Pashë, un e due Shqipnín, prandej lashë mësimet e mora pushkën. Bashkë me Avdi Beun shkuem deri në Vlonë për këtê Shqipní, me ngrejtë flamurin tonë e jo të Turqís.

-Po pse un nuk e due Shqipnín?, –  më ndërpreu me zâ të fortë.

– Po, Pashë, por ju e doni për vehte, ndërsa un e due për shqiptarët – i u përgjigja aty për aty shumë i qetë, dhe vazhdova:

-Ju u morët vesh me Serbinë e Greqinë, për me i u dhânë atyne pjesë të tokave shqiptare, për me sundue ju vetë n’at pjesë qi caktuen Fuqitë e Mëdhá – Këtê,  na nacionalistët e quejmë tradhtí!

E dijsha mirë qi kjo fjalë e fundit do të më kushtonte jetën por nuk munda mos me i a thânë.

Esat Pasha u bâ zi në fytyrë. Bâni disa hapa mbrapa në dhomë, mandej përplasi duert. Menjiherë u hap dera dhe hŷnë mbrênda dy xhandarët.

-Merreni këtê qen – u tha atyne me inat – dhe futeni n’anije. 

Më shikoi si i tërbuem deri sa dola jashtë. Kuptova aty për aty se Esat Pasha m’a kishte falë jetën e do të m’internonte diku. Isha i kënaqun jo vetëm pse kisha shpëtue nga litari, por sidomos pse pata guximin me i a thânë në fytyrë Esat Pashës tradhtinë e tij kundër Atdheut.

Më mbajti disa muej n’anije, mandej më dërgoi në burgun e Barit (Italí). Prej andej autoritetet italiane më trasferuen  në nji ishull të vogël të quejtun Favignana. Ishte vjeti 1916. Aty gjeta edhe shqiptarë të tjerë nacionalistë qi mbaheshin t’internuem.

Në fillim të vjetit 1917, nji mik i emi, Sotir Gjika, ndërmjetësoi pranë qeverisë italiane për me më lirue dhe un u lirova. Sotiri më shoqnoi deri në Romë. Në kryeqytetin e Italís ai ishte funksionar në Ministrinë e Jashtme. Atë vit ai u martue dhe un qeshë dëshmitar martese. Në fillim të 1918-s Sotir Gjika filloi me botue gazetën “Kuvêndi” në gjuhën shqipe dhe un u bâna kryeredaktori i saj. 

Shumë vjet mâ vonë Petriti u martue me Elenën, vajzën e mikut tonë të vjetër, të cilën e gëzojmë sot në shtëpinë tonë.

Asim Xhenani heshti. Ulun siç ishte në nji kolltuk, bashkoi të dy duert përpara dhe mbështeti kryet mbi to. Ndoshta kujtimet e kishin mundue. Asnji prej nesh nuk foli.”

“ Deri në mbarim të luftës botore mbet në Itali. Ky mërgim i dha rasë me nxânë italishten, me njohun Italín, bukurít e saja natyrore e artistike, karakterin fisnik të popullit të saj, kulturën e saj. Zhvilloi nji veprimtarí gazetarije në bashkpunim me Sotir Gjikën në faqen shqip të gazetës së Barit Corriere delle Puglie e mandej në  të përjavëshmen Kuvêndi të Romës. N’artikujt qi ka shkrue në këto dý fletore ndrisin me nji qartí nga mâ të kulluetat ndjenjat e tij patriotike, stili i tij i rrjedhshëm, logjika e fortë, urtija e mêndimevet.”, vazhdon tregimin e tij At Donat Kurti. 

Mustafai kthehet në atdhe mbas një mungese të gjatë prej gati katër vitesh, në të cilët kishte provuar ndarjen nga familja, duke lënë djalin e parë foshnjë e duke e gjetur gati katër vjeç e duke mos gjetur më në jetë nënën që kishte ndërruar jetë në moshën e re dyzetepesë vjeçe, e plasur nga dëshpërimi i arrestimit e dënimit të birit të madh. Ishte vërtetuar plotësisht profecia e mamisë gjatë lindjes, por nuk kishte kohë as për t’a qarë sepse një telegram nga Durrësi e ftonte atje ku do të mblidhej kongresi. “Thirrej me organizue, bashkë me Luigj Gurakuqin, Fejzi bej Alizotin, Myfid bej libohovën e Mehmet be Konicën, Kuvêndin e Durrsit qi do të shqyrtonte gjêndjen e re të krijueme në Shqipní mbas luftës botore.” Shkruan At Donati.

Në kongres ai u zgjodh ministër i post – telegrafave e antar i Dërgatës shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris, së bashku me Luigj Gurakuqin, Imzot Luigj Bumçin, At Gjergj Fishtën, Mithat Frashërin, Mehmet Konicën e Mihal Turtullin, e natyrisht Kryetar kryeministrin Turhan Pasha. Në fillim të shkurtit 1919 filloi nga puna si sekretar i Dërgatës. Pesë muajt e qëndrimit në kryeqytetin francez qenë kohë pune tepër të rrasun për sekretarin e Dërgatës. Të gjithë dokumentat që i paraqiteshin konferencës: mendore, përkujtesa, letra personaliteteve të ndryshme, statistika popullsish të krahinave të ndryshme shqiptare, protesta, padira, hartoheshin prej tij dhe Luigj Gurakuqit, me të cilin e lidhte jo vetëm përkatësia e bindjeve politike, por edhe një miqësi e ngushtë. Të gjithë ata dokumenta u botuan mbas largimit të tij nga Parisi e kthimit të tij në Durrës. Gjatë rrugëtimit ai u ndalua në Romë ku në një “tipografi të një koperative shoqërore” mundi të botojë librin:”Shqipnia përpara Konferencës së Paqës”

“Popullit Shqiptar”, “Kërkesat e Shqipnís”, “Parashtruemja e Kërkesave Shqiptare në Këshillin e të Dhetvet”, “Mendore mbi Shqipnín e Sipërme”, të pasuara nga pesë faqe statistikash popullsie që banonte në trevat shqiptare, të lëna jashtë kufijve shqiptarë nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër 1913, janë pjesa më e rëndësishme e veprimtarisë të asaj Dërgate në muajt e parë. Ato statistika ishin marrë nga dokumentacionet e llojit të tyre, jo nga shqiptarë, por nga ekspertë të  autoriteteve statistikore turke í1908 – 1909), nga autoritetet ushtarake austriake, gjatë luftës së Parë botërore, nga Instituti hartografik i Sofies në Bullgari dhe nga një përmbledhje krahasuese e të tre hartave.

Argumentat e trajtuara flasin për kompetencë profesionale e rigorozitet shkencor  në shpalosjen e tyre para komisioneve të Konferencës. Janë të vërteta që paraqiten në të gjitha përmasat e tyre faktike deri në detaje, një platformë mbrojtëse e një cilësie të lartë në mënyrë të pakundërshtueshme. Ajo platformë është e bazuar më shumë në opinione të shprehur publikisht  nga të tjerë përfaqësues të diplomacisë evropiane, dëshmitarë të zhvillimeve historike të Ballkanit, kryesisht të Shqipërisë. Shifrat e statistikave të popullsisë së qyteteve të ndryshme të Shqipërisë së grabitur, janë të pamëshirshme në padinë e një sulmi ushtarak banditesk kundrejt trevave shqiptare, sa që një gjykatë e vërtetë nuk do të kishte patur as mëdyshjen më të vogël për t’i kthyer ato njësi territoriale në zanafillën e tyre etnike, por fatkeqësisht Konferenca e Versajës nuk qe një gjykatore e tillë. Ajo u tregua një burim paragjykimesh historike e politike, që kishin patur fillesën në shprehjen famëkeqe të kancelarit prusian Bismark, “Shqipëria është vetëm një shprehje gjeografike”, në Kongresin e Berlinit, e arrin deri tek opinionet kundërshqiptare të Klemansoit e Llojd Xhorxhit  e parapëlqimet e tyre në dobi të Sërbís e të Greqís. Përballë atyre bindjeve 14 pikat e presidentit amerikan Wilson  mbetën vetëm si një rreze shprese morale në shpalosjen e tyre  demagogjike, por nuk arritën të ndikonin në vendimet kryesore.

  Më duket e udhës që të përzgjedh nga ai grumbull dokumentesh, dy prej tyre, të cilët përgënjeshtrojnë hapur opinionin e historiografisë komuniste mbi Mustafa Krujën që prej tre të katërtash shekulli. “Çâshtja e Vlonës”, është një notë proteste nga Dërgata Kryetarit të SHBA Wilson. Ka stilin karakteristik të Mustafa Krujës, i hapur, pa doreza e që godet në thelb të problemit. Dërgata e Qeverisë së Durrësit që, në gjuhën e historiografisë komuniste, quhet “tradhëtare” e “proitaliane”, proteston pranë Presidentit amerikan për mendoren që ai i paska dërguar Dërgatës italiane më 14 prill 1919, në të cilën “këshillon që Italia të mbajë limanin e Vlonës për vete”:

Çâshtja e Vlonës

Shkëlqesës së Tij, Z. Wodrow Wilson,

Kryetar i Shtetënvet të Bashkueme t’Amerikës.

Zoti Kryetar,

Dërgata e Qeverís së Përkohëshme Shqiptare e këndoi në gazetat, me mâ të madhen dhimë të zêmrës, mêndoren qi Shkëlqesa e Juej i paska drejtuem Dërgatës Italiane më 14 Prill 1919, në të cilën këshillon qi Italia t’a mbajë limanin e Vlonës për vete.

Çudia e jonë qe aqë mâ e madhe e e therëshme tue qênë se populli i vogël shqiptar e kishte mbështetun të tânë shpresën e vet mbi parimet e nalta të Shkëlqesës s’Uej qi me mos damun vêndet pa u marrë para sŷsh të drejtat kombtare të popujvet qi rrijnë më to. Shqipnija âsht vêndi mâ i vogli e ma i sakrifikuemi i Ballkanavet. Të gjithë fqîjt e saj i kanë këputun, me traktatin e Berlinit e me konferencën e Londrës më 1913, copat ma të bukurat qi s’kanë mbrênda veçse Shqiptarë e po kanë shpresë me i marrë prap edhe tjera. Me të vërtetë në rrethet greke qi marrin lajme të sakta thuhet se Z. Venizelos ka mërrimun me siguruem ndihmën e Amerikës për me i dhânë Greqiës nji pjesë të madhe të Shqipnis së Poshtme.

Na duket e padrejtë, z. Kryetar, qi, në vênd me u marrë para sŷsh kërkesat t’ona kombtare, po mêndohet me u falun   tjera copa të tokës shqiptare a për me u rregulluem nji ngatërresë qi s’i përket n’asnji mënyrë Shqipnis. 

Besojmë me gjithë shpirt se Dërgata e Shtetënvet të Bashkuem ka rânë në nji gabim të padashun për sa u përket punvet të Shqipnís e mêndja na thotë se Apostulli i nderuem i së drejtës së popujvet nuk do të dojë me u larguem prej parimevet fisnike qi ka proklamuem aqë bujarisht.

I lutem Shkëlqesës s’Uej me pritun sigurimet e nderimit t’êm fort të naltë.

Paris, 8 maj 1919                                                   Kryetar i Dërgatës Shqiptare

  (Nênsh.) TURHAN

Kjo ishte letra që Dërgata i dërgoi Presidentit të SHBA. Mbas tri javësh, një tjetër letër i u dërgua Kryetarit të Konferencës së Paqës, Kryeministrit të Francës Clemenceau, ku trajtohet i njëjti argument i letrës së parë, ai i mandatit italian mbi Shqipërinë:

Protestë kundra mandatës italiane

Shkëlqesës së Tij, Z. G. Clemenceau,

Kryetar i konferencës së Paqës.

Shkëlqesë,

Pas lajmeve qi po sillen pa reshtun mbi zgjidhjen e ngatërresës italo-jugosllave, Dërgata shqiptare e sheh veten të detyrueme, edhe nji herë, me ardh’ e me protestuem me ponië kundra mënyrës me të cilën Konferenca po e vështron çâshtjen shqiptare.

Duke u mbështetun mbi të drejtat q’i janë njohun Shqipnís në Konferencën e Londrës më 1913 e mbi parimet qi Fuqit e Mëdhaja të Lidhuna e të shoqnueme kanë proklamuem vetë bujenisht, Dërgata Shqiptare i ka paraqitun Konferencës së Naltë kërkesat e drejta të vêndit të vet e ka pritun pa dobi deri tashti qi t’i merren parasŷsh. Mirë po ajo po sheh, me mâ të madhin idhnim, se çâshtja shqiptare s’âsht shikuem as njiherë në mënyrë të posatshme, por, për kundras, qi Shqipnia âsht shikuem si nji fushë shpërblimesh për me lehtuem rregullimin e ngatërresave, me të cilat populli i ynë s’ka asnji punë; ose edhe për me mênduem për njimend të bashkuemen e nji pjese të madhe të Shqipnís së Poshtër me Greqín; përkundras, po ky komision i ngarkuem edhe me punët e Shqipnís, s’âsht mbledhun asnjiherë për me biseduem.

Dërgata Shqiptare beson se nuk mund të jenë dy pesha e dy masa për të vêndosun organizimin e ri të botës, themeluem mbi drejtësín. Edhe në këtê ças, kur Konferenca e Paqës po rreket me caktuem pozitën e Italisë mbi bregun lindor t’Adriatikut, paska bâmun fjalë për Shqipnín, gjithnji me t’ardhun e vetëm për me lehtuem zgjidhjen e ngatërresës italo-jugosllave.

Për me zgjidhun këtê çâshtje pra Konferenca paska mênduem me i dhânë Italís mandatën mbi Shqipnín edhe limanin e Vlonës.

E pranojmë qi kujdesimi i njânës prej Fuqivet të Lidhuna a të Shoqnueme, natyrisht përveç Shtetënvet ballkanikë, mund të jetë i dobishëm për Shqipnín për me i prîmun në hapat e para të mëvetësís së saj. Por megjithë këtê nuk mundemi kurrsesi me pranuem qi të kenë si me i u aplikuem Shqipnís urdhënat e artikullit 22 të paktit të Lidhjes së Kombevet qi janë vûmun kështjellas   veç për koloni e vênde afrikane e aziatike “qi, nga shkaku i luftës, u kanë dalë duersh atyne q’i i kishin”. S’mundemi me pranuem as qi të mund i vêhet Shqipnís nji ç’do farë kujdesimi pa e pyetun parandej për të zgjedhunit e Pushtetit qi do t’i epet për kujdestar e për mënyrën se si do të zbatohet ky kujdesim në Shqipní.

Populli shqiptar s’do të mundet me pranuem vêndime q’i vênë kundra tânsís toksore e mëvetësis së tij, dhe aqë mâ pak me u shtruem.

Dërgata Shqiptare u sillet edhe njiherë ndîesivet të nalta të përfaqsuesvet të Fuqivet të Mëdhaja në Konferencë, qi çâshtja kombtare e saj të rregullohet me të drejtë për me i u kursyem popullit shqiptar të tjera të liga, duke i shpërblyem edhe padrejtësit q’i kanë pasë bâmun traktatet e përparshme.

Pritni, Shkëlqesë, sigurimin e nderimit t’êm të naltë.

Paris, 1 Qershor 1919                                   Kryetari i Dërgatës Shqiptare

      (nensh.)   TURHAN

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 29
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT