Gezim Zilja/
PD-ja duhet të zbërthejë e kuptojë e përfundimisht pse nuk u fitua beteja e rradhës me një qeveri super të korruptuar dhe antipopullore si ajo socialiste. Kjo mund të arrihet me një analizë të thellë e parimore, që PD- ja ka tridhjetë vjet që nuk e bën, as kur humb e as kur fiton. I pari që duhet të japë llogari për humbjet seriale të PD-së është Lulëzim Basha. Kishte mision shkatërrimin e strukturave të PD-së dhe pasurimin e tij, apo ishte një budalla dhe vepronte kuturu? Si qënka kjo punë, që dorëzon ditën me diell, pas katër humbjesh rradhazi ( dy lokale, dy parlamentare) për tetë vjet me rradhë një parti, aset kombëtar si PD-ja, tërësisht të shpartalluar dhe tani ha, pi, tall trapin, bën sehir e vazhdon të punosh kundër bashkimit të demokratëve?! Është e pamundur të organizohet një fushatë fituese nëse nuk nxirren shkaqet e katër humbjeve rradhazi të PD-së me moton: Secili të fillojë nga vetja.
Duhet të zgjidhet gjendja e paqartë dhe absurde e grupit parlamentar, që ia ul autoritetin, fuqinë vepruese, vendimmarrëse dhe asfikson PD-në. Nuk ka kuptim që grupi parlamentar të ndahet copash, të mos mblidhet të diskutojë, për gjendjen e krijuar, e të rivotohet për kryetarin e grupit. Nuk e ka luksin PD-ja të gjejë pas tridhjetë vitesh armiq të tjerë brenda rradhëve të saj. Kjo është pa kuptim dhe e turpshme. Duhet t’i bëhet e qartë Berishës, se ai ka vetëm një votë në grupin parlamentar e jo të imponohet me metodat e tij të dikurshme: Bujrum! PD-ja hapur e ka derën. Po kush është ai që e hap dhe e mbyll dyert e PD-së ? Dje Basha sot kush? Te kush duhet të marrë leje Jorida Tabaku, Flutura Açka, Dhurata Çupi, Alfred Rushaj etj ? Te Flamuri, Paloka!? E ç’të keqe ka që nuk janë dakord me Berishën? A nuk thotë statuti i ri, që në PD- lejohet mendimi ndryshe dhe fraksionet? Në PD duhet të zhduket mendimi vrastar, që po nuk je në një linjë me kryetarin e partisë je me Edi Ramën. Si mund të thuhen këto fjalë për mjaft bashkëluftëtarë dhe bashkëudhëtarë plot vlera të PD-së për vite e vite me rradhë? Çështja e bashkimit duhet të zgjidhet me qetësi, me diskutime e votime të hapura, sa më shpejt, jo me inate, me gërmëre, denigrim figurash e goditje poshtë brezit, që karrieristë e intrigantë pëdëistë i përdorin ende me sukses. Të diskutohet e shpjegohet se problemet e vulës në PD nuk zgjidhen me gjyqe pa kuptim por me votim në forumet e PD-së, duke zbatuar statutin e ri. Paditja në gjykatë është lojë e PS-së, e ka gjasa ( është një gjyq absurd tashmë) të vazhddojë me vite, duke e futur PD-në në qorrsokak. Me mënyrën sesi po veprohet sot nga Alibeu e Berisha, duke mos u ulur e biseduar, imponimi e mallkimet nuk do të funksionojnë. Grupi parlamentar duhet të rimëkëmbet duke kuruar plagët e veta, e jo të presë se çdo të vendos komandanti apo vulëmbajtësi me përkrahësit e tyre. Ata që nuk mendojnë si Berisha, nuk janë me Ramën, as tradhëtare, por ja që mendojnë ndryshe dhe kjo është demokracia brenda partisë. PD-ja dhe deputetët duhet të kuptojnë se janë para një detyre historike: Të shpëtojnë Shqipërinë nga gremina ku ku po e çon sekti Rama.
Programi i PD-së për marrjen e pushtetit.
Mungon një program i qartë sesi PD-ja do të fitojë 200 mijë vota plus, që të marri pushtetin. Shtatë korriku ishte një sukses por nuk ngjalli dot frymën apo uraganin që presin shqiptarët. Pasi të ristrukturojë e unifikojë grupin parlamentar, PD-ja duhet të paraqesë para popullit brenda shtatorit një program të qartë afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë me objektiva të qartë. Nuk është program ai që deklaron Berisha në intervistat e tij të pafundme, por një dokument i diskutuar, i shkruar e miratuar sipas statutit të PD-së. Veç parullave fluturake e optimizmit populist, ku deklarohet se Rama i ka ditët të numërura, aksioni politik është në vend numëro. PD-të në rrethe edhe pse u zgjodhën me votë të lirë (me pjesëmarrje të dobët) janë fare apatikë dhe janë kthyer në agjenci lajmesh në fb. Ku janë njerëzit e rinj, vizionarë, të ndershëm nga ajka e intelektualëve brenda e jashtë vendit që do të rrisin forcën e PD-së? Pse po vonohet me reformën territoriale dhe atë zgjedhore? Ligji i vitit 2008 i projektuar nga Berisha e Rama me bekimin e Topit ishte një prapaktheu i madh për demokracinë. Me një ligj të tillë edhe një tuaf si Basha arriti ta kthejë PD-në në pronë private, duke injoruar strukturat e PD-së. Rama nuk është i interesuar për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Ndoshta dhe Berisha, vetë nuk është interesuar për ndryshimin e ligjit se ia kufizon kontrollin mbi PD në zgjedhjet parlamentare. Edhe 24 orë në ditë të punojnë drejtuesit e PD-së prapë nuk mjafton, aq shumë probleme ka për tu zgjidhur. Atëherë çfarë pritet nga ekspertët e departamentet e PD-së? Do të vazhdohet me parullën e vjetër: I di marshalli këto punë! Si të thotë marshalli….
Prova e zjarrit për PD-në janë zgjedhjet lokale.
Ngelet më pak se një vit nga zgjedhjet lokale dhe për reformën territoriale po bëhet shumë pak. Ndarja territoriale, kryetarët e bashkive dhe anëtarët e këshillave bashkiake që kemi sot, janë dhuratat e çmuara që Lul Basha me PD-në, u bëri socialistëve. Në se drejtuesit e PD-së nuk zgjidhin problemet e përmendura (nxjerrja e përgjegjësive për humbjet e zgjedhjeve, riformatimin e grupit parlamentar, reforma zgjedhore e atë territoriale, hartimin e një programi për të ardhmen etj.) zgjedhjet lokale do të jenë dështimi i rradhës. Edhe më keq do të jetë gjendja nëse këto i lihen në dorë vetëm Berishës dhe disa të besuarve të tij, duke injoruar strukturat dhe statutin e ri të PD-së. Kur do të shpallen garat për kryetarët e bashkive e anëtarët e këshillave bashkiake, brenda PD-ve në rrethe e Tiranë? Do të veprohet si e ka statuti i ri me votim nga baza, se sy për “Qabe” deri tani nuk ka? Me këto ritme, e me daljen nëpër TV të përfaqësuesve të PD-së, ku ca i bien fyellit (nuk ka unifikin të veprimeve) e ca mandolinës, duke u futur nëpër labirinthet djallëzore të emisioneve televizive, kashtë do të ketë me bollëk, po bereqet jo. Shumë tema duhet t’i përcaktojnë ekspertëtë e PD-së dhe jo moderatorët-shërbëtorë të pushtetit. Gjasat deri tani janë që statuti i ri të injorohet dhe gjithçka në zgjedhjet lokale t’i lihet në dorë Berishës dhe njerëzve afër tij, për çastet e fundit. Çdo minutë e humbur nga PD-ja për organizimin e zgjedhjeve lokale largon fitoren e afron dështimin.
PS. U bë dhe mitingu. Fishekzare nuk pati madje as program të PD-së. Këto ditë në ekrane e portale demokratët e “vërtetë” flasin për madhështinë e mitingut, shpalljen e armiqve, zotësinë e Berishës dhe fitoren e sigurt. Por që Partia Demokratike të vijë në pushtet, duhet të kalojë shtatë dete e nëntë male. Kjo është e mundur vetëm nëse vihen në punë të gjitha kapacitetet materiale e mendore të Partisë Demokratike brenda e jashtë vendit.