Tregim nga Përparim Hysi/
Që kish një sy, dukej që atje tej. Ajo që të bënte përshtypje ishte fakti se atë e gjeje kudo: sidomos në ziafete apo në mbledhje. E pamundur që të mos binte në sy. Një e dy dhe, kur ishte puna për ta ndezur pak atmosferën, brrof ia bënte nga vëndi ku qe ulur dhe mu në mes ziafetit ( gostisë, de!), ia thoshte:
… Gjon Banushi me një çetë/ sikur zbriti që nga retë/ … dhe hajde të mbaronte. Kur soste këtë palorecitim – se të tillë e quante- tak dhe kthehej andej nga kryesorët ( zakonisht ndonjë i ardhur nga komiteti i partisë a ekzekutiv dhe, në mungesë të tyre, kryetari i kooperativës a sekretari i byrosë) dhe, pasi priste duartrokitjet si shpërblim për aktin me vlerë (evokonte kohën e luftës kundër nazi-fashistëve, or tunjatjeta,dhe nuk qe pak), ndjehej sikur kish zënë qiellin e shtatë. Që bënte kështu dhe i binte bories me një vrimë përherë, kishte arsye të mëdha. Këto “arsyet” tregoheshin dy llojësh nga ata që e njihnin këtë Selfon me një sy. Ca thoshin se njëri sy ia kishin nxjerë, kur Maloja, një vërsnik i tij ia kishte mbajtur me një dardhë nga ato korrikset se ky ia kishte rrëmbyer me forcë. Të tjerët i bënin “iso” asaj ngjarjes që tregonte Selfoja! Kish qenë si korrier me këtë çetën e këtij Gjon Banushit, të cilit dhe i thurte bejte. Epo Gjon Banushi ato kohë rronte dhe qe oficer madhor në ministrinë e mbrëndshme. Unë e njoha këtë Gjon Banushin si komandant burgu në Talë të Lezhës, kur qeshë ushtar në Shëngjin. Qeshë emëruar mësues në këtë fshatin e Selfos dhe, tek dëgjova së pari recitimin e tij, tak dhe bëra lidhjen. Gjon Banushi qe kolonel asi kohe dhe të burgosurit e Talës, përgjithësisht, flisnin mirë për të. Duket qe dorë e fortë dhe kish arritur t’u jepte të burgosurve edhe leje për në familje. Po qe si qe kolonel Gjoni, ky fakt nuk kish të bënte me këtë Selfon. Ky qe i një “sëre” tjetër, po t’i besojmë atij Malos që i kish nxjerë synë Selfos në adoleshencë. Se puna e solli që, për djall, unë të njoh dhe Malon.
* * *
“Invalid” ky, Selfoja, i plotësonte kushtet për të qenë komunist. Dhe po si “invalid”, në kooperativë trajtohej pak si veçan. Një tip furnitori që kish një “status” pak të zgjedhur.
Prej natyre, të ngjitej si të qe zamkë dhe kish fituar famë vetëm si e si të fuste në lakun që donte. Kryetari ia njihte “huqet” dhe sikur i kish dhënë kartabiankë që, kur kërkonte diçka që i bëhej mirë kooperativës, pa një e pa dy: t’i jepej. Selfoja, e merrte atë “diçkanë” dhe e çonte atje ku duhej. Për ashtu, nuk ia hante qeni shkopin. Dorëzohej gruri dhe ja tek e shihje Selfon mu përpara kabinës së shoferit se qe ngarkuar ai për ta dorëzuar. Shikonte që duheshin edhe ca kuintalë që kooperativa të realizonte planin. Selfoja ia kish marrë dorën. NJë qingj të therur në thes dhe drejt e në shtëpi të drejtorit të grumbullimit. I shkathët nga goja, thoshte: – Ka mbreti bythë , jepi të hajë se do të dhjesi!!! Një qingj në atë kohë, kur Artisti i Madh Skënder Sallaku, e ironizonte me qesh e ngjesh: lexon mish e gjen kasap!, për drejtorin e grumbullimit qe hapur porta e Edenit. Drejtori, mbasi merrte “vergjinë”, esëll pa dalë nga shtëpia, vinte drejt tek makazinieri:- Ndoni, “ndihmoje” pak atë Selfon se është miku im! Epo kaq, se Selfoja vërtet që kish një sy, po për këto punë shikonte sa për dy. Po sikur dhe Ndonin nuk e linte thatë, jo. Po sipas sërës: drejtorit një qingj, Ndonit një bibë. Se do lagur mjekrra që të rruhet,- thoshte. Dhe realizohej plani. Kot ishte ferma. Tek dorëzonte planin, e dinte vet Ndoni si i mbushte defterët. Selfoja po kthehej shend e verë nga pazari. Ku i gjendej shoku Selfos! Tha një ditë kryetari për Selfon ( po e tha në mexhlis, ama) :- Një sy ka Selfoja, po punën e bën sikur ka katër palë sy.
* * *
Ua mori dorën këtyre punëve dhe u bë profesionist. E “helmova” dhe filanin,- tregonte. Ky, filani, na punonte në komitet të partisë.
– Po si ndodhi?- pyeta me kërshëri unë që,tash, qeshë miqësuar me Selfon.
– Aha,- tha,- është mesele gjatë, po, kur të kthehem nga qytetit, do të tregoj.
Tek po hipte në makinën e kooperativës, e pashë që shkëmbeu ca “batuta” me një nga brigadierët:
– Janë 25 kg apo jo? Se kaq i kam thënë asaj të cilësisë unë.
– Nuk e luan topi.
Selfoja më përshëndeti triumfues dhe, tek mbylli derën e kabinës, më shkeli synë me intimitet. Ngrita dorën si shënjë përshëndetjeje dhe, tek pashë brigadierin në këmbë, e pyes:
– Makina qe ngarkuar me pambuk, ç’qe ai lllafi për 25 kg?
-25 kg fasule për ta nxjerrë pambukun e brigadës si cilësi e parë. Se vajë në lakra bie, apo jo?
Po ku mbahej Selfoja për këto punë. Kur u kthye nga qyteti, e prita dhe, pasi porosita nga një dopio ( me meze,sigurisht), prita atë rrëfimin se si e kish helmuar njërin që në gjithë aparatin e komitetit të partisë, mbahej më i ndershmi. Po ku të linte Selfoja për të qenë i ndershëm. I shkova në shtëpi, – më tregoi ai,- dhe gjeta të shoqen. Kisha porositur në “Dalan” të Karavastasë nja dy peshq sa një sheleg. Futur në trastë ata dhe, kur i nxora nga trasta dhe ia vura mu mbi tavolinën e kuzhinës, asaj iu hodhën sytë përpjetë. Sa u gëzua,aq dhe u habit. “Bibë” qyteti që nuk kish parë të tillë peshk, aq më shumë që aso kohe në Shqipëri shitej nga ia peshku kallkan ardhur nga Bullgaria,- thonë. T’ju bëjnë mirë,- e urova,- se lekët ia marr shokut Koço! Kështu i thashë asaj “bibës” unë, po nuk ishte fjalë për lekë. Ia lashë atje mbi tavolinë dhe ika.
Kur, mbas nja dy ditësh, ballë për ballë me këtë, Koçon.
* * *
Përqafohemi (të dy e kishim me hile: se ku donte njeri ky, Koçoja?, po dhe unë nuke doja, po më lipsej,or mik) dhe, sikur të na kishte grirë malli për njëri-tjetirn, shtrëngo e përqafohu e lëre mos e nga.
-Ore Selfo, rrofsh për atë peshkun që kishe sjellë tek unë, por mbeta pa të dhënë lekët.
-Shoku Koço, pse për kasap apo për peshkatar më merr mua, unë t’i solla se të vlerësoj si mik dhe aq. Pashë që u lëpi nga kënaqësia, por bëra sikur nuk e vura re.
– Se mos ke ndonjë hall?- më pyeti.
– Asnjë hall,- i thashë. Të të bëjnë mirë e mos ma zërë në gojë.
U ndamë dhe, këtë herë, më shtrëngoi më shumë.
-Pse nuk ia the hallin?- pyeta unë.
– Qenke teveqel,- ma preu ai. Nuk paske dhënë ndonnjëherë rushfet. Vëre vath në vesh nga unë:- Jepe peshqeshin sot dhe prite ta “vjelësh” mot.
Atë ditë u ndamë si miq dhe, tek llogarisja se ende nuk ishin mbaruar dy “shelegët” e dalanit të Karavastasë nga shoku Koço, bëra këmbë e drejt e në zyrë. Sa më pa, ma shtrëngoi dorën fort dhe unë, pa ia lëshuar dorën ( sikur po më këputej shpirti për të) i them:- Sot kam ardhur për një hall. Dhe papritur të ma lëshonte dorën, i them:- Kam vajzën dua ta dërgoj për infermiere, por thonë që duhet nga qyteti.
-Lëma mua emrin dhe ik i qetë. Kështu, të keqen Selfoja tyja,e mbolla dje, po e ha sot. Ja, iku Këzja ime për infermiere në Korçë. Kështu që të rrojë shoku Koço! Duke rrufitur mezenë që po sosej, po zbrazte thasët e ryshfetit dhe Selfoja me një sy. Bërë “profesionist në këtë “zeje” të vjetër dhe aq aktual tërë kohës, Selfoja një ditë e pësoi.
Se gjithmonë në këto punët e ryshefteve ( në gjuhën e drejtësisë quhet mit marrje a mitdhënie), e pësojnë peshqit e vegjël. Të mëdhenjtë e çajnë rrrjetën. Kështu ndodhi dhe me Selfon me një sy. Kjo ndodhi një mëngjes kur Selfoja, me atë thesin në kurriz, si pa gjë të keq, po trokiste në derën e drejtorit të grumbullimit. Këtij ,drejtorit, i kish dali nami për këtë punë dhe po e ruanin që ta zinin me presh në dorë. Duket drejtori nuk qe pa miq. Miku e informoi:- Të kanë vënë në shënjestër, dikush po të suverjon se nesër do të vizitojë dikush me thes në kurriz. Sikterise publikisht dhe ke për të larë faqen si komunist. Tek Selfoja priste të hapej dera mirëseardhëse si gjithmonë, kur dëgjon të bërtitura:- Maskara! Do të kompromentosh një kuadër dhe komunist. Pse ç’më di mua, shok si vetja, ore qorr që dua që të ta nxjerrë dhe syrin tjetër, por ç’t’i bëj partisë ku aderoj, se e dija vet se si do të zija me shqelma mu këtu para pallatit e në sy të njerëzve. Selfos vërtet sikur i doli dhe syri tjetër nga ç’dëgjoi me veshë. I zbriti shkallët më shumë i vdekur se i gjallë dhe mezi sosi tek makina për t’u kthyer në fshat.
Pa sosur në fshat, mbrriti korrieri nga komiteti i partisë dhe organizata e partisë u mblodh urgjent. Selfon me një sy e përjashtuan nga partia dhe drejtori si komunist i ndershëm u pranua si anëtar i byrosë në rreth.
Se qe i p a k o m p r o m e n t u e s h ë m…
Pas një jave, sado që qe “invalid” i luftës,Selfoja iu dha gjyqit dhe u dënua për “mitdhënie” në burgun ku komandant qe Gjon Banushi,- thanë. Unë nuk kam asgjë as me GJon Banushin, por as me Selfon. As do kisha shkruar sikur mos ky “ryshfeti” apo “mitdhënia” të jetë shtuar shumë në ditët tona. E keqja është se, përsëri, kur denocohen e hanë vetëm “Selfot”, kurse ata “shelegët” e Karavastasë e çajnë rrjetën dhe rrojnë e bëjnë pallë dhe mbajnë leksione antikorrupison. Deri kur kështu ma?- do pyeste Migjeni që është gjithmonë aktual…
Tiranë, 20 janar 2014