SFIDAT AKTUALE TË POLITIKËS SË JASHTME AMERIKANE, NË 100-VJETORIN E LINDJES SË PRESIDENTIT XHON F. KENEDI/
Nga Frank Shkreli/
Viti 2017 shënoi 100-vjetorin e lindjes së ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Xhon F. Kenedi. Xhon Kenedi lindur në vitin 1917 në Brukline të shtetit Masaçusets. Presidenti Kenedi, i cili është vrarë në gjysmën e mandatit të tij presidencial në vitin 1963 ishte presidenti i 35-të i Shteteve të Bashkuara, dhe mbetet njëri prej figurave më të njohura të politikës moderne amerikane të politikës së jashtme si dhe asaj të mbrendëshme. Me rastin e këtij përvjetori të lindjes dhe në kujtim të trashëgimisë së tij politike, sidomos në fushën e politikës së jashtme amerikane të ish-presidentit Xhon Kenedi, Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) lëshoi, pak kohë më parë, një deklaratë në emër të Sekretarit të Shtetit Reks Tillerson. Në deklaratën e shpërndarë nga DASH, Presidenti Kenedi kujtohet në këtë 100-vjetor si një president i cili, “Ndoqi një politikë të jashtme bazuar në fuqinë amerikane, në angazhimin e tij ndaj mbrojtjes së lirisë, të drejtave të njeriut dhe të dinjitetit njerëzor, por edhe në përdorimin e vendosur të diplomacies, si mjet për të çuar përpara interesat kombëtare të këtij vendi dhe të kauzës së paqës, gjatë një periudhe plotë sfida të historisë tone kombëtare.” Presidenti Kenedi, thuhet në deklaratën e Z. Tillerson, ishte një mbrojtës i vendosur i lirisë dhe të drejtave të njeriut në Berlinin e ndarë, në kulmin e Luftës së Ftoftë, ndërsa kishte deklaruar se ai ishte një prej tyre se edhe ai ishte një berlinas.
Sekretari Amerikan i Shtetit Tillerson thekson se, në kohën e tij, Presidenti Kenedi, “Kishte deklaruar rëndësinë e integrimit të diplomacisë dhe të politikës së mbrojtjes, si mënyra më e sigurt për të mbrojtur vendin tonë kundër rreziqeve që i kanoseshin atij në fillim të 1960-ave.” Në njoftimin e DASH citohet Xhon Kenedi të ketë thënë se, “Ne nuk duhet të negociojmë kurrë nga frika, por nuk duhet as të kemi frikë nga negociatat.
“Urtësia dhe guximi i tij na shpëtoi nga një luftë bërthamore gjatë krizës së raketave në Kubë”, thuhet në deklaratën e DASH dhe citohet Presidenti Kenedi se, “Njerëzimi duhet t’i japë fund luftës, para se lufta t’i japë fund njerëzimit.” Sekretari Tillerson kujtoi këtë muaj ish-Presidentin Kenedi në 100-vjetorin e lindjes edhe si udhëheqës i shpresës për popujt e botës, duke përmendur themelimin e Korpusit të Paqës, Aleancës për Përparim dhe avancimit të zhvillimit ekonomik për vendet e Afrikës dhe të botës në përgjithësi, nga Presidenti Kenedi, ndërkohë që kolonializmi fatbardhësisht po merrte fund në atë kontinent.
Ndërkohë që vlersojmë presidencën e tij prej vetëm 1000-ditësh, u shpreh Kryediplomati Tillerson, “Ne nderojmë gjithashtu edhe ëndrrën për paqë të Xhon Kenedit, jo vetëm për Amerikanët por edhe për popujt kudo”. Në deklaratë citohet një thënje nga fjalimi më vizionar i Kenedit, mbajtur në Universitetin Amerikan në Uashington DC qershorin e vitit 1963 se, “Unë jam i vetdijshëm se angazhimi për sigurimin e paqës nuk është aq dramatik sa angazhimi për luftë…por nuk kemi detyrë më urgjente” se të angazhohemi për paqë, ka thënë ish-Presidenti Kennedi me atë rast. Në të njëjtin fjalim, theksohet në deklaratën e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Reks Tillerson, shpërndarë pak më heret këtë muaj në kujtim të 100-vjetorit të lindjes së ish-Presidentit Kenedi, ai u bëri thirrje Amerikanëve dhe njerëzve vullnet mirë kudo, që të lënë mënjanë mosbesimin ndaj njëri tjetrit dhe kërcënimet e Luftës së Ftohtë dhe të bashkpunojnë për një të ardhme më të mirë globale. “Sepse, në fund të fundit”, ka thënë Xhon Kenedi, “Lidhja jonë e përbashkët dhe më themelore, është se të gjithë ne jemi banorë të këtij planeti të vogël. Të gjithë ne marrim frymë të njëjtin ajër dhe të gjithë ne dëshirojmë një të ardhme më të mirë për fëmijtë tanë. Dhe të gjithë ne jemi të vdekëshëm”, citohet të ketë thënë Xhon Kenedi, sipas deklaratës së DASH me rastin e 100-vjetorit të lindjes së tij, deklaratë e cila përfundon duke theksuar se, “Të gjithë ne që punojmë në Departamentin Amerikan të Shtetit, kujtojmë dhe nderojmë shërbimin e jashtëzakonshëm që Presidenti Kennedi i ka bërë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sidomos në fushën e politikës së jashtëme.
Nuk besoj se është vetëm e rastësishme deklarata e DASH me rastin e një përvjetori të lindjes, në këtë rast të ish-presidentit Kenedi. Besoj se pikërisht për trashëgiminë, vlerësimin dhe kujtimin që i bëhet gjithnjë politikës së jashtme të administratës afat-shkurtër të Xhon Kenedit, deklarata e DASH është jo vetëm me vend, por edhe frymëzuese edhe sot për diplomatët aktualë amerikanë, ndërkohë që përballen, ndoshta, me sfida ndryshe nga ato me të cilat përballej Xhon Kenedi në fillim të 1960-ave, por hiç më pak të rrezikshme për sigurinë e Amerikës dhe për stabilitetin dhe paqën në botë.
Ndërkaq, në një fjalim dy javë më parë në Këshillin e Atlantikut në Uashington, Kryediplomati aktual i Shteve të Bashkuara, Reks Tillerson foli mbi përballimin e sfidave të politikës së jashtme amerikane gjatë vitit 2017 dhe në të ardhmen. Ai rreshtoi një numër sfidash dhe prioritetesh të politikës së jashtëme të administratës Trump anë e mbanë botës, duke filluar me krizën e armëve bërthamore të Koresë së Veriut dhe marrëdhëniet me Kinën, përpjekjet për të mposhtur organizatën terroriste ISIS, si dhe gjëndjen në Siri dhe Irak, përfshirë mbarë Lindjen e Mesme. Z. Tillerson foli gjithashtu edhe për sfidat me të cilat përballet diplomacia amerikane në Azinë jugore, me theks politikën amerikane në Afganistan, Pakistan dhe Indi. Nuk munguan komentet e Kryediplomatit amerikan edhe mbi politikën e jashtme amerikane sa i përket marrëdhënieve të Uashingtonit me Bashkimin Evropian dhe NATO-n dhe marrëdhëniet me Rusinë. Përsa i përket marrëdhënieve me Evropën, Z. Tillerson foli për vizitat e tija të fundit në Evropë duke theksuar se kudo që vizitoi dhe në të gjitha takimet që ka zhvilluar me evropianët, vuri re se ekzistojnë gjithnjë lidhje të forta midis Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve dhe aleatëve amerikanë në Evropë. “Ekziston një bashkim i fortë rreth çështjeve me rëndësi për të gjithë ne, e të cilat janë çështje të sigurisë, çështje ekonomike dhe tregëtare”, ka thënë Tillerson në Këshillin e Atlantikut në Uashington, dy javë më parë. “Kemi shumë për të bërë” ka theksuar ai, duke shtuar se “Mesazhi i Presidentit Trump për aleatët evropianë është se ne jemi me ju. Do të jemi me ju. Përsa i përket veçanërisht NATO-s dhe Nenit 5 për mbrojtjen e përbashkët, ne do t’i zbatojmë angazhimet tona”, tha ai, por duke iu drejtuar vendeve anëtare të NATO-s, Kryediplomati amerikan u shpreh se, “Ju nuk mund të vazhdoni të kërkoni nga populli amerikan që ai të kujdeset për sigurinë e qytetarëve tuaj më shumë se ç’kujdeseni ju vet.”
Në lidhje me Rusinë, Z. Tillerson theksoi se sot për sot nuk kemi marrëdhëine të mira me Moskën. “Okupimi i Ukrainës nga Rusia është diçka që ne nuk mund ta pranojmë”, u tha Z. Tillerson të pranishëmve. Kjo është edhe arsyeja e vendosjes së sanksioneve të forta ekonomike kundër Rusisë, shtoi ai, dhe ato do të mbeten në fuqi për derisa Rusia nuk rivendosë integritetin territorial të Ukrainës. Një pengesë tjetër në marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, tha Z. Tillerson, janë përpjekjet e Moskës për të ndërhyrë në zgjedhjet e vendeve të tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe një numër vendesh në Evropë. Përderisa Moska nuk i ndalon këto ndërhyrje ilegale, nuk do të ketë normalizim të marrëdhënieve midis nesh, tha Kryediploamti amerikan Tillerson. Zgjidhja e shumë prej këtyre problemeve do të marrë kohë dhe punë të rëndë. Por kjo është natyra e vet diplomacisë në botën që jetojmë sot, në një botë plot sfida e konflikte, nënvijoi Z. Tillerson, në fjalimin e tij pranë Këshillit të Atlantikut në Uashington, mbi prioritetet dhe sfidat e politikës së jashtme amerikane gjatë vitit 2017 dhe në të ardhmen. “Misioni ynë në këtë jetë është që t’u japim fund disa prej këtyre konflikteve”, përfundoi ai.
Në një kryeartikull botuar të ënjtën në gazetën amerikane “Nju Jork Tajms”, Kryediplomati i Shteteve të Bashkuara, Reks Tillerson shkruan se, “Pa marrë marrë parasyshë sfidat serioze me të cilat përballemi, mbetem optimist rreth mundësisë së diplomacisë për zgjidhjen e konflikteve dhe njëkohësisht për të çuar përpara interesat amerikane.” Ai tha se ky besim i tij bazohet në faktin se “Diplomacia jonë përpilohet dhe zbatohet nga diplomatë patriotë dhe të dedikuar të Departamentit Amerikan të Shtetit”, të cilët shkruan ai, “Shërbejnë me durim dhe këmbëngulje për të avancuar vlerat demokratike anë e mbanë botës dhe për të mbrojtur jetën, lirinë dhe vlerat e qytetarëve tanë”.
Duke lexuar deklaratën e më sipërme të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Z. Tillerson, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Xhon Kennedit, mbi trashëgiminë dhe influencën e këtij gjigandi në politikën e jashtme amerikane që ndihet edhe sot, është inkurajues fakti se ai dhe kolegët e tij — me të drejtë — gjejnë frymëzim nga “urtësia dhe guximi” i Presidentit Kenedi për të zgjidhur disa prej sfidave me të cilat përballet aktualisht politika e jashtme amerikane dhe bota, duke marrë shembull nga urtësia e diplomacisë së ish-Presidentit Xhon Kenedi. Është shpresëdhënës fakti se në punën e tyre të përditëshme, diplomatët amerikanë duke filluar nga kryediplomati i SHBA-ave, kujtojnë, admirojnë dhe njëkohësisht shprehin guximin dhe vullnetin ndërsa tregojnë gatishmërinë e tyre dhe të ish-Presidentit Kenedi, ashtu siç kishte deklaruar ai, për të mos kursyer asgjë, në mbrojtje të lirisë dhe të drejtave të njeriut, kudoqë të kërcënohen ato në botë. “Le t’a dijë çdo komb, nëse na e do të mirën ose të keqen, se ne do të paguajmë çdo çmim, do t’i bëjmë ball çdo vështirsie, do mbështesim çdo vend mik dhe do të kundërshtojmë çdo armik, për të siguruar lirinë, suksesin dhe përparimin e saj kudo. Atyre aleatëve të vjetër me të cilët ndajmë vlerat kulturore dhe shpirtërore, ne u premtojmë besnikërinë e miqëve të besueshëm.” (Xhon Kenedi, 21 Janar, 1961.)
Besnikëria e miqëve të besueshëm ndaj Amerikës — siç ishte shprehur ish-Presidenti Kenedi më shumë se gjysëm shekulli më parë – është gjithnjë një vlerë dhe cilësi dalluese dhe me shumë rëndësi në marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me vendet e tjera, sot dhe në të ardhmen, pa marrë parasysh se kush mund të jetë president i këtij vendi aktualisht, ose më vonë.