(Ese për Lek Preng Pervizin editor i revistës KUQ E ZI)/
Nga Thanas GJIKA/
Lek Pervizi (bir i gjeneral Preng Pervizit), bashkë me Mërgim Korçën (bir i Dr. Xhevat Korçës), Uran Butkën (bir i mësusesit Safet Butka), Eugjen Merlikën (bir i ing. Petrit Mustafa Merlikës) e shumë veprimtarë demokratë të ditëve tona, janë bij të elitës intelektuale shqiptare që po formohej gjatë viteve të shtetit të pavarur shqiptar, pra dhe viteve të mbretërisë. Ata janë bij të atyre intelektualëve atdhetarë që nuk e donin ideologjinë komuniste, të cilët për këtë shkak u shpallën armiq të pushtetit prej Partisë Komuniste Shqiptare dhe bijtë e tyre u internuan, u burgosën ose u lanë në hije gjatë viteve të diktaturës. Mirëpo mbas vitit 1992 kur u shkërmoq diktatura e proletariatit, këta bij të denjë të prindërve të tyre me forca të përtërira ia filluan luftës për mëkëmbjen e demokracisë shqiptare.
Në vitin 1989 Mihail Gorbaçovi, sekretari i parë i Partisë Komuniste Bollshevike të Bashkimit Sovjetik, pranoi në takimin e Maltës para Xhorxh Bushit (Plakut), se sistemi socialist dështoi, si një sistem shoqëror i gabuar dhe joproduktiv. Në gjithë Europën Lindore u pranua kapitullimi i atij sistemi dhe shkërmoqja e diktaturës komuniste, e shtetit njëpartiak me ekonomi të përqendruar. Filloi instalimi pa dhunë i sistemit pluralist me ekonominë e tregut të lirë dhe legjislacion demokratik. Ky fenomen i ri solli dhe rilindjen e kulturës, të artit e të shkencës demokratike, të cilat kanë në themel të tyre zbulimin e së vërtetës, të së bukurës dhe të së dobishmes në jetën njerëzore. Mirëpo fitimtarët (shtetet e Perëndimit) pranuan që shkërmoqja e diktaturës dhe krijimi i sistemit të ri shoqëror të kryhej në rrugë paqësore. Kjo klauzolë solli si pasojë që në Europën Lindore, pra dhe në Shqipëri, ish partitë shtet nxitën futjen e shumë ish komunistëve e sigurimsave në partitë e reja për ta kryer procesin e pluralizmit dhe krijimin e ekonomisë së tregut të lirë, ashtu si u leverdiste atyre. U punua fshehurazi që pasuritë dhe pushteti politik në këto vende të trashëgohej prej bijve të komunistëve dhe shërbëtorëve të tyre besnikë.
Ky fenomen ndodhi dhe në Shqipëri, ku në këtë proces ndihmuan edhe shumë artistë e veprimtarë shoqërorë, të cilët gjatë viteve të diktaturës kishin kontribuar në krijimin e artit, kulturës dhe të shkencës së politizuar. Ata u përpoqën të ecnin në rrugën e re, por formimi i tyre i vjetër politik, kulturor e artistik, si dhe privilegjet që kishin gëzuar gjate sundimit te partisë shtet, i pengonin që t’i shihnin dhe analizonin me sy kritik dukuritë e jetës së kaluar dhe të jetës aktuale. Të tilla dobësi të formimit bashkë me disa dobësi të karakterit të tyre, ndikuan që ky grup veprimtarësh dhe artistësh të mos e kryente procesin e katarsës, procesin e shpëlarjes nga gabimet dhe krimet e kryera gjatë sundimit të diktaturës komuniste. Në veprat e veprimtarëve të këtij grupi bie në sy përpjekja për të justifikuar bëmat e kohës së diktaturës duke kritikuar vetëm ndonjë dobësi të sistemit diktatorial si luftën e tepruar të klasave, varfërimin e skajshëm të shoqërisë e ndonje tjeter, por pa treguar se ai sistem ishte i gabuar që në fillimet e veta, mbasi u stis me vrasje, burgime, internime pa gjyq, me shkelje flagrante të të drejtave të njeriut. Dhe më djallëzisht vepruan disa prej tyre duke u përpjekur të zmadhonin ndonjë kritikë që u ishte bërë gjatë regjimit komunist dhe ta paraqisnin veten si të përndjekur, madje dhe si të pakënaqur e disidentë. Kështu politika shqiptare e sotme, për turp i la mënjanë disidentët e vërtetë e të përvojturit dhe i zëvendësoi ata me bijtë e ish komunistëve e ish sigurimsave.
Për fatin e mirë të popullit tonë, krahas këtij grupi veprimtarësh, artistësh e studiuesish, për rilindjen dhe mëkëmbjen e politikës, kulturës, artit dhe shkencës së re demokratike, ka punuar dhe një grup tjetër i përbërë prej ish të përndjekurve e të dënuarve politikë, me të cilët u bashkuan dhe disa intelektualë të ndershëm të cilët ishin lënë në hije gjatë kohës së diktaturës. Edhe pse përbërësit e këtij grupi nuk kishin pasur mundësi shkollimi e kualifikimi si pjesëtarët e grupit të lartpëmendur, ndihmesa e tyre në ecurinë e proceseve ka qenë dhe është thelbësore, ndonëse propaganda e sotme, e dominuar prej grupit të ish të përkëdhelurve të diktaturës, nuk e vlerëson dhe përpiqet ta mënjanojë e nënvlerësojë atë.
***
Midis veprimtarëve të grupit të dytë ndrit jeta dhe vepra e Lek Pervizit, djali më i vogël i tre djemve të gjeneral Preng Pervizit. Me jetën dhe veprimtarinë e shumanshme ky veprimtar i shquar i demokracisë shqiptare ka hyrë që për së gjalli midis shqiptarëve të pavdekshëm. Brezat e sotëm dhe të ardhshëm të shoqërisë sonë do t’i vlerësojnë gjithnjë e më shumë të tillë veprimtarë që shquhen për karakterin e fortë dhe ndihmesën e shumanshme në fushën e kulturës, gazetarisë, historisë, artit dhe të mendimit politik e shoqëror.
Babai i Lekës, Preng Pervizi, ishte një nga kuadrot e lartë të ushtrisë shqiptare, që kishte kryer studimet në Austri e Itali dhe ishte inkuadruar në forcat e armatosura shqiptare që në vitin 1918.
Lek Pervizi u lind më 26 qershor 1929 në Skurraj të Kurbinit, u shkollua bashkë me vëllezërit në Itali. Vëllai i madh, Valentini, studioi në Romë në vitet 1929-1941 ku përfundoi shkollën e lartë ushtarake të kavalerisë. Vëllai i dytë, Genci, studioi po në Romë në vitet 1929-1943, ku përfundoi studimet e larta për aviator. Leka ndoqi në Romë studime në kolegjin Santa Maria gjatë viteve 1938-1943, ku ndoqi edhe një kurs pikture. Nuk e mbaroi dot atë shkollë, mbasi ndryshimet e mëdha që solli kapitullimi i Italisë fashiste, bëri të pamundur vijimin e shkollimit të tij. Shkollimi i tij nuk u përfundua as në Shqipëri, sepse mbas vendosjes së diktaturës komuniste nisi terrori ndaj familjes së tij.
Për shkak bindjesh dhe miqësish, babai i Lekës që në rininë e tij u lidh me Ahmet Zogun dhe u bë një nga përkrahësit e tij të fuqishëm deri në prillin e vitit 1939, si dhe më pas gjatë pushtimit italian e gjerman. Edhe pse ishte prombretit, Preng Pervizi bashkë me Muharrem Bajraktarin e ushtarake te tjere nuk u bashkuan me asnjë parti politike, pra as me Partinë e Legalitetit, por i qëndruan besnik mendimit se ushtria shqiptare duhej të ishte e depolitizuar si forcë që mbronte atdheun nga rreziqet e jashtëm. Gjeneral Pervizi në gusht të vitit 1944 kundërshtoi mendimin e komandës gjermane për të shpallur diktaturën ushtarake në Shqipëri, kundërshtim që solli grindjen e tij me komandën gjermane dhe djegien e shtëpive (kullave) të tij në Laç e Skurraj të cilat pak më vonë u ridogjën prej forcave partizane, ndonëse në shtator të vitit 1944 Prenga, bashkë me disa ushtarakë, përkrahës të tij, doli maleve për të kundërshtuar pushtimin gjerman. Përpjekjet e Preng Pervizit dhe shokëve të tij për të bashkuar forcat antikomuniste dështuan për shkak se misioni ushtarak anglez, që përfaqësonte Aleatët e Mëdhenj, u pajtua me mendimin që fati i Shqipërisë të trajtohej bashkë me fatin e Jugosllavisë, mendim që e dëmtoi të ardhmen e vendit tonë.
Preng Pervizi në janar të vitit 1945 u shpall prej qeverisë komuniste armik i popullit dhe u dënua me vdekje. Nuk u morën parsysh asgjë nga veprimtaria e tij 26-vjeçare në shërbim të atdheut.
Nuk u mbajt parasysh e nuk u përmend kurrë fakti se Preng Pervizi ishte një ndër komandantët e forcave të shtetit shqiptar që luftuan për dëbimin e serbëve nga Shqipӫria në vitet 1920-1921.
Nuk u mbajt parasysh e as u përmend kurrë kontributi i tij në shtypjen e kryengritjes së Mirditës të nxitur prej agjenturës jugosllave më 1921 dhe as dështimi i grushtit të shtetit të 8 marsit 1922, ku Preng Pervizi në krye të forcave qeveritare i shpartalloi forcat rebele dhe e shpëtoi vendin nga kriza.
Nuk u mbajt përasysh as fakti se Preng Pervizi kishte qenë komandant i forcave shtetërore që shtypën kryengritjen antikombëtare të zonës Shalӫ-Shosh (Dukagjin) në nëntor- dhjetor 1926, nxitur nga agjentura jugosllave.
Nuk u mbajt parasysh e nuk u përmend kurrë guximi i tij për kundërshtimin e mendimit të Benito Musolinit më 1936 (shfaqur në Luftën e Abisinisë e në Manovrat e Mëdha të ushtrisë italiane, ku Prenga ishte dërguar si vëzhgues i palës shqiptare. Benito Musolini në fund të lojrave i tha Prengës: Shqipëria është një vend trim por e vogël, por ne do ta bejmë të madhe. Ushtria italiane e ka Shqipërinë një kafshatë goje. Prenga, duke e kuptuar nëntekstin e këtyre fjalëve, iu përgjigj: Ne na mjafton Shqipëria dhe kështu si është. Shqipëria nuk është Abisini, ajo është kockë e fortë, që ngec në fyt. Kjo përgjigje i dha të kuptonte Musolinit, se Preng Pervizi nuk do ta pranonte pushtimin, por do të organizonte rezistencën e armatosur. Prenga e vuri në dijeni mbretin Zog i I për rrezikun që i kanosej vendit, por ai nuk mori asnjë masë mbrojtëse, sepse kishte besim të verbër ndaj Italisë. Agjentura italiane në Shqipëri e bindi mbretin, që ta transferonte Preng Pervizin nga qendra si komandant të qarkut operativ Tiranë-Durrës në komandant të qarkut operativ Korçë-Kolonjë, për ta pasur sa më larg ditën e sulmit, që u realizua më 7 prill 1939.
Nuk u mbajt parasysh e nuk u përmend kurrë fakti se Preng Pervizi më 9 prill 1939, donte të fillonte rezistencën kundër pushtuesit italian dhe i propozoi mbretit në Zëmblak të Korçës që të lëshonte kushtrimin për luftë popullore ndër male. Ahmet Zogu nuk e pranoi këtë mednim me pretekstin se dëmtohej populli. Prenka u detyrua ta përcillte mbretin në Follorinë të Greqisë, ku I kërkoi përsëri që të kthehej në Korcë e të shpallte luftën kundër pushtuesve italianë pastaj të largohej nga atdheu e të kujdesej për mbretëreshën lehonë e djalin disaditësh. Por mbreti u arsyetua duke thënë se asnjë fuqi europiane nuk e kundërshtoi pushtimin italian dhe se Shqipëria nuk mund ta fitonte lirinë duke luftuar e vetme. Kryeministri anglez, Ҫamberlen, ishte shprehur: Anglia nuk ka asnjë interes në Shqipëri.
Nuk u mbajt parasysh e as u përmend fakti se gjatë luftës Italo-Greke në tetor 1940 Preng Pervizi, komandanti i regjimentit të përbërë nga dy batalione shqiptare, dha urdhërin e tërheqjes së forcave shqiptare nga luftimet, duke i kundërshtuar gjeneralët italianë se ushtria shqiptare nuk behej mish për top. Për këtë urdhër gjeneral Pervizin italianët e mbajtӫn në gjendje izolimi në alet e Pukës deri në kapitullimin e Italisë. Por këtë meritë Enver Hoxha ia veshi Spiro Moisiut, vartësit të Preng Pervizit, pasi Spirua u bashkua me forcat partizane më 1942.
Nuk u mbajt parasysh e as u kujtua ndonjëherë fakti se gjeneral Pervizi në gusht të vitit 1944 u grind me komandën gjermane dhe në shtator 1944 bashkë me shumë kolegë ushtarakë doli maleve si antigjerman, veprin që shkaktoi bombardimin e kullave të tij në Laç e Skurraj.
Duke mos u marrë parasysh të tilla merita të gjeneral Preng Pervizit, në dhjetor të vitit 1944 u arrestua djali i tij i madh, Valentini, i cili jetoi nëpër burgje, kampe pune dhe fshatra internimi deri në shkurt 1991, plot 47 vjet. Në vitin 1945 u internuan në Berat bashkëshortja dhe nëna e Prengës dhe që aty tre vjet më vonë i dëbuan në kampin më të keq, në atë të Tepelenës, ku më 1950 vdiq nëna plakë 90-vjecare.
Preng Pervizi mbasi jetoi në male deri në shtator të vitit 1946, u arratis në Greqi me synimin që të nxiste qeveritë perëndimore për të ndihmuar qëndresën antikomuniste në Shqipëri.
Në vitin 1947 u arrestua djali i dytë, Genci, i cili jetoi nëpër burgje, kampe pune e internimi deri në vitin 1989.
Kurse djali i vogël, Leka në fillim u la i lirë në Tiranë, ku u mbajt nën vëzhgim deri në maj 1950 kur e arrestuan dhe e mbyllën në kalanë e Portopalermos, pastaj në kampin e Tepelenës, në atë të Shtyllasit e më tej në Kuç të Vlorës deri më 1958. Organet e Sigurimit shqiptar dëshironin që gjeneral Pervizi të hynte në Shqipëri për të marrë ndonjë nga djemtë e tij. Por ai nuk synonte të shpëtonte vetëm një ose të tre djemtë e tij. Ai synonte të shpëtonte gjithë Shqipërinë nga zgjedha komuniste, prandaj vijoi veprimtarinë e tij në Greqi derisa u largua më 1965 në Itali e pastaj në Belgjikë, ku vdiq më 1977.
Në kampin e Tepelenës jeta e Lekës ishte tepër e vështirë për shkak të kushteve shumë të këqia dhe të punës shumë të rëndë, por edhe atje ai përjetoi momente gëzimi e ngushëllimi kur organet përkatëse shpunë aty Valentinin dhe nënën. Vuajtja së bashku ishte më e lehtë. Ai kamp u mbyll më 1954, për shkak të kushteve të këqia, nën presionin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Mbas kësaj, Lekën e transferuan në kampin Plug të Lushnjës, ku ai u martua me bashkëvuajtësen Gjuliana Malaj, e cila kishte filluar jetën e internimit që foshnjë në kampin e Tepelenës, ku i kishin ngjitur emrin Beba, mbasi ishte një nga fëmijët që i shpëtuan vdekjes masive të atjeshme.
Arrestimet, burgimet dhe internimet e familjes Pervizi u shoqëruan dhe me grabitjen e pronave e të tokave si dhe me djegien e shtëpive në Laç e Skuraj dhe me konfiskimn e shtëpisë vilë në Tiranë. Kjo familje e madhe duke përfshirë dhe kushërinjtë pati 23 vetë të vrarë e të vdekur nëpër burgje e internime. Sasia e përgjithëshme e viteve të burgimit dhe internimit arrin në 750 vjet. Kurse vetëm trungu i ngushtë familjar vuajti 456 vjet burgime, internime e dëbime. Na gëzon fakti se kjo familje i rezistoi me trimëri shtypjes dhe diskriminimit të padrejtë. Themi shtypje dhe diskriminim i padrejtë, sepse asnjëri prej këtyre vuajtësve nuk kishte kryer ndonjë gabim a krim ligjor. Familja Pervizi, si shumë familje të tjera të elitës shqiptare nacionaliste, që u burgosën e u internuan për dhjetëvjeçarë, e sfidoi me sukses të plotë diktaturën komuniste. Sfidë e cila meriton vepra të ndryshme arti. Vepra të tilla kanë filluar të hartohen e do të vijojnë të hartohen derisa masat e gjera të popullit tonë të çlirohen nga tymnaja e popagandës komuniste dhe ta urrejnë diktaturën komuniste ashtu si populli italian e ai gjerman e urryen diktaturën fashiste e naziste dhe shkuan përpara.
Djali i madh, Valentini (1920-1999), i përballoi i vetëm vuajtjet e burgjeve dhe internimeve. Ai nuk pati fëmijë nga martesa me gruan italiane Gorizia Manini, të cilën regjimi komunist pas arrestimit të tij e largoi nga Shqipëria. Si në legjendat e moçme Valentini i qendroi besnik gruas së tij dhe nuk u rimartua. Mbrekullisht edhe bukuroshja italiane e dashuruar fort pas oficerit kryelartë shqiptar, e priti burrin e saj derisa më 1991, u ribashkuan në Bolonjë, ku kaluan së bashku vitet e pleqërisë.
Djali i dytë, Genci (1923-1989) nuk e jetoi shkërmoqjen e diktaturës, mbasi më prill 1989 vdiq para kohe. Por ai vdiq i kënaqur sepse me bashkëshorten Albina e shtuan familjen Pervizi duke lindur gjashtë fëmijë: Evën më 1960, Edin më 1962, Davidin më 1965, Dionizin më 1969 dhe Damianin më 1976.
Edhe djali i tretë, Leka doli prej ferrit me familjen e tij të përtërirë. Ashtu si familja e babait të vet, që kishte gruan dhe tre djem, edhe Leka me Gjulianën ishin shtuar me tre djem: Leonardin më 1966, Dorianin më 1967 dhe Aurelin më 1975.
Duke mos pasur mjete e mundësi jetese, pasardhësit e Preng Pervizit, ndonëse fituan lirinë, nuk mund të jetonin në atdhe. Regjimi komunist që ua kishte marrë gjithë pronat e tundshme e të patundshme, nuk ua ktheu ato. Në të tillë gjendje ekonomike këta sfidues të diktaturës u detyruan të merrnin rrugën e shpërnguljes më 1990-1991. Valentini, si thamë shkoi në Itali, familja e Gencit në ShBA, kurse familja e Lekës në Bruksel të Belgjikës, ku gjeneral Pervizi bashkë me shokun e tij Muharrem Bajraktari kishin kaluar vitet e pleqërisë si emigrantë politikë.
Regjimi komunist nuk i donte nëpër këmbë vuajtësit e panënshtrueshëm si ishin pasardhësit e Preng Pervizit, Gjon Markagjonit, Mustafa Merlikës, Abaz Kupit, Abaz Ermenjit, Muharrem Bajraktarit, Fiqri Dines, Hysni Demës, etj, etj. Të tillë sfidues të diktaturës duheshin larguar dhe u larguan me mënyra të ndryshme prej Shqipërisë para se të fillonte loja politike e pluralizmit, sepse ata përbënin opozitën e vërtetë politike antikomuniste dhe e rrezikonin seriozisht të ardhmen e bijve të kupolës komuniste dhe të shërbëtorëve të tyre. Sipas premtimit të Ramiz Alisë ish komunistët e besnikët e tyre do të trashëgonin pasuritë dhe pushtetin në Shqipëri. Dhe vërtet, po të shikosh klasën e sotme politike dhe përbërjen e shtresave të pasura del qartë se shumica e tyre janë pasardhës të komunistëve dhe sigurimsave të kohës së diktaturës, të cilët nuk i urrejnë aspak prindërit e tyre për poshtersitë e kryera, por mburren me ta dhe i justifikojnë me shprehjet ashtu ishte koha, ashtu ishin ligjet…
Mund të justifikohen ligjet çnjerëzore të diktaturës komuniste me shprehjen ashtu ishte koha, ashtu ishin ligjet, por asnjë normë morale nuk i ka justifikuar dhe nuk i justifikon shkeljen e atyre ligjeve. Kush mund t’i justifikojë vrasjet prapa shpine të partizanëve trima si Memo Meto, Raqi Qirinxhi, Mynyr Xhindi, etj. Asnjë kohë e asnjë ligj nuk i justifikon arrestimet pa gjyq, torturat çnjerëzore nëpër qelitë e hetusive dhe vrasjet pa vendim gjyqi të shumë nacionalistëve, intelektualëve, klerikëve, madje e të mjaft komunistëve, të cilët nuk vepruan kundër ligjeve në fuqi, por vetëm guxuan të mendonin ndryshe nga vija e partisë shtet. Të tillë njerëz, të cilët përbëjnë një pasuri të madhe morale, politike e shoqërore për Shqipërinë, u pushkatuan e u varrosën në gropa kolektive dhe ende kanë mbetur pa varre personale ku t’i qajnë e përkujtojnë familjarët e miqtë e tyre.
Të mos i dënosh të tilla krime, ose t’i lësh në harresë, do të thotë të kryesh krime të rinj, t’i lësh të qelbëzohen plagët e vjetra dhe të krijosh plagë të reja.
Historianëve nuk u kërkohet që të mohojnë Luftën Antifashiste, por u këkohet që kur shkruajnë për atë luftë, të mos zbukurojnë kot bëmat e brigadave partizane dhe të mos hedhin baltë mbi bëmat e forcave të tjera antifashiste. Vetëm njerëz të droguar prej propagandës komuniste dhe propagandës së huaj antishqiptare nuk pranuan e nuk pranojnë faktin se përfaqësuesit e PKSH-së, të Ballit Kombëtar dhe të Legalitetit u ulën në Mukje si forca të barabarta antifashiste dhe së bashku hartuan më 2-3 gusht 1943 marrëveshjen e përbashkët. Marrëveshja e Mukjes, për vlerat e saj kombëtare ka qenë e ngjashme me marrëveshjen e Lidhjes së Prizrenit të vitit 1878, por u hodh poshtë prej përfaqësuesve të Partisë Komuniste Jugosllave, sepse aty kërkohej të ruhej bashkimi i Kosovës me Shqipërinë.
Historianëve u kërkohet të zbulojnë shkaqet pse dhe si diktatura e proletariatit u transformua në një diktaturë më të keqe se diktatura fashiste e ajo naziste, ku diktatori ynë vetë vendoste e vetë vuloste për gjithçka, dënonte pa gjyq ose me gjyqe të stisur cilindo që i dukej se i rrezikonte pushtetin. Të zbulohet pse gjithë kuadrot e ulët e të lartë aprovonin dënimin e kolegëve të tyre me të cilët kishin luftuar e bashkëpunuar me vite dhe e dinin mirë se ata nuk ishin agjentë e poliagjentë, si i shpallte diktatori…
Gazetar që lufton për të vërtetën dhe rilindjen e moralit të shëndoshë.
Lek Pervizi, sot 86 vjeçar, është një prej figurave më të rëndësishme të proceseve demokrtatike që po përjeton shoqëria shqiptare që nga viti 1991. Duke jetuar në liri dhe në kushtet e një asistence ekonomike belge në Bruksel, ky i përvuajtur i regjimit komunist shqiptar, nisi të rigjenerohej fizikisht e mendërisht. Aftësitë mendore dhe talenti i tij i ndrydhur e i shtypur shpërthyen me një forcë të pabesueshme në disa fusha.
Në tetor të vitit 1993 në Bruksel, atje ku Faik Konica më 1897 filloi botimin e revistës Albania, Lek Pervizi filloi publikimin e revistës Kuq e Zi, si një organ shtypi me karakter kulturor e politik. Në fillim, para se të përvetësonte kompjuterin ai i daktilografonte dhe i shumfishonte me kseroks materialet e revistës. Mos harrojmë se kur e filloi këtë punë, Leka ishte gati 65 vjeçar, moshë kur është e vështirë të mësosh daktilografimin dhe shfrytëzimin e kompjuterit, Por zjarri që e digjte nga brenda për të bërë të njohur vuajtjet e burgjeve dhe internimeve e ndihmuan që të mposhtte cdo vështirësi teknike e fizike, ta pasuronte revistën me materiale të shumta të shkruara prej tij dhe kolegëve. Sot kjo revistë euro-shqiptare ka arritur në numërin 100, që do të thotë se themeluesi e botuesi i saj ka hartuar e publikuar 100 kryeartikuj dhe qindra artikuj e shkrime me karakter të ndryshëm.
Për të siguruar shumllojshmërinë e shkrimeve dhe një nivel sa më të lartë për revistën, Leka që në fillim krijoi bordin e revistës dhe rrethin e bashkëpunëtorëve. Midis bashkëpunëtorëve po përmendim të mirënjohurit prof. Injac Zamputi, Kardinal Mikel Koliqi, prof. Gulielm Deda, prof. Arshi Pipa, Mark Dema, At Zef Pllumi, shkrimtarin Visar Zhiti, Myrteza Bajraktari, Nush Radovani, Nikoll Mazreku, studiuesen Nermin Vlora me të shoqin Renzo Falaski, studiuesin H. J. Lanksch, Niko Kirka, prof. Robert Elsie, Mërgim Korca, Gjosho Vasia, Nikoll Tuci, Filika Gruda, Ariana Rufa, Riza Hoxha, poeten Julia Gjika, etj.
Detyrat kryesore të kësaj reviste u parashtruan në kryeartikullin Tribunë shqiptarizmi, të numërit të parë, ku autori shpalosi programin e këtij organi. Aty u theksua se revizta del për të dëshmuar të vërtetën për jetën plot vuajtje të të përndjekurve nga dhuna komuniste, për të shpalosur mendimet e tyre atdhetare politiko-shoqërore dhe kulturore, si dhe bëmat e tyre në fusha të ndryshme të jetës e të artit. Kjo revistë mori përsipër dhe vijon ta kryejë me sukses ringjalljen e vlerave morale e shirtërore të popullit shqiptar, që u cunguan e u vranë gjatë regjimit diktatorial, si besën, mikpritjen, trimërinë, besimin tek Zoti, etj. Po ashtu në shkrime të ndryshme të saj bëhet rivlerësimi i shumë ngjarjeve e figurave historike që u lanë mënjanë e u nëpërkëmbën prej propagandës komuniste. Kjo bëhet me synimin që jeta, kultura e shkenca historike shqiptare të përjetojnë një rilindje, një proces pastrimi nga skorjet, nga mashtrimet dhe shtrembërimet e shkencës së politizuar. Me një fjalë revista Kuq e Zi ka ndihmuar e ndihmon dukshëm në procesin e rishkrimit të historisë sonë kombëtare, në njohjen dhe vlerësimin e jetës dhe të veprës së shkrimtarëve dhe artistëve të dënuar, të cilët krijuan vepra të artit realist në kushtet mizore të burgjeve dhe kampeve të internimit.
Në plan mbarëkombëtar revista pasqyron dhe nxit procesin e bashkimit kombëtar në rrugë paqësore, proces i natyrshëm i nacionalizmit të shëndoshë. Ky program kombëtar ka gjetur shprehjen e vet në citatin që publikohet në faqen e parë të çdo numëri:
Shqiptarëve s’ka ç’u duhen ideologjitë e huaja duke pasur një të vetmen të tyren, Shqiptarizmin, idealin kombëtar.
Studiues dhe përkthyes veprash shkencore.
Gjatë shkollimit në Itali, Leka studjoi disa vjet latinisht dhe italishten mesjetare. Ky formim bashkë me pasionin e tij atdhetar e ndihmojnë që të merret dhe me studime historike që trajtojnӫ origjinën e shqiptarve dhe vjetersinë e gjuhës shqipe. Ai ka hulumtuar në biblioteka e arkiva të ndryshme. I njohur është përkushtimi i tij ndaj historive të shkruara për Gjergj Kastriotin Skenderbeun. Përmes këtyre studimeve ai nxori në pah figurën e Dhimitӫr Frangut si i pari shqiptar që shkroi për jetën e bëmat e heroit tonë kombëtar më 1480, shumë vjet para Barletit. Leka e përktheu nga origjinali (italishtja mesjetare) dhe e botoi shqip në Tiranë duke e pajisur me shumë shënime sqaruese këtë histori me titullin Dhimitër Frangu Veprat e Lavdishme të Skënderbeut. Këtë botim ai e realizoi në kuadrin e 600-vjetorit të lindjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Libri pati jehonë dhe u pasqyrua në gjithë shtypin shqiptar si një kontribut për njohjën e jetës dhe luftrave të Gjergj Kastriotit.
Kërkimet e mëtejshme në bibliotekën e Bolonjës (Itali) e ndihmuan Lekën të gjente dhe një histori tjetër për heroin tonë kombëtar të botuar prej historianit italian Paolo Jovio. Leka vuri re se vepra e Dh. Frangut dhe ajo e P. Jovios kishin të njëjtën përmbajtje pavarësisht se kishin tituj të ndryshëm. Këtë vepër të dytë Leka e botoi shqip më 2011 në New York me titullin Skënderbeu dhe Sulltanët e Turqisë, duke e pajisur me shënime për të mbrojtur hipotezën e vet se vepra e P. Jovios ishte ribotim i veprës së Dh. Frangut me titull tjetër, dhe se Jovio origjinalin latinisht të Dh. Frangut e përktheu italisht dhe e adaptoi si të vetin.
Dashuria për historinë e lashtë të popullit tonë e shtyu Lekën të merrej dhe me përkthimin e pajisjen me shënime të veprës Pellazgӫt e pasardhӫsit e tyre të studiuesit francez Eduard Schneider, të cilën e botoi në Tiranë më 2008. Ky studjues përmes gjuhës shqipe trajton origjinën e shqiptarve si popull pasardhës i Pellazgëve.
Leka e ndjen për detyrë edhe nxjerrjen në dritë të vlerave të familjes së vet, vlera të mbuluara me shpifje dhe të dënuara me hedhje në harresë. Për këtë arsye ai mblodhi e botoi shkrimet e babait të vet dhe ç’është shkruar për të në shtypin shqiptar. Frut i kësaj pune është përmbledhja Gjeneral Preng Pervizi në shtypin shqiptar, Bruksel 2009. Për ta shpënë më tej njohjen dhe vlerësimin e jetës e të veprimtarisë së babait të tij ai rishkroi dhe biografinë e Preng Pervizit, hartuar e botuar së pari më 2002 prej Nënkolonel Dr. Pjetër Hidri dhe përkthyer e botuar frëngjisht në Belgjikë më 2008.
Kërkimet e mëtejshme për hisorinë e familjes e shpunë Lekën edhe tek vepra tjetër biografike Gjin Pjetër Pervizi, luftëtar i shquar i Rilindjes Kombëtare ku ai sqaron jetën e gjyshit të tij, i cili ishte lënë në harresë për shkak të të birit, Preng Pervizit. Këtë vepër Leka e hartoi dhe e botoi në Tiranë më 2012, në vitin jubilar të 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë dhe një mik i tij e ribotoi në New York, po atë vit. Ky Botues ka botuar edhe libra të tjerë të Lek Pervizit në prozë e poezi.
Piktor realist dhe poet i traditës rapsodike.
Gjatë viteve të shkollimit në Romë, djaloshi Lek ndjente një forcë të brendshme që e shtynte të merrej dhe me vizatime. Për këtë arsye ai ndoqi me pasion një kurs vizatimi e pikture, që drejtohej prej një artisti austriak.
Përgatitja që fitoi atje i dha mundësi që më vonë të fitonte konkursin për t’u regjistruar në Liceun Artistik Jordan Misja. Këtë shkollë ai e ndoqi në vitet1948-1950. Mësuesit e vizatimit dalluan talentin e tij të spikatur dhe i dhanë të drejtën që të kalonte drejtpërdrejt në maturë. Mirëpo ata që ishin ngarkuar për të gjurmuar jetën e tij ndërhynë dhe në maj të vitit 1950 e arrestuan dhe pasi e bashkuan me vellain Valentin e mbyllën nӫ Kalanë plot lagështirë e errësirë të Portopalermos. Pastaj e flakën nga kampi në kamp derisa më 1958 e dërguan në kampin Plug të Lushnjës, ku jetoi 32 vjet të tjera.
Janë duart e arta të Lekës ato që zëvendësuan fotografitë e munguara gjatë viteve të internimit për të dëshmuar pamjet e kampit të Tepelenës, të Kucit e të Lushnjës. Disa prej këtyre vizatimeve u zhdukën gjatë kontrolleve që kryeheshin nëpër kampe, por ato që shpëtuan u vlerësuan për vlerat e tyre dokumentare prej Fondacionit gjerman Konrad Adenauer (Konrad Adenaur Stiftung), i cili formoi stenda muzeale në Tepelenë për të dëshmuar persekutimin e egër komunist në ceremoninë e përkujtimit të kampeve komuniste dhe botoi albumin Në Rrathët e Ferrit me vizatimet e Lekës.
Kryevepra e Lek Pervizit si piktor është tabloja kompozicionale me ngjyra Beteja e Fushkuqes me tematikë nga luftrat antiosmane të shqiptarëve nën drejtimin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Kjo betejë ndodhi më 2 shtator 1457 dhe Marin Barleti e përmend me emrin Beteja e Albulenës dhe u zhvillua poshtë Fushës së Milotit, gjatë bregut të lumit Mat deri në det.
Talenti i lindur i Lek Pervizit është shumëdimensional. Krahas pikturës ai është shquar edhe në fushën e krijimtarisë poetike.
Formimi i tij në fushën e letërsisë i ka rrënjët që në fëmijërinë e hershme, kur ai dëgjonte pranë vatrës rapsodët popullorë që recitonin këngë Kreshnikësh dhe pastaj kur filloi të lexonte në shqip e italisht poema madhore të klasikëve tanë e italianë. Leka meriton të quhet Lexues i madh, sepse gjatë jetës, pavarësisht nga kushtet e vështira ai ka lexuar një sasi të madhe veprash italisht, frëngjisht e shqip. Kur e pyet për formimin e tij letrar e kulturor, Leka përmend me shumë mallëngjim vitet e vuajtjeve në kampin e Kuçit të Vlorës, ku ai jetoi bashkë me intelektualë shqiptarë të nivelit akademik, si Kardinal Mikel Koliqi, Dr Ali Erebara (ish kolonel, që zotëronte 12 gjuhë), Dr. Mykerrem Janina, Prof. Guljelm Deda, Prof. Ali Cungu, Dr. Mitat Araniti, Dr. Abedin Hoxha, Dr. Izedin Beshiri, Prof. Mihal Sherko, Dr. Nedim Kokona, Dr. Ibrahim Sokoli, Juristët Baldasar e Zef Benusi, Prof. Dr. Lazer Radi, Dr. Sandëe Saraçi dhe intelektualë të njohur si Sami Hysi, Kadri Borshi, Sabri Quku, Dilaver Tartari, Jakov Milaj, Faik Selenica, Mark Temali, Spiridon Kacaroci, Pandeli Nase, Remzi Çela, Fiqiri Llagami, Dr. Loro Muzhani, Dr. Karlo Çoba, oficerët madhorë Len Deda, Luigj Berisha, Ded Jakova, Isa Kokalari, Valentin Pervizi, ish ministrat Dr. Zef Shiroka e Dr. Vasil Avrami, etj.
– Në Kuç të Vlorës kam kryer akademinë e vërtetë, thotë Leka, dhe të përmend emrat e bashkëvuajtësve, të cilët në kushtet e fjetores mizerabël mbanin biseda shkencore dhe lexonin krijimet e përkthimet e tyre të një niveli të lakmueshëm.
Të kësaj kohë kanë shpëtuar disa vizatime-portrete, të përfshirë në albumin që përmendëm.
Gjatë viteve të jetës në kampet, Tepelenë, Portopalermo, Kuç, e Plug, Leka krijoi shumë poezi ku pasqyroi jetën e vet e të bashkëvuajtësve. Kur ndodhi që gjatë një kontrolli u detyrua t’i digjte mjaft krijime të hershme, ai gjeti një rrugë të re arkivimi të krijimtarisë së tij poetike: Mbasi i krijonte poezitë i mësonte përmendësh, i përsëriste shpesh dhe ia mësonte dhe gruas. Kështu që letra ku ishte shkruar poezia u bë e pavlefshme. Po t’ia gjenin letrat me të tillë krijime, ai do të kishte shkuar në pushkatim. Gjatë jetës së lirë në Bruksel ai dhe bashkëshortja filluan t’i rikujtonin poezitë, t’i shkruanin e botonin në faqet e revistës Kuq e Zi. Kështu shpëtuan shumë krijime poetike nga koha e kampëve . Të tilla poezi ai i ribotoi në vëllimet Ankimi i Zanave,GJERGJ FISHTA, Lezhë 2000, Gjurmë të Humbura, ARBERIA, Tiranë, 2002. Lahutari shqiptar dhe Lahutari Këndon (kangë rapsodike) LULU, New York , 2010-2011.
Lek Pervizi e pasuroi krijimtarinë poetike dhe me vepra të reja të cilat i përmbodhi në vëllimin Pétale de Rose, (Petale Trëndafili) shqip-frëngjisht, botues L’HARMATTA, Paris, 2010 dhe Milano, shqip-italisht, 2011. Ribotuar nga LULU, New York 2011. Psherëtimë e Erës, LULU, NewYork, 2011. dhe Tingëllime të vona dhe Labirinte, Bruksel, 2014. Shumë prej këtyre krijimeve ai i ka përkthyer e botuar dhe në italisht e frëngjisht. Po ashtu ai ka hartuar dhe një mori tregimesh e shkrimesh të ndryshme në prozë të cilat i ka botuar në revistën e tij dhe në vëllime më vete shqip, frëngjisht e italisht. Libri me tregime frëngjisht Dans les Cercles de l’Enfer, botues L’HARMETTAN, Paris, 2014. Botimi shqip Në Vorbullën e Skëterrës, Bruksel 2014.
Libri poetik Tingëllime të Vona, pëmban mbi 112 tingëllime klasike të rimuar (1008 vargje) kushtuar pjestarëve të familjës, në formë biografike, gjyshes, nënës, gruas, prindërve dhe vëllezërve.
Me të drejtë Leka meriton të quhet Piktor dhe poet i kampeve të vdekjes.
Autor memuaresh.
Detyra për të nxjerrë në dritë të vërtetat lidhur me ndihmesën atdhetare të anëtarëve të familjes Pervizi e shtyu Lekën të shkruante dhe kujtimet e veta, të atit të tij dhe të vëllezërve. Këto kujtime ruhen tani për tani në dorëshkrim në disa vëllime dhe presin rastin të botohen me titujt:
Odiseja e Pafajësisë, vëllim i cili i kushtohet jetës së vëllait Valentin.
Trilogjija e njӫ Jete (Lumturia – Ferri – Parajsa), kushtuar jetës së familjes së ngushtë të Lekës.
Lek Pervizi, ky vuajtës dhe sfidues i madh i diktaturës, ky veprimtar shumëdimensional i tranzicionit ka meritur prej kohe titullin NDER I KOMBIT, por deri më sot ai është vlerësuar vetëm duke i vënë emrin e tij shkollës 9-vjeçare të fshatit Pug. Natryrisht vlerësimi i tij i vërtetë do të bëhet mbasi të studjohet e vlerësohet jeta dhe krijimtaria e tij e shumanshme, si dhe koleksioni i pasur i revistës Kuq e Zi.