- Pas sulmit në Irak kundër gjeneralit iranian, Kasem Soleimani, SHBA duket e zhgënjyer nga qëndrimi i europianëve. Ndërkohë Brigadat Al-Kuds paralajmërojnë hakmarrje e nuk përjashtojnë as sulme në Ngushticën e Hormuzit.
Mijëra irakianë demonstruan të shtunën kundër SHBA në një ceremoni mortore për gjeneralin e vrarë, Kasem Soleimani duke kërkuar hakmarrje me thirrje „vdekje Amerikës”. Me arkivolin e gjeneralit të vrarë ata kaluan nëpër kryeqytetin e Bagdadit duke lëshuar thirrje urrejtjeje kundër SHBA-së. Soleimani u vra me drone amerikane në Irak, dhe njihej si drejtuesi i brigadave famëkeqe Al Kuds dhe këshilltar i afërt i liderit suprem fetar të Iranit, Ajatollah Khamenei. Irani ka shpallur se do të ketë hakmarrje masive. Edhe Gardat e Revolucionit, pjesë e të cilave ishin Brigadat Al-Kuds kanë kërcënuar se do të hakmerren kundër SHBA dhe nuk përjashtojnë sulmet në Ngushticën e Hormuzit.
Irani do t’i ndëshkojë amerikanët, ku të jenë, tha komandanti i njësive elitë në provincën Kerman, gjenerali Golamali Abuhamseh të shtunën për agjencinë Tasnim. „Ngushtica e Hormuzit është një pikë e rëndësishme për perëndimin dhe shumë shkatërrues amerikanë dhe anije lufte e kalojnë atë”, tha Abuhamseh.
Pompeo kritik ndaj vendeve europiane
Ndërkohë Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo kritikoi mbështetjen e europianëve pas vrasjes së gjeneralit iranian, Kasem Soleimani nga SHBA. Pompeo tha të premten për televizionin Fox News, se aleatët europianë „nuk ishin aq ndihmues”, sa kishte shpresuar ai.
Mike Pompeo
Vrasja e Soleimanit në Irak u urdhërua nga presidenti Trump dhe u përshëndet nga republikanët dhe Izraeli. Kurse krerë të tjerë shtetesh dhe qeverish perëndimore paralajmëruan nga shkallëzimi i gjendjes në Lindjen e Afërt. Pas bisedimeve me aleatët në rajon dhe Europë, Pompeo tha se britanikët, francezët, gjermanët duhet të kuptojnë, se „ajo që kanë bërë amerikanët ka shpëtuar jetë njerëzish edhe në Europë.” Kurse bisedimet me partnerët tanë në rajon kanë qenë „të gjitha fantastike”, shtoi Pompeo, i cili e quajti sulmin „një gjë të mirë për të gjithë botën”.
Bundeswehri gjerman si edhe NATO ndërprenë trajnimet në Irak
NATO ndërpret trajnimin e trupave irakiane
Pas vrasjes së gjeneralit të njohur iranian, Kasem Soleimani, për shkak të gjendjes së rrezikshme në rajon, NATO ka ndalur për momentin trajnimin e trupave irakiane. Zëdhënësi, Dylan White tha, se misioni megjithatë nuk do të ndërpritet. „Por aktivitetet e trajnimit janë ndalur përkohësisht.” NATO e vëzhgon gjendjen me kujdes, tha zëdhënësi. Siguria e personelit ka prioritet. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka biseduar me ministrin amerikan të Mbrojtjes, Mark Esper pas zhvillimeve të fundit në rajonin e Lindjes së Afërt.