-Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia dhuruan Kosovës kontingjentin e parë nga mbi gjysmë milioni doza të vaksinës Pfizer. Kjo paraqet donacionin më të madh të vaksinës kundër Covid-19 që ndonjë vend apo organizatë ia ka dhuruar Kosovës/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 20 Gusht 2021/ Duke e përmbushur zotimin e presidentit Biden për të ndihmuar partnerët anembanë botës në luftën kundër Covid-19, sot, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia dhuruan Kosovës kontingjentin e parë nga 503.100 doza të vaksinës jetëshpëtuese të sigurta dhe shumë efektive të Pfizer, të cilat priten të arrijnë në Kosovë. Kjo paraqet donacionin më të madh të vaksinës kundër Covid-19 që ndonjë vend apo organizatë ia ka dhuruar Kosovës. Me këto doza, qeveria e Kosovës do të ketë mundësi t’i vaksinojë plotësisht dhe të mbrojë qytetarët e saj, duke lëvizur për 20 për qind më afër arritjes së qëllimit të saj të përgjithshëm të vaksinimit.
Dërgesa e sotshme është pjesë e përkushtimit të Presidentit Biden për të ndarë dozat e vaksinës COVID-19 nga furnizimet vendore amerikane për të mbështetur nevojat globale. Pasiqë asnjë vend nuk mund ta mposhtë COVID-19 vetëm, në qershor, Shtetet e Bashkuara fillimisht u përkushtuan për të ndarë 80 milionë doza vaksine me botën. Që nga 3 gushti, ne kemi dhuruar dhe dërguar mbi 110 milion doza në më shumë se 60 vende, dhe ky është vetëm fillimi. Sikurse ka thënë Presidenti Biden: “Po i ndajmë këto doza jo për të siguruar favore apo për të nxjerrë koncesione. Po i ndajmë këto vaksina për të shpëtuar jetë dhe për ta udhëhequr botën që t’i japim fund pandemisë”.
Duke folur gjatë ceremonisë së arritjes së vaksinave, ambasadori Philip S. Kosnett tha: “Vaksinat bëjnë punë vetëm nëse njerëzit vaksinohen. Shumë njerëz ende besojnë se vaksina është e panevojshme ose nëse janë infektuar dhe i kanë mbijetuar Covid-it, që nuk do të sëmuren sërish. Kjo thjeshtë nuk është e vërtetë, veçanërisht në vazhdën e rritjes dramatike të rasteve të shkaktuara nga varianti Delta. Prandaj, ju lutemi, vaksinohuni për të mbrojtur veten, familjet dhe komunitetin tuaj”.
Vaksinat e dhuruara nga SHBA-ja u dorëzuan përmes mekanizmit për Angazhim të avancuar të tregut për lehtësim të Covax-it (COVAX AMC), që është nismë globale në mbështetje të qasjes me mundësi të barabartë në vaksina të sigurta dhe efektive kundër Covid-19. Me kontributin financiar prej 4 miliardë dollarë për Gavi në mbështetje të COVAX, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë donatori më i madh financiar në Covax. Covax-i baskëudhëhiqet nga Koalicioni për gatishmëri dhe inovacion ndaj epidemive (CEPI), Gavi – Aleanca për vaksina dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) së bashku me UNICEF-i si partnerë kryesorë për dërgesa. Me këtë dërgesë, Kosova ka pranuar mbi 700.000 doza përmes COVAX AMC.
Përveç vaksinave, prej fillimit të pandemisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhuruar gati 4 milion dollarë për pajisje mbrojtëse, pajisje mjekësore, grante për mësim përmes internetit, si dhe ndihmë tjetër lidhur me Covid-19 për të ndihmuar shkollat, objektet shëndetësore, familjet dhe komunitetet anembanë 38 komunave të Kosovës. Me ndihmën e sotshme, po vëmë themelet për një Kosovë sovrane, të vetëmjaftueshme dhe të qëndrueshme të së nesërmes; një Kosovë që përqafon përgjegjësitë e saj në vend, por edhe si partnere e barabartë në rajon, brenda Evropës dhe në botë, thekson njoftimi i dërguar sot pasdite nga Ambasada e SHBA në Kosovë.